Çfarë thotë raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë për raportimin mediatik gjatë zgjedhjeve?

 

Një ditë pas raundit të parë të zgjedhjeve presidenciale në vend më 24 prill 2024, misioni vëzhgues i Zyrës për Institucionet Demokratike dhe të Drejtat e Njeriut (ODIHR) të OSBE-së dhe Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës (APKE) publikoi Raportin preliminar, në të cilin procesi zgjedhor vlerësohet si i qetë, demokratik dhe konkurrues, por me mangësi të caktuara ligjore, veçanërisht në financimin e fushatave. Raporti gjithashtu vë në dukje disa vlerësime dhe rekomandime konkrete për mediat.

Vlerësim final nga monitorimi i mediave është se raportimi në fushatë ka qenë përgjithësisht i balancuar dhe me ton neutral, por janë vënë në dukje edhe disa media që kanë qenë të njëanshme ndaj kandidatëve dhe opsioneve të caktuara politike.

“Transmetuesi publik MRT mbuloi të gjithë kandidatët për president në përputhje me dispozitat ligjore që vendosin kornizën për ndarjen e kohës për partitë politike në zgjedhje. Kandidatët e mbështetur nga SDSM dhe VMRO-DPMNE dominuan transmetuesit privatë (19 përqind e mbulimit), të dy kryesisht me ton neutral. Telma ofroi mbulim më të balancuar se transmetuesit e tjerë të monitoruar, duke i kushtuar kohë të barabartë shtatë garuesve presidencialë. Alsat-M ndau kohë të barabartë (16-19 për qind) për garuesit e mbështetur nga katër partitë kryesore politike, ndërsa Sitel u fokusua kryesisht tek kandidatët e miratuar nga LSDM dhe VMRO-DPMNE, duke i kushtuar 20 për qind të përmbajtjes së saj lidhur me zgjedhjet për secilin. kryesisht në ton neutral. Kanal 5 e përqendroi mbulimin e tij primetime në garën mes kandidatëve të mbështetur nga LSDM dhe VMRO-DPMNE, të dy duke marrë 22 përqind të mbulimit. Alfa TV e ka përcjellë me ton negativ kandidatin e përkrahur nga LSDM në rreth 51 për qind të mbulimit të tij. Ndër portalet e lajmeve online, Kurir.mk ia kushtoi 71 për qind të mbulimit kandidatit të mbështetur nga VMRO-DPMNE, ndërsa Tetovasot.com gati 50 për qind kandidatit të BDI-së, me ton kryesisht pozitiv”, ceket në raport.

Në përgjithësi mediat janë të vlerësuara si të lira, të balancuara dhe neutrale, mirëpo me kualitet të dëmtuar. “Peizazhi mediatik është i larmishëm, me 40 stacione televizive dhe 58 radio, 22 media të shtypit dhe mbi 200 portale online. Megjithëse televizioni është burimi kryesor i informacionit, portalet online ndikojnë gjithnjë e më shumë në mjedisin mediatik, veçanërisht gjatë zgjedhjeve. Ndërsa mjedisi në përgjithësi është i favorshëm për lirinë e medias, cilësia e gazetarisë ndikohet negativisht nga fragmentimi politik dhe ndasitë etnike, konkurrenca e fortë midis organeve të shumta mediatike në një treg të kufizuar dhe kushtet e pafavorshme të punës së gazetarëve”, vë në dukje raporti i ODIHR dhe APKE.

Në raport ceket edhe se me ndryshimet e nëntorit 2022 në Ligjin për përgjegjësinë civile për fyerje dhe shpifje, si dhe me ndryshimet e shkurtit 2023 në Kodin Penal, janë aprovuar masa mbrojtëse shtesë për gazetarët. “Megjithatë, sulmet online, përfshirë ato kundër grave, dhe incidentet e izoluara të sulmeve fizike ndaj gazetarëve mbeten një shqetësim”, thuhet në raport.

Më tej, në raporti vlerësohen edhe reformat ligjore, konkretisht ndryshimet e fundit të miratuara në Ligjin për Media dhe Ligjin për Shërbimet Audio dhe Audiovizive Mediatike, me të cilat u aprovuan subvencionet publike për mediat e shtypit dhe u anulua ndalesa e reklamave shtetërore me interes publik, si dhe nevoja për reforma të mëtejshme në sektorin e medias.

“Ndërsa qëllimi i deklaruar ishte të kontribuonte në qëndrueshmërinë e sektorit, ky ndryshim u kritikua nga shumica e bashkëbiseduesve të MNVZ-së, pasi kishte gjasa të rezultojë në ndikim politik mbi media. Shumë bashkëbisedues theksuan nevojën për reforma të mëtejshme në sektorin e medias për të rritur qëndrueshmërinë e mediave, për të rregulluar mediat online dhe për të harmonizuar më tej kuadrin ligjor me legjislacionin e BE-së në lidhje me forcimin e pavarësisë dhe kapacitetit të rregullatorit të medias dhe transmetuesit publik”, sqarohet në report.

Përveç kësaj, ODIHR dhe APKE i përshëndetën ndryshimet ligjore të marsit 2024 në drejtim të përmirësimit të qasshmërisë në lajmet zgjedhore për personat me aftësi të kufizuara, ku ëashtë vërejtur një trend pozitiv te “shumica e transmetuesve nacional publikë dhe privatë” që kanë plotësuar “pjesë të përmbajtjes së tyre në kohën kryesore me titra ose gjuhën e shenjave”.

Në bazë të Kodit Zgjedhor, pritet që mediat të ofrojnë mbulim të zgjedhjeve në mënyrë të drejtë dhe të balancuar, se servisi publik ka obligim të transmetojë promovim politik falas, ndërsa mediat tjera private kanë të drejtë të ofrojnë reklama politike me pagesë. Në këtë kontekst, raporti vë në dukje se, megjithatë, dispozita të ndryshme në ligj i referohen vetëm mbulimit të partive politike dhe jo kandidatëve presidencialë, e me aplikimin e tyre në zgjedhjet presidenciale janë favorizuar kandidatët e mbështetur nga partitë më të mëdha politike.

“Dispozitat ligjore që lejojnë financimin e reklamave politike me pagesë në media direkt nga buxheti i shtetit u kritikuan nga shumë bashkëbisedues të MNVZ-së për rritjen e varësisë së medias nga fondet shtetërore. Për më tepër, shumica e bashkëbiseduesve të MNVZsë pohuan se një numër i konsiderueshëm portalesh lajmesh, të regjistruara për reklamat e fushatës, u krijuan me qëllimin e vetëm për të marrë fonde shtetërore gjatë fushatave zgjedhore dhe, në disa raste, për t’i kanalizuar këto fonde te partitë politike”, vë në dukje raporti i vëzhguesve ndërkombëtarë.

Sa i përket servisit publik MRT, konkludohet se pavarësisht rekomandimeve të ODIHR, ai vazhdon të jetë i rregulluar rreptësisht, gjë që ndikon negativisht në lirinë editoriale dhe nuk siguron qasje dhe mbulim të barabartë të lajmeve për kandidatët presidencialë nga partitë më të vogla. Përveç kësaj, bëhet me dije se pavarësisht ndryshimeve ligjore të korrikut 2023 që synonin përmirësimin e financimit të transmetuesit publik, ai ende mbetet i financuar kryesisht nga buxheti i shtetit. “Ndërsa menaxhmenti i ri i tij do të zgjidhej në vitin 2019, për shkak të mungesës së marrëveshjes në parlament për emërimin e anëtarëve të rinj të Këshillit programatik, transmetuesi funksionon nën menaxhim me një mandat të skaduar”, thuhet në Raport.

Raporti e përmend edhe punën e Agjencisë për Shërbime Mediatike Audio dhe Audiovizuale (ASHMAAV) dhe i përshëndet raportet publike periodike të monitorimit e mediave, udhëzimet në lidhje me zgjedhjet për shpërndarjen e kohës së transmetimit midis kandidatëve dhe rregulloret për heshtje gjatë fushatës,  kodin vullnetar të sjelljes në sferën onlajn, si dhe deklaratën në lidhje me reklamat politike të paguara nga LSDM dhe BDI, ku përfshihej edhe pjesëmarrje e të miturve. Për problemin me mediat onlajn që janë kryesisht të parregulluara, ceket krijimi i organit koordinues të përbërë nga përfaqësues të ASHMAAV dhe OJQ, por vihet në dukje se këtij organi i mungojnë kompetencat zbatuese.

M.S