“Poligraf”: Si u keqpërdorën një mjek dhe media e njohur në reklamë mashtruese për ilaç të rremë?

 

Në rrjetet sociale shpesh përhapen reklama mashtruese për ilaçe të rreme, të cilat keqpërdorin jo vetëm mjekë të njohur, por edhe media, duke publikuar intervista të tyre të rreme.

Më 9 prill 2024, profesori Dragan Danillovski, ish-ministër i Shëndetësisë, publikoi “PARALAJMËRIM PËR LAJM TË RREMË!”, ku thuhet: “Për kushedi të satën herë, përsëri është keqpërdorur emri im për të reklamuar një çaj pa vlerë! Mos bini pre! E gjithë përmbajtja e shkrimit, përfshirë edhe “bisedën” me mua në TV Kanal 5, është tërësisht e SHPIKUR!”.

Danillovski shpërndau edhe një link që çon në një uebfaqe, e cila përdor logon dhe skrinshote të Kanal 5 për të plasuar lajme të rreme për shëndetin e një aktori të njohur maqedonas dhe për të reklamuar çaj që gjoja shëron sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut. Në tekst ka edhe intervistë me Dr. Danillovskin nga lajmet e Kanal 5, ku ai kinse pohon se çaji është “mjeti MË I MIRË për të luftuar sëmundjet e zemrës dhe enëve të gjakut, jo vetëm në Maqedoni, por në mbarë botën…”.

Poligraf dërgoi pyetje deri te Kanal 5, a kanë bërë intervistë të tillë me doktor Danillovskin, apo bëhet fjalë për përmbajtje mashtruese që keqpërdor televizionin për përhapje të dezinformatave.

Në përgjigjen nga drejtori i Kanal 5 thuhet se “i tërë informacioni në këtë faqe të rreme është gënjeshtër dhe mashtrim i madh” dhe se janë shfrytëzuar pamje nga lajmet e Kanal 5 që janë ndryshuar me fotoshop. Drejtori i Kanal 5 gjithashtu paralajmëroi kallëzim penal deri te MPB, “me qëllim që të parandalohen kriminelët e tillë të paskrupull dhe çnjerëzor që përpiqen të fitojnë para në kurriz të më të brishtëve – personave të sëmurë”.

Thënë shkurt, verifikimi i fakteve tregoi se bëhet fjalë për një lajm i rremë, i cili keqpërdor mjek, aktor dhe media të njohur për të reklamuar një ilaç të rremë, me intervista dhe deklarata të rreme, lojë shpërblyese të rreme dhe komente të rreme me fotografi të rreme.

Prandaj, qytetarët duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe të mos bien pre e reklamave të rreme për barna në rrjetet sociale, të cilat mund t’u shkaktojnë dëme financiare, por edhe shëndetësore. Kjo dezinformatë është e rrezikshme, sepse rrënon jo vetëm besimin te mjekët dhe sistemi shëndetësor, por edhe besimin në mediat dhe institucionet.