(STUDIM) Mediat më shumë shkelin se sa mbrojnë të drejtat e njeriut

Shkruan: SEFER TAHIRI

Si përkufizohen në aktet ndërkombëtare të drejtat e njeriut në kontekst mediatik? Çfarë thotë Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe legjislacioni vendas mbi mbrojtjen e të drejtave të njeriut në përmbajtjet mediatike? Çfarë parashikon Kodit Etik i Mediave mbi respektimin e të drejtave të njeriut në mediat e formateve të ndryshme? Çfarë parashikohet me Udhëzimet për zbatimin e Kodit Etik në Media në mediat onlajn? Sa arrijnë organet vetërregulluese, Komisioni i Ankesave të KEMM dhe Këshilli i Nderit i SHGM të vihen në mbrojtje të të drejtave të njeriut në media? Cilat janë rastet më eklatante të shkeljes së të drejtave të njeriut në media? Cili është roli i ombudsmanit mediatik dhe cilat janë gjasat që të funksionojë në mediat e vendit?

Mediat në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut

Gazetaria, si mision të saj substancial e ka luftimin e padrejtësive, që qytetarëve ua bëjnë institucionet e ndryshme të shtetit, por edhe faktorë tjerë shoqërorë. Por, përveç bërjes publike të devijimeve të ndryshme në dëm të qytetarit, veçanërisht në një shoqëri me demokraci të pakonsoliduar si kjo e Maqedonisë së Veriut, media ka mision dhe detyrim profesional e etik që të vihet në mbrojtje të lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, qofshin media tradicionale ose të reja, media lokale ose kombëtare, dhe qofshin publike (publike e përdorim për të shpjeguar misionin e vërtetë që ka Radio Televizionit të Maqedonisë, sepse në thelb nuk është i tillë) ose private (komerciale).

Gazetaria në funksion të interesit publik do të thotë që mediat të kenë përgjegjësi shoqërore, duke respektuar liritë dhe të drejtat e njeriut. Gazetaria e angazhuar nuk nënkupton vetëm raportim mbi shkeljen e të drejtave të njeriut, zakonisht më 10 dhjetor, në Ditën ndërkombëtare të të drejtave të njeriut. Kjo gazetari do të thotë edhe raportim dhe interpretim mbi edukimin e qytetarëve për korpusin e të drejtave që natyrshëm u takojnë dhe që institucionet e shtetit dhe ato publike, por edhe private dhe të punësuarit në to, nuk guxojnë t’ua shkelin për asnjë motiv.

Korniza ndërkombëtare normative – juridike mbi mediat dhe të drejtat e njeriut

Mediat janë instrument shumë i fuqishëm për garantimin dhe promovimin e të drejtave të njeriut, si kategori universale dhe e pakontestueshme, ndër të cilat gjithsesi se është edhe e drejta e lirisë së shprehjes, e garantuar me shumë dokumente apo konventa ndërkombëtare.

Deklarata Universale pёr të Drejtat e Njeriut[i], e miratuar më 10 dhjetor të vitit 1948 nga Asambleja e Përgjithshme e Kombeve të Bashkuara, që në hyrje të saj nënvizon se “krijimi i njё bote, në të cilën njerëzit do të gëzojnë lirinë e fjalës është shpallur si aspirata më e lartë e çdo njeriu“.

E drejta e lirisë së shprehjes, “përbën një nga themelet bazë të një shoqërie demokratike”, thuhet në Udhëzuesin për zbatimin e nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut[ii], i cili mban titullin “Liria e Shprehjes”.

Në Udhëzues thuhet se: “Ajo është çelësi për zhvillimin, dinjitetin dhe përmbushjen e individëve, është një komponent thelbësor i një vendi, që vlerëson shtetin e së drejtës dhe themeli i një shoqërie të hapur dhe gjithëpërfshirëse. Kjo e drejtë njihet edhe në Deklaratën Universale të të Drejtave të Njeriut“.

Neni 19 i Paktit Ndërkombëtar për të Drejtat Civile Dhe Politike i OKB

“Secili ka të drejtën e lirisë së mendimit dhe të shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit pa ndërhyrje, si dhe lirinë e kërkimit, marrjes dhe përhapjes së informacionit dhe ideve me çfarëdo mjetesh, pa marrë parasysh kufijtë”.

Edhe Pakti ndërkombëtar për të drejtat civile dhe politike[iii], i miratuar dhe hapur për nënshkrim, për ratifikim dhe për aderim nga Asambleja e Përgjithshme e Organizatës së Kombeve të Bashkuara me Rezolutën e saj 2200 A (XXI) të datës 16 dhjetor 1966, ndërsa hyrë në fuqi më 23 mars të vitit 1976 – e adreson çështjen e lirisë së shprehjes si e drejtë themelore civile dhe politike.

Në nenin 19 të këtij Pakti thuhet:

  1. Secili duhet të ketë të drejtën e opinionit pa ndonjë ndërhyrje.
  2. Secili duhet të ketë të drejtën e lirisë sё shprehjes; kjo e drejtë përfshin lirinë e kërkimit, marrjes dhe përhapjes sё informacioneve dhe ideve tё tё gjitha llojeve, pavarësisht nga kufijtë, qoftë me gojë, me shkrim, nё formë tё shtypur ose artistike, ose me çdo mjet tjetër tё zgjedhur prej tij.
  3. Ushtrimi i lirive tё parashikuara nё paragrafin 2 tё këtij neni, nënkupton detyra dhe përgjegjësi tё posaçme. Pёr rrjedhojë ai mund t’u nënshtrohet disa kufizimeve tё cilat duhet tё përcaktohen shprehimisht me ligj dhe tё jenë tё domosdoshme:

(a) Pёr respektimin e tё drejtave ose tё reputacionit tё tё tjerёve;

(b) Pёr mbrojtjen e sigurisё kombёtare, tё rendit publik, tё shёndetit ose tё moralit publik.

Vlera e kësaj të drejte shprehet qartë edhe nga interpretimi i gjerë i Nenit 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut[iv], i bërë nga Gjykata Evropiane për të Drejtat të Njeriut. Si rezultat i kësaj, e drejta e një personi për lirinë e shprehjes ka të ngjarë të ndikojë në gëzimin e të drejtave të Konventës për persona të tjerë dhe për këtë arsye, neni 10 nuk është një e drejtë absolute. Në rastet e ndërveprimit mes të drejtave të Konventës, nevojitet një ekuilibrim mes tyre. Kjo situatë ndodh shpesh në kontekstin e Nenit 8 – “e drejta për respektimin e jetës private”.

Neni 10 i Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut
  1. Çdokush ka të drejtën e lirisë së shprehjes. Kjo e drejtë përfshin lirinë e mendimit dhe lirinë për të marrë ose për të dhënë informacione dhe ide pa ndërhyrjen e autoriteteve publike dhe pa marrë parasysh kufijtë. Ky nen nuk i ndalon Shtetet që t’u kërkojnë ndërmarrjeve të transmetimit audioviziv, televiziv ose kinematografik të pajisen me licencë.

  2. Ushtrimi i këtyre lirive që përmban detyrime dhe përgjegjësi, mund t’u nënshtrohet atyre formaliteteve, kushteve, kufizimeve ose sanksioneve të parashikuara me ligj dhe që janë të nevojshme në një shoqëri demokratike, në interes të sigurisë kombëtare, integritetit territorial ose sigurisë publike, për mbrojtjen e rendit dhe parandalimin e krimit, për mbrojtjen e shëndetit ose të moralit, për mbrojtjen e dinjitetit ose të të 12 13 drejtave të të tjerëve, për të ndaluar përhapjen e të dhënave konfidenciale ose për të garantuar autoritetin dhe paanshmërinë e pushtetit gjyqësor.”

Sipas publikimit me titull “Liria e Shprehjes dhe Marrëdhënia e saj me të Drejtën për Respektimin e Jetës Private dhe të Drejtën për një Proces të Rregullt[v], i cili ka parë dritën e botimit nga Forumi i Katërt mbi Shtetin e së Drejtës në Evropën Juglindore që synon nxitjen e zbatimit të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, Neni 10 i shërben një sërë qëllimesh. Për mbrojtjen e lirisë së shprehjes është konsideruar se nxit të mirën sociale dhe individuale, si edhe se është parakusht i një sistemi efektiv demokratik.

Gjykata ka shprehur se:

“Liria e shprehjes përbën një nga themelet bazë të një shoqërie demokratike, një nga kushtet bazë për zhvillimin e saj dhe vetëpërmbushjen e çdo individi”.

Në thelb, Neni 10 është i lidhur me realizimin e të drejtave të njeriut në përgjithësi. Pa lirinë e shprehjes, shkeljet e të drejtave të njeriut mund të neglizhohen dhe abuzimet e shtetit do të kalonin pa u kontrolluar. Për rrjedhojë, do kishte një mungesë llogaridhënieje universale. Për më tepër, kjo e drejtë ka shërbyer si mjet lehtësues në shkëmbimin e informacionit kulturor, politik dhe social.

Liria e shprehjes promovon dije, mirëkuptim dhe tolerancë në shoqëritë kulturalisht të ndryshme si ato të Evropës.

Fusha e veprimit të Nenit 10

Autoritetet kombëtare duhet të jetë të vetëdijshme për fushën të gjerë të zbatimit të konceptit të lirisë së shprehjes. Neni 10 garanton lirinë e shprehjes për “të gjithë”, duke përfshirë këtu si individët ashtu edhe kompanitë, madje edhe kur këto të fundit ushtrojnë veprimtari fitimprurëse. Gjithashtu, ky nen garanton lirinë e shprehjes për një shumëllojshmëri të gjerë informacionesh ose idesh, për shembull në fushën politike, tregtare, madje edhe në atë të argëtimit.

Neni 10 i Konventës mbron informacione dhe ide të postuar në faqet e internetit, rëndësia e së cilave është theksuar nga Gjykata në vitet e fundit në kuadër të ushtrimit të lirisë së shprehjes. Çdo kufizim i vendosur mbi mjetet e shpërndarjes së informacionit ose ideve përbën një ndërhyrje në të drejtën për të shkëmbyer informacion.

Korniza shtetërore normative – juridike mbi mediat dhe të drejtat e njeriut

Të drejtat e njeriut në fushën e mediave janë të garantuara me aktin më lartë juridik të vendit, Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut.

Neni 16 i Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut[vi]

Garantohet liria e bindjes, ndërgjegjes, mendimit dhe e shprehjes publike të mendimit.

Garantohet liria e fjalës, paraqitjes publike, informimit publik dhe e themelimit të lirë të institucioneve për informim publik.

Garantohet qasja e lirë tek informatat, liria e pranimit dhe e bartjes së informatave.

Garantohet e drejta e përgjigjes në mjetet e informimit publik.

Garantohet e drejta e korrigjimit në mjetet e informimit publik.

Garantohet e drejta e mbrojtjes së burimit të informatës në mjetet e informimit publik.

Censura është e ndaluar.”

Korniza ligjore mbi të drejtat e njeriut dhe mediat

Rregullimi ligjor i fushës së mediave bëhet përmes ligjeve, që në vende të ndryshme kanë emërtime të ndryshme, por qëllim të njëjtë: përkufizimin normativ – juridik të fushëveprimit të mediave, përfshirë edhe kufizimet që duhet të bëhen vetëm në interes të publikut dhe asnjëherë në shërbim të politikës apo pushtetit.

Kornizën ligjore, e cila rregullon respektimin e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në përmbajtjet mediatike e përbëjnë dy ligje: Ligji i Mediave dhe Ligji i Shërbimeve Audio dhe Audio-vizuale Mediatike, që të dy të miratuara në vitin 2013, nga qeverisja e kaluar e VMRO- DPMNE-së dhe BDI-së, në koordinim me Shoqatën e Gazetarëve të Maqedonisë.

Ligin për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale Mediatike[vii] vëmendje e veçantë i kushtohet mbrojtjes së personave të mitur, që është zgjidhje ligjore në harmoni të plotë me standardet ndërkombëtare:

“Neni 50 i Ligjit për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale Mediatike

(1) Dhënësit e shërbimeve mediatike audio-vizuale nuk guxojnë të transmetojnë programe që mund seriozisht ta dëmtojnë zhvillimin fizik, psikik ose moral të personave të mitur, veçanërisht programe që përmbajnë pornografi ose dhunë të panevojshme.

(2) Dhunë të panevojshme paraqet përhapja e porosive tekstuale, verbale ose vizuale me të cilat në orare të programit që janë të kapshme për të miturit, glorifikohen forma fizike, verbale ose psikologjike të sadizmit ose forma të ngjashme të dhunës që është qëllim në vete dhe në asnjë mënyrë nuk mund të arsyetohet as nëpërmjet kontekstit të zhanrit, as nëpërmjet motiveve të veprimit dramatik të programit të transmetuar.”

Ndalimi i programeve që dëmtojnë zhvillimin e personalitetit të fëmijëve dhe të miturve, e detyron Agjencinë e për Shërbime Mediatike Audio dhe Audio-vizuale (Agjencia e Mediave)  që të përcaktojë masat teknike, periudhat e transmetimit, paralajmërimin akustik, shenjat vizuale dhe mënyrën e veprimit të dhënësve të shërbimeve mediatike.

Sipas këtij neni, operatorët e rrjeteve komunikuese elektronike mund të transmetojnë ose ritransmetojnë shërbime programore me pornografi vetëm në formë të koduar, ndërsa ndalohet transmetimi ose ritransmetimi i pornografisë fëmijërore.

Edhe Ligji i Mediave[viii] u jep detyrime mediave që të sigurojnë mbrojtje për personat e mitur, ndërsa për dallim nga Ligji i Shërbimeve Audio dhe Audio-vizuale Mediatike, ky ligj trajton edhe mediat e shkruara, pra jo vetëm ato elektronike.

“Neni 6 i Ligjit të Mediave

 (1) Media e shtypur me përmbajtje pornografike doemos duhet të ketë paralajmërim të dukshëm se përmban pornografi, si dhe paralajmërim se shpërndarja përkatësisht shitja e tij ndalohet për persona të mitur dhe të paketohet në foli të tejdukshme prej najloni.

(2) Transmetuesi i publikimit elektronik është i detyruar që me ndihmën e mjeteve teknike ose me mbrojtje përkatëse për kufizim të pamundësojë që personat e mitur të kenë qasje në publikimet elektronike me përmbajtje pornografike.

(3) Mbrojtja e personave të mitur gjatë emetimit të programeve të radios ose televizive sigurohet në mënyrë të përcaktuar në Ligjin për shërbime mediatike audio dhe audio-vizuale.”

Ndërsa, Neni 111 përkufizon qartë standardet dhe parimet themelore të transmetuesit publik, i cili midis tjerash ka detyrim profesional që të respektojë të drejtat e njeriut dhe të mos nxisë urrejtje etnike dhe fetare.

“Pjesë të Nenit 111 të Ligjit për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale Mediatike

Gjatë produksionit ose prezantimit të programeve, gazetarët dhe redaktorët në RTM, si dhe persona të cilët drejtpërdrejtë janë të përshirë në prodhimin e programeve në RTM, përveç tjerash janë të obliguar:

– të respektojnë privatësinë, dinjitetin, autoritetin dhe nderin e individit,

– të respektojnë parimin e kushtetutshmërisë dhe ligjshmërisë gjatë formulimit të informacioneve dhe programeve, përfshirë ndalimin për nxitjen e jotolerancës kulturore, etnike, religjioze, gjinore, racore, nacionale dhe forma tjera,

– t’i përmbahen parimit të pavarësisë politike dhe autonomisë së gazetarëve;”

Të drejtat e njeriut në raportimin mediatik sipas Kodit Etik të Mediave

Përveç rregullimit ligjor, në vend ekziston edhe vetërregullimi i mediave.

Udhëzuesin për vetërregullimin e mediave[ix], publikim i OSBE-së, i jepet përgjigje pyetjes: pse është i dobishëm vetë-rregullimi i medias?

Duke nxitur krijimin e standardeve, vetërregullimi ndihmon në ruajtjen e besueshmërisë së medias në publik. Kjo mirëpritet veçanërisht në demokracitë e reja, për shumicën e të cilave shtypi i pavarur është një koncept ende i ri.

Vetërregullimi i medias ndihmon që publiku të krijojë bindjen se mediat e pavarura nuk janë të papërgjegjshme.

Në të njëjtën kohë, vetërregullimi mbron të drejtën e gazetarëve për të qenë të pavarur dhe për t’u gjykuar në lidhje me gabimet e tyre profesionale, jo nga ata që janë në pushtet, por nga kolegët e tyre.

Kur bëhet fjalë për korrigjimin e gabimeve në fakte apo cenim të të drejtave personale nga shtypi, pranimi i gjykimit të organit vetërregullues pakëson presionin e sistemit gjyqësor për të gjykuar gazetarët.

Që të zbatohet koncepti i vetë-rregullimit nevojitet respektimi i Kodit të Etikës në Media, i cili sipas autorit Yavuz Baydar, në punimin me titull “Krijimi i një kodi etik për gazetarinë – bazë për vetërregullimin e medias[x], i publikuar në Udhëzuesin e cituar mbi vetërregullimin, përcakton publikisht funksionet, të drejtat dhe detyrimet e gazetarëve, duke u siguruar atyre parime udhëzuese për ta ushtruar sa më mirë profesionin.

“Emërtimi i këtyre kodeve varion: standardet e etikës, karta e etikës, kodi i sjelljes, kodi i praktikave, kodi i etikës, etj. Megjithatë, të gjitha kanë qëllim të ngjashëm që ka të bëjë me garantimin e autonomisë së profesionit dhe shërbimin ndaj interesit publik”, shkruan Bayadar.

Sipas tij është e pashmangshme të ketë raste kur gazetarët duhet t’i vënë në provë kufijtë e lirisë së tyre në emër të mbrojtjes së interesit të publikut. “Nëse gazetarët punojnë në përputhje me standarde të pranuara etike të sjelljes – bazuar në saktësi, drejtësi, pavarësi dhe përgjegjshmëri – ka pak të ngjarë që ata të shkelin ligjin. Kodi i etikës siguron mbizotërimin e lirisë së shtypit”, thekson eksperti mediatik.

Kodi etik është instrument i fuqishëm i vetë-rregullimit mediatik, i cili synon që gazetaria të ketë cilësi të lartë, ndërsa gazetarët të kenë ndjenjën e përgjegjësisë profesionale dhe etike.

Sipas Baydar, “Parimet e këtij kodi janë në përputhje me vlerat etike universale të gazetarisë, të njohura dhe të pranuara gjerësisht nga mediat dhe organizatat e gazetarëve në vendet demokratike. Ato përbëjnë gurin e themelit të pluralizmit demokratik”.

Kodi Etik i Gazetarëve Maqedonisë së Veriut[xi], i miratuar në vitin 2001, që në parimet e tij themelore përkufizon se “Duke ndjekur rolin e tyre në ndërtimin e demokracisë dhe të shoqërisë qytetare, gazetarët do t’i mbrojnë të drejtat e njeriut, dinjitetin dhe lirinë, do ta respektojnë pluralizmin e ideve dhe qëndrimeve, do të kontribuojnë në forcimin e shtetit juridik dhe në kontrollin e pushtetit dhe subjekteve tjera të jetës publike”.

Të drejtat e njeriut në Kodin Etik të Gazetarëve trajtohen apo preken në disa nene:

“Neni 7

Gazetari do ta respektojë privatësinë e personit, përveç kur kjo bie ndesh me interesin publik. Gazetari është i detyruar ta respektojë dhimbjen dhe vuajtjen e personit.

Neni 10

Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…).”

Interpretimi i Kodit të Gazetarëve në kontekst të të drejtave të njeriut sipas Udhëzimeve për raportim etik të mediave onlajn

Kodi i Gazetarëve u referohet të gjithë gazetarëve dhe i njëjti zbatohet mbi të gjitha mediat. Megjithatë, në mënyrë që të zbatohet më mirë dhe në mënyrë më efikase ky kod në sferën onlajn, është e nevojshme të sigurohen interpretime dhe udhëzime përkatëse për gazetarët që punojnë në mediat onlajn. Me media onlajn nënkuptohen të gjitha publikimet elektronike që kanë ueb faqe të posaçme në internet dhe që publikojnë përmbajtje gazetareske të redaktuara aktuale-informative, të dedikuara për publikun e përgjithshëm.

Nevoja për të hartuar këto udhëzime lindi nga fakti se zhvillimi i teknologjive të reja të informacionit dhe komunikimit si dhe i mediave onlajn ndryshoi mënyrën aktuale të krijimit dhe shpërndarjes së informacionit dhe paraqiti sfida të reja për gazetarët profesionistë lidhur me mënyrën se si përpunojnë dhe plasojnë tema të ndryshme gjatë raportimit gazetaresk.

“Udhëzime për zbatimin e nenit 10 të Kodit:

10.1. Duke pasur parasysh rrezikun për individët, grupet ose shoqërinë në tërësi, mediat onlajn asnjëherë nuk do të nxisin urrejtje ose mostolerancë bazuar në racën, ngjyrën e lëkurës, origjinën, përkatësinë kombëtare ose etnike, gjininë, seksin, orientimin seksual, identitetin gjinor, përkatësinë në grup të margjinalizuar, si dhe bazuar në gjuhën, origjinën shoqërore, arsimin, fenë ose besimin, bindjen politike apo bindje tjetër, aftësinë e kufizuar, moshën, statusin familjar ose martesor, statusin pronësor, gjendjen shëndetësore, statusin personal dhe statusin shoqëror, ose ndonjë bazë tjetër.

10.2. Gjatë raportimit për problemet e grupeve dhe komuniteteve të ndryshme në shoqëri, mediat onlajn do kenë qasje me shumë kujdes, do të përdorin terminologji të saktë dhe të standardizuar dhe nuk do të përdorin komente fyese ose shprehje me të cilat në mënyrë të pavetëdijshme do të krijojnë ose forcojnë stereotipat për ta.

10.3. Mediat onlajn do të përpiqen të rrisin ndërgjegjësimin për pasojat negative të gjuhës së urrejtjes, do të identifikojnë dhe ekspozojnë një fjalor të tillë, si dhe do të shfaqin aktorët që prodhojnë dhe e përdorin atë. Mediat onlajn do të krijojnë përmbajtje me të cilat do të kundërshtojnë gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin mbi baza të ndryshme.

10.4. Mediat onlajn janë përgjegjëse për rishikimin dhe heqjen e shpejtë të komenteve të përdoruesve që publikohen nën storiet gazetareske në ueb faqet ose rrjetet sociale, të cilat përmbajnë gjuhë urrejtjeje dhe kanë potencialin të shkaktojnë pasoja të dëmshme në shoqëri.

10.5. Në raste të jashtëzakonshme të gjuhës ekstreme të urrejtjes nga individë ose grupe, obligim i medias onlajn është të kritikojë publikisht qëndrimet e tyre, duke theksuar pasojat e dëmshme për komunitetin e gjerë dhe grupet ndaj të cilëve ato janë adresuar.

Udhëzime për zbatimin e nenit 7 të Kodit:

7.1. Mediat onlajn do të shmangin ndërhyrjen në jetën private të individëve nëse nuk është çështje me interes publik dhe do të vështrojnë me shumë kujdes arsyet e zbulimit të informacionit nga jeta private e dikujt përpara se të vendosin të përpunojnë temën. Duke vepruar kështu, gjithmonë do të kenë parasysh se interesi publik është parësor, dhe jo kureshtja e audiencës së tyre.

7.2. Kur bëhet fjalë për raportimin mbi sjelljen e bartësve të funksioneve publike, politikanëve ose figurave tjera publike, informacioni për jetën e tyre private do të publikohet vetëm nëse është në interes të publikut dhe në lidhje të drejtpërdrejtë me temën për të cilën raportohet. Gjatë raportimit nuk do të përmenden emrat e anëtarëve të familjes së tyre, përveç nëse janë të lidhur drejtpërdrejt me ngjarjen për të cilën raportohet. Gjatë raportimit nuk do të publikohen të dhëna personale dhe informacione që mund të cenojnë privatësinë e fëmijëve.

7.3. Temat që lidhen me tragjeditë personale do të trajtohen gjithmonë me kujdes, ndërkaq personave të prekur nga tragjedia duhet t’iu qaseni me kujdes dhe diskrecion. Asnjë emër ose fotografi e viktimave nuk do të publikohet kur raportohet për aksidente, vepra penale, vetëvrasje ose dhunë në familje. Nuk do të publikohen as të dhëna nga të cilat në mënyrë indirekte do të mund të zbulohet identiteti i viktimës ose i autorit të krimit, para se të shpallet zyrtarisht nga institucionet kompetente. Emrat dhe fotografitë e personave të zhdukur do të publikohen vetëm me lejen e të afërmve ose autoriteteve kompetente të përfshira në kërkimin e personit të zhdukur.

7.4. Kur raportojnë për vetëvrasje, mediat online duhet të jenë shumë të kujdesshme, duke vlerësuar nëse informacioni për ngjarjen është në interes të publikut dhe duke shmangur publikimin e emrave, fotografive dhe përshkrimeve të hollësishme të rrethanave nën të cilat ndodhi ngjarja. Mediat duhet të kenë parasysh se grupet e cenueshme të qytetarëve mund të ndikohen fuqimisht nga raportimet mediatike lidhur me vetëvrasjet, dhe si rezultat mund të tentojnë të përsëritin të njejtën vepër duke kryer vetëvrasje , veçanërisht nëse media përshkruan krimin në detaje, në mënyrë sensacionale dhe eksplicite.

7.5. Në raportimin mbi viktimat e përdhunimit ose viktimat e dhunës seksuale, identiteti i personave nuk do të zbulohet pa pëlqimin e viktimës, ndërsa në rastin e fëmijëve – pa lejen e prindërve ose kujdestarëve dhe vetë fëmijës (duke marrë parasysh moshën e fëmijës), nëse ekziston interes publik dhe është në interesin më të mirë të fëmijës. Media online do të mundësojë tërheqjen e pëlqimit në çdo kohë, nëse kjo kërkohet nga prindi ose kujdestari.

7.6. Mediat onlajn nuk do të raportojnë për gjendjen shëndetësore të ndonjë personi (me aftësi të kufizuar fizike ose mendore) pa pëlqimin e personit ose prindit / kujdestarit. Redaksia e mediave online do të vlerësojë me kujdes nëse publikimi i të dhënave për gjendjen shëndetësore të ndonjë individi është çështje me interes publik.

7.7. Mediat onlajn nuk do të publikojnë të dhëna private, statuse, video incizime, fotografi private dhe postime tjera personale në rrjetet sociale pa pëlqimin e autorit, përveç nëse statusi i postit konkret shënohet si ‘publik’. Përjashtime nga ky rregull janë rastet kur interesi publik mbizotëron mbi të drejtën e privatësisë dhe kur kjo është e nevojshme për qëllimin dhe temën e raportimit. Në ato raste, redaksia do të peshojë me kujdes atë që është me interes publik dhe deri në çfarë mase arsyeton hyrjen në të drejtën e privatësisë së individit.

7.8. Nëse në kuadër të të dhënave private dhe njoftimeve për një person përfshihen gjithashtu të dhëna private dhe të dhëna të personave të tjerë, mediat online do t’i fshijnë ose përjashtojnë ato të dhëna për të mbrojtur privatësinë e personave të tjerë, përveç nëse në këtë rast interesi publik mbizotëron mbi të drejtën e privatësisë.

7.9. Mediat onlahjn nuk do të transmetojnë informacion lidhur me sjelljen, korrespondencën dhe bisedat në lidhje me jetën private të individëve, përveç nëse interesi publik mbizotëron mbi të drejtën e privatësisë së personit.

7.10. Mediat onlajn nuk do të publikojnë fotografi të njerëzve nga ngjarje private pa pëlqimin e tyre, përveç nëse është në interes të publikut. Gjatë publikimit të fotografive të bëra në vende publike, mediat online do të jenë të kujdesshme të mos cenojnë privatësinë e njerëzve që ndodhen rastësisht në vendin e fotografuar. Mediat onlajn, para se të vendosin të publikojnë fotografi nga jeta private e bartësve të funksioneve publike, do të vlerësojnë me kujdes nëse ekziston interes publik që justifikon shkeljen e privatësisë së bartësit të funksionit publik.”

Vetërregullimi mediatik në funksion të mbrojtjes së të drejtave të njeriut

Këshilli i Etikës në Mediat e Maqedonisë (KEMM)[xii] është organ për vetëregullimin e mediave dhe aktivitetin e vet kryesisht e bazon mbi verifikimin e sanksioneve publike morale për ato media, të cilat nuk i respektojnë standardet profesionale dhe etike të parashikuara me Kodin e Gazetarëve si dhe parimet e Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve.

Këshilli synon me përkushtim avancimin e etikës dhe standardeve profesionale në mediat, si për anëtarët e vet, ashtu edhe për të gjithë bashkësinë gazetareske në vend.

Këshilli synon të kontribuojë ndaj kuptimit më të mirë të kulturës së vetërregullimit dhe ndaj ngritjes së nivelit të profesionalizmit, transparencës dhe llogaridhënies së mediave.

Në vitin 2023 KEMM shënoi vitin e shtatë të ekzistimit të tij. Përpjekjet kryesore të KEMM ishin të orientuara drejt etablimit të tij në opinionin publik dhe ngritjen e vetëdijes për rëndësinë e gazetarisë etike dhe vetë-rregullimit.

Përmes punës së tij, KEMM angazhohet për të përkujtuar mediatik për përgjegjësinë e madhe që kanë për mbrojtjen dhe përmbushjen e interesit të publikut.

Në tentimet për të afirmuar vetërregullimin, KEMM në mënyrë të përkushtuar punon për informimin e publikut, i cili gjithnjë e më shumë reagon ndaj rasteve të raportimit joprofesional.

Për ankesat nga publiku lidhur me përmbajtjet e publikuara në mediat e shkruara, elektronike ose mediat onlajn vendos trupi këshillëdhënës i KEMM, Komisioni i Ankesave, që përbëhet nga shtatë anëtarë. Në punën e tij, anëtarët e Komisionit e shfrytëzojnë Kodin e Gazetarëve dhe Deklaratën e parimeve të Federatës Ndërkombëtare të Gazetarëve. Përveç kësaj, KEMM është në komunikim të rregullt edhe me Aleancën e Këshillëve të Pavarur të Etikës në Media në Evropë AIPCE, anëtar i së cilit është nga tetori i vitit 2015, si dhe me Rrjetin Rajonal të Këshillëve Etike të Medias MediaNethics, përvojat dhe rekomandimet e së cilit mundësojnë tejkalimin më të lehtë të sfidave në zhvillimin e vetërregullimit në vend.

Puna e deritashme dhe vendimet e Komisionit të Ankesave synojnë respektimin e disa prej parimeve themelore të etikës gazetareske.

Shkelja e standardeve profesionale në media sa i përket të drejtave të njeriut nën prizmin e vendimeve të Komisionit të Ankesave pranë Këshillit Etik në Media

Sipas Nenit 10 të Kodit të Gazetarëve, gazetari nuk ka të drejtë në shkrimet e tij të përdor gjuhë të urrejtjes ose të nxisë dhunë e diskriminim mbi çfarëdo baze. Në Doracakun e Еtikës në Gazetari[xiii] jepet interpretimi plotësues dhe kahe për zbatimin e këtij neni. Thuhet madje se gazetarët duhet të kenë kujdes kur gjuha e urrejtjes vjen veçanërisht nga personalitete publike ose përfaqësues të institucioneve publike dhe në situata të këtilla duhet ta kontestojnë ose ta kritikojnë gjuhën e këtillë dhe jo vetëm ta përcjellin. Gjithashtu thuhet se forma dhe zhanri, në të cilin mund të paraqitet gjuha e urrejtjes mund të jetë e ndryshme (informacion, fotografi, mendim, koment). Pa dallim se si është forma ose zhanri, gazetari duhet patjetër të vlerësojë se vallë ekziston probabilitet se me publikimin e tyre mund të “shkaktohet armiqësi ose urrejtje ndaj dikujt për shkak të racës, përkatësisë etnike, gjinisë, fesë, përkatësisë politike, orientimit seksual, të metave fizike etj.“

Gazetarët dhe redaktorët duhet të jenë shumë të kujdesshëm dhe selektivë kur bëhet fjalë për porosi që përmbajnë gjuhë të drejtpërdrejt të urrejtjes, për shkak të faktit që Maqedonia e Veriut është nënqiell me specifika etnike dhe fetare. Për këtë flasin rastet e ndërtimit të kishës – përkujtimore në Kalanë e Shkupit në vitin 2011, protestat kundër deklaratave të politikanëve për vrasjet që ndodhën tek Liqeni i Smillkovës në vitin 2012, vokabulari i ish ministres Jankullovska në bisedat e përgjuara të publikuara nga opozita në vitin 2015, parullat dhe porositë e theksuara gjatë protestave dhe kundërprotestave politike në vitin 2016 etj.

Një numër i madh i qytetarëve dhe subjekteve ankohen nga shkelja e të drejtave të njeriut dhe prania e gjuhës së urrejtjes në përmbajtjet mediatike.

Komisioni i Ankesave, që nga themelimi i Këshillit të Etikës në Media ka shqyrtuar 632 ankesa, nga të cilat për 66 nuk ka pasur bazë të ngritet procedurë për shqyrtim, që do të thotë se ka miratuar vendime për 560 ankesa.

Nga këto ankesa, në 47 prej tyre apo 9 % konstatohet se është shkelur neni 10[xiv].

  • Viti 2014, 0 ankesa
  • Viti 2015, 9 ankesa për nenin 10
  • Viti 2016, 7 ankesa për nenin 10
  • Viti 2017, 7 ankesa për nenin 10
  • Viti 2018, 7 ankesa për nenin 10
  • Viti 2019, 5 ankesa për nenin 10
  • Viti 2020, 4 ankesa për nenin 10
  • Viti 2021, 4 ankesa për nenin 10

Më shpesh, temë e ankesave është gjuha e urrejtjes mbi bazën e orientimit seksual dhe mbi bazën e përcaktimit politik të individëve dhe grupeve të prekura. Më së shpeshti, gjuha e urrejtjes shfrytëzohet nga mediat onlajn dhe nga disa gazetarë që janë autorë emisionesh.

Raste eklatante të shkeljes së të drejtave të njeriut në media

 

Rasti 1: Avokati i Popullit reagoi ndaj diskriminimit etnik në katër portale[xv] 

Konteksti

Më 25 nëntor të vitit 2014, katër shkrime të ngjashme u publikuan në portalet në vijim: Republika publikoi shkrimin me titullin “Kristijano Ronalldo i regjistruar në klasën e parë” (foto),  Pres24 publikoi shkrimin me titull “FOTO: Kristijano Ronaldo është nga Shutka – fotografia që e bëri të qesh Maqedoninë”, Kurir publikoi shkrimin me titull “FOTO: Dëshmi se Kristijano Ronaldo është nga Shutka”, ndërsa Puls24 publikoi një shkrim me titull “Foto: Ronaldo u regjistrua në klasën e parë”. Në këto shkrime ka fotografi të fëmijës në të cilën shihet një copë e listës evidentuese në shkollë fillore të një nxënësi që është regjistruar në klasën e parë në vitin shkollor2014/2015.

Ankesa

Me ankesë u drejtua zëvendësja e Avokatit të Popullit, Vaska B. Mustafa, në të cilën thekson se shkrimet e publikuara në portale, “i përqeshin pjesëtarët e bashkësisë rome me atë që publikojnë fotografi të listës evidentuese të një nxënësi të klasës së parë dhe me një ton ironik në kuptimin e emrave të romëve, me të cilat i pagëzojnë fëmijtë e tyre”.

Përgjigja e medias

Zyra e Këshillit të Etikës në Media, kërkoi përgjigje nga portalet e lartpërmendur.

Përgjigje dërgoi vetëm kryeredaktorja e portalit Puls24, Emilija Velinovska. Ajo pohon se bëhet fjalë për përmbajtje të kopjuar, ndërsa fotografia është marrë nga Fejsbuku. ë tej, thekson se në çdo rast është bërë lëshim, pa asnjë qëllim për fyerje.

Vendimi i Komisionit

Parashtresa është pranuar. Kodi i gazetarëve është shkelur në nenet 7, 9 dhe 10. Neni 7 ka të bëjë me atë se gazetari do ta respektojë privacinë e individit, neni 9 konfirmon se gazetari nuk guxon të intervistojë ose fotografojë fëmijë nën 16 vjeç pa pajtueshmërinë e prindërve ose kujdestarëve, ndërsa neni 10 kërkon nga gazetari që të respektojë të drejtat dhe liritë, të mos përdor gjuhën e urrejtjes dhe të mos nxisë diskriminim mbi çfarëdo baze. Përveç kësaj, Komisioni rikujton edhe se trajtimi i fëmijëve në media është rregulluar edhe me dokumentet ndërkombëtare dhe legjislaturën vendase., të cilat midis tjerash, përshkruajnë se nuk guxohet të manipulohet me emocionet fëmijërore ose të publikohet identiteti i fëmijës pa pajtimin e prindit ose kujdestarit.

Arsyetimi i vendimit

Komisioni i Ankesave konkludoi se shkrimet e publikuara nuk përpunojnë tema të karakterit publik, por përkundrazi në to publikohen përmbajtje që kanë për qëllim që të tërheqin lexues për shkak të argëtimit, pa pasur llogari për atë se vallë janë shkelur të drejtat e dikujt, në rastin konkret të drejtat e një fëmije të bashkësisë rome.

 

Rasti 2: OSBE për TV Sitell[xvi]

Konteksti

Më 26 shkurt të vitit 2015 në ditarin e TV Sitell në orën 18 nga Kavadari u lidh drejtpërdrejt moderatori televiziv Milenko Nedellkovski, si anëtar i Lëvizjes Qytetare për Mbrojtjen e Maqedonisë dhe shprehu qëndrime që përmbajnë gjuhë të urrejtjes.

Ankesa

Më 4 mars të vitit 2015, Misioni i OSBE-së në Shkup parashtroi ankesë lidhur me deklaratën e Nedellkovskit. OSBE pohonte se deklarata e Nedellkovskit, sipas së cilës një numër i madh i personave, pjesa më e madhe gazetarë dhe politikanë, duhet të “të groposen thellë dhe mbi ta të vihet një pllakë e trashë, e fuqishme, me armaturë dhe me beton, me qëllim që të mos kenë më asnjë lloj ndikimi mbi atë që ndodh”, si dhe vërejtje tjera të tij, duke tejkaluar linjën e kuqe të gjuhës së urrejtjes, është veprim që nuk mund të tolerohet. Në vazhdim të letrës së Misionit të OSBE-së thuhet se “vërejtjet e Nedellkovskit janë vazhdimësi e praktikave negative të gjuhës së urrejtjes, si pjesë e deklarimeve të tij të rregullta”.

Përgjigja e medias

Zyra e KEMM, pas pranimit të ankesës më 5 mars të vitit 2015 realizoi kontakt me redaktorin e lajmeve të Sitellit, Valentin Nikollovski, ndërsa më pas pasoi edhe takim me redaktorin përgjegjës të televizionit, Dragan Pavlloviq – Llatas. Pas takimit, në përgjigjen e tij Llatasi tha se Sitell nuk ka asnjë përgjegjësi për deklaratën e personit, e cila është dhënë në transmetim të drejtpërdrejtë dhe për të cilën redaktori i ditarit, Nikollovski menjëherë pas bërjes së deklaratës është distancuar nga e njëjta.

Në përgjigje theksohet se rasti i apostrofuar nuk është pjesë e programit të Sitellit, por deklaratë personale e një burimi të njohur, e dhënë drejtpërdrejt, ndërsa Sitelli nuk ka ndikim ndaj saj.

Vendimi i Komisionit

Komisioni i Ankesave të Këshillit të Etikës në Media vendosi se ankesa e Misionit të OSBE-së është e bazuar. Kodi i Gazetarëve është i shkelur në nenet 10 dhe 11.

Arsyetimi i vendimit

Në mbledhjen më 20 mars të vitit 2015, Komisioni i Ankesave shqyrtoi pretendimet e ankuesit përkatësisht Misionit të OSBE-së, përgjigjen e kryeredaktorit të TV Sitel Dragan P. Llatas dhe bëri shqyrtimin e lajmeve në fjalë. Nga videomateriali i lajmeve të TV Sitel, të transmetuara më 26 shkurt të vitit 2015, u vërtetua se Milenko Nedellkovski në pyetjen e gazetarit se çfarë do t’i porosisë atë mbrëmje qytetarët në Kavadar, përgjigjet: “Po, do t’i porosis që kjo betejë finale e popullit maqedonas me tradhtarët në radhët e tij duhet të përfundojë në atë mënyrë që ata janë tradhtarë, qelbësira maqedonase, për fat të keq maqedonase, të groposen thellë dhe mbi ta të vendoset një pllakë e trashë, e fuqishme, me armaturë dhe e rëndë e betonit që më të mos kenë asnjë ndikim mbi atë që ndodh”.

Pas përfundimit të lidhjes së drejtpërdrejtë, redaktori- moderator personalisht dhe në emrin e TV Sitel u distancua nga fjalori i Nedellkovskit.

Komisioni e përshëndet dhe e vlerëson faljen e redaktorit, por një gjë e tillë nuk e ul peshën e gjuhës së urrejtjes, të shprehur nga bashkëbiseduesi. Gjatë vërtetimit të gjendjes faktike, Komisioni i mori parasysh qëllimin, përmbajtjen përkatësisht kontekstin e shprehjes dhe pasojat e mundshme. U konstatua se bashkëbiseduesi ka pasur qëllim që të nxisë ose arsyetojë urrejtjen ndaj personave që i takojnë një grupi me pikëpamje të ndryshme politike nga ato që ai i ka.

Sa i përket pasojave të mundshme, Komisioni vlerësoi se deklaratat e dhëna, përveç që e shkelin dinjitetin e individëve, gjithashtu mund të shpien drejt cenimit të rendit dhe qetësisë publike, të nxisin dhunë midis grupeve të caktuara shoqërore përkatësisht krim të urrejtjes ndaj personave që janë objekt i një gjuhe të këtillë.

Për këtë shkak, Komisioni vlerësoi se media ka shkelur nenin 10 të Kodit, sipas të cilit gjuha e urrejtjes është e papërputhshme me etikën gazetareske. Rregullat etike dhe profesionale të gazetarëve u rekomandojnë përgjegjësi të veçantë për fjalën e thënë publike, sepse qëndrimet e tyre kanë ndikim të madh në formësimin e opinionit publik.

Vendimet e Komisionit të Ankesave të KEMM dhe Këshillit të Nderit të SHGM në vitin 2023

Për dallim nga katër vitet e para të punës së Këshillit të Etikës në Мedia, në të cilat është vërejtur shkelja e parimeve dhe standardeve të gazetarisë që kanë të bëjnë me mospërfshirjen e palës së dytë, përzierjen e komentit dhe lajmit dhe sidomos me mosbalancimin politik në raportim, në tri vitet e fundit, përveç rasteve të shkeljeve të bazave të gazetarisë, vërehet edhe shkelje e madhe e mediave në dimensionin e stereotipizimit dhe gjuhës së urrejtjes ndaj grupeve të margjinalizuara.

Për të ilustruar këtë konstatim, sjellim disa vendime të Komisionit të Ankesave të Këshillit Etik, të miratuara gjatë vitit 2023 dhe të Këshillit të Nderit të SHGM.

 

Rasti 1: Qendra KVIR ndaj Televizionit Sitell

Komisioni i KEMM në mbledhjen e mbajtur më 29.08.2023, mbi bazën e ankesës së Shoqatës së Pakicave Seksuale dhe Gjinore Qendra KVIR ndaj Televizionit Sitel, miratoi mendimin se ky televizion nuk ka respektuar standardet etike gjatë lidhjes së drejtpërdrejt në lajmet e mbrëmjes të datës 31 korrik dhe me këtë ka shkelur nenin 10 të kodit.

Ankesa

Në ankesë theksohet se bëhet fjalë për përfshirjen e një bashkëbiseduesi në lajmet e mbrëmjes së TV Sitell, i cili është deklaruar si organizator i aktivitetit “Marshi i Ilindenitdhe ka bërë deklarata që kategorizohen si gjuhë implicite e urrejtjes. Sipas ankesës, “Bëhet fjalë për fjalinë, në të cilën theksohet se “… që të jesh pjesë e marshit me kuaj duhet të plotësosh disa kushte: të mos kesh vese dhe të mos jesh nga Komuniteti LGBT”. Në ankesë thuhet se gazetari nuk e ka identifikuar këtë gjuhë të urrejtjes dhe nuk është distancuar nga ajo.

Përgjigja e medias

TV Sitell, i cili ka licencë tokësore kombëtare, nuk e pa të udhës që të ofrojë përgjigje lidhur me ankesën.

Мendimi i Komisionit të Ankesave

Komisioni me shumicë votash vendosi që ankesa është e bazuar dhe se është shkelur neni 10.

Arsyetimi i vendimit

Komisioni konkludoi se gazetari që e ka zhvilluar bisedën, por edhe redaktori në studio është dashur të ndërhyjnë kur bashkëbiseduesi ka folur se kush mund të jetë pjesëmarrës në marsh dhe se nuk mbështet komunitetin LGBT.

 

Rasti 2: Qendra KVIR ndaj portalit Off.net

Komisioni i Ankesave në mbledhjen e mbajtur më 25 korrik 2023, mbi bazën e ankesës së Shoqatës së Pakicave Seksuale dhe Gjinore “Qendra KVIR” vendosi që portali Off.net ka shkelur standardet profesionale dhe etike, të përcaktuara në Udhëzimet për raportim etik në media onlajn, pasi që në faqen e tij në Fejsbuk, nën shkrimin me titull “Për kë në të vërtetë është Prajdi” nuk ka hequr komentet e lexuesve, të cilat përmbajnë gjuhë eksplicite të urrejtjes.

Ankesa

Shoqatës së Pakicave Seksuale dhe Gjinore “Qendra KVIR” te Këshilli i Etikës, më 11 qershor të vitit 2023 dorëzoi ankesë për shkrimin e portalit Off.net, i publikuar në qershor. Sipas kësaj shoqate, në faqen e portalit në Fejsbuk, Off.neti ka shkaktuar komente të shumta me fjalor që bën thirrje për dhunë ndaj komunitetit LGBT dhe përqeshje të individëve dhe grupeve, kërcënime dhe thirrje për veprime me karakter të dhunshëm.

Përgjigja e medias

Portali nuk dërgoi përgjigje lidhur me ankesën.

Vendimi i Komisionit të Ankesave

Komisioni i Ankesave vërtetoi se portali me publikimin e shkrimit nuk ka shkelur kodin, megjithatë nuk ka hequr komente të shumta me gjuhë të urrejtjes në faqen e Fejsbukut dhe me këtë ka shkelur nenin 10.4 të Udhëzimeve për raportim etik në mediat onlajn dhe nenin 20 të këtyre rregullave:

“20.2. Media online do të heqë të gjitha komentet që përmbajnë: thirrje për dhunë ose vepra tjera penale, gjuhë të urrejtjes, diskriminim, kërcënim dhe forma të tjera të cenimit të të drejtave dhe sigurisë së individëve, grupeve, institucioneve, qoftë të lidhura drejtpërdrejt apo tërthorazi me tekstin ose temën të cilën e përpunon.”

Arsyetimi i vendimit

Në mbledhjen e mbajtur në datën 25 korrik të vitit 2023, Komisioni i Ankesave ka konstatuar portali nuk e ka respektuar detyrimin e vet për të kontrolluar dhe për të hequr shpejt komentet që kanë potencial të shkaktojnë pasoja të dëmshme për pjesëtarët e komunitetit LGBT.

 

Rasti 3: Vendimi i Këshillit të Nderit të SHGM lidhur me ankesën e Ramadanit ndaj Vejselit

Këshillit i Nderit të SHGМ-së në mbledhjen e mbajtur më 20.04.2023 miratoi vendimin, sipas të cilit pranohet ankesa e gazetarit Ardit Ramadani ndaj gazetares Liridona Vejseli, kryeredaktore e portalit “Pacensure”.

Në ankesë thuhet se gazetarja, duke shkruar në rrjetin sociale Fejsbuk mbi shkaqet e arratisjes së fëmijëve në Çair të Shkupit, e thekson faktin se para dy javëve “kanë shpalosur ndjenjat e ndërsjella para drejtorisë së shkollës”.

Sipas ankuesit, është aluduar te orientimi seksual i vajzave që është shkelje e dinjitetit të tyre.

Njëherësh, janë publikuar fotografi të vajzave në profilin e gazetares në rrjetin social Fejsbuk.

Këshilli i Nderit konstatoi se neni 9 i Kodi i Gazetarëve ndalon që gazetari të intervistojë ose fotografojë fëmijë nën moshën 16 vjeçare pa pëlqimin e prindërve ose kujdestarëve. Ndërsa neni 7 vërteton se gazetari do ta respektojë privacinë e personit.

Këshilli i Nderit konfirmoi se publikimi i fotografive të fëmijëve, pa asnjë mbrojtje, ndërsa edhe pse nuk është përshkruar orientimi i tyre seksual, gazetarja merret me spekulime që nuk mund të jenë interes publik.

 

Shkelja e të drejtës së privacisë nën prizmin e vendimeve të Komisionit të Ankesave pranë Këshillit Etik në Media

Neni 7 u rekomandon gazetarëve të shmangin hyrjen në jetën private të personaliteteve, përveç nëse sjellja e një personi publik në jetën private ka ndikim ndaj interesit publik. Gazetari gjithashtu është i detyruar ta respektojë dhimbjen dhe zinë personale. Në Doracakun për etikë në gazetari jepen kahe të detajuara për atë se në çka duhet të kenë kujdes gazetarët që të mos e shkelin këtë parim, por duke mbajtur llogari për interesin publik.

Gazetari Mirçe Adamçevski në publikimin me titull “Raportimi në interes të publikut[xvii]: Mbrojtja e parimeve etike në raportim përmes punës së Komisionit të Ankesave” shkruan:

“Ku përfundon privacia dhe ku fillon interesi publik dhe e kundërta? Kjo çështje është dilemë e përhershme gazetareske. Fakt është se privaten nga publikja e ndan thuajse një kufi i panjohur, i cili shpejt tejkalohet, qoftë me arsye ose jo”.

Nocioni privaci, edhe atë shumë gjerë, është përkufizuar në Rezolutën nr. 428 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës nga viti 1970[xviii].

E drejta e respektimit të privacisë para së gjithash bazohet mbi të drejtën e çdo individi që të jetojë jetën e tij me përzierjen minimale të të tjerëve.

Problem i veçantë është privacia e personaliteteve publike. Edhe ata kanë të drejtën e mbrojtjes së privacisë së tyre, por në masë shumë më të vogël se sa personat që nuk janë të njohur në publik. Në Rezolutën nr, 1165 nga viti 1988 për të drejtën e privacisë qartë është theksuar se personat publik patjetër duhet të jenë të vetëdijshëm për pozitën që kanë në shoqëri, prandaj automatikisht kjo shpie drejt interesit të zmadhuar të publikut për privacinë e tyre.

“Gjykata Evropiane për të Drejtat e Njeriut në të gjitha lëndët, që kanë të bëjnë me të drejtat e privacisë dhe lirisë së shprehjes këmbëngul të gjejë dhe vendos baraspeshë midis tyre. Ndryshe sa i përket mediave, këtu nuk ka hamendje. E drejta e qytetarëve për informim transparent dhe objektiv nënkupton edhe raportimin për privacinë e personaliteteve publike, veçanërisht politikanët ose persona tjerë publikë, por vetëm kur për këtë ekziston interes publik. Mediat janë të obliguara ta mbrojnë dhe ta promovojnë interesin publik, përkatësisht t’i shërbejnë vetëm interesave të publikut. Kur bëhet fjalë për mbrojtjen e privacisë shpesh haset mosnjohje e madhe, por edhe shkelje e (pa) qëllimshme e kësaj të drejte. Mediat shpesh për shkak të mosdijes, ndërsa më shpesh në kërkim të sensacioneve, ashpërsisht ndërhyjnë në privacinë e disa personaliteteve, veçanërisht në raste të tragjedive ose sëmundjeve. Veçanërisht brengos shkelja e privacisë në mediat onlajn. Nisur nga kjo, pjesa më e madhe e vendimeve të Komisionit të Ankesave i përket shkeljes së privacisë në mediat onlajn, që më shpesh bëhet përmes marrjes së përmbajtjeve dhe fotografive“, thuhet në publikimin e lartëcituar.

Vendimet e Komisionit të Ankesave që lidhen me shkeljen e privacisë

Komisioni i Ankesave nga 560 parashtresa të shqyrtuara, në 33 apo 7 % ka vërtetuar shkeljen e parimit të privacisë së individit.

  • Viti 2014, 0 ankesa
  • Viti 2015, 4 ankesa për nenin 7
  • Viti 2016, 7 ankesa për nenin 7
  • Viti 2017, 1 ankesë për nenin 7
  • Viti 2018, 6 ankesa për nenin 7
  • Viti 2019, 6 ankesa për nenin 7
  • Viti 2020, 5 ankesa për nenin 7
  • Viti 2021, 4 ankesa për nenin 7

Konstatim i përgjithshëm është se, sipas numrit të shkeljeve të këtij neni, i krahasuar me të tjerët, kjo bëhet në nivel më të ulët, por kjo nuk do të thotë se kjo shkelje është më pak e rëndësishme se sa tjerat, sepse shpesh bëhet me vetëdije, ndërsa më rrallë nga padija ose pakujdesia e gazetarit.

Në këtë periudhë, shkeljet që i bëjnë disa media më shpesh janë të lidhura me përmbajtje të kopjuara nga rrjetet sociale dhe transmetimi i tyre përmes titujve sensacionalë, pa bërë llogari se me këtë shkelet privacia e dikujt.

Për përmbajtjet e rrjeteve sociale mund të konsiderohet se janë të sferës publike. Megjithatë, për shfrytëzimin e këtyre përmbajtjeve për publikim në media, patjetër duhet të merret leja paraprake, vetëm nëse interesi publik mbizotëron të drejtën e privacisë.

Kështu, në rastin Angella Ilievska për Netpress.com.mk, ankesa është parashtruar për shkrimet “Maqedonia- peng i qejfeve të Vanhautes[xix] dhe “FOTO: Vallë Vanhaute shndërrohet në idhull i vërtetë i LSDM-së?[xx], i publikar në portalin e internetit Netpress.com.mk. Në ankesë pohohet se shkrimet kanë prishur reputacionin e Ilievskës si aktiviste qytetare dhe person i ri. Thuhet edhe se është marrë fotografia nga profili personal dhe është keqpërdorur në mënyrë të rëndë. Përveç kësaj, në shkrim ka edhe koment seksist. Komisioni vlerësoi se kur do të lidhen fotografia e publikuar në shkrim dhe konstatimet seksiste të dhëna në formë pyetësore, vënë në pyetje dinjitetin e ankueses dhe reputacionine e saj në komunitet. Përveç kësaj, autori i shkrimit nuk ka theksuar se ka marrë leje për marrjen e fotografive të Ilievskës nga profili i saj në rrjetin social Fejsbuk. Siç më tej konstatoi Komisioni, jeta personale e ankueses, e cila nuk është as zyrtare e zgjedhur e as e emëruar dhe publikimi i të dhënave të saj personale në formë të fizionomisë së vërejtur në fotografi, nuk mund të konsiderohet çështje e interesit publik që mbizotëron mbi të drejtën e saj për privaci, e cila është e garantuar me Ligjin për mbrojtjen e të dhënave personale. Nisur nga kjo, Komisioni konstatoi shkeljen e parimit për respektimin e privacisë.

Sipas nenit 7 të Kodit të Gazetarëve, duhet të shmanget publikimi i fotografive ose xhirimeve të personave që kanë ndërruar jetë, për shkak të respektimit të dhimbjes dhe zisë personale. Në të bëjnë pjesë edhe xhirimet nga vetëvrasjet, madje edhe nëse janë bërë në vende publike. Përjashtim bëjnë rastet kur xhirimi është bërë për shkak të mbrojtjes së interesit publik dhe nëse personat e prekur japin leje për këtë.

Në rastin Daniell Kallajxhievski për Plusinfo.mk[xxi] është parashtruar ankesë për fotografitë “Pamje e tmerrshme e vajzës së pafat në Parkun e Qytetit (Galeria)” (përmbajtja është fshirë), të publikuara në portalin e internetit Plusinfo.mk. Në ankesë thuhet se me publikimin e fotografive është shkelur privacia dhe publikimi i këtyre fotografive të personit të vdekur paraqet mosrespektim i tij, si dhe mosrespektim i dhimbjes së familjes së tij dhe më të afërmve. Në përgjigjen e ankesës nga portali u theksua se “vetëdjegia e një gruaje 45 vjeçare, si i vetmi i atij lloji në historinë e Maqedonisë (…) paraqet ngjarje publike, për të cilën mediat zakonisht raportojnë me shkrim, fotografi dhe video”. Komisionit nga media e apostrofuar iu ofruan adresa mediash në të cilat mund të gjenden dhe shihen raste të vetëvrasjeve në tërë botën. Gjithashtu, u shtua se “në fotografitë e Plusinfos nuk ka elemente të mjaftueshme që të identifikohet fytyra e viktimës ose gjendja në të cilën gjendet ajo”. Gjatë vendimarrjes, Komisioni i Ankesave i mori parasysh edhe rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Parandalimin e Vetëvrasjeve[xxii], ku midis tjerash thuhet se duhet t’i shmanget përshkrimi eksplicit i metodës së përdorur gjatë vetëvrasjes ose tentimit pët kryerjen e saj, fotografi ose video-xhirime të vendit të vetëvrasjes nuk duhet të përdoren, veçanërisht kur kjo e bën vendin dhe metodën të qartë për lexuesin ose shikuesin.

Komisioni i Ankesave konstatoi se është shkelur Kodi i Gazetarëve dhe se publikimi i fotografive të viktimës mund në mënyrë plotësuese ta zmadhojë dhimbjen e famijes dhe të afërmve të saj përkatësisht se nuk janë respektuar dhimbja dhe zia personale, pa dallim që nuk është publikuar identiteti i gruas. Raportimi për ngjarjen ka mundur të jetë profesional edhe pa publikimin e fotografive të të ndjerës.

Shkelja e të drejtave të njeriut nën prizmin e vendimeve të Këshillit të Nderit pranë Shoqatës së Gazetarëve

Për të zbatuar parimet themelore të gazetarisë profesionale, në Maqedoninë e Veriut janë themeluar trupa vetë-rregullatorë.

Komisioni i Ankesave i KEMM e ndjek zbatimin e standardeve profesionale nga ana e mediave, ndërsa Këshilli i Nderit i Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë[xxiii] kujdeset për zbatimin e parimeve të Kodit nga ana e gazetarëve.

Këshilli i Nderit i SHGM-së punon në bazë të parimit të shqyrtimit të parashtresave të qytetarëve të dëmtuar, por shqyrton edhe shumë raste me vetiniciativë, atëherë kur ekziston dyshim i bazuar për shkelje të Kodit, ndërsa Me Komisioni i Ankesave i Këshillit të Etikës punon ekskluzivisht në bazë të parashtresave të qytetarëve.

Siç theksohet në publikimin e vitit 2016, me autorësi të Marina Tunevës dhe Filana Kokës, me titull “Raportimi etik i mediave në Evropë dhe në Maqedoni[xxiv], janë evidentuar edhe raste eklatante të përdorimit të gjuhës së urrejtjes. I tillë ka qenë emisioni i transmetuar në Radio Televizionin e Maqedonisë kushtuar librit “Dosja e përgjakshme” nga autori Petar Popovski[xxv], në të cilin gegët (shqiptarët) me një qasje kuazi-shkencore dhe pseudo-historike paraqiten si një komb kriminogjen.

“Këshilli në mënyrë unanime erdhi në përfundim se në këtë rast, nën maskën e prezantimit të një hulumtimi shkencor, iu dha publicitet një teorie padyshim shoviniste e cila shpërndan urrejtje dhe mungesë të tolerancës etnike, gjë që duhet dënuar ashpër”, vendosi organi vetë-rregullator i Shoqatës së Gazetarëve.

Reagimet më të ashpra të Këshillit pas vitit 2008 vinin për gjuhën e urrejtjes dhe thirrjen në dhunë kundër atyre që mendojnë ndryshe, gazetarëve dhe homoseksualëve. Këta të fundit konsideroheshin një dëm kolateral për shkak se propagandistët e pushtetit të kaluar të VMRO-DPMNE-së i keqpërdornin paragjykimet dhe stereotipat e shoqërisë për homoseksualët si një grup i margjinalizuar, kjo me qëllim që t’i prezantojnë të gjithë kritikët e Qeverisë si “përbindësha”. Në gjithë këto raste, Këshilli ka konstatuar se forma e tillë e shprehjes nuk mund të trajtohet si e drejtë e lirisë së fjalës, por është mohim dhe keqpërdorim i saj.

Sipas publikimit të lartëcituar, “Rënia drastike e cilësisë së raportimit mediatik vjen në shprehje pas vitit 2012, kur kriza politike eskaloi me kontestimin e rezultateve zgjedhore nga opozita në vitin 2014 dhe kur u mbajtën protesta masive qytetare. Në këtë periudhë vjen në shprehje instrumentalizimi i medieve nga ana e pushtetit, i cili i përdor at si mjet propagandues për ta ruajtur pushtetin dhe për t’u konfrontuar me oponentët politikë. Gjithë kjo bëhej me anë të diskreditimit personal, duke përdorur gjuhë të ashpër të urrejtjes në të gjitha bazat. Një dukuri shqetësuese në këtë periudhë janë fushatat e koordinuara mediatike nga mediet proqeveritare kundër opozitës, nga medie të tjera që e kritikojnë qeverinë, përfaqësues të sektorit civil ose të institucioneve që janë jashtë kontrollit të pushtetit. Këta persona nga mediet proqeveritare eksponohen me një gjuhë të ashpër të urrejtjes dhe diskriminimit dhe sulmojnë imazhin dhe dinjitetin e tyre duke i prezantuar si kriminelë dhe tradhtarë”.

Respektimi i të drejtave të fëmijëve në raportimin mediatik

Kodi Etik i Gazetarëve rregullon edhe mbrojtjen e të drejtave të fëmijëve, ashtu siç mbrohen me ligjet që rregullojnë fushën e medias.

“Neni 9 i Kodit Etik të Gazetarëve

Gazetari nuk duhet të intervistojë ose të fotografojë fëmijë nën 16 vjeç pa pëlqimin e prindërve ose kujdestarit, përveç nëse kjo nuk është në përputhje me të drejtat e fëmijëve. E njëjta zbatohet edhe për personat me nevoja të posaçme, të cilët nuk janë në gjendje të gjykojnë me vetëdije.”

Statistika e Komisionit të Ankesave tregon se në 2 raste ka evidentuar shkelje të nenit 9 të Kodit të Gazetarëve.

Rasti i parë është Filana Koka ndaj portalit zbavitës Motika lidhur me shkrimin me titull “Mora unë burek, mirë mendova”: Petari i vogël u bë legjendë me intervistën e tij për skautët“, i publikuar më 29 nëntor të vitit 2021. Edhe pse u kontaktua nga zyra e Këshillit të Etikës, ky portal nuk u përgjigj fare ndaj pretendimeve të gazetaresk.

Në mbledhjen e mbajtur më 17 dhjetor të vitit 2021, Komisioni i Ankesave pas shqyrtimit të ankesës së gazetares Filana Koka konstatoi se shkrimi shkeli neni 9 të Kodit të Gazetarëve.

Bëhet fjalë për video të shkurtër, në të cilën një fëmijë i intervistuar, tërhoqi vëmendje të madhe në publik. Videoja u bë virale në rrjetet sociale. Komisioni konstatoi se fytyra e fëmijës nuk është mjegulluar, ndërsa në material zbulohet emri dhe mbiemri i tij, që gjithsesi se mund të shkaktojë ndikime negative ndaj tij.

Qëndrimi i Komisionit është se ripublikimi i përmbajtjes e kopjuar nga rrjetet sociale nuk e liron portalin nga përgjegjësia. Portali është dashur patjetër të kërkojë pëlqim nga prindërit edhe për ripublikimin e materialit, ndërsa gazetari nuk guxon të intervistojë ose fotografojë fëmijë nën 16 vjeç, pa pëlqimin e prindërve ose kujdestarëve.

Rasti i dytë është ankesa e qytetares Ivana Dimitrovska, e cila reagoi ndaj shkrimit me titull “Nuk jam e fajshme, apo nënë”, i publikuar më 27 qershor të vitit 2016 në portalin e gazetës së atëhershme Utrinski Vesnik dhe më 28 korrik. Siç vërteton portali grumbullues i lajmeve Time.mk, ky lajm është publikuar nga shumë media.

Gazetari i Utrinski Vesnikut përdori publikimin e nënës së një vajze në Fejsbuk, e cila ka qenë e keqtrajtuar tekstualisht nga një person i moshuar, duke u bërë thirrje prindërve tjerë të jenë të kujdesshëm sa u përket fëmijëve të tyre.

Komisioni i Ankesave konstatoi se portali duke publikuar identitetin e të miturës ka shkelur nenin 9 të Kodit Etik të Gazetarëve, sepse edhe Konventa e Kombeve të Bashkuara për të Drejtat e Fëmijës konfirmon se është rreptësisht e ndaluar manipulimi me emocionet e fëmijëve, insistimi për përjetimin e serishëm të traumave dhe zbulimi i identitetit të fëmijëve. Përgjegjësia për këtë lëshim është e medias dhe e gazetarit.

Roli i ombudsmanit mediatik: Vetërregullimi brenda një institucioni mediatik

Ndryshe nga këshillat e etikës, që përfshijnë të gjitha apo një pjesë të mediave në një vend, në një media specifike mund të funksionojë ombudsmani mediatik, që siç shpjegon ombudsmania e gazetës franceze Le Monde, Véronique Maurus në trajtesën e saj në publikimin “Udhëzues për vetërregullim mediatik“, në suedisht do të thotë “përfaqësues ”, është përshtatur gjerësisht edhe nga gjuhë të tjera me kuptimin e ndërmjetësuesit, i cili heton ankesat e qytetarëve.

Ajo më tej shpjegon se “ata shërbejnë si urë lidhëse mes personelit të organit mediatik dhe publikut, marrin komentet dhe ankesat e tyre dhe përpiqen të zgjidhin mosmarrëveshjet mes dy palëve”, ndërsa bazuar në përvojën e saj jep përgjigje lidhur me detyrat dhe përgjegjësitë që ka ky pozicion, i cili në Maqedoninë e Veriut nuk funksionon në asnjë media.

“Çfarë funksionesh ka ombudsmani?

Ombudsmani nxit dialogun mes lexuesve, dëgjuesve dhe shikuesve të mediave dhe atyre që punojnë për mediat. Ideja është që përdoruesve t’u jepet një mundësi kontakti dhe, duke nxitur autokritikën, të forcohet besueshmëria e medias, sidomos nëse nuk gëzon imazh të mirë.

Cili është roli i ombudsmanit ?

Ombudsmani garanton respektimin e rregullave dhe zakoneve të vendosura nga organi i medias, duke ushtruar një lloj kontrolli të brendshëm cilësie. Ekziston një kontratë e pashkruar me audiencën për të:

  • Ofruar informacion sa më të saktë, të plotë dhe të qartë;
  • Bërë një dallim të qartë mes informacionit dhe komenteve;
  • Korrigjuar gabimet ;
  • Pasqyruar pluralizmin dhe larminë e mendimeve ;
  • Garantuar që të drejtat e individit të mos dhunohen dhe që jeta e tyre private të respektohet.”
Rekomandime për raportim etik për fëmijët dhe të rinjtë

Duke njohur nevojën mediat t’i përmbahet standardeve më të larta etike dhe profesionale për raportim për fëmijët dhe të rinjtë, si dhe të kontribuojë në mënyrë aktive në përpjekjet për përmirësimin e mjedisit për mbrojtjen dhe promovimin e të drejtave të tyre, Këshilli i Etikës në Media të Maqedonisë (KEMM), në partneritet me Ambasadën e Parë të Fëmijëve në Botë “Megjashi”, bazuar në konventat ndërkombëtare, Ligjin për drejtësi për fëmijë, Kodin e gazetarëve dhe Udhëzimet për raportim profesional në mediat onlajn, publikoi rekomandimet e mëposhtme:

  1. Të respektohet dhe të afirmohet dinjiteti i fëmijëve dhe të rinjve, si dhe të për-faqësohen dhe promovohen të drejtat dhe interesat e tyre në të gjitha rrethanat e raportimit gazetaresk;
  2. Fëmijët dhe të rinjtë nuk duhet të diskriminohen mbi asnjë bazë (gjini, përkatësi etnike, mosha, feja, arsimimi, aftësitë fizike, etj.);
  3. Të raportohet në një mënyrë që është e lirë nga stereotipat dhe sensacionalizmi, me respektim të privatësisë dhe ruajtjen e nderit dhe reputacionit të fëmijëve dhe të rinjve;
  4. Të mundësohet zbatimi përkatës i së drejtës së fëmijëve dhe të rinjve për të shprehur pikëpamjet e tyre, në përputhje me moshën dhe pjekurinë e tyre dhe ato të merren parasysh në raportimin gazetaresk;
  5. Të sigurohet e drejta e fëmijëve dhe të rinjve për të pasur qasje në media dhe përmbajtje mediatike, kurdoherë që është e mundur, për të shprehur pikëpamjet e tyre pa asnjë ndikim, me çka do të shmanget margjinalizim i temave që lidhen me fëmijët dhe të rinjtë në raportimet e tyre të përditshme;
  6. Të ndërtojë dhe zbatojë politikë editoriale të mediave, që vë në plan të parë nevojat dhe interesat më të mira të fëmijëve dhe të rinjve, si dhe të monitorojë në mënyrë të vazhdueshme dhe konsistente informacionin dhe ngjarjet që kanë të bëjnë me fëmijët dhe të rinjtë, me një rol të theksuar edukativo-parandalues të mediave;
  7. Të krijohen mekanizma në media për të mbrojtur fëmijët dhe të rinjtë nga raportimi mediatik i bazuar në dezinformim, propagandë politike dhe agjitacion, manipulim ekonomik, përmbajtje pornografike, fanatizëm fetar, krijim dhe nxitje të stereotipeve dhe diskriminimit mbi të gjitha bazat;
  8. Të sigurohet mbrojtja e privatësisë së fëmijëve dhe të rinjve kur raportohen për ta si viktima ose kur shfaqen si burim informacioni, përkatësisht pa zbuluar identitetin e tyre (për shembull, duke zbuluar informacione për familjen, vendbanimin, shkollën etj.)
  9. Të mos përdoren fotografi, deklarata dhe video të fëmijëve dhe të rinjve pa pëlqimin e prindit / kujdestarit / institucionit-kujdestarit. Njëkohësisht, media duhet të ruajë të drejtën që të mos publikojë informacionin nëse vlerëson se do të shkaktojë më shumë dëm, gjegjësisht i mituri do të ekspozohet ndaj rrezikut pavarësisht pëlqimit të siguruar paraprakisht;
  10. Të turbullohet fytyra dhe emri i fëmijëve dhe të rinjve, me përjashtim të rasteve kur bëhet fjalë për informacione dhe ngjarje me kontekst pozitiv dhe me pëlqimin paraprak të fëmijës, prindit/kujdestarit/ institucionit-kujdestarit;
  11. Të respektohet prezumimi i pafajësisë së fëmijëve dhe të rinjve, njëlloj si tek të rriturit, siç është e rregulluar me Kodin e Etikës së Gazetarëve dhe si e drejtë e garantuar kushtetuese në Republikën e Maqedonisë së Veriut.
Përfundime

Të gjitha dokumentet ndërkombëtare u garantojnë qytetarëve mbrojtjen e të drejtave dhe lirive themelore të njeriut në përmbajtjet mediatike, ndërsa Gjykata Evropiane e të Drejtave të Njeriut, duke u bazuar në Nenin 10 të Konventës Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e garanton lirinë e shprehjes, e cila shtrihet në shumë fusha dhe u garantohet shumë kategorive të njerëzve.

Edhe aktet normative juridike të Maqedonisë së Veriut, siç janë Kushtetuta e Maqedonisë së Veriut dhe ligjet që rregullojnë veprimtarinë gazetareske, siç janë Ligji i Mediave dhe ai i Shërbimeve Audio dhe Audio-vizuale Mediatike, garantojnë mbrojtjen e të drejtave të njeriut dhe lirisë së shprehjes, si kategori universale.

Vetërregullimi mediatik, si një mekanizëm që synon të kemi media të përgjegjshme, etike dhe profesionale, ka mision respektimin e dallimeve kulturore dhe religjioze, me qëllim që të përforcohet mirëkuptimi dhe toleranca ndëretnike dhe ndërfetare dhe në veçanti  mbrojtjen e qytetarëve, veçanërisht publikut të mitur në përmbajtjet mediatike, mbrojtjen nga diskriminimi mbi baza të ndryshme, si dhe respektimin e ndalimit të gjuhës së urrejtjes. Kjo nënkupton respektimin e Kodit të Etikës në Media, i cili përmban disa dispozita të rëndësishme, që u dedikohen të drejtave të njeriut.

Ndaj shkeljes së Kodit të Etikës në Media, qytetarët, qoftë kur janë prekur individualisht ose jo, mund të reagojnë tek dy organet vetërregulluese: Këshillit të Nderit të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë dhe Komisionit të Ankesave të KEMM, duke u drejtuar me ankesë, në të cilën cekin nenet e kodit për të cilat mendojnë se janë shkelur në një përmbajtje të caktuar, ndërsa organet vetërregulluese vendosin nëse janë shkelur nenet e apostrofuara apo jo, ose janë shkelur nene krejtësisht tjera. Këshilli Etik i Mediave të Maqedonisë lidhur me ankesat miraton vendime për mediat që janë anëtare të tij, ndërsa mendimet për joanëtarë i publikon në faqen e tij të tij të internetit dhe rrjetet sociale dhe ua përcjell të gjitha mediave në formë komunikatash.

Komisioni i Ankesave dhe Këshilli i Nderit kanë hasur shpesh shkelje të neneve që kanë të bëjnë me të drejtat e njeriut, si neni 7 (mbrojtja e privacisë), 9 (mbrojtja e fëmijëve) dhe 10 (ndalimi i gjuhës së urrejtjes dhe diskriminimit).

Megjithë rezultatet e arritura, i mbetet komunitetit mediatik që të bëjë shumë më tepër në drejtim të përforcimit të vetërregullimit mediatik.

Në disa media në botë, ndonëse jo në masë të madhe, funksionon edhe ombudsmani apo ndërmjetësi mes publikut dhe mediave, një pozitë që funksionon brenda një medie konkrete dhe që mund të përmirësojë cilësinë e gazetarisë, t’i demokratizojë më shumë mediat dhe të ndikojë në korrigjimin e gabimeve gazetareske dhe editoriale, me qëllim që të jenë në funksion të interesit publik dhe mbrojtjes së të drejtave dhe lirive themelore të njeriut.

Mediat kanë detyrim që të mos raportojnë për të drejtat e njeriut vetëm në Ditën ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, por të kenë raportim sistematik mbi shkeljet e të drejtave të ndryshme të njeriut, si dhe të kontribuojnë për ndërgjegjësimin dhe vetëdijesimin e qytetarëve mbi paprekshmërinë e të drejtave, që çdo njeriu i takojnë natyrshëm, përkatësisht nga vetë lindja.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

 

Referenca:

[i] Shih: Deklarata Universale pёr të Drejtat e Njeriut, e qasshme në https://www.un.org/en/about-us/universal-declaration-of-human-rights

[ii] Shih: Guide on Article 10 of the European Convention on Human Rights https://www.echr.coe.int/documents/d/echr/guide_art_10_eng

[iii] Shih: International Covenant on Civil and Political Rights, e qasshme në https://www.ohchr.org/en/instruments-mechanisms/instruments/international-covenant-civil-and-political-rights

[iv] Shih: Konventa Evropiane për të Drejtat e Njeriut, e qasshme në https://www.echr.coe.int/documents/d/echr/convention_ENG

[v] Shih: The Jurisprudence of the European Court of Human Rights: freedom of expression and its relationship with the right to respect for private life and the right to a fair trial, e qasshme në: https://www.rolplatform.org/the-jurisprudence-of-the-european-court-of-human-rights-freedom-of-expression-and-its-relationship-with-the-right-to-respect-for-private-life-and-the-right-to-a-fair-trial/

[vi] Shih, Kushtetuta e Republikës së Maqedonisë së Veriut

[vii] Shih, Ligji për Shërbime Audio dhe Audio-vizuale Mediatike

[viii] Shih, Ligji i Mediave

[ix] Shih, Udhëzuesin për vetërregullimin e mediave

[x] Shih: Udhëzues për vetërregullimin e mediave, Yavuz Baydar, “Krijimi i një kodi etike për gazetarinë

Baza për vetërregullimin e medias”, f.21, botuar nga Zyra e përfaqësuesit të OSBE për Lirinë e Medias, 2008

[xi] Shih: Kodi i Gazetarëve të Maqedonisë, SHGM, 2001

[xii] Shih: Këshilli për Etikë në Mediat e Maqedonisë

[xiii] Shih: Doracaku i Etikës në Gazetari

[xiv] Shih: Informata statistikore për ankesat në KEMM, të qasshme në: https://complaints.semm.mk/

[xv] Shih: Vendimi i KEMM, janar 2015, i qasshëm në https://semm.mk/attachments/Naroden%20prvobranitel%20Vs.%20republika.mk,%20pres24.mk,%20kurir.mk,%20puls24.mk%20i%20dr.pdf

[xvi] Shih vendimin e KEMM, mars 2015, i qasshëm në https://semm.mk/attachments/OBSE%20Vs.%20Sitel.pdf

[xvii] Shih, “Raportimi në interes të publikut – Mbrojtja e parimeve etike të raportimit përmes Komisionit të Ankesave dhe Parashtresave”, KEMM, mars 2017

[xviii] Shih: Rezoluta nr. 428 të Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës

[xix] Shih Netpress.mk, 26.10.2015: Maqedonia- peng i qejfeve të Vanhautes

[xx] Shih Netrpess.mk, 26.10.2015 FOTO: Vallë Vanhaute shndërrohet në idhull i vërtetë i LSDM-së?

[xxi] Shih vendimin e KEMM, 21.07.2015, për rastin Daniell Kallajxhievski për Plusinfo.mk

[xxii] Shih rekomandimet e Organizatës Botërore të Shëndetësisë për Parandalimin e Vetëvrasjeve

[xxiii] Për më tepër, shih në ueb-faqen e SHGM: https://znm.org.mk/sovet-na-chest/

[xxiv] Shih: “Raportimi etik i mediave në Evropë dhe në Maqedoni“, Marina Tuneva dhe Filana Koka, Konrad Adenauer Stiftung, dhjetor 2016

[xxv] Për më tepër, shih: http://nemrazi.mk/znm-2007-06-11-emisija-za-mijatsite-na-mtv/

 

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut