“Poligraf”: A ishte i rremë lajmi se Shkupi do të mbetet pa ujë?

 

Mediave mund t’u ndodhë të publikojnë informacione të pasakta edhe duke transmetuar njoftime nga institucionet publike në rrjetet sociale.

Më 10 shkurt 2024, shumë media informuan se të nesërmen “pothuajse i gjithë Shkupi do të mbetet pa ujë”, duke iu referuar Fejsbuk statusit të NP Ujësjellësi dhe Kanalizimi Shkup.

Një pjesë e mediave e përcollën këtë lajm si “lajm i jashtëzakonshëm” dhe “info e jashtëzakonshme”, e disa prej tyre dhanë këshillë: “MBUSHNI KOVAT DHE SHISHET! I gjithë Shkupi nesër do të jetë pa ujë”.

Mirëpo, të njëjtën ditë, në mbrëmje, TV Sitell publikoi tekstin me titull: “Ujësjellësi paralajmëroi e më pas e fshiu njoftimin se nesër i gjithë Shkupi do të jetë pa ujë”, me sqarimin: “Në vend që të përgjigjen në pyetjet nga qytetarët, rreth një orë më parë shërbimet e Ujësjellësit e kanë fshirë plotësisht njoftimin se nesër i gjithë Shkupi do të jetë pa ujë”.

Të njëjtën ditë para mesnatës, mediat morën një njoftim të ri nga “Ujësjellësi”. “Fatkeqësisht, në rrjetet sociale janë publikuar dhe shpërndarë informata të pasakta dhe të paverifikuara nga persona të paautorizuar, dhe ndaj këtyre personave, ndërmarrja publike Ujësjellësi dhe Kanalizimi do të ndërmarrë hapat e duhur për vërtetimin e përgjegjësisë për shkak të tentimit për krijim të pasigurisë tek qytetarët e qytetit të Shkupit”, thuhet në kumtesë.

Megjithatë, opinioni nuk mësoi se çfarë masash për përcaktimin e përgjegjësisë janë marrë ndaj personave që kanë publikuar dhe shpërndarë informacione të pasakta dhe të pavërtetuara. Në media u ngrit një dilemë nëse bëhet fjalë për “lajm të rremë” apo për shtyrje të punimeve nga ana e “Ujësjellësit”, dhe kjo dilemë ende nuk është zgjidhur.

Edhe ky rast tregon se sa të kujdesshëm duhet të jenë mediat dhe qytetarët, kur bëhet fjalë për postimet në rrjetet sociale. Që të mos ndodhë keqinformimi, më së miri është që postimet e institucioneve në rrjetet sociale të kontrollohen në mënyrë plotësuese.