“Copy – paste” gazetaria portaleske

Shkruan: ARTA TAHIRI

Ju ndodh shpesh që të lexoni tituj të njëjtë të lajmeve në media të ndryshme? Kjo ndodh për shkak të plagjiaturës, e cila tashmë është bërë dukuri e zakonshme në media. Mirëpo, plagjiatura është rreptësisht e ndaluar me Kodin Etik të Gazetarëve, apo siç thuhet decidivisht në Kod – “Bërja e plagjiatëve është e palejueshme”. Pra vjedhja, e cila quhet plagjiaturë – është e ndaluar! E lajmit gjithashtu, dhe është njësoj sikur t’i vjedhësh dikujt në xhep!

Nuk mund të mohojmë se ka portale që prodhojnë lajme autentike, bëjnë punë profesionale dhe për këtë meritojnë respekt e mirënjohje. Por, në kaosin informativ të cilin po e dëshmojmë përditë, hasim shumë të tilla që kryesisht bazohen tek lajmet që i prodhojnë mediat tradicionale, pa respektuar aspak të drejtën autoriale.

Për shembull, ka disa portale, të cilat në aspektin teknologjik i kanë të lidhura faqet e tyre me faqen e internetit të TV Alsat, dhe, në momentin kur publikohen në portalin e televizionit, me automatizëm rishfaqen në këto portale. Edhe kur në faqen tonë ndodh ndonjë gabim pa dashje, ose gabim ortografik, i njëjti shumëfishohet në portale. Prandaj, shpesh ndodh që mediat të vrojtohen nga publiku si të njëjta, pa dallime.

Më rastis shpesh, madje shumë shpesh, që te portale të ndryshme të has në lajme të cilat i prodhon ekipi i TV Alsat, përkatësisht gazetarët, kryeredaktori dhe redaktorët, kameramanët e terrenit dhe të studios, montazhierët, regjisorët e lajmeve dhe stafi tjetër ndihmës. Po i përmend gjithë këto pozicione pune, për të dëshmuar se prodhimi i lajmit në televizion është proces shumë i ndërlikuar ekipor, që përfshin edhe shumë shpenzime financiare për pagat e të punësuarve, shpenzime të mëdha për karburantet e naftës, mirëmbajtjen e veturave, blerjen e teknologjisë dhe shpenzime operative për mbarëvajtjen e punës.

Figurativisht, kolegët “shqyejnë” shumë këpucë, investojnë angazhimin e tyre profesional në terren, në ditë të nxehta vere dhe të ftohta dimri, për të arritur deri tek lajmi, përderisa dikush me “hazërllëk”, nga zyra apo nga shtëpia me “copy paste”, i ripublikon në portal.

Kjo, më së paku që mund të thuhet, është jo e ndershme. Nuk është e ndershme të përfitosh nga djersa e ballit të dikujt, pa treguar respekt minimal për punën e tij, anash faktin që ky është një veprim tejet joprofesional dhe joetik, pra, është e kundërta e standardeve profesionale dhe normave etike.

Shpesh më ndodh të shoh se portalet që publikojnë storjet e TV Alsat-it, për prodhimin e të cilave investohet mund dhe kreativitet, i ripublikojnë si prodhim i tyre, duke cekur autorin, pra gazetarin reporter, por nuk citojnë median si burim. Që të vërtetohet kjo, mund të shihet fare lehtë nga titujt e njëjtë të lajmeve të TV Alsat-it që publikohen në portale, edhe pse ka prej tyre që i ndryshojnë titujt.

Kjo ndodh edhe për faktin se, duke ditur që gazetaria është profesion i lirë dhe i hapur, në media veprojnë shumë njerëz, profesioni i fundit i të cilëve do të duhej të ishte gazetaria. Duke shfrytëzuar mosrregullimin e mediave online, ata e keqpërdorin këtë, posedojnë dhjetëra portale, i publikojnë lajmet me përmbajtje të njëjtë, bëjnë propagandë, pa u mërzitur fare për profesionalizmin dhe etikën gazetareske.

Andaj kolegë, ju që e ndjeni veten gazetarë, para se të publikoni një lajm të vjedhur, mendohuni pak për kolegët tuaj, për mundin e tyre, për stresin dhe djersën e tyre. Cekni burimin, cekni që lajmin e ka bërë TV Alsati apo ndonjë media tjetër, atëherë kur e bën dikush tjetër, e jo ju! E shumë më mirë do ishte të prodhoni lajmet tuaja!

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut