Sekretari gjeneral i EFJ, Guteresh për sulmet ndaj gazetarit Furkan Saliu: “Кjo nuk tolerohet më!”

 

Sekretari gjeneral i Federatës Evropiane të Gazetarëve (EFJ), Rikardo Guteresh, u prononcua me reagim të ashpër në lidhje me arrestimin arbitrar dhe sulmet e vazhdueshme me të cilat po përballet gazetari Furkan Saliu.

“Kjo nuk tolerohet më! Jam jashtëzakonisht i shqetësuar për sulmet e vazhdueshme ndaj gazetarit të pavarur dhe themeluesit të PortalX, Furkan Saliu, në Maqedoninë e Veriut”, thuhet në reagimin e Gutereshit të publikuar mbrëmë vonë në rrjetin social Fejsbuk.

Guteresh thekson se gazetari Saliu është arrestuar në mënyrë arbitrare para disa ditësh, pasi u përpoq të dokumentonte dhunën e policisë në një ndeshje futbolli, dhe se gjatë ndalimit të tij “mediat dhe profilet propagandistike në rrjetet sociale u përpoqën shpejt, por dështuan të krijojnë narrative të rreme për arsyet e arrestimit të tij, përfshirë akuzat e pabaza se ai ka sulmuar policë. Përveç kësaj, disa ministra të qeverisë u përpoqën po ashtu të njollosin reputacionin e Saliut”, shkruan Gutereshi.

Guteresh vuri në dukje raportimet se kundër Saliut është ngritur kallëzim penal, që mund të çojë në bastisje dhe sekuestrim në banesën dhe zyrën e tij.

“I bëj thirrje ministrit të Punëve të Brendshme, Pançe Toshkovski, që në mënyrë skrupuloze të sigurojë që rastet me gazetarë të trajtohen në përputhje të plotë me standardet ligjore evropiane dhe që çdo hetim që përfshin gazetarët të marrë parasysh nevojën për të respektuar pavarësinë e mediave, rolin e tyre në shoqëri, dhe në veçanti mbrojtjen e burimeve të gazetarëve”, thuhet në reagimin e kreut të EFJ.

Sipas Gutereshit, filmimi i dhunës policore dhe informimi i publikut për të nuk është krim. “Ata që duhet të ndiqen janë autorët e kësaj dhune, e jo gazetarët që raportojnë për të, në interes të publikut”, thotë njeriu i parë i Federatës Evropiane të Gazetarëve.

Ai bëri me dije se Furkan Saliu ka mbështetjen e plotë të EFJ-së dhe se, së bashku me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë, Sindikatën e Pavarur të Gazetarëve dhe Punëtorëve Mediatikë dhe organizatat ndërkombëtare joqeveritare për lirinë e shtypit, do ta ndjekin nga afër rastin e tij.

“Ne nuk do të dështojmë të denoncojmë çfarëdo hapa të gabuar nga autoritetet në Platformën e Këshillit të Evropës për promovimin e mbrojtjes së gazetarisë dhe sigurisë së gazetarëve dhe në platformën Harta e Lirisë së Mediave. Furkan Saliu vetëm po bënte detyrën e tij. Autoritetet duhet ta falënderojnë atë, në vend që ta maltretojnë”, porositi Guteresh.