“Poligraf”: Kush dezinformon se në Maqedoni nuk ka pasur dhe nuk ka ndikim rus?

 

Pavarësisht hulumtimeve dhe provave të shumta për ndikimin e padyshimtë rus në vend, disa politikanë dhe gazetarë pretendojnë se nuk ka pasur dhe nuk ka ndikim të tillë.

Për shembull, më 23 shkurt 2024, pretendim të tillë të pabazë bëri ish-ministri dhe ambasadori Marjan Gjorçev në podkastin “Politikantë”.

“Për shembull, në Maqedoni habitem kur dikush flet për ndikimin rus. Njerëz, Rusia nuk ka pasur kurrë ndikim në Maqedoni.”, deklaroi Gjorçev.

Edhe në kolumnë të Branko Geroskit më 27 shkurt 2024, autori shkruan për “të vërtetën e dhimbshme se tregimi për ndikimin rus në vendin tonë është lajm i rremë…”.

Mirëpo, këto pretendime janë hedhur poshtë nga më tepër studime, të cilat konstatojnë një ndikim të padyshimtë rus në vend. Për shembull, në hulumtimin e Metamorfozis “Efekti i dezinformatave dhe ndikimeve të huaja në proceset demokratike në Maqedoninë e Veriut”, thuhet se “ndikimi rus në vend u vlerësua si më i fuqishmi nga të gjitha ndikimet e huaja”.

Përveç kësaj, hulumtuesit e dezinformatave në IMA vunë në dukje fushata të shumta dezinformuese pro-ruse – në vitin 2018 për referendumin, për Kovid pandeminë, për regjistrimin e vitit 2021, si dhe gjatë debateve për “propozimin francez” dhe ndryshimet kushtetuese në vitet 2022 dhe 2023.

Edhe BE-ja konstaton fushatë të madhe me dezinformata nga Rusia pas agresionit kundër Ukrainës. Në janar të vitit 2024, në konferencë të përbashkët me ministrin e Jashtëm Osmani mbi temën e dezinformatave, përfaqësuesi i lartë i BE-së për politikën e jashtme, Borrell tregoi më shumë shembuj të dezinformatave ruse, veçanërisht përmes kanaleve ruse Sputnik dhe RT që janë të ndaluara në BE. Borell theksoi se BE-ja po lufton kundër industrisë së gënjeshtrave dhe dezinformatave jo vetëm në BE, por “kudo, jashtë Bashkimit Evropian, si në Maqedoni”.

Edhe zyrtarë të lartë shtetërorë nga vendi kanë deklaruar vazhdimisht se Rusia përdor fushata dezinformuese dhe kërcënime të tjera hibride në Maqedoni. Për këtë ka folur edhe ministri i Jashtëm Osmani në deklaratë për Euronews në janar 2024. Më parë, presidenti Pendarovski në qershor të vitit 2023 bëri me dije se ka pasur ndikim rus “edhe gjatë sulmit të 27 prillit”, “edhe në komunitetin e biznesit në pozita të larta…, dhe se “në partitë politike ka njerëz që janë të lidhur me shërbimet ruse, dhe kjo nuk është nga tani”.

Kjo është vetëm një pjesë e hulumtimeve, analizave, dëshmive dhe deklaratave zyrtare të shumta për ndikimin rus në Maqedoni. Prandaj, qëndrimet se ndikimi rus në vendin tonë është lajm i rremë dhe se “Rusia nuk ka pasur asnjëherë ndikim në Maqedoni” mund të konsiderohen si dezinformata.