Deralla në “Poligraf”: Dezinformatat krijojnë polarizim, ndarje dhe tensione mes njerëzve

 

Për dëmshmërinë e dezinformatave, sidomos të atyre që vijnë në vend nga jashtë, “Poligraf” bisedoi me Xhabir Derallën, kryetar i CIVIL-it, organizatë që ka aktivitete intensive për ballafaqim me dezinformatat dhe ndikimet e huaja malinje.

Poligraf: Kur jemi këtu te dezinformatat, në cilat tema hasim më shumë dezinformata?

Deralla: Mund të thuhet se kemi dezinformata për të gjitha temat, sepse një nga qëllimet e dezinformatave, në kuadër të kërcënimeve hibride apo në kuadër të propagandës që kryejnë disa qendra të fuqisë, qoftë brenda vendit apo jashtë tij, është të lëkundin besimin mes njerëzve. Pra, të shkaktohet polarizim, urrejtje mes njerëzve, mosbesim, tensione, e gjithashtu mosbesim i njerëzve në institucionet, në atë që thonë institucionet, në atë që thonë mediat, në ato që thonë institucionet shkencore, institucionet arsimore… Pra, sa më shumë dezinformata, që të mund të prishet, të shkatërrohet besimi te njerëzit dhe ata të fillojnë të ndahen mes tyre.

Mund të jetë për çdo çështje, mirëpo, kur futet një përmbajtje polarizuese, ajo përmbajtje më tej u shërben qëllimeve propagandistike ose qëllimeve tjera. Këtu, natyrisht, më së shumti dezinformata ka në politikë. Aktualisht, në vendin tonë po zhvillohen aktivitete të ashpra propagandistike dhe narrativa dezinformuese lidhur me agresionin ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës. Natyrisht, edhe në rajon, marrëdhëniet Kosovë-Serbi janë burim të propagandës dhe dezinformatave, të cilat më pas krijojnë polarizim, ndarje dhe tension mes njerëzve.

 

Poligraf: Siç e cekët, një kohë më të gjatë jeni duke ndjekur situatën me agresionin rus kundër Ukrainës. Cilat do të ishin gjetjet tuaja për këto ndikime të huaja dhe dezinformata që vijnë tek ne?

Deralla: Ndikimet e huaja, ndikimi malinj rus në Maqedoni vjen drejtpërdrejt, por edhe përmes qendrave proksi, në radhë të parë përmes Serbisë. Në Serbi keni mbi 200 media që janë shpërndarës të drejtpërdrejtë të narrativave propagandistike ruse, të cilat shumë lehtë transmetohen nga mediat maqedonase dhe, natyrisht, edhe nga mediat e tjera në rajon.

Ato narrativa që shohim, të cilat vijnë nga Kremlini, nga Moska, më së lehti vërehen në media. Megjithatë, pak më pak lehtë, por prapëseprapë i dukshëm është ndikimi i tyre përmes kanaleve të tjera në vend. Ata veprojnë përmes partive politike, e dini, keni parti politike që qëndrojnë hapur në anën ruse, por edhe parti politike që mohojnë se qëndrojnë në anën ruse dhe thonë se janë pro-evropiane, por në fakt punojnë kundër integrimeve euroatlantike të vendit. Për më tepër, keni një ndikim shumë të fuqishëm që diktohet nga Kremlini edhe përmes biznesit, arsimit, kulturës dhe, natyrisht, edhe përmes komuniteteve fetare. Ne shohim një ndikim të fuqishëm edhe nëpërmjet kishës, i cili vjen pikërisht nga Moska dhe ka ndikim shumë destruktiv.

Megjithatë, siç thashë, në media dhe rrjete sociale është më e dukshme, më e lehtë për t’u ndjekur dhe mund të kategorizohet si një ndikim malinj, pra një ndikim që është i dëmshëm dhe destruktiv.

Intervistoi: Era Gjakova