“Poligraf”: Kush dezinformon so Rusia asnjëherë nuk ka sulmuar askënd?

Disa media maqedonase, më 20 dhe 21.12.2022 publikuan tituj me pohimin se “Rusia asnjëherë nuk ka sulmuar askënd”, duke ia atribuar Kremlinit dhe zëdhënësit Peskov.

Artikujt i referohen një videoje të TV Rusia 1, e postuar në Twitter më 20.12.2022, në të cilën Peskov thotë se Rusia asnjëherë nuk ka sulmuar askënd.

“Por, përkujtojmë se Rusia gjatë historisë së saj asnjëherë nuk ka sulmuar askënd. E Rusia, e cila ka mbijetuar kaq shumë luftëra, është vendi i fundit në Evropë që dëshiron të flasë fare, madje të thotë fjalën “luftë””, deklaroi Peskov në këtë video.

Mirëpo, nuk bëhet fjalë për një deklaratë të re, por për deklaratë të vjetër të Peskovit, e botuar20.02.2022, katër ditë para fillimit të agresionit rus kundër Ukrainës.

“Lajmet” e reja për deklaratën e vjetër të Peskovit nuk tregojnë kohën dhe kontekstin. Por, edhe pohimi se “Rusia gjatë historisë së saj asnjëherë nuk ka sulmuar askënd” është një e pavërtetë historike. (Evi +skr)

Perandoria Ruse zhvilloi disa luftëra pushtuese në shekujt 18 dhe 19, edhe me Perandorinë Osmane, ka bërë luftë edhe me Persinë, si dhe me disa shtete evropiane.

Përveç kësaj, në vitin 1939, BRSS kreu invazion ushtarak mbi Poloninë, më pas edhe mbi Finlandën, e në vitin 1940 edhe ndaj vendeve baltike, pas ndarjes së Evropës midis Gjermanisë naziste dhe BRSS, sipas protokollit sekret të Paktit Ribentrop-Molotov.

Edhe pas Luftës së Dytë Botërore, BRSS kreu invazione ushtarake në disa vende, në Hungari në vitin 1956, në Çekosllovaki në vitin 1968 dhe në Afganistan në vitin 1979.

Edhe para invazionit ushtarak mbi Ukrainën, Federata Ruse sulmonte ushtarakisht vende të tjera, si për shembull Gjeorgjinë në vitin 2008.

Prandaj, deklaratën e Peskov se “Rusia gjatë historisë së saj asnjëherë nuk ka sulmuar askënd” – e vlerësojmë si një të pavërtetë historike dhe dezinformatë.