Poligraf: Kush dezinformoi se një rrëmbyes ka joshur fëmijë te shkolla e mesme e muzikës në Shkup?

Para disa ditëve, një dezinformatë se një rrëmbyes paska joshur fëmijët te shkolla e mesme e muzikës në Shkup, u përhap në rrjetet sociale.

Më 22.03.2023, edhe portali “Skopje24” botoi titullin: “Po përhapet apel: Rrëmbyesi josh fëmijët në shkollë me shpjegim se e kanë dërguar prindërit?!”. (Evi + skr. Skopje 24)

Në tekst është botuar fotografi e një postimi në rrjetet sociale me pretendimin se “bëhet fjalë për rrëmbyes fëmijësh”, e po ashtu bëhet me dije se “deri më tani nuk ka asnjë informacion zyrtar për këtë rast nga MPB-ja”.

Mirëpo, të njëjtën ditë, më 22.03.2023, MPB-ja rrepëtsisht demantoi “lajmet e rreme që u përhapën sot në rrjetet sociale në lidhje me një rrëmbyes të dyshuar, i cili dyshohet se lëvizte rreth shkollës së mesme të muzikës në Shkup”. Në përgënjeshtrimin e MPB-së thuhet se “për një person të tillë nuk ka asnjë denoncim në polici dhe as raportim se një person është rrëmbyer”.

MPB gjithashtu njoftoi se “qëllimi i përhapjes së gënjeshtrave të tilla është shkaktimi i panikut, ankthit, ndjenjës së vazhdueshme të frikës dhe pasigurisë tek qytetarët dhe fatkeqësisht po përhapen më shpesh kohëve të fundit. Personi që ka postuar këtë gënjeshtër do të thirret në stacionin policor dhe kundër tij do të bëhet kallëzim përkatës në prokurorinë kompetente”.

Edhe “Vërtetmatësi”, më 26.03.2023 publikoi shkrimin: “Dezinformatë është se ka pasur rrëmbyes në shkollën e mesme të muzikës në Shkup”. “Edhe pse mediat kanë për detyrë të publikojnë informacione të verifikuara, fatkeqësisht në këtë rast postimi është transmetuar pa asnjë verifikim shtesë… Rrjetet sociale mund të jenë pikënisje për gazetarët për të verifikuar informacionet, por jo edhe për të botuar lajme pa i kontrolluar”, shkruan “Vërtetmatësi”.

Ky rast tregon se edhe mediat, por edhe qytetarët duhet të jenë të kujdesshëm dhe të përgjegjshëm, dhe të mos përhapin në rrjetet sociale informacione të pavërtetuara që mund të shkaktojnë panik, shqetësim, frikë dhe pasiguri tek qytetarët.