Kush e ka fajin që qytetarët u besojnë dezinformatave për ujin në Shkup, e jo institucioneve dhe mediave?

Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Pushtetarët çuditen pse qytetarët nuk u besojnë institucioneve se uji në Shkup është i sigurt për t’u pirë. Harrojnë se pikërisht ata, me vite, kur ishin në opozitë, përhapnin dezinformata – për çka janë përmendur edhe në raporte ndërkombëtare.

Tani, kur janë në pushtet, e shohin se sa e vështirë është lufta kundër dezinformatave, pavarësisht se kush i përhap – qoftë opozita, të cilën e akuzojnë për përhapje paniku dhe histerie, apo lloj-lloj gjithologësh në rrjetet sociale, një pjesë e madhe e të cilëve lulëzuan pikërisht të inkurajuar, e madje edhe të instrumentalizuar nga politika dhe partitë.

Tani që janë në pushtet – thonë se do ta ndryshojnë Kodin Penal dhe do të vendosin dënime edhe për përhapjen e qëllimshme të dezinformatave. Ndërsa kur ishin në opozitë, ndaj çdo propozimi të tillë për modernizimin e ligjeve në përputhje me rreziqet e reja të botës digjitale – bërtisnin „censurë“ dhe „diktaturë“.

Por, ajo që nuk mund ta kapërdij është qëndrimi i disa bardëve dhe bardalucëve të gazetarisë, për të cilët të gjithë të tjerët janë fajtorë për gjendjen me dezinformatat, vetëm jo ata dhe mediat.

Të njëjtët, me vite, në mënyrë jokritike dhe pa verifikim, i transmetonin dezinformatat që i publikonin politikanët, duke larë duart nga përgjegjësia me arsyetimin se ata vetëm po transmetojnë atë që kanë thënë të tjerët.

Për dezinformatat që përhapeshin në rrjete – qoftë për Marrëveshjen e Prespës, „propozimin francez“, pandeminë, Ukrainën… nuk lëvizën as gishtin. Nuk qenkërka punë e tyre. Jo, more! Madje edhe planin për luftë të përbashkët kundër dezinformatave, të cilin ua propozoi qeveria e mëparshme, e pritën me armiqësi, e hodhën poshtë pa e studiuar dhe ngritën alarm se po sulmohej liria e mediave. Për më tepër, nga ana tjetër, pështynin verifikuesit e fakteve dhe projektet për luftën kundër dezinformatave.

Jo, të dashur. Është detyrë e juaj të merreni me demaskimin e dezinformatave, e jo t’i lani duart nga përgjegjësia. Sepse nuk po rritet vetëm mosbesimi ndaj institucioneve dhe politikës, por edhe ndaj jush (nesh), mediave dhe gazetarëve. Këtë e tregojnë hulumtime të shumta dhe anketa relevante në vendin tonë, prej vitesh. Por jo vetëm që nuk i publikoni këto shifra alarmante, por as nuk i lexoni këto raporte.

Kudo në botë, në krye të luftës kundër dezinformatave janë mediat më prestigjioze, të cilat kanë departamente të tëra për verifikimin e fakteve dhe me përkushtim i kontrollojnë lajmet, deklaratat e politikanëve, por edhe përmbajtjet e tyre. The Washington Post, The New York Times, Reuters, Associated Press, Agence France-Presse… e kanë kuptuar me kohë se lufta kundër dezinformatave është, para së gjithash, lufta e tyre.

Pse? Sepse, nëse publiku nuk u beson mediave, por lloj-lloj influencuesve, podkasterëve dhe gjithologëve në rrjetet sociale, ato do të mbeten pa publik. Nëse mbeten pa publik, do të mbeten edhe pa reklamues dhe para. Do të duhet t’i vënë dry derës dhe t’i mbyllin bizneset.

Prandaj, mos u sillni si strucët, nxirrni kokat nga rëra dhe filloni të merreni me kërkimin e së vërtetës. Sigurisht, fillimisht duke kërkuar përgjegjësi nga institucionet dhe politika, nga arsimi që nuk ndërton qytetarë me mendim kritik, por edhe brenda radhëve tuaja.

Dhe, bashkëpunoni me njëri-tjetrin – institucionet dhe mediat me sektorin civil – për një luftë të përbashkët kundër dezinformatave. Këtë po e kërkojmë prej jush prej vitesh. Sepse, siç po shihet, kjo punë ka kohë që nuk është për tallje!

—

Autori është kryetar i Institutit për Media dhe Analitikë IMA.