Pra, megjithatë paska rrjete për përhapjen e propagandës dhe dezinformatave ruse në Maqedoni!

Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Për më shumë se një dekadë, disa individë, studiues dhe organizata në vend kemi folur për praninë e organizuar të propagandës dhe dezinformatave ruse në vend dhe ndikimin e tyre të dëmshëm mbi sigurinë, besimin në institucione, prishjen e marrëdhënieve ndëretnike, minimin e integrimit euroatlantik, përhapjen e urrejtjes dhe nxitjen e dhunës…

Kemi shkruar dhjetëra raporte, qindra tekste në të cilat kemi zbuluar përhapjen e orkestruar të dezinformatave, kemi vënë në dukje aktorë konkretë…

Rezultati më së shpeshti ishte – injorimi, përqeshja, e shpeshherë edhe sulmet ndaj nesh që paralajmëronim – jo vetëm nga ata që e duan Rusinë më shumë se vendin e tyre dhe përparimin e tij drejt Evropës, por edhe nga shumë njerëz në media, institucione dhe në opinionin publik.

Sot të gjithë, përfshirë edhe ata që na përqeshnin dhe na injoronin, raportojnë për aksionin e Agjencisë së Sigurisë Kombëtare për zbulimin e rrjetit propagandistik rus, përmes të cilit janë kryer një sërë veprash penale. Shumë prej tyre nuk e bëjnë këtë sepse duan, por sepse e kanë patjetër ta bëjnë.

Për ne, të paktit që prej vitesh flisnim për këtë, ndërsa na injoronin, na përqeshnin dhe na sulmonin – ja, një satisfaksion personal, pas më shumë se një dekade shpifjesh, fyerjesh dhe sulmesh, për të mos folur për kohën e humbur për vendin dhe dëmin e shkaktuar.

Pra, megjithatë paska pasur rrjete ruse të propagandës dhe dezinformatave në Maqedoni. Dhe ky lëmsh, më në fund, ka filluar të zgjidhet. Të shohim nëse institucionet do të kenë guximin, këmbënguljen dhe konsekuencën, pa selektivitet dhe në mënyrë konsekuente – ta zgjidhin deri në fund!

Autori është kryetar i Institutit për Media dhe Analitikë IMA