Politikanët unikë, qytetarët të grindur mes vete

Shkruan: PETRIT SARAÇINI

Ndarjet dhe polarizimi të krijuar nga politika dhe partitë politike kanë më së paku ndikim tek ata, e më së shumti reflektohen tek qytetarët.

Për shkak të politikës, shohim grindje të ashpra mes miqve, të afërmve e familjarëve, kolegëve, të njohurve, fqinjëve…të cilat shpesh rezultojnë me ofendime, sharje dhe ndërprerje të komunikimit të ndërsjellë. Njerëzit që deri dje ndanin të mirën dhe të keqen nuk duan t’i shohin sytë njëri-tjetrit, urrejnë njëri-tjetrin, e jo rrallë bile mendojnë për (ose përdorin) dhunë fizike.

Ndryshe nga politikanët, të cilët publikisht “luftojnë” e bëjnë shfaqje e spektakle për publikun, e në shumicën e rasteve në prapaskenë kultivojnë marrëdhënie të mira, madje edhe të shkëlqyera reciproke, pavarësisht se u përkasin kampeve të ndryshme politike.

E bile, siç e shohim, ata shpesh dinë t’i kapërcejnë ato dallime, kur bëhet fjalë për interesat e tyre personale.

Do të doja që bashkëqytetarët e mi, të paktën për këtë çështje, të marrin si shembull politikanët, dhe të shohin interesin e tyre, interesin qytetar, i cili mund të realizohet vetëm kur ata janë më unikë, e jo të përçarë e të verbuar nga urrejtja e ndërsjellë, e nxitur nga politika.

Ndoshta kështu do të arrijmë të kemi elita politike më të përgjegjshme, që do t’i shërbejnë interesit të përgjithshëm, e jo atij personal!

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut