Zylbeari në “Poligraf”: Si gazetarët, edhe qytetarët, të hapin sytë prej cilave burime informohen

 

Cilat janë temat dhe burimet më të shpeshta të dezinformatave, dhe si qytetarët t’i njohin më lehtë ato? Për këto çështje, “Poligraf” bisedoi me Elida Zylbearin, gazetare dhe redaktore e cila punon në këtë fushë më shumë vite.

Poligraf: Shumë hulumtime tona tregojnë që në vendin tonë kemi shumë dezinformata. Në cilat sfera më së shumti po i vërejmë këto dezinformata?

Zylbeari: Normalisht, pasi që jemi në fushatë zgjedhore, dezinformatat që qarkullojnë lokalisht janë ato për zgjedhjet, gjegjësisht kundër oponentëve të ndryshëm politik. Por, nuk do të ndërlidhem vetëm në aspektin lokal, kemi edhe në aspektin global dezinformata që kanë të bëjnë me narrativat pro-ruse. Zakonisht ndërlidhen me atë se Bashkimi Evropian nuk na duhet, NATO-ja nuk na duhet, ka disa narrativa që janë kundër vlerave të Bashkimit Evropian dhe shpërndahen për fat të keq edhe nga partitë, edhe nga grupacione të ndryshme.

Normal që, pasojnë dezinformatat për luftën në Ukrainë, dezinformatat që kanë të bëjnë kundër Zelenskit dhe kundër ofensivave të cilat po i ndërmerr Ukraina. Gjithashtu, kohëve të fundit janë paraqitur edhe dezinformata që kanë të bëjnë me luftën e Izraelit në Gazë si dhe me sulmin e Iranit apo Izraelit, të dyja palëve në këto dy shtete. Trendi është të paraqiten edhe fotografi edhe video të cilat janë të bëra edhe me inteligjencë artificiale, por ka edhe foto që janë të vjetra apo nuk janë në atë kontekst, që paraqiten si të vërteta, edhe në rrjetet sociale tona edhe në rrethin tonë.

Poligraf: Po cilat janë ato burimet më të shpeshta nga të cilat na vijnë këto dezinformata?

Zylbeari: Burimet më të shpeshta – varësisht prej interesave të mediave dhe qendrave të fuqive. Për shembull, dezinformatat që kanë të bëjnë me Rusinë dhe me propagandën pro-ruse normal që vijnë nga mediat ruse, të cilat kanë edhe qendrën e tyre në Serbi, dhe prej Serbisë shpërndahen edhe në Maqedoninë e Veriut. Pastaj, edhe në shtetet tjera të Ballkanit: në Republika Sërpska, kemi konfliktin e Kosovës me Serbinë, dhe ka pasur edhe dezinformata lidhur me rezolutën e gjenocidit të Srebrenicës, me anëtarësimin e Kosovës në institucionet botërore…

Pra, varësisht prej interesave të shkaktarëve të dëmit që e bëjnë dezinformuesit, ashtu janë edhe burimet. Lokalisht kemi partitë politike, kemi personat që janë të interesuar të fitojnë diçka në fushatë, dhe rrjetet e ndryshme të njerëzve, të cilët edhe i njohim edhe nuk i njohim, që shpërndajnë dezinformata.

Poligraf: Po qytetarët, çfarë mund të bëjnë që të mos bien pre e dezinformatave dhe që t’i detektojnë ndoshta më lehtë këto dezinformata?

Zylbeari: Njëjtë edhe si gazetarët, qytetarët duhet t’i hapin sytë, pra, prej cilave burime informohen. Duhet të kenë kujdes, të mendojnë, t’ia parashtrojnë vetes pyetjen se, nëse kjo informatë vjen nga dikush, atëherë duhet ta mendojnë se kush përfiton nga kjo informatë, cili mund të jetë qëllimi i kësaj informate dhe pse pikërisht atyre u servohet ajo. Pra, duhet ato disa pyetje kritike t’ia parashtrojnë vetes para se të shpërndajnë atë dezinformatë.

Intervistoi: Era Gjakova