Shkruan: PETRIT SARAÇINI
Është interesant trajtimi dhe kritika e opinionit publik në lidhje me zgjedhjen dhe emërimin e kuadrove nga sektori joqeveritar në funksione shtetërore nga ana e dy partive më të mëdha në vend, VMRO-DPMNE dhe LSDM.
Besoj se ju kujtohet se si u pritën në opinion kuadrot nga sektori joqeveritar kur, pas „Revolucionit laraman“ dhe rënies së regjimit të Gruevskit, një pjesë e vogël e tyre iu bashkua LSDM-së, ndërsa rreth njëzet prej tyre u zgjodhën, u emëruan ose u angazhuan në funksione të larta dhe më të ulëta shtetërore – disa si deputetë, ministra dhe drejtorë, ndërsa shumica u angazhuan si këshilltarë.
Pothuajse të gjithë ishin rregullisht „në shënjestër“, jo vetëm të opozitës së atëhershme dhe mediave të afërta me të, të cilat i sulmonin më shumë sesa kuadrot partiake të LSDM-së, por edhe të kolegëve të tyre nga sektori joqeveritar. Madje organizoheshin debate, konferenca, botoheshin publikime dhe raporte, në të cilat ky angazhim vlerësohej si i dëmshëm, si goditje dhe dobësim, madje edhe si diskreditim i të gjithë sektorit civil.
Ndryshe nga ky trajtim, shikoni trajtimin ndaj kuadrove nga sektori joqeveritar kur ata angazhohen, zgjidhen ose emërohen nga VMRO-DPMNE.
Së pari, në vend ekziston një keqkuptim i ushqyer vazhdimisht se LSDM-ja është më e hapur ndaj angazhimit dhe vlerësimit të sektorit joqeveritar, por nëse shikohen faktet, do të shihet se kjo nuk është edhe aq e vërtetë.
Për shembull, VMRO-DPMNE-ja qëndroi pas dhe i zgjodhi për presidentë të shtetit Ivanovin dhe Siljanovska-Davkovën, të cilët, përveçse si profesorë, njihen edhe si kuadro shumëvjeçare të sektorit joqeveritar, me bashkëpunim të frytshëm edhe me Fondacionin Shoqëria e Hapur (ose Sorosin, që përndryshe, apo jo, konsiderohej „famëkeq“ dhe vazhdimisht anatemohet pikërisht nga VMRO-ja dhe e djathta).
Edhe ministri aktual i Shëndetësisë (më parë drejtor i FSSH-së), Klekovski, ishte drejtori i parë dhe për shumë vite i MCMS-së, një nga organizatat më të mëdha joqeveritare në vend. Së fundmi, kemi emërimin e ambasadores Mangova në Mbretërinë e Bashkuar, një vend anëtar i përhershëm i Këshillit të Sigurimit të OKB-së dhe një nga fuqitë më të mëdha ushtarake dhe ekonomike në botë. Po ashtu, së fundmi, në Komitetin Ekzekutiv të Unionit të Grave të VMRO-DPMNE-së është zgjedhur një aktiviste e njohur dhe shumëvjeçare për të drejtat e personave me aftësi të kufizuara.
Të mos flasim për të kaluarën më të largët dhe kuadrot nga sektori joqeveritar të vendosura në poste të larta nga VMRO-DPMNE: Bocevski (zëvendëskryeministër dhe më pas ambasador), Dimovski (deputet), Donev (ambasador), si dhe e ndjera Konесka-Trajkovska, e cila ishte zëvendëskryeministre në qeverinë e parë të Gruevskit…
Del se kuadrot nga sektori joqeveritar mbajnë poste shumë më të rëndësishme gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së sesa gjatë qeverisjes së LSDM-së. Por, është po ashtu fakt i pakundërshtueshëm se opinioni publik pothuajse fare nuk e vëren këtë.
Të mos keqkuptohemi. Kam respekt të madh për kapacitetet dhe njohuritë e një pjese të madhe të këtyre njerëzve dhe mendoj se prania e tyre në institucionet shtetërore dhe në partitë politike mund të jetë vetëm në dobi të shoqërisë, sepse sjell në hierarkitë e ngurta partiake një qasje, mënyrë të menduari, dituri dhe përvoja të ndryshme. Sa më të hapura të jenë partitë ndaj kuadrove të tilla, aq më mirë për të gjithë ne.
Por nuk mund të mos e vërej dallimin në trajtimin e opinionit publik ndaj kuadrove nga sektori joqeveritar gjatë qeverisjes së VMRO-DPMNE-së dhe LSDM-së. Dhe ndiej nevojën të theksoj këtë dallim, sepse është një argument i fortë për anshmërinë, cilësinë e kritikës dhe kapacitetin e atyre që e quajnë veten „opinion kritik“!
—
Autori është kryetar i Institutit për Media dhe Analitikë IMA


