Çadikovski në “Poligraf”: Të mos lejojmë të keqpërdoremi, gazetarët të kontrollojnë informacionet që vijnë nga politikanët

 

Më shumë hulumtime në vend, përveç politikanëve, nxjerrin në pah gazetarët dhe mediat si burim kryesor të dezinformatave. Për atë se çfarë duhet të bëjnë mediat dhe gazetarët për t’u përballur me këtë dukuri, në “Poligraf” biseduam me kryetarin e Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë, Mlladen Çadikovski.

Poligraf: Lidhur me dezinformatat, kemi disa sondazhe në vend, të cilat tregojnë se, përveç politikanëve, si burim më i madh i dezinformatave përmenden edhe mediat dhe gazetarët. A mund të flasim më shumë për këtë fenomen dhe pse ndodh?

Çadikovski: Ashtu është, edhe pse do të thosha se politikanët apo eksponentët partiakë janë të parët edhe në ato hulumtime që shohim edhe ne – po bëhen më shumë hulumtime për atë temë, ata janë kryesorët që duan të gjenerojnë apo të përhapin dezinformatën.

Roli i mediave këtu ndonjëherë është i diskutueshëm. Dhe, për këtë arsye, mediat apo gazetarët ndonjëherë shfaqen si përhapës të dezinformatave. Nuk do të thosha ata se janë gjenerues, nuk do të thosha se janë krijues të dezinformatave, por, po, ndonjëherë mund të jenë përhapës.

Kjo mund të jetë me vetëdije ose pa vetëdije. Nëse është e pavetëdijshme, mund të bëjmë shumë, të ndikojmë që gazetarët të kryejnë detyrën e tyre themelore, e kjo është të kontrollojnë lajmet, informacionet, deklaratat, pavarësisht nëse vijnë nga deputetë, nga kryetarë partish apo nga kryetarë të shtabeve partiake ose sidoqoftë. Sepse, siç përmenda më herët, ata ndonjëherë me vetëdije krijojnë dezinformata, duke e ditur se gazetarët ose mediat do t’i transmetojnë ato.

Ne duhet të vendosim një digë kundër këtij narrativi. Të jemi, si të them, roje të së vërtetës dhe të mos lejojmë të keqpërdoremi. Dhe, kjo ndonjëherë ndodh më me shkathtësi nga ana jonë, ndonjëherë mund të mos ia dalim deri në fund.

Do të thosha se mediat tradicionale kanë një rol më të rëndësishëm në përpjekjen për t’i thënë stop këtij lloji të dezinformatave, sepse kontrollimi i lajmeve shpeshherë është më i plotë. Në hapësirën onlajn, te media të caktuara kemi një situatë të mirë, ku vërtet kontrollohet dhe bëhet punë cilësore, por ka edhe media, të cilat sipas parimit të gazetarisë copy-paste dhe në betejë për më shumë klikime dhe më shumë lexues, botojnë në mënyrë jokritike ndonjë lajm, për të cilin edhe vetë ata janë deri diku të vetëdijshëm se është i diskutueshëm.

Dhe tani, kjo është kur flasim për përhapjen e paqëllimshme të dezinformatave. Por, duhet të themi se ka tentativë ose ka grupacione mediatike, të cilat ndonjëherë, në dobi të shtabeve dhe qarqeve të caktuara partiake shpërndajnë me vetëdije dezinformata. Dhe, këtu kryesisht bëhet fjalë për portale që gravitojnë në sferën onlajn, dhe të cilat gravitojnë ose krijohen me qëllim nga disa parti politike për të qenë në favor të narrativave që i promovojnë ato parti.

Intervistoi: Era Gjakova