Oferta e partive për luftë kundër dezinformatave: Shumë akuza të ndërsjella, pak zgjidhje konkrete

 

Sa janë të dëmshme dezinformatat për demokracinë dhe proceset zgjedhore? Cila është qasja ndaj përhapjes së dezinformatave në programet e partive kryesore politike në fushatën parazgjedhore? Pse partitë politike shqiptare nuk e kanë përfshirë problemin e dezinformatave në programet, me të cilat kërkojnë vota nga qytetarët? A ka vullnet politik që ky problem të tejkalohet?

Shkruan: SEFER TAHIRI

Viteve të fundit, Republika e Maqedonisë së Veriut është përballur shpesh me përhapje masive të dezinformatave, si në rrjetet sociale ashtu edhe në media. Dezinformatat, propaganda e hapur politike në media të caktuara, shpifjet dhe fyerjet, por edhe përdorimi i gjuhës së urrejtjes mbi baza të ndryshme (kryesisht etnike, fetare dhe politike), paraqesin një ndër sfidat më të mëdha, me të cilat ballafaqohet shoqëria. Këto dukuri negative janë intensifikuar, sidomos gjatë proceseve zgjedhore në vend.

Dezinformatat janë një ndër kërcënimet kryesore ndaj demokracisë, por edhe instrument që ka qëllime propaganduese, përkatësisht manipulimin dhe ndikimin mbi vullnetin demokratik të qytetarëve në proceset zgjedhore, gjë që rezulton në uljen e dukshme të besimit të qytetarëve ndaj mediave dhe gazetarëve, por edhe ndaj institucioneve demokratike.

Për këto rreziqe flet edhe Indeksi i fundit për lirinë e mediave i Reporterëve pa Kufij, ku në raportin për Maqedoninë e Veriut theksohet se “përhapja e gjerë e dezinformatave dhe mungesa e profesionalizmit kontribuojnë në rënien e besimit të shoqërisë në media”, si dhe se partitë më të mëdha në pushtet dhe në opozitë “kanë krijuar sisteme mediatike paralele mbi të cilat ushtrojnë ndikimin e tyre politik dhe ekonomik”.

Por, të shohim, si e trajtuan partitë politike problemin me dezinformatat në ofertën e tyre para qytetarëve në këtë fushatë zgjedhore?

Dezinformatat, pjesë e fushatës zgjedhore në akuzat e ndërsjella partiake

Megjithëse asnjëra nga partitë politike nuk pranon se është “pronare” e portaleve pa adresë dhe pa standarde, shumë prej tyre edhe në këtë periudhë treguan se funksionojnë nën diktatin e propagandës partiake, duke botuar përmbajtje që anatemojnë kundërshtarët politik, madje në disa raste edhe më ashpër se sa vetë partia politike.

Edhe gjatë kësaj fushate, partitë politike në të dy kampet etnike kanë drejtuar kritika dhe akuza të ndërsjella se prodhojnë dhe shpërndajnë dezinformata, të cilat u evidentuan edhe në raportin preliminar të Misionit Ndërkombëtar të Vëzhgimit ODIHR. “Gjatë fushatës, përfaqësuesit e LSDM-së dhe VMRO-DPMNE-së reciprokisht akuzuan njëri-tjetrin për përhapjen e dezinformatave. Më 2 prill, një gazetar publikoi një plan veprimi të VMRO- DPMNE-së që supozohej se përfshinte krijimin e sondazheve të rreme të opinionit. VMRO-DPMNE ka reaguar duke thënë se plani i veprimit në fjalë është falsifikim nga kundërshtarët e tyre politikë”, thuhet në raportin e vëzhguesve ndërkombëtarë.

Bëhet fjalë për rastin ku gazetari Furkan Saliu në “PortaliX” publikoi se në prag të zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare këtë pranverë, VMRO DPMNE-ja ka ndezur motorët propagandues. Sipas Saliut, skema duket të jetë e ngjashme nga ajo që jemi mësuar ta shohim, ndërsa pjesë e saj është edhe servisi publik MRTV.

“Portali X posedon dokumentin e përgatitur nga shtabi republikan zgjedhor i VMRO DPMNE-së, i nënshkruar nga Lluke Galevski, Marija Andonovska, Ivica Grambozov dhe Zoran Stavrevski. Sipas planit operativ, VMRO DPMNE-ja, nëpërmjet drejtorit të RTVM-së Marjan Cvetkovski, duhet të koordinojë një emision politik në servisin publik. Këtë e shohim që po realizohet, duke filluar nga 31 janari me emisionin Objektiv. Plani parashikon që pjesë e emisionit të jenë 3 analistë opozitarë dhe një përkrahës i pushtetit. Në të publikohen anketa nga instituti IPIS i Vlladimir Bozhinovskit, ndërsa plani parashikon që Bozhinovski të “shpërblehet” nga komunat që qeveris VMRO DPMNE-ja”, thuhet në artikullin e botuar. Pas botimit të dokumentit, gazetari ishte cak i kërcënimeve dhe sulmeve të vazhdueshme në rrjetet sociale, por edhe në media të afërta me partinë VMRO-DPMNE.

Edhe raporti i ndërmjetëm i Misionit Vëzhgues të Zgjedhjeve të ODIHR-it vuri në dukje se “disa bashkëbisedues të MVZ-së së ODIHR-it ngritën shqetësime në lidhje me potencialin për nivele të larta të dezinformimit dhe përmbajtjeve manipuluese në fushatën zgjedhore”.

Mirëpo, përveç akuzave të ndërsjella për dezinformata, partitë politike në këtë fushatë, sidomos në aspektin programor, i kanë kushtuar shumë pak vëmendje dhe energji luftës kundër dezinformatave.

VMRO-DPMNE është për luftë efikase kundër dezinformatave, por nuk ka masa konkrete për këtë

Partia më e madhe opozitare VMRO-DPMNE e përmend vetëm një herë luftën kundër dezinformatave në programin e saj për zgjedhjet parlamentare të titulluar “Platforma 1198”.

Në kapitullin e programit “Transparenca dhe mediat e lira”, një nga qëllimet e deklaruara është “Lufta efikase kundër dezinformatave dhe lajmeve të rreme në media dhe në internet”. Megjithatë, programi nuk propozon masa konkrete për të arritur këtë qëllim.

Nga ana tjetër, në programin e saj kjo parti thotë se është e domosdoshme të sigurohet qendrueshmëria e shërbimeve publike profesionale mediatike dhe të përforcohet transparenca e pronësisë së mediave dhe pengimi i implikimeve negative nga koncentrimi mediatik. Sipas VMRO-DPMNE-së, do të mbështetet krijimi i mekanizmave efektiv vetërregullator dhe korregullator, duke bërë analiza të rregullta të pluralizmit mediatik.

Sa i përket përmbajtjes mediatike, rregullimi ligjor sipas platformës së kësaj partie nuk duhet të përqendrohet vetëm te përqindjet dhe kuoatat, por te fokusimi i dimensionit cilësor përmes zbatimit të masave për sigurimin e përmbajtjeve cilësore. Në Platformë theksohet se do të hapet debat midis palëve të interesuara për të siguruar konkurrencë, qëndrueshmëri, pluralizëm në tregun mediatik dhe pluralizëm të përmbajtjeve mediatike.

LSDM përkrah vetërregullimin, transparencën aktive dhe edukimin në luftën kundër dezinformatave

Lidhja Socialdemokrate e Maqedonisë, e cila është aktualisht në pushtet, në programin e saj për Ardhmëri Evropiane 2024 i përmend dezinformatat disa herë, kryesisht në kontekstin e sfidave dhe rreziqeve komplekse për sigurinë e brendshme dhe të jashtme me të cilat ballafaqohet vendi.

“Мegjithë vërshimin e dezinformatave në sferën onlajn, nuk do të heqim dorë nga koncepti i vetërregullimit mediatik dhe do të angazhohemi për trajtim të barabartë, status dhe përgjegjësi për redaktorët dhe gazetarët në të gjitha mediat, pa dallim nga forma, në të cilat prezantohen informatat. Në bashkëpunim me punonjësit e medias do të propozojmë krijimin e një regjistri të pronarëve realë të portaleve elektronike”, thuhet në programin e kësaj partie.

Sa i përket luftës kundër dezinformatave në fushën e sigurisë, në programin e LSDM ceket se është rritur transparenca aktive institucionale, si mjet themelor për ballafaqim me dezinformatat dhe lajmet e rreme. “Qendrën Rajonale për Marrëdhënie me Publikun në kuadër të Ministrisë së Mbrojtjes, si Qendër e akredituar e NATO-s për trajnim dhe edukim, do ta zhvillojmë në Qendër rajonale për luftë kundër dezinformatave dhe “lajmeve të rreme” për nevojat e krahit jugor të NATO-s, në bashkëpunim të ngushtë me Qendrën për Komunikime Strategjike në Riga”, propozohet mes tjerash në programin e LSDM.

Mirëpo, ajo që vërehet në programin e LSDM është se ai nuk i përfshiu masat që ishin pjesë e Propozim-planin aksionar për ballafaqim me dezinformatat dhe sulmet ndaj demokracisë , të cilin e shpalli Qeveria e udhëhequr nga kjo parti në korrik të vitit 2019.

E Majta: Në vend të luftës kundër dezinformatave, të ndalohen ata që luftojnë dezinformatat

Partia E Majta (Levica), që vepron herë si parti e ekstremit të majtë e herë si e ekstremit të djathtë, në vend që të angazhohet për luftë kundër dezinformatave, në programin e saj zotohet se do të angazhohet madje për përgjegjësi penale për kontrolluesit e fakteve që luftojnë dezinformatat.

“Ndalimi dhe kriminalizimi i të ashtuquajturit faktçekim të mediave sociale (p.sh vërtetëmatësit në Fejsbuk) dhe çfarëdo kufizimi për publikimin e lajmeve, komenteve dhe mendimeve në rrjete, për shkak të të ashtuquajturave “lajme të rreme” ose “gjuhë e urrejtjes”. Nëse lajmi është gënjeshtër, fyerje ose shpifje, do të duhet të shkohet në gjykatë për sanksionimin e tij, sepse vetëm me vendim gjyqësor i njëjti do të mund të censurohet dhe të tërhiqet nga eteri”, thuhet në programin e kësaj partie.

Për FRONT-in, VLEN-in dhe ZNAM-in, problemi i dezinformatave nuk ekziston?

Bashkimi Demokratik për Integrim, si parti në pushtet ka mbështetur politikat qeveritare kundër dezinformatave. Por, BDI si prijëse e Frontit Evropian nuk e ka botuar ende programin zgjedhor të quajtur Evropa 2030, edhe pse ditën kur e prezantoi para opinionit premtoi se ai do të jetë i disponueshëm në mënyrë elektronike për të gjithë qytetarët. Kjo gjë ka pamundësuar analizimin e masave eventuale të propozuara për luftë kundër dezinformatave.

Nga ana tjetër, koalicioni opozitar VLEN, i përbërë nga disa parti politike shqiptare, e ka botuar  programin e vet zgjedhor të quajtur Plani 2030. Mirëpo, në këtë program nuk është përfshirë ndonjë kapitull ose pjesë, e as masa konkrete që kanë të bëjnë me luftimin e dezinformatave.

Edhe Lëvizja ZNAM, e cila në raundin e parë të zgjedhjeve presidenciale fitoi numër të konsiderueshëm të votave, në platformën e saj për zgjedhjet parlamentare me titull “Proklamatë për Maqedoni të dinjitetshme”, nuk ka asgjë lidhur me luftimin e dezinformatave.

Përfundime: Shumë akuza të ndërsjella, pak zgjidhje konkrete për ballafaqim me dezinformatat

Shumë hulumtime dhe raporte relevante për sferën mediatike në vend kanë vënë në dukje se dezinformatat dëmtojnë dhe cenojnë rëndë demokracinë dhe sidomos kanë fuqi që të ndërhyjnë ndaj vullnetit politik të qytetarëve në proceset zgjedhore. Në këtë kontekst, për partitë politike shpesh është theksuar se ato janë vetë prodhuese dhe shpërndarëse të dezinformatave për qëllime politike dhe ideologjike, duke përdorur mediat nën ndikimin e tyre si mjete propagandistike.

Gjatë fushatës zgjedhore ka pasur përplasje deklarative midis partive politike lidhur me dezinformatat, të cilat janë evidentuar edhe nga misioni i ODIHR -it. Mirëpo, pavarësisht akuzave, partitë minimalisht kanë përfshirë në platformat e tyre zgjedhore çështjet që kanë të bëjnë me dezinformatat. Kjo flet për qasjen e tyre jo shumë bindëse për ballafaqim me këtë dukuri, ose për mungesë të vullnetit më të theksuar politik për ballafaqim me dezinformatat.

Përderisa LSDM dhe VMRO-DPMNE kanë qasje sipërfaqësore dhe propozojnë pak masa për të adresuar këtë çështje, E Majta ka qasje kundër luftimit të dezinformatave dhe propozon ndalim dhe kriminalizim të kontrolluesve të fakteve, ndërsa partitë shqiptare dhe partia ZNAM nuk e kanë parë të udhës ta shkruajnë as edhe një fjalë për luftimin e dezinformatave, ndërkohe që shpesh flasin kundër tyre.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut