Portalet pa adresë “vdesin” edhe njerëz të gjallë

Shkruan: ARTA TAHIRI

Një pjesë e portaleve thuajse çdo ditë publikojnë lajme, që nuk kanë interes publik, që nuk i nënshtrohen as verifikimit minimal të fakteve dhe burimeve, lajme që janë sensacionale apo “lajme rozë” të tipit se kush çfarë ha e pi, por ndodh që publikojnë edhe “lajme mortore” për njerëz që janë shëndosh e mirë! Mos vallë, publikuesit e këtyre “lajmeve”, duan të na kumtojnë se ka përfunduar ora e gazetarisë së vërtetë profesionale dhe etike?

“Vdes në moshën 73 vjeçare, aktori i madh shqiptar Mirush Kabashi”! Kjo ishte dezinformata, e cila u bë virale në mediat onlajn dhe sidomos në rrjetet sociale. U shpërnda rrufeshëm më 1 janar 2023, duke paralajmëruar se, për të keq, mediatikisht edhe viti 2023, si duket, do të jetë i “lajmit të rremë”. Dezinformata tronditi të njohur e të panjohur të tij, meqë bëhet fjalë për një aktor të famshëm, që ka emër të madh në kinematografinë dhe teatrin e hapësirës kulturore shqiptare.

I madh ishte edhe numri i atyre që, pa u menduar dy herë, pa bërë asnjë tentim për verifikimin e fakteve, në rrjetet sociale thurën elozhe mbi këtë personalitet të rëndësishëm të jetës kulturore.

Këtë dezinformatë e publikuan shumë media, por më pas e fshinë, meqë ishte vetë aktori Kabashi, i cili përgënjeshtroi mediat e papërgjegjshme dhe joetike, duke bërë të ditur se “është shëndosh e mirë”, por i vjen keq se kjo nuk është hera e parë që e shpallin të “vdekur”. Paraprakisht, më 6 qershor të vitit 2021, një pjesë e madhe e mediave po ashtu raportoi se “Sapo është bërë publik lajmi i trishtë për ndarjen nga jeta të aktorit të mirënjohur shqiptar, Mirush Kabashi”.

Këtë mënyrë, gjoja informimi, se veç informim nuk është, një pjesë e mediave, e bën për klikime dhe për fitimin e denarëve, eurove apo dollarëve. Paturpësisht! Kjo, pasi ai që bëhet viktimë e medias ka të afërm, familjarë dhe farefis, miq e dashamirë dhe kur është personalitet i rëndësishëm publik ka edhe shumë ndjekës që e duan dhe çmojnë. Të luash me emocionet e njerëzve të kategorive të ndryshme, një pjesë e të cilëve mund të kenë edhe sëmundje të ndryshme, duke shpallur të vdekur njerëz që janë gjallë, nuk është mosrespektim i etikës profesionale, por është mosrespektim i etikës themelore njerëzore.

“Lajmet” e këtilla mortore, që tërheqin klikime, por që ulin dukshëm besueshmërinë e mediave, janë pasojë e kaosit në fushën e medias. Mosrregullimi me ligj i mediave onlajn apo portaleve nuk do të thotë anarki.

“Lajmet e rreme” që i lexojmë çdo ditë në media, më shumë janë rezultat i faktit që në Maqedoninë e Veriut, mediat onlajn apo portalet, nuk kanë asnjë detyrim publik ligjor për regjistrimin e tyre zyrtar. Madje, nuk kanë as detyrim (gjithmonë flasim për atë ligjor) për të bërë transparente pronësinë dhe të publikojnë impresumin (adresën e redaksisë, të dhëna për kontaktim, emrat e gazetarëve, redaktorëve dhe kryeredaktorit). Fakti që nuk detyron ligji, nuk do të thotë se medoemos duhet të ketë anarki mediatike në sferën onlajn. Mediat, e kanë detyrim profesional dhe etik të bëjnë të ditur për publikun pronësinë dhe strukturën e redaksisë, pra të bëjnë të ditur identitetin e tyre, sepse kështu e rrisin besueshmërinë në nivel afatgjatë.

Duke publikuar lajme të tipit “vdes ky apo ai”, ndërkohë që njerëzit janë të gjallë, mund të fitohen disa qindarka më shumë, por pëson besueshmëria e mediave, e cila çdo e më tepër është në rënie.

Natyrisht se pritjet për ndërgjegjësim profesional dhe etik, janë për ata që gazetarinë e kanë profesion dhe mision. Rikthimi në binarët e profesionit, nuk pritet nga ata që në gazetari kanë hyrë për të përfituar! E mira është se ata një pjesë e publikut i ka identifikuar dhe çdo e më tepër po u shfaq mosbesim!

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut