“Poligraf”: Cilat media botоnin dezinformata se e zhdukura Vanja është gjetur gjallë në një shtet fqinj?

Javën që shkoi në fokus të opinionit ishin lajmet dhe publikimet për 14-vjeçaren e zhdukur në Shkup, ndër të cilat kishte edhe dezinformata.

Më 29.11.2023, disa portale publikuan tituj se e mitura e zhdukur është “gjetur në një shtet fqinj”.

“Kurir” botoi titull me emrin e vajzës dhe se ajo është “gjetur në një shtet fqinj” duke pohuar: “Jozyrtarisht mësojmë se …ajo është gjetur në një shtet fqinj”.

Më pas, portali Kurir botoi një titull tjetër: “Jozyrtarisht KURIR mëson: …është gjetur në një shtet fqinj – përgënjeshtron MPB-ja (I PËRDITËSUAR)”. Së fundi, KURIR ka ndryshuar edhe një herë titullin: “LAJM I PËRDITËSUAR: Nuk është e vërtetë që është gjetur…- demant nga MPB-ja”, me këtë shpjegim: “Pasi KURIR-i, duke u thirrur në burime të veta nga hetimi, njoftoi se 14-vjeçarja … u gjet gjallë dhe shëndoshë në një shtet fqinj, MPB u prononcua me demant. Fatkeqësisht, për momentin informacioni tregohet i pasaktë, e MPB vazhdon me kërkimin aktiv për gjetjen e vajzës”.

demantin e MPB-së ndaj “dezinformatave të botuara në portalin “Kurir””, thuhet se bëhet fjalë për “lajm tërësisht të rremë”, pavarësisht apeleve të shumta, si nga policia, ashtu edhe nga prindërit e të miturës që “të mos botohen dezinformata me të cilat vetëm mund të dëmtohet hetimi”.

MPB kërkoi që përgënjeshtrimi të botohet menjëherë, ndërsa teksti i pavërtetë të tërhiqet kudo që është publikuar. Mirëpo, më 30.11.2023, nuk u tërhoqën të gjitha tekstet e portaleve me lajmin e rreme, e gjurmët e lajmeve të rreme mbetën edhe në titujt e agregatorëve të lajmeve.

Më 29.11.2023, për këtë rast raportuan edhe verifikuesit e fakteve nga “Vërtetmatësi” në shkrimin: “Nuk është e vërtetë se Vanja Gjorçevska është gjetur në një shtet fqinj”, duke bërë me dije se “Me publikimin e këtij lloji të dezinformatave bëhet dëm, si ndaj familjes së vajzës, ashtu dhe ndaj mbarë hetimit dhe ndaj besimit tek institucionet”.

Pas lajmit të rreme, u prononcuan edhe SHGM dhe KEMM, të cilat dënuan ashpër mënyrën e raportimit të disa mediave për rastin, i cili shkel rëndë Kodin e Gazetarëve, duke publikuar informacione të pasakta dhe të paverifikuara, kryesisht të marra nga rrjetet sociale. Këto organizata bënë me dije se “rrjetet sociale nuk mund të jenë një burim i besueshëm informacioni nga i cili gazetarët do të marrin përmbajtje pa i kontrolluar dhe prej tyre të shkruajnë lajme apo tituj”, si dhe se “mediat kanë për detyrim të kontrollojnë informacionin para se ta publikojnë atë”.

Këto rekomandime i dëgjojmë me vite, por fatkeqësisht një pjesë e mediave nuk i respekton. Prandaj, publiku duhet të ketë kujdes në raste të tilla delikate dhe të mbështetet në mediat që publikojnë informacione që janë të kontrolluara mirë dhe që përmbajnë burime të besueshme.