Shkruan: PETRIT SARAÇINI
Prej vitesh, mediat dhe gazetarët e pavarur në Serbi përballen me presion të madh nga pushteti i Vuçiqit, i cili po ngulfat lirinë e medias dhe po ngushton hapësirën për kritikë dhe debat shoqëror.
Për shumë vite, Zoran Kesiq ka qenë simbol i mendimit të lirë mediatik, me emisionin e tij “24 minuta” dhe qasjen e tij origjinale satirike. Emisioni i tij nuk është vetëm ndër më të shikuarit në Serbi, por ka edhe fansa në të gjithë rajonin – në Bosnje dhe Hercegovinë, Kroaci, Slloveni, Mal të Zi, Kosovë, Maqedoni…
Për fat të keq, siç ka shkruar vetë, emisioni i tij, vetëm dy javë para fillimit të planifikuar të transmetimit të sezonit të ri në televizionin serb Nova, po përballet me heshtje nga pronarët e rinj nga Portugalia, të cilët nuk ia kanë kthyer kontratën e nënshkruar, për të cilën më parë kishin negociuar dhe kishin shprehur dakordimin e tyre.
Nuk është e vështirë të merret me mend se kush qëndron pas përpjekjeve për ta heshtur Kesiqin, por, duke e njohur atë, kjo do të jetë djallëzisht e vështirë, të mos them – e pamundur.
Mbështetje për (tashmë) legjendën e satirës gazetareske dhe për të gjithë kolegët në Serbi, të cilët prej vitesh po i bëjnë rezistencë pushtetit autoritar. Uroj që sa më shpejt të kenë mundësinë të krijojnë dhe të informojnë lirisht, ndërsa ne, që i kemi përjetuar tashmë këto gjendje, të mos na kthehen përsëri!
—
Autori është president i Institutit për Media dhe Analitikë IMA.



