Shumë media që raportuan mbi paralajmërimin sensacionalist të intervistës së Taker Karlsonit me Putinin në mënyrë jokritike dhe pa verifikim transmetuan një pretendim që u tha në këtë njoftim.
Më 7 shkurt 2024, TV Kanal 5 e botoi titullin: “Kremlini: Taker Karlson e intervistoi Putinin”, duke transmetuar pretendimin e Karlsonit se “asnjë gazetar perëndimor nuk është munduar të intervistojë Vlladimir Putinin…”. Këtë pretendim e transmetuan edhe media të tjera.
Megjithatë, media të tjera botuan pohime të gazetarëve dhe mediave të njohura që bënë me dije se pretendimi i Karlsonit nuk është i saktë. “BBC tha se korrespondenti i tyre nga Moska, Stiv Rozenberg, ishte refuzuar disa herë për një intervistë me Putinin”, raportoi SDK. Portali “Plusinfo” e transmetoi deklaratën e Kristianë Amanpurit nga CNN: “A mendon vërtet Taker se ne gazetarët nuk po përpiqemi të intervistojmë presidentin Putin çdo ditë që nga invazioni i tij në Ukrainë? Kjo është absurde – ne do të vazhdojmë të kërkojmë intervistë, ashtu siç kemi bërë me vite”.
Në tekstin “Një sërë gënjeshtrash dhe spekulimesh për intervistën e Taker Karlsonit dhe Vlladimir Putinit”, portali “Radio Lider” e citon zëdhënësin e Putinit, Dmitri Peskov, i cili ka thënë se “z.Karlson e ka gabim”. Gjatë brifingut të tij të përditshëm për gazetarët, Peskov ka thënë: “Ne marrim shumë kërkesa për intervista me presidentin.” Nga deklarata e Peskovit shihet se bëhet fjalë për kërkesa për intervista nga rrjetet kryesore mediatike televizive dhe gazetat nga Perëndimi, me të cilat Kremlini “nuk ka dëshirë të komunikojë”.
Shumë gazetarë perëndimorë dëshmuan se kishin tentuar të intervistonin Putinin, por edhe vetë Kremlini konfirmoi se rregullisht ka refuzuar kërkesat e tyre. Prandaj, pohimi i Karlsonit se “asnjë gazetar perëndimor nuk është munduar të intervistojë Vladimir Putinin…” është dezinformatë. Mediat duhet të ekspozojnë pretendimet e tilla të pasakta, sepse nëse vetëm i transmetojnë ato në mënyrë jokritike, mund të dezinformojnë publikun e tyre.