“Poligraf”: Si një video e rreme e një viktime të vrasjes në Kosovë u bë virale në Facebook?

 

Në rrjetet sociale shpesh botohen dezinformata, të cilat keqpërdorin edhe tragjedi të mëdha për të arritur ndikim më të madh te publiku. Përveç rastit me dezinformatat për dy vrasjet që ndodhën në vendin tonë, i tillë ishte edhe rasti me vrasjen e Liridona Ademaj – Murselit që ndodhi para do kohe në Kosovë.

Më 3 dhjetor 2023, Facebook faqja “Rozaria” botoi një  video ku shihet Liridona Ademaj-Murseli, e cila u vra më 29 nëntor 2023 në Prishtinë, sikur po flet dhe po jep mesazh pas vdekjes së saj. Kjo video në Facebook për 10 ditë ka arritur mbi 1 milion shikime, 42.000 reaksione, 4900 shpërndarje dhe afër 6500 komente.

Mirëpo, bëhet fjalë për një video të rreme që është prodhuar përmes programeve të inteligjencës artificiale. Mu për këtë shkak, si dhe për shkak të ndikimit të madh që ka pasur, ajo është shënuar si informacion i pavërtetë nga Facebook-u, me shpjegim se videoja është përgënjeshtruar nga kontrolluesit e pavarur të fakteve nga portali “Kallxo.com”.

Çfarë konstatuan verifikuesit e fakteve të këtij portali? Ata, përmes faqes për zbulimin e prejardhjes së fotografive “Tineye” kanë gjetur se “fotografia e Liridona Ademaj-Murselit për herë të parë është publikuar në portalin Telegrafi. Kjo fotografi është publikuar pas vrasjes së saj më 29 nëntor 2023. E njëjta fotografi është përdorë për të prodhuar një video përmes inteligjencës artificiale (IA)“, thuhet në recensionin e botuar nga kontrolluesit e fakteve të “Kallxo.com”.

Kjo video e rreme virale dhe skajshmërisht joetike, tregon se publiku duhet të ketë shumë kujdes me publikimet e tilla në rrjetet sociale, të cilat e keqpërdorin interesimin e madh gjatë ndodhive tragjike vetëm për të zmadhuar ndikimin dhe lexueshmërinë. Prandaj, gjatë tragjedive të tilla, publiku duhet të mbështetet në informacione të botuara nga mediat profesionale, që janë të vërtetuara nga burime të besueshme.