IMA kërkon nga Avokati i Popullit: Nisni procedurë me vetiniciative për ligjshmërinë e procedurës policore ndaj gazetarit Furkan Saliu

 

Pas privimit të djeshëm nga liria të gazetarit Furkan Saliu, Instituti për Media dhe Analitikë IMA i dërgoi Avokatit të Popullit kërkesë për nisjen e procedurës me iniciativën e tij për vërtetimin e abuzimeve dhe tejkalimit të mundshëm të kompetencave zyrtare të policisë.

Në kërkesën drejtuar Avokatit të Popullit, IMA bën me dije se gazetari Furkan Saliu ka pohuar publikisht se i është hequr liria nga punonjës policie përderisa ka tentuar të kryejë profesionin e gazetarit, si dhe se i është marrë telefoni me të cilin ka tentuar të regjistrojë dhe dokumentojë rast të dyshuar të përdorimit të tepruar të forcës nga policia. Përveç kësaj, gazetari deklaroi publikisht se i është nënshtruar dhunës policore, si dhe se regjistrimet e tij janë fshirë nga policia, pavarësisht se ai u ka bërë me dije publikisht se është gazetar që kryen detyra pune.

“Duke pasur parasysh se në kumtesën fillestare për rastin MPB-ja nuk ka paraqitur informacione konkrete dhe të besueshme për sulmin e pretenduar ndaj punonjësve të policisë, as për lëndimin e mundshëm të tyre, e as nuk ka deklaruar se për cilat krime konkrete është privuar nga liria gazetari Furkan Saliu dhe bashkëpunëtorët e tij mediatik, Instituti për media dhe analitikë IMA nga Shkupi kërkon nga Avokati i Popullit që me vetiniciativë të ngrejë procedurë për të konstatuar keqpërdorimin dhe tejkalimin e mundshëm të autorizimeve zyrtare të policisë, në rastin e privimit nga liria të gazetarit Furkan Saliu më 7 prill 2024”, thuhet në kërkesën e IMA-s drejtuar Avokatit të Popullit.

Duke qenë se bëhet fjalë për një rast, i cili jo vetëm që shkakton polarizim shoqëror dhe politik, por prek thellë të drejtat e njeriut dhe të drejtën e lirisë së shprehjes së gazetarëve dhe punonjësve të medias, IMA kërkon nga Avokati i Popullit të hyjë në ambientet zyrtare të MPB-së, të qaset drejtpërdrejt në dokumentacionin e lëndës, të thërrasë në bisedë të gjithë personat zyrtarë që mund të japin informacion për procedurën, dhe të informojë vazhdimisht mediat dhe opinionin për të gjitha gjetjet e konstatuara dhe për shkeljet e mundshme të autorizimeve të policisë.