Mediat me dy realitete etnike për incidentin në Veles dhe flamurin shqiptar në Çarshinë e Shkupit

Shkruan: SEFER TAHIRI

Një ngjarje, dy të vërteta – njëra shqiptare dhe tjetra maqedonase! Në mediat e vendit (pavarësisht se a janë tradicionale ose të reja, apo janë lokale, rajonale ose kombëtare) ndodh shpesh që të pasqyrohen dy realitete, njëri shqiptar dhe tjetri maqedonas, gjë që buron nga ndikimi i filozofisë së etnocentrizmit ndaj gazetarëve dhe mediave.

Raste tipike janë evidentuar ditëve të fundit. I pari është  incidenti në Veles, në të cilin u përfshinë tifozët e Borecit dhe volejbollistët e Shkëndijës nga Tetova, ndërsa i dyti ka të bëjë me përdorimin e flamurit shqiptar në Çarshinë e Shkupit.

Si raportuan mediat lidhur me këto zhvillime dhe cilat ishin dështimet e tyre profesionale? Si duhet të sillet media dhe publiku ndaj ngjarjeve të ndjeshme me bekgraund etnik?

Incidenti në Veles: Mediat maqedonase fajësojnë volejbollistët e Shkëndisë

Incidenti që ndodhi në ndeshjen e volejbollit mes Shkëndisë dhe Borecit më 10 prill 2023 në Veles nxori në pah faktin që një pjesë e mediave, ngjarjet, qofshin edhe sportive i vrojtojnë me dioptri etnike. Sipas një pjese të mediave në gjuhën maqedonase, volejbollistët e Shkëndisë sulmuan tifozët e Borecit, ndërsa sipas pjesës më të madhe të mediave në gjuhën shqipe ndodhi e kundërta.

Siç evidenton agregatori i lajmeve Time.mk, pjesa më e madhe e mediave në gjuhën maqedonase raportuan me titullin “Incident në Veles: Volejbollistët e Shkëndijës u rrahën me tifozët e Borecit“. Në grupin e mediave që raportuan me këtë titull bëjnë pjesë mediat me format informativ: portali Mkd, A1on, portali i gazetës së përditshme Slloboden Peçat, por edhe ato që janë të specializuara për të ndjekur zhvillimet sportive siç janë portalet: Ekipa, Sport M, Derbi, Sport1 etj.

Mediat raportonin se “Dueli midis Borecit dhe Shkëndijës, i cili përfundoi me fitore e klubit të Velesit me 3:2, përfundoi me incident, pasi volejbollistët e ekipit tetovar u përleshën me shikuesit në sallën “25 maj” në Veles. Ky ishte takim i gjysmëfinales në plej-of. Ka pasur fyerje, rrahje, gjuajtje me karrige, ndërsa në fund një pjesë e aktorëve të terrenit dhe shikuesve kanë përfunduar në stacionin policor, ku kanë dhënë deklarata. Tani për tani nuk ka informacione për të lënduar më rëndë, edhe pse mund të shihej në video, se nga të dy anët kishte gjuajtje të sendeve të forta nga tribuna e terrenit dhe anasjelltas”.

Portali Sport1 raportonte se “lojtarët mysafir filluan të rrihen me tifozët vendas, me siguri të provokuar nga provokimet, që janë bërë nga një pjesë e publikut”.

Një pjesë e portaleve tjera raportuan me titullin “Incident në Veles: Fluturuan karrige, shishe… fansat u rrahën me basketbollistët e Shkëndisë“. Me këtë titull raportuan portalet: Makfax, portali i televizonit rajonal në Shkup MTM, Kajgana. Tocka etj.

Mediat në gjuhën maqedonase e kanë transmetuar komunikatën e klubit Shkëndija, sipas së cilës “volejbollistët dhe anëtarë të shtabit teknik kanë dhënë deklarata në polici”.

Mediat shqipe hedhin fajin tek tifozët e Borecit

Ndërkohë, mediat në gjuhën shqipe kanë raportuar se tifozët e klubit Borec nga Velesi i kanë sulmuar fizikisht volejbollistët e klubit nga Tetova, Shkëndija.

Sipas agregatorit të lajmeve të mediave shqipe, Fax.al, titulli i raportimit nga kjo ngjarje ishte “Sulmohen fizikisht lojtarët e Shkëndijës nga tifozët maqedonas“.

Sipas mediave në gjuhën shqipe, “Volejbollistët e Shkëndijës së Tetovës janë sulmuar fizikisht në ndeshjen me Borecin në Veles të Maqedonisë së Veriut. Skuadra shqiptare pësoi humbje me rezultat 3-2 në sete, teksa pas përfundimit të ndeshjes tifozët e ekipit kundërshtar sulmuan lojtarët. ‘Rezultati mbeti nën hije të pritjes jo sportive të publikut vendas me brohoritje dhe sulme ndaj lojtarëve tanë që solli rrëmujë në sallën Park në Veles’, thuhet në njoftimin e ekipit shqiptar”.

Madje, portali Lajmi.net raportoi me titullin “Skandal: Huliganët maqedonas sulmojnë lojtarët e Shkëndijës së Tetovës.” Ky portal raportoi se “Huliganët maqedonas të Borecit kanë sulmuar lojtarët e Shkëndijës në palestër. Tifozët vendas kanë hedhur gjësende në drejtim të volejbollistëve të ekipit shqiptar, ndërsa disa nga ta i kanë goditur edhe me grushte. Pjesëtarët e policisë maqedonase kanë ndërhyrë më shumë tek lojtarët shqiptarë, se sa te huliganët e klubit Borec.”

Portali Nistori është më i drejtpërdrejtë në transmetimin e ngjarjes, duke u vënë tifozëve përgjegjësinë për incidentin. Ky portal raporton me titullin “Publiku në Veles sulmon lojtarët e KV Shkëndija Tetovë“. Portali njofton se “Sipas informacioneve publiku ka sulmuar lojtarët e KV Shkëndija, gjë që ka sjellë rrëmujë në sallën Park në Veles”.

Televizionet Kanal 5 dhe Klan Maqedonia përplasen për përdorimin e flamurit në Çarshinë e Shkupit

Rasti i dytë që kemi në shqyrtim analitik është raportimi mbi Çarshinë e Vjetër të Shkupit, e cila historikisht njihet për karakterin e saj shumëkulturor dhe kultivimin e marrëdhënieve të mira ndëretnike.

Ka mjaftuar valëvitja e disa flamujve etnik shqiptar në hyrje të Çarshisë, që televizioni me licencë kombëtare Kanal 5 që në titullin e kronikës të transmetuar më 11 prill të këtij viti, të shtrojë pyetjen “Në cilin shtet gjendet Çarshia e Vjetër e Shkupit“?

Në kronikën e këtij televizioni thuhet: “Fotografia e parë, e cila i pret turistët e huaj, që vijnë ta vizitojnë Çarshinë e Vjetër të Shkupit, e cila është njëra nga lokacionet më tërheqëse në shtet janë flamuj të shtetit të huaj, në rastin konkret flamuri shqiptar. E tillë është gjendja në hyrje dhe në dalje të Çarshisë. Në cilin shtet gjendet Çarshia e Vjetër e Shkupit? Kjo është pyetja që këtyre ditëve e bëjnë qytetarët, por edhe turistët e huaj, të cilët janë të hutuar. Shkak për këtë është fakti që vendi më i popullarizuar në kryeqytetin e Maqedonisë është vërshuar me flamuj shqiptarë. Dhjetëra flamuj shqiptarë janë vendosur në hyrjen kryesore    të Çarshisë, por edhe në brendi të saj, ndërsa flamujt maqedonas gjenden vetëm në dyqane”.

Por, gazetarja e TV Kanal 5 merret vetëm me supozime dhe hamendësime, natyrisht të pabazuara, pasi në kronikën televizive nuk sjell asnjë deklaratë nga ndonjë qytetar apo turist i huaj, i cili pohon se ndjehet i hutuar nga përdorimi i flamurit shqiptar.

Bëhet fjalë për sjellje joprofesionale, pasi në këtë mënyrë transmetohen vetëm spekulime, të cilat më pas gjenerojnë stereotipa, që fatkeqësisht është praktikë e shpeshtë në hapësirën publike. Narrativi i kësaj kronike shkel edhe Kodin Etik të Gazetarëve, i cili decidivisht thotë se “Gazetarët duhet të bëjnë dallim mes fakteve dhe mendimeve, mes lajmit dhe komentit”.

Nga ana tjetër, televizioni në gjuhën shqipe, Klan Maqedonia ka reaguar ndaj TV Kanal 5 me (kundër) kronikën me titull “Shkup: Çarshia e vjetër si instrument për nxitje të urrejtjes ndëretnike?!“. Në këtë kronikë konstatohet se kronika e TV Kanal 5 ka ndikuar që “Tregtarët të jenë të mllefosur, ndërsa turistët aspak konfuz”. Si kundërpërgjigje ndaj kronikës që me sy kritik e shikon përdorimin e flamurit etnik shqiptar, Klan Maqedonia sjell dy shembuj:

“Flamuri serb në shtyllë elektrike në hyrje të fshatit Lubodrag të Kumanovës”.

“Flamuri turk në disa vende të Çarshisë së Shkupit”.

Më tej në kronikën e Klanit thuhet: “Titulli i lajmit të djeshëm të Kanal 5 ishte se në cilin shtet ndodhet Çarshia e Vjetër e Shkupit? Këtë pyetje vendosëm t`ua bënim turistëve që sot ishin në      Çarshi, përveç kësaj, i pyetëm se a e dallojnë flamurin shqiptar nga ai i Maqedonisë së Veriut dhe a i bën konfuz se në cilin shtet ndodhen nëse e shohin të vendosur në Çarshi?”

Klani ofron dy deklarata të turistëve të huaj, të cilët pohojnë se nuk ndjehen konfuz nga përdorimi i flamurit shqiptar.

Përfundime

Jo vetëm këto dy zhvillime të fundit, por edhe shumë zhvillime të mëhershme me konotacione ndëretnike, janë dëshmi se raportimi gazetaresk, i cili para standardeve profesionale dhe etike vendos ato etnike, është shumë i pranishëm në peizazhin mediatik të vendit.

Nuk janë rastet e vetme kur media, pavarësisht se në cilën gjuhë raporton, apriori është e prirë që të fajësojë ose kërkojë përgjegjësi tek “tjetri etnik”, pavarësisht rrethanave faktike. Pra, shpesh raportohet në stilin propagandistik dhe etnocentrik që nënkupton se për interesat etnike, gazetarët edhe dezinformojnë ose e shtrembërojnë të vërtetën, gjë që është në kundërshtim të plotë me standardet themelore gazetareske, të parashikuara me kodet etike profesionale.

Ky, në fakt, është njëri ndër problemet themelore, që ndikon ndaj erozionit të sistemit mediatik në Maqedoninë e Veriut, që nga pavarësia e vendit në vitin 1991 e deri më sot. Ky nuk është vetëm problem mediatik, pasi si i tillë ka ndikim edhe ndaj sistemit politik dhe në veçanti ndaj marrëdhënieve ndëretnike.

Raportimi dhe interpretimi mediatik i ngjarjeve, i motivuar etnikisht, ndikon ndaj përhapjes së paragjykimeve dhe stereotipave dhe me këtë edhe ndaj gjuhës së urrejtjes, e cila shfaqet shpesh në hapësirën publike, përkatësisht edhe në rrjetet sociale, diskursin partiak – politik, ligjërimet e mësimdhënësve, prodhimin kulturor, veprimtarinë shkencore sidomos në fushën e historisë, por edhe në stadiumet sportive, përkatësisht në fjalorin e tifozëve.

Kjo gjuhë mund të shpie drejt dhunës, e cila manifestohet në forma të ndryshme, ndërsa përdorimi i saj i shpeshtë mund të shpie edhe drejt konflikteve me motive etnike, siç kemi pasur rastin në Kalanë e Shkupit, që ndodhi më 13 shkurt 2011, ku u lënduan gjashtë protestues dhe dy policë. Atë kohë incidenti ndodhi incident i dhunshëm midis protestuesve shqiptarë dhe maqedonas, të cilët kundërshtoheshin lidhur me ndërtimin e kishës përkujtimore në Kala, e cila ka vlera historike. Incidentit i kishte kontribuar mjaft shumë edhe media, e cila raportonte me tone nxitëse, ndërsa ky narrativ u transferua në rrjetet sociale, që të përfundojë në Kala.

Stereotipat paraqesin hap të parë drejt formimit të një fotografie të njëanshme ose shumë të thjeshtë për grup të caktuar i cili mund të përhapet shpejt në mediat dhe në rrjetet sociale, thuhet në Doracakun për edukim mediatik, i dedikuar për arsimtarët.

Prandaj, mediat (gazetarët, redaktorët, kryeredaktorët, botuesit/ pronarët) duhet të bëjnë përpjekje, që të ulin nivelin e stereotipave në përmbajtjet që i prodhojnë. Kjo duhet të bëhet me mospërdorimin e gjuhës stereotipizuese, e cila kryesisht bazohet tek supozimet dhe prezantimi i reduktuar i vlerave dhe përvojave shoqërore, të cilat prezantohen si tregime reale për grupet (edhe etnike).

Duke raportuar në mënyrë jostereotipizuese, mediat mund të ndikojnë tek qytetarët që të jenë sa më pak stereotipizues. Ndërsa publiku kur të lexojë/ dëgjojë/ shikojë përmbajtje që kanë anshmëri etnike, duhet t’i pranojë me rezerva, sepse mediat shpesh prodhojnë lajme ose përmbajtje në zhanre tjera gazetareske, që kanë ngjyrime etnocentrike, në funksion të sensacionalizmit dhe tërheqjes së klikimeve.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut