Sondazh i IRI-t: Zvogëlohet përkrahja për BE-në, rritet disponimi anti-perëndimor

 

Shkruan: ZHARKO TRAJANOSKI

Përkundër mesazheve në një pjesë të mediave për “Mbështetje të fuqishme për BE-në” prej 68%, rezultatet e sondazhit më të ri të IRI-t për Maqedoninë e Veriut tregojnë se mbështetja për BE-në në vend është zvogëluar ndjeshëm në krahasim me marsin e 2006-tës (97%) ose nëntorin e vitit 2021 (84%).

Në sondazhin e IRI-t ka tregues të tjerë që paralajmërojnë për ulje të mbështetjes jo vetëm për BE-në, por edhe për Perëndimin, pra për rritjen e disponimit anti-perëndimor në Maqedoninë e Veriut.

Një nga indikatorët e rritjes së disponimit anti-perëndimor në Maqedoninë e Veriut është perceptimi i Bullgarisë, vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, si kërcënimi më i madh, në krahasim me perceptimin e Serbisë si aleat më i madh (ku, sipas rezultateve të sondazhit, Putini gëzon mbështetje më të lartë prej 80%, Rusia shihet si aleati më i madh me 46%, ndërsa SHBA-ja si kërcënimi më i madh me 36%.)

A ka “mbështetje të fuqishme për BE-në” në sondazhin e IRI-t?

Sondazhi më i ri i IRI-t për vendet e Ballkanit Perëndimor tërhoqi vëmendje të madhe mediatike më 14 maj 2024, e po ashtu ishte “tema e ditës“ në lajmet e TV Sitellit, ku e ftuar ishte përfaqësuesja e IRI-t, Ilina Mangova.

Një nga mesazhet kryesore në titujt e mediave ishte “68% e qytetarëve të Maqedonisë janë pro anëtarësimit në BE“, i përcjellë nga mesazhet në titujt e tjerë për “Mbështetje të fuqishme për BE-në“.

 

Por, përfaqësuesja e IRI-t në paraqitjen në TV Sitell vuri në dukje rënien e mbështetjes në vend për anëtarësimin në BE, krahasuar me vitet kur kjo mbështetje ishte shumë më e madhe, duke përmendur edhe 90% mbështetje në disa sondazhe të mëparshme (p.sh. në periudhën 2006-2009 mbështetja për BE-në në sondazhet e IRI-t varion nga 92% deri në 97%).

 

Nëse shikohet edhe grafiku me përqindjet e mbështetjes për anëtarësimin në BE nga viti 2010 deri në 2022, atëherë mesazhi për “Mbështetje e fuqishme për BE-në” mund të interpretohet si një mesazh i nxjerrë jashtë kontekstit – sepse nuk merr parasysh rënien e ndjeshme të mbështetjes, krahasuar me marsin e 2006-tës (97%) ose nëntorin e 2021-ës (84%).

Mbështetja për anëtarësimin në BE në sondazhet e IRI-t nga 2010-2022

Mbështetja për anëtarësimin në BE në sondazhet e IRI-t nga 2010-2022

 

Përveç kësaj, mesazhet dhe titujt e mediave për “Mbështetje të fuqishme për BE-në” nuk e morën parasysh as dyshimin e shprehur për synimet e BE-së, të regjistruar në përgjigjet e të anketuarve ndaj një pyetjeje të veçantë në sondazhin e IRI-t – A është BE serioze në synimet për t’u ofruar anëtarësim vendeve të Ballkanit Perëndimor?

 

Nga ana tjetër, ky dyshim i shprehur qartë merret parasysh në mesazhet e titullit të TV Sitell-it: “Maqedonasit duan të anëtarësohen në BE, por nuk besojnë se Bashkimi Europian do t’i hapë dyert“, titullit fillestar të DW: “IRI: Maqedonia e Veriut dëshiron të jetë në Evropë, por nuk i beson mjaftueshëm BE-së“, dhe titulli i Slloboden Peçatit: “Sondazhi i IRI: Qytetarët mbështesin hyrjen në BE, por mendojnë se Bashkimi Europian nuk është serioz në synimet e tij për të ofruar anëtarësim“.

 

Për më tepër, edhe nga krahasimi i përgjigjeve aktuale në pyetjen nëse BE-ja është serioze në synimet e saj për t’u ofruar anëtarësim vendeve të Ballkanit Perëndimor, me përgjigjet e vitit 2022, mund të shihet një rënie prej 8% e atyre që u përgjigjën me “po”, dhe një rritje prej 3% e atyre që u përgjigjën me “jo”.

Se mbështetja për BE-në prej 68% nuk është aq e fuqishme sa në të kaluarën, konfirmohet edhe në titullin e Prizma-s: “Anketa e IRI-t – besimi i ulët tek politikanët, institucionet dhe BE-ja“. Kurse, skepticizmi për BE-në si prioritet është shënuar në mënyrë indikative në titullin e Sdk.mk: “Prioritetet kryesore të qeverisë duhet të jenë çmimet e larta dhe korrupsioni, BE integrimet në vendin e fundit, tregon anketa e IRI-t.“, si dhe në kronikën e TV Alfa: “Sa i përket Bashkimit Evropian dhe integrimit të Maqedonisë, vetëm një për qind e qytetarëve kanë thënë se kjo duhet të jetë prioritet”. (HULUMTIMI IRI-t: Prioritetet kryesore të qeverisë duhet të jenë inflacioni dhe korrupsioni).

A ka tregues të tjerë të disponimit anti-perëndimor në sondazhin e IRI-t?

Në sondazhin e IRI-t mund të vërehen disa tregues interesant të ndikimeve serioze anti-BE dhe anti-perëndimore në Maqedoninë e Veriut:

  • Është e dukshme rënia prej 10% e të anketuarve (nga 41% në 2022-tën në 31% në 2024-tën) që kosiderojnë se politika e jashtme e vendit tonë duhet të jetë vetëm pro-BE dhe pro-perëndimore. Kështu, Maqedonia e Veriut është i vetmi vend përveç Serbisë ku orientimi properëndimor nuk ka mbështetje prej 50% (janë vetëm 43%, së bashku me ata 12% që besojnë se orientimi duhet të jetë pro-perëndimor, duke ruajtur marrëdhëniet me Rusinë).

 

  • Të dhënat nga sondazhi i IRI-t në periudhën shtator-tetor 2022 tregojnë se në favor të një orientimi ekskluzivisht pro-BE dhe pro-perëndimor ishin 47% e të anketuarve, që do të thotë se rënia është edhe më e madhe. Kjo do të thotë, rënia nga shtator-tetor 2022 në shkurt-mars 2024 është për 16% (nga 47% në 31% për orientimin ekskluzivisht pro BE-së dhe perëndimor), gjegjësisht nga 73% në 43% për orientimin properëndimor në përgjithësi.

 

  • Është e dukshme se vetëm në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut ka më shumë të anketuar që mbështesin Rusinë sesa Ukrainën (si palë në konfliktin ushtarak).

 

  • Po ashtu, është e dukshme se vetëm në Serbi dhe në Maqedoninë e Veriut më shumë të anketuar besojnë se Perëndimi ka përgjegjësi më të madhe për konfliktin ushtarak midis Rusisë dhe Ukrainës, sesa mendojnë se Rusia ka përgjegjësi më të madhe.

 

Në përmbledhje, përgjigjet e këtyre tre pyetjeve nga sondazhi i IRI-t sugjerojnë se pas rënies së madhe në vendin tonë, nuk ka shumicë për një orientim pro-perëndimor në politikën e jashtme, se ka pak më shumë mbështetje për Rusinë sesa për Ukrainën, dhe se pothuajse dy herë më shumë të anketuar besojnë se Perëndimi (27%) ose Ukraina (6%) kanë më shumë përgjegjësi për konfliktin midis Rusisë dhe Ukrainës, sesa Rusia (17%).

Bullgaria, vend anëtar i BE-së dhe NATO-s, perceptohet si kërcënimi më i madh, e Serbia si aleati më i rëndësishëm

Maqedonia e Veriut është i vetmi vend në Ballkanin Perëndimor në të cilin Bullgaria, e cila është anëtare e BE-së dhe NATO-s, konsiderohet si kërcënimi më i madh (23%).

 

Të anketuarit nga Maqedonia e Veriut kanë mendim bindshëm më të mirë (43%) për Serbinë, e cila tregon tendenca proruse dhe ku orientimi pro-rus (39%) në politikën e jashtme është më i theksuar se orientimi pro-perëndimor (24%). Serbia konsiderohet aleati më i rëndësishëm nga 34% e të anketuarve tek ne, ndërsa aleati më i rëndësishëm për 46% për të anketuarit në Serbi është Rusia, kurse ShBA-të janë kërcënimi më i madh (36%).

 

A ka një indikator më të qartë të rritjes së disponimit anti-perëndimor në Maqedoninë e Veriut se perceptimi i një shteti anëtar i BE-së dhe NATO-s si kërcënim më i madh, e si aleat më i madh konsiderohet Serbia me orientim antiperëndimor dhe prorus – ku, sipas sondazhit të IRI-t, Putini gëzon mbështetjen më të madhe prej 80%, e Rusia konsiderohet aleati më i madh nga 46% e të anketuarve?

 

(Autori është drejtues i hulumtimeve në Institutin për Media dhe Analitikë IMA)