Fushata parazgjedhore dhe marrëdhëniet ndëretnike: Fitore e hidhur e nacionalizmit  

 

Shkruan: prof. MIRJANA MALESKA

Kur profesori amerikan i shkencave politike në Stenford, Francis Fukujama, shkroi në vitin 1991 se fundi i historisë kishte ardhur, ai nënkuptonte zhdukjen e ideologjisë dhe politikës së marksizmit dhe leninizmit nga skena evropiane dhe dominimin e demokracisë liberale. Frymëzim ishin revolucionet e vitit 1989 dhe rënia e Murit të Berlinit, me të cilin ndikimi perëndimor u përhap në Evropën Lindore dhe te ne.

Megjithatë, kur shikoj mjedisin politik në Maqedoni, veçanërisht gjatë zgjedhjeve presidenciale dhe parlamentare, do të thosha se korniza demokratike liberale nuk është e mbushur me asgjë tjetër veçse me nacionalizëm garues të të dy komuniteteve më të mëdha në vend, madje edhe kjo mund të vihet nën pikëpyetje. Nuk ka të djathtë, nuk ka të majtë, është bërë e pakuptimtë deklarata se për shqiptarët ‘dielli lind në Perëndim’… Me qetësimin e euforisë parazgjedhore, nacionalizmi është varur përkohësisht në gozhdë si një strategji fituese e përdorur mirë prej sipërmarrësve të shkathtë politikë, derisa të nevojitet sërish. Fatmirësisht, sot jetojmë në një mjedis më stabil se në fillim të viteve të nëntëdhjeta dhe çdo problem i brendshëm politik pritet të zgjidhet me dialog.

Dallimin thelbësor midis të ashtuquajturave ‘e majtë’ dhe ‘e djathtë’; atyre që tërheqin drejt integrimit të vendit në bashkimin e demokracive perëndimore dhe atyre që janë për status quo-në; mes atyre që qëndrojnë pas një programi dhe retorike nacionaliste dhe atyre që janë për një shoqëri të integruar – vështirë se do ta dalloni në proklamatat e tyre ideologjike, të cilat janë mjaft të ngjashme me njëra-tjetrën. Atë do ta gjeni në real politikë, që nga pavarësia e vendit në vitin 1991-tën e deri më sot.

Këto tridhjetë vjet kanë treguar se kush për çfarë qëndron dhe çfarë politike bën. “E majta” apo forcat politike për ndryshime demokratike, nëse përfshijmë kushtimisht LSDM-në dhe BDI-në në atë term, ndërmori disa hapa të rëndësishëm për stabilizimin e vendit dhe arritjen e synimeve strategjike të tij: zbatoi Marrëveshjen Kornizë të Ohrit (MKO); nënshkroi dhe miratoi Marrëveshjen e Prespës; nënshkroi Marrëveshjen e Miqësisë dhe Fqinjësisë së Mirë me Bullgarinë dhe të ashtuquajturin “Propozimi francez” me Brukselin. “E djathta nacionaliste” apo forcat politike të status quo-së, nëse në atë term para së gjithash e përfshijmë VMRO-DPMNE-në dhe partitë që gravitojnë rreth saj, kundërshtoi ndryshimet e kufijve komunalë dhe ligjin për përdorimin e gjuhës shqipe të dakorduar me MKO, dhe i bojkotoi marrëveshjet me Athinën, Sofjen dhe Brukselin, duke i shpallur të dëmshme, poshtëruese, pa kurriz dhe në kundërshtim me interesat kombëtare maqedonase.

Dallimi i dytë është në vizionin për integrim më të madh të komuniteteve dhe qytetarëve, i quajtur ‘një shoqëri për të gjithë’, i cili nuk ekziston në fushatën parazgjedhore dhe në programet e atyre që përbëjnë qeverinë e re. Thjesht është e fshirë, si gjëja më e parëndësishme, për arsye shumë logjike. Ideali i partive nacionaliste është një shoqëri etnikisht e pastër dhe ndarja sa më shumë e mundshme e bashkësive paralele. Jo rastësisht VMRO-DPMNE është parti e bashkimit kombëtar maqedonas dhe ideali i tyre është shtet kombëtar i popullit maqedonas, ndërsa koalicioni VLEN, p.sh., sipas deklaratës së Bilall Kasamit për “360 gradë”[i], i përfaqëson interesat e pastra të shqiptarëve. Për të bërë dallimin, ai deklaroi se Fronti Europian ishte një koalicion në të cilin kishte edhe “të tjerë”.

Izet Mexhiti, njëri nga liderët e VLEN-it, e ka shpjeguar edhe më qartë  këtë dallim mes VLEN-it dhe BDI-së,  në mbështetje të tezës se pse koalicioni i tij duhet të jetë pjesë e qeverisë. Ai në emisionin “Tema e ditës” në TV Sitell deklaroi se do të fitojnë votat e shqiptarëve dhe do të kenë “deputetë shqiptarë, që është “koncept i pastër shqiptar” dhe “kauzë” të tyre, ndërsa BDI nuk është përfaqësuese e shqiptarëve, sepse në koalicion ka parti turke, rome dhe boshnjake. Kjo, përsëriti Mexhiti, nuk është një ‘koncept i pastër shqiptar’.[ii]

Në kontekst të narrativit të përforcuar nacionalist parazgjedhor, duhet shtuar se Bekim Qoku, me origjinë nga Struga, u bë deputet i koalicionit VLEN si përfaqësues i partisë së Albin Kurtit nga Kosova “Vetëvendosje”. Kjo nuk është e parëndësishme, po të merret parasysh ngjashmëria e deklaratave të Nevzat Dervishit, njeriut që paralajmëroi themelimin e degës së “Vetëvendosjes” në Maqedoni, dhe programit të VLEN-it. Sipas portalit “Faktor”, Dervishi vitin e kaluar ka thënë se kërkesa kryesore e tyre është “barazia në vendimmarrje” dhe “ndryshimi rrënjësor i sistemit politik për barazi të plotë mes maqedonasve dhe shqiptarëve”. “Në një vend me dy bashkësi të mëdha etnike si Maqedonia e Veriut, formula e vetme është barazia në të gjitha nivelet shtetërore”, tha Dervishi asokohe.[iii]

Kështu, vendimet për të gjitha çështjet në nivel shtetëror do të merreshin me të ashtuquajturat “nënshkrime të lidhura”, apo kundër-nënshkrim, dhe praktikisht çdo vendim mund të bllokohet nga përfaqësuesi politik shqiptar në qeveri, në të gjitha nivelet.

Kjo, rastësisht ose jo, është një nga kërkesat kryesore në programin parazgjedhor të VLEN-it, “një kushtetutë e re, më demokratike dhe më moderne, e cila do të ridefinojë vendin si shtet të barabartë të dy bashkësive shumicë”.[iv]

Poenta nga platforma politike dhe zgjedhore e VMRO-DPMNE-së dhe partnerëve

Rezultatet treguan se qytetarët në zgjedhjet e fundit për kryetar të shtetit dhe deputetë në Parlament zgjodhën me masivitet opsionet nacionaliste. Këtë e kuptojnë dhe kjo është në zemrën e tyre! Kur është fjala për VMRO-DPMNE, vendi praktikisht i braktis ose i shtyn negociatat e anëtarësimit me BE-në dhe hyn në një periudhë izolimi ndërkombëtar. Zgjerimi i radhës i BE-së, i paralajmëruar nga komisari Oliver Varheji për vitin 2027, do lëshohet nga vendi për shkak të politikës, të cilën Hristijan Mickoski e përmblodhi në emisionin “Samo Vistina(Vetëm e vërteta): “Nëse BE dhe Bullgaria vazhdojnë të na shantazhojnë, ne do të kthehemi kah problemet e brendshme, do t’i zgjidhim dhe do të presim të vijë një qeveri e re në Sofje”.[v]

Këtë e përsërisin edhe zyrtarë të tjerë aktualë dhe ish-zyrtarë të lartë të kësaj partie, se nëse tregojmë rezultate të shpejta reformash në investime, sundimin e ligjit dhe luftë kundër korrupsionit, BE-ja, pavarësisht kundërshtimeve të Greqisë dhe Bullgarisë, do të jetë e impresionuar dhe do t’i hap dyert e saj për ne, e këtu janë edhe partitë e tyre simotra për të na ndihmuar (për shembull Milloshoski në “Top-Tema” në TV Telma nga 27.5.2024[vi] ose Spasenovski në “Zaspij ako mozhesh” në TV Alfa më 28.5.2024[vii]).

Poenta nga platforma politike dhe elektorale e koalicionit VLEN

Nuk mund të flas shumë për ideologjinë e dy koalicioneve më të mëdha shqiptare, por po të krahasosh platformat e tyre elektorale dhe deklaratat e liderëve të tyre, është e qartë se BDI dhe Fronti Evropian mbeten të përkushtuar ndaj integrimit evropian të vendit dhe modelit konsocional të qeverisjes që përfaqëson një zgjidhje kushtetuese. Nga ana tjetër, koalicioni VLEN, i cili po ashtu i jep prioritet integrimit evropian, shkon më tej se rregullimi kushtetues konsocional dhe kërkon ndryshimin e Kushtetutës në drejtim të zgjerimit të të drejtave kolektive të komunitetit shqiptar në nivelin e vendimmarrjes së barabartë për të gjitha çështjet, që është karakteristikë e modelit federal.

Në platformën e shpallur zgjedhore, VLEN mori mbështetjen e votuesve shqiptarë për: një kushtetutë të re, më demokratike që do të ridefinojë vendin si shtet të barabartë të dy bashkësive shumicë dhe do të garantojë të drejta të plota edhe për komunitetet pakicë; gjuhën shqipe si gjuhë shtetërore e mbarë territorin e vendit, plotësisht e barabartë me maqedonishten; përdorimin e himnit kombëtar shqiptar, flamurit dhe stemës në shkolla dhe institucione me të drejta të barabarta ligjore si maqedonasit dhe krijimi i një këshilli kombëtar të diasporës shqiptare, në bashkëpunim me Kosovën dhe Shqipërinë.

Kjo është një platformë e ndarjes edhe më të madhe të komuniteteve, thënë shkurt, në drejtim të braktisjes së unitarizmit kushtetues të shtetit të vendosur nga MKO. Bilall Kasami e shpjegon këtë në emisionin “360 gradë”: “Koordinim me Shqipërinë dhe Kosovën për unifikimin e kurrikulave dhe teksteve shkollore në gjuhën shqipe, gjuhë, letërsi, histori, gjeografi, shoqëri, kulturë...”.

Pasojat për demokracinë dhe bashkëjetesën

Një gazetar më pyeti, a është i mundur një koalicion “i panatyrshëm” mes dy koalicioneve nacionaliste? Unë iu përgjigja se është i mundur, nëse këto parti, gjegjësisht udhëheqësitë e tyre punojnë në mënyrë më pak transparente, e shumë më tepër “prapa dyerve të mbyllura”, në ndarjen e komuniteteve, gjë që nuk duket shumë e mundshme për momentin, sepse programi i qeverisë rreth së cilit u dakorduan VMRO-DPMNE-ja dhe VLEN-i, veçon tre prioritete të përbashkëta: integrimin evropian, përmirësimin e ekonomisë dhe luftën kundër korrupsionit. Pjesa tjetër e çështjeve ndoshta do të vijë më vonë në rendin e ditës.

Vallë janë atëherë programet zgjedhore një mashtrim i thjeshtë? Unë mendoj se të gjitha opsionet mbahen të hapura. E vetmja për të cilën askush nuk interesohet, të paktën në fushatën zgjedhore, është integrimi më i madh i shoqërisë ose ‘një shoqëri për të gjithë’.

Karakteri i qeverisjes së ardhshme

Që në programet parazgjedhore dhe në retorikën e liderëve partiakë, po formësohet karakteri i qeverisjes së ardhshme që do ta imponojë VMRO-DPMNE, me numrin e deputetëve në Kuvend, kryeministrin, shumicën e ministrave në krye të sektorëve më të rëndësishëm në shtet dhe, me shumë mundësi, një mbulim të fortë mediatik.

Kapacitetit të ulët integrues, si dobësi e natyrshme e demokracisë elektorale liberale, do t’i shtohen edhe disa veçori, të cilat u paralajmëruan në fushatën parazgjedhore:

  • Kontrolli mbi mediat dhe lirinë e shprehjes:

Për të qëndruar në pushtet, VMRO-DPMNE duhet të tregojë se politika e saj e rezistencës kundër “të qenit vasal” ndaj Uashingtonit dhe Brukselit, kundër “shantazhit” të Athinës dhe Sofjes është e justifikuar, që do të thotë se do të duhet të forcojë kontrollin mbi mediat dhe lirinë e shprehjes.

  • Përforcimi i retorikës nacionaliste:

Për ta mbajtur qeverinë sado-kudo stabile, VMRO-DPMNE-ja do të duhet të intensifikojë retorikën nacionaliste, pasi partneri i tyre i koalicionit VLEN kërkon vazhdimin e negociatave të anëtarësimit me Brukselin dhe hapjen e një procedure kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. Në qoftë se qëndron në politikën e deritanishme të konfrontimit, kryeministri do të ndajë udhën me interesat e qytetarëve shqiptarë në vend dhe të opozitës parlamentare.

  • Rritja e populizmit:

Për të qëndruar në pushtet, në kushte të konfrontimit me politikën evropiane dhe amerikane, VMRO-DPMNE-së do t’i duhet të forcojë retorikën e saj populiste dhe të drejtohet kah regjimet e ngjashme në fqinjësi. Që tani, në fjalimet e udhëheqësisë së partisë transmetohet mesazhi: atë e do populli, ne e duam atë, që domethënë ne jemi populli, unë jam populli. Për shembull, kurora e vendosur së fundmi në Romë pa emrin e shtetit u interpretua nga vëzhguesit si kurorë private e presidentes Gordana Siljanovska-Davkova, për të cilën ajo nuk ka të drejtë.

  • Forcimi i tipareve autoritare të sistemit:

Demokracitë e reja priren të zhvendosin pushtetin nga institucionet në qendrat e pushtetit joformal. Vendi ynë nuk bën përjashtim. Tani, VMRO-DPMNE do t’i forcojë ato karakteristika autoritare. Në disa deklarata, Hristijan Mickoski tha se nuk do të bëjë lëshime para “shantazheve” bullgare dhe do të shqiptojë emrin “Maqedoni”, duke provokuar Athinën. Strategjia e tij është që, nëse nuk vazhdojmë negociatat me BE-në – e kjo nuk ishte asgjë e tmerrshme – do të kthehemi drejt vendit dhe do të punojmë për përmbushjen e kritereve të Kopenhagës, investime, sundimin e ligjit dhe luftën kundër korrupsionit, në mënyrën më të shpejtë dhe më efikase. Kjo është e pamundur pa një “dorë të fortë”. Mickoski, që tani, në fushatë ka paralajmëruar shpërbërjen e Këshillit Gjyqësor dhe Këshillit të Prokurorëve Publikë për të trajtuar në mënyrë efikase  korrupsionin e pushtetit të kaluar. Nuk është e nevojshme të thuhet asgjë më shumë, sepse gjyqtarët, apo disa gjyqtarë do të dinë se kë duhet të zgjedhin dhe si të gjykojnë.

  • Strategjia neoliberale kufizuese dhe jodemokratike:

Presidentja, e cila është thelbësisht “maqedoniste”, e fshehur pas proceduralizmit, me deklaratat dhe veprimet e saj paralajmëron një strategji të ashtuquajtur neo-liberale të zhvendosjes së çështjeve më të rëndësishme të shoqërisë nga sfera e politikës në sferën juridike. Gjatë gjithë fushatës, ajo pohonte se ka mjaft argumente bindëse juridike në kriteret e Kopenhagës, për të përmbysur apo rishikuar MKO, Marrëveshjen e Prespës, Marrëveshjen me Bullgarinë, si dhe të ashtuquajturin “propozim francez”. Në momentin kur mori detyrën si presidente dhe u përball me reagimin e opinionit ndërkombëtar, ajo e zbuti retorikën, sepse kjo etikë legaliste është jo vetëm mjaft kufizuese, por edhe e rrezikshme për vendin.

  • Demokracia si sundim i shumicës

Në kuadrin e një strategjie neo-liberale, bën pjesë edhe promovimi i demokracisë ekskluzivisht si sundim i shumicës, për të cilin ka kohë avokon presidentja Gordana Siljanovska – Davkova, por edhe intelektualë të tjerë që i japin një mbulesë “shkencore” nacionalizmit të shumicës. Për shembull, në fushatën parazgjedhore, ajo për Marrëveshjen Kornizë të Ohrit dhe ndryshimet kushtetuese deklaroi se ato janë një zgjidhje e përkohshme dhe se do të formojë një komision ekspertësh, të cilët do të punojnë për një kushtetutë të re, në vend të kësaj “Frankenshtajn” kushtetute.

Nacionalizmi fitoi!

Shkurtimisht, një fitore kaq e madhe zgjedhore e VMRO-DPMNE-së dhe Gordana Siljanovska – Davkovës në zgjedhjet e fundit presidenciale dhe parlamentare është rezultat, para së gjithash, i shqetësimit dhe frustrimit burimor, por edhe të krijuar qëllimisht të qytetarëve për shkak të lëshimeve që janë bërë ndaj komunitetit shqiptar në vend, ndaj Greqisë dhe Bullgarisë, Uashingtonit dhe Brukselit. Gjatë fushatës dhe para saj, Siljanovska – Davkova dhe Mickoski këto marrëveshje i quajtën gabime historike për të cilat do të kërkohet përgjegjësi, poshtërim, lakim shpine , politikë e disfatës, lëshim, tradhti ndaj interesave kombëtare etj.

Politika e qeverive (kryesisht e LSDM-së dhe BDI-së), të cilat e drejtuan procesin e përshtatjes së vendit me realitetet e politikës së brendshme dhe ndërkombëtare, u pagua me një disfatë të madhe zgjedhore.

Nuk ka asgjë më të lehtë, më fitimprurëse dhe më popullarizuese sesa të jesh nacionalist. Një pozicion i sigurt dhe komod që jo për herë të parë sjell një fitore zgjedhore. Një definicion me humor thotë: “Nacionalizmi të mëson vetëm të urresh njerëzit që nuk i ke takuar kurrë dhe të jesh krenar për gjërat që nuk kanë të bëjnë me ty[viii].

Linja mes patriotizmit dhe nacionalizmit është e hollë, e në një shoqëri multietnike aq e hollë sa nuk vërehet kur kapërcehet. Profesori dhe senatori amerikan Patrik Mojnihan ka një shpjegim të bukur: “Në shprehjen më poetike të patriotizmit, është e pamundur të dallosh se cili është virtyti më i madh njerëzor nga dobësia më e keqe njerëzore – egoizmi kolektiv[ix].

Në teorinë sociale, është e njohur teza e Daniel Bell, për shembull, se qytetarët që nuk mund të përparojnë vertikalisht në hierarkinë shoqërore, fajin e kërkojnë tek “tjetri” më i dobët, i cili është në të njëjtin nivel të shkallës sociale. Nëse nevojitet mobilizimi dhe homogjenizimi i grupit, ‘tjetri’ i zakonshëm do të demonizohet në një ‘tjetër të papajtueshëm’. Këto janë zakonisht minoritetet, emigrantët, grupet e pakicave fetare dhe të gjithë ‘të ndryshmit’ nga kultura dominuese.

Ne nuk kemi kërkime të këtij lloji, por me siguri se po e ndjekim këtë trend. Edhe pse narrativa nacionaliste përforcohet gjithmonë në fushatat zgjedhore, kulmi u arrit në zgjedhjet e fundit. Shtizat u thyen rreth dy temave, të cilat ndikojnë drejtpërdrejt në marrëdhëniet ndëretnike:

  1. Politika fqinjësore dhe ndërkombëtare
  2. Rregullimi kushtetues i vendit dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit (MKO)
Politika fqinjësore dhe ndërkombëtare

Është e qartë se politika e VMRO-DPMNE-së dhe Gordana Siljanovska – Davkovës në aspektin e politikës ndërkombëtare (futja e pakicës bullgare në Kushtetutë dhe rishikimi dhe/ose anulimi i marrëveshjeve me Greqinë, Bullgarinë dhe “propozimin francez” të BE-së) do të ndajë udhët me interesat e dy koalicioneve shqiptare, të cilat kërkojnë tejkalimin e menjëhershëm ose sa më të shpejtë të problemeve me fqinjët dhe vazhdimin e negociatave me BE-në. Strategjia e Siljanovska – Davkovës dhe Mickoskit që u formësua gjatë fushatës zgjedhore – që të kundërshtojnë Athinën duke përdorur emrin e vendit si ‘Maqedoni’ dhe të rinegociojnë me Brukselin rreth kushteve në të ashtuquajturin “propozimi francez” – është joreale, për shkak të reagimeve të ashpra që vijnë nga Athina, Sofja, Brukseli dhe Uashingtoni. Paralajmërimet se negociatat e reja nuk janë një alternativë reale dhe se qasja jonë në BE do të bllokohet, u intensifikuan pas fjalimit inaugurues të presidentes së re, i cili u vlerësua si një provokim ose si një veprim “fatkeq dhe për keqardhje”.

Kriza politike, e cila keqpërdoret lehtësisht në marrëdhëniet ndëretnike, duket e pashmangshme për shkak të qëndrimeve të palëkundura, identike të partisë VMRO-DPMNE, Hristijan Mickoskit dhe kryetares Gordana Siljanovska – Davkova, nëse ato nuk zbuten nga presioni ndërkombëtar. Më 9 maj 2024, në emisionin “Samo intervju” (Vetëm intervistë) në TV Kanal 5, Mickoski tha se nuk ka ndërmend të mbështesë të ashtuquajturin “propozim francez” derisa nuk shtohet aneksi që, në momentin që të hyjmë në BE, do të fillojë procedura kushtetuese për përfshirjen e bullgarëve në Kushtetutë. I pyetur se nëse nuk ka një aneks të tillë, ai u përgjigj: “Atëherë do t’i drejtohemi detyrave të shtëpisë dhe do të presim që dikush i arsyeshëm të vijë nga ana tjetër”[x].

Me të njëjtin mendim është edhe presidentja e vendit me argumentin: “Bullgarët janë të mbrojtur edhe tani sepse hyjnë në kategorinë e të tjerëve, ashtu si boshnjakët dhe kroatët në kushtetutën sllovene, aty përmendet vetëm komuniteti italian (post nga Siljanovska – Davkova në rrjetin social X)

Sa i përket përdorimit të emrit të shtetit, gjithashtu nuk ka dallim në qëndrimet e presidentes Gordana Siljanovska – Davkova dhe Hristijan Mickoskit, se kanë të drejtë personale të përdorin ‘Maqedoni’ në gjuhën e folur. Ja disa deklarata karakteristike të Gordana Siljanovska – Davkovës (të publikuara në rrjetin X), e cila nuk e përdori emrin kushtetues të shtetit në fjalimin inaugurues dhe shkaktoi incident diplomatik:

“Gjithçka që keni pranuar është e gabuar”

“Marrëveshja e Prespës është ende e hapur ligjërisht dhe politikisht”.

“Ajo “e Veriut…” le të qëndrojë para meje, mirëpo unë them, për mua kjo çështje nuk do të mbyllet kurrë!”

“Kam të drejtën e dinjitetit. Nëse dikush më thotë të përdor ‘e veriut’, nuk do ta bëj” 

“Unë kurrë nuk do ta përdor republika e Maqedonisë së Veriut! Nuk do ta përdor!”

Duke gjykuar nga këto deklarata, ata nuk kanë “strategji daljeje” dhe janë të robëruar nga nacionalizmi që shkaktuan vetë. Me kalimin e kohës, veçanërisht nëse vendi mbetet pas të tjerëve në rajon dhe “maqedonizmi” forcohet, bashkëqytetarët tanë shqiptarë me të drejtë do të pyesin veten: Pse jemi bashkë?

Rregullimi kushtetues i vendit dhe Marrëveshja Kornizë e Ohrit (MKO)

Tema zgjedhore që më së shumti ndikon në marrëdhëniet ndërmjet komuniteteve në vend është problematizimi i Marrëveshjes Kornizë të Ohrit dhe rregullimit kushtetues konsocial. Por për t’u kuptuar gjuha e mohimit, e cila ndonjëherë në fushatë shndërrohej në gjuhë urrejtjeje, duhet t’i kthehemi asaj që përbën konsocionalizmin dhe “ndarjen e pushtetit” (power-sharing).

Në shkencën politike, njihen dy tradita kryesore të demokracisë liberale si një sistem i bazuar në parimin e “sundimit të popullit”: liberalizmi 1 dhe liberalizmi 2.

‘Liberalizmi 1’ (terminologjia e Çarlls Tejllorit) u përkushtohet në mënyrën më të fortë të mundshme të drejtave individuale, që presupozon një shtet jashtëzakonisht neutral pa asnjë qëllim kolektiv, projekte kulturore ose fetare që shkojnë përtej lirisë personale, sigurisë fizike, mirëqenies dhe sigurisë së qytetarët e saj. Një qasje e tillë nuk i miraton të drejtat kolektive të bashkësive etnike, por njeh vetëm parimin e shumicës, një qytetar – një votë.

‘Liberalizmi 2’ lejon një shtet që i përkushtohet përparimit të një kombi, kulture ose feje të caktuar, ose një numri të kufizuar të kombeve, kulturave dhe feve – përderisa të drejtat themelore të qytetarëve që kanë aspirata të ndryshme ose nuk kanë aspirata të atij lloji janë të mbrojtura. Vetë Tejllor preferon llojin e dytë të liberalizmit. Ai është kanadez dhe teza e tij është se mosnjohja e tjetrit ose njohja e gabuar mund të shkaktojë dëm, të jetë një mënyrë nënshtrimi dhe të mbyllë njeriun në një formë të rreme, të shtrembëruar dhe të reduktuar ekzistence. “Njerëzit dhe grupet kanë nevojë për respekt dhe njohje dhe shteti duhet t’u ofrojë garanci në atë drejtim[xi], mendon ai.

Shtrohet pyetja nëse dhe si mund të zbatohet ky koncept i demokracisë liberale në kushtet moderne, ku çdo lloj diversiteti kërkon njohjen dhe rishpërndarjen e burimeve. A nuk e vë në dyshim autonominë e individit politika e njohjes së etnisë? Këto janë sigurisht pyetje legjitime, por qëndrimi i përbashkët i kësaj tradite është se përjashtimi i përhershëm i komuniteteve më të vogla nga qasja në instrumentet e pushtetit mund të çojë në konflikt etnik.

Kësaj tradite i përkasin shumë emra të njohur nga teoria politike, Arend Liphart, Donal Horouic, RobertGur, Adrian Gelke, Uill Kimlika, Millan Podunavac e të tjerë.

Më i famshmi prej tyre është Arend Liphart, një profesor amerikan me origjinë holandeze, i cili konsiderohet babai i demokracisë konsocionale dhe sistemit të ndarjes së pushtetit (power-sharing). Ai shkroi disa vepra në mbrojtje të këtij modeli, por vendi që prek thelbin e problemit të pakicave të neglizhuara apo të diskriminuara, që na prek ne si shoqëri multietnike, është ky: “Në shoqëritë pluraliste, sundimi i shumicës krijon diktaturë të shumicës dhe ndarje të qytetarëve, më shumë se sa demokraci. Ajo që u nevojitet këtyre shoqërive është një sistem demokratik që i jep përparësi konsensusit në vend të opozitës, që më shumë përfshin sesa përjashton, që kërkon të zgjerojë shtrirjen e shumicës qeverisëse në vend që të kënaqet me një shumicë të thjeshtë: demokraci konsensuale” (Lijphart 1984: 23)[xii].

Ka dallime në zgjidhjet specifike institucionale të ofruara nga këta autorë. Disa janë më integrues, të tjerë më federalistë, por thelbi është i njëjtë: konsocionalizmi është po aq formë demokratike e qeverisjes sa edhe sistemi i shumicës, gjë që duhet nënvizuar, sepse në teorinë dhe praktikën tonë politike ky model konsiderohet më pak demokratik se sa demokracia e shumicës, bazuar në parimin një qytetar – një votë.

Nëse pyesim veten se pse kjo nuk u vu re pas fitimit të pavarësisë së Maqedonisë në vitin 1991, do të kujtoj fjalët e profesorit kanadez Uill Kimlika, se shtetet nacionale zakonisht nuk janë të prira për të shtrirë drejtësinë ndaj grupeve minoritare që i konsiderojnë të pabesë ose kërcënim për sigurinë. Përfundimi i tij, bazuar në studimet e shembujve individualë, tregon se politika e njohjes dhe e drejtësisë gjuhësore nuk mund të zërë rrënjë autentike në një shoqëri, derisa nuk zgjidhet frika bazë rreth lojalitetit dhe sigurisë. Kjo ishte situata në Maqedoni, kur ajo u ndërtua pas vitit 1991 si shtet nacional i popullit maqedonas me të drejta të garantuara për pakicat.

Debati për modelet e demokracisë liberale jo vetëm që u shpërfill në rrethet tona intelektuale, por u konsiderua si jopopullor dhe madje gjë e rrezikshme të vihej në pyetje demokracia e shumicës, e kurorëzuar me kushtetutën e parë të vendit. Pothuajse askush nga shkenca nuk kundërshtoi se nën ‘sundimin e popullit’ nënkuptohet shumica e maqedonasve etnikë.

Përfaqësuesit politikë të shumicës, si dhe qarqet akademike në Maqedoni, favorizuan liberalizmin 1 ose mazhoritarizmin, bazuar në parimin e barazisë politike të individit, si parim themelor demokratik. Argumentet e tyre në debat ishin se çdo individ ka të njëjtën peshë dhe se çdo votë është po aq e zëshme. Kjo shpesh përmblidhet si një qytetar – një votë.

Debati në rrethet akademike për këtë temë ka nisur pas përleshjes së Gostivarit mes qytetarëve dhe policisë, më 9 korrik 1997. Një vit më pas, profesori universitar Gjorge Ivanov mbrojti tezën e doktoratës, në të cilën hodhi poshtë mundësinë e suksesit të modelit konsocional në Maqedoni. Debati u intensifikua pas vitit 2001. Kritikët më të mëdhenj të MKO-së dhe modelit konsocional ishin profesoreshat Biljana Vankovska dhe Gordana Siljanovska – Davkova. Vankovska, për shembull, pohente se modeli i ndarjes së pushtetit, i pranuar me forcë, nuk do të çojë në integrim dhe demokraci, por në shpërbërje dhe regres. Argumenti themelor i Siljanovska – Davkovës atëherë, si edhe sot në fushatën zgjedhore, konsiston në pohimin se parimi themelor kushtetues është vendosja e një sistemi në të cilin qytetari është bartës i sovranitetit (demos), e jo të zëvendësohet me kolektivitet (etnos).

Në vend kishte një sistem mazhoritar nga viti 1991 deri në 2001 dhe ai dështoi.

Nënkuptohet se argumentet pro dhe kundër modelit konsocional mund të përballen në nivel akademik. Disa nga kritikat e bëra janë të sakta, e mund të shtohen edhe të tjera. Por ajo që qëllimisht u nënvlerësua në fushatën zgjedhore është se ky model mundësoi qeverisje paqësore në njëzet vitet e fundit, akomodim të bashkësive etnike dhe zgjidhje të tensioneve etnike përmes procedurave demokratike. Ka lindur një ndjenjë më e madhe barazie dhe drejtësie, edhe pse sigurisht që praktika nuk është gjithmonë në përputhje me modelin. Të vësh në dyshim këtë zgjidhje kushtetuese, siç bëri Hristijan Mickoski dhe veçanërisht Gordana Siljanovska – Davkova në fushatën parazgjedhore, është shkelje e drejtpërdrejtë e marrëdhënieve ndëretnike në vend dhe destabilizim.

Konsocionalizmi u kritikua vazhdimisht gjatë fushatës dhe u premtua një kushtetutë e re qytetare. Presidentja njoftoi se do të formojë një grup ekspertësh për hartimin e një kushtetute të re, moderne, qytetare; se kjo është një arnim i thjeshtë lara-lara dhe ‘ Frankenshtajn kushtetutë ‘, duke iu referuar amendamenteve të shumta të miratuara pas nënshkrimit të Marrëveshjes Kornizë të Ohrit. “Problemi është se kemi dy qeveri në një, dy parlamente që nuk komunikojnë me njëri-tjetrin. Ne kemi nevojë për ndryshime themelore kushtetuese për këtë “Frankenshtajn” kushtetutë”, tha ajo në debatin televiziv të kandidatëve për president në TVM më 21 prill 2024.

Për të minuar legjitimitetin e modelit kushtetues të ‘ndarjes së pushtetit’, fushata u zhvillua rreth temave të vendosura në retorikën nacionaliste. Më e suksesshme u tregua ajo që pretendonte se shqiptarët na e morën shtetin, se ata janë ‘pronarët në shtëpi’, se maqedonasit janë ‘qiraxhinjtë’ dhe se në koalicionin LSDM është “shërbëtor” i BDI-së. Slogani zgjedhor “Maqedonia përsëri e jotja” i referohet këtij konteksti, duke përfshirë “të qenit vasal” ndaj Uashingtonit dhe Brukselit. Edhe pse kalimi i supozuar i pushtetit nga mazhoranca në duart e pakicës quhej “BDI-zëm”, në fakt ishte një platformë antishqiptare, e cila u përhap në shoqëri deri në atë masë, sa çdo strategji tjetër shpallej tradhti.

Në Forumin “Si ta mbrojmë identiteti maqedonas”, kreu i Kishës Ortodokse Maqedonase, z. Stefan, në këtë kontekst do të thotë: “Është e trishtueshme kur ujku sulmon delet, por është edhe më e tmerrshme kur ato sulmohen nga qeni i Sharrit, kur ujqëzohet ai, roli i të cilit është të mbrojë kopenë nga ujqërit”[xiii].

Albanofobia nuk është një fenomen i ri. Partia VMRO-DPMNE zhvilloi fushatën e saj të parë zgjedhore në vitin 1990 si albanofobe, anti-komuniste dhe anti-serbe.

Hristijan Mickoski, për shembull, në emisionin “Samo intervju” (Vetëm intervistë) në Kanal 5 deklaroi: “Tash na ndodh që popullsia pakicë të vendosë për shumicën, edhe atë për çështje kyçe të identitetit”.

Në të njëjtën intervistë, Mickoski flet për perceptimin e qytetarëve. Atyre iu është marrë shteti dhe për këtë VMRO-DPMNE fitoi 437.000 vota dhe 58 mandate. Ai pyet veten, sa kohë do të jetojmë në një shoqëri ku pakica do të sundojë shumicën?

Ish-deputeti i VMRO-DPMNE-së, Ilija Dimovski, ka bërë një deklaratë të ngjashme: “I gjithë pushteti iu la BDI-së,…Është pafuqi…Më e rëndësishmja është që BDI-ja i lejoi vetes të udhëheqë procese që kanë të bëjnë me kombin maqedonas… Askush nuk mund të hyjë në shtëpinë time dhe të më thotë se mund ta bësh këtë, nuk mund ta bësh atë…”[xiv].

Sfidimi i legjitimitetit të rregullimit kushtetues konsocional mund të shihet edhe pas sulmit të ashpër në fushatën parazgjedhore ndaj të ashtuquajturit balancues, mjet për zbatimin e dispozitës kushtetuese për përfaqësim të drejtë.

Balancuesi nuk është dhe nuk mund të jetë një mjet ideal. Sigurisht që abuzohet në praktikë. Por nuk është e vërtetë, siç pretendohet në fushatë, se nuk kujdeset për cilësinë e kandidatëve. Edhe pse pozitat në administratën publike që i përkasin komuniteteve më të vogla janë përcaktuar paraprakisht, të gjitha konkurset e shpallura kërkojnë kritere sipas sistemit të meritave. Nevojiten kërkime të mëtejshme se çfarë është e mirë dhe çfarë është e keqe në këtë sistem, por sulmet e përgjithshme ndaj balancuesit synojnë të diskreditojnë parimin kushtetues të përfaqësimit të drejtë. Presidentja Siljanovska – Davkova në një rast gjatë fushatës parazgjedhore deklaroi: “Duhet të ndalojmë aplikimin e gabuar të përfaqësimit të drejtë dhe adekuat. Edhe në Marrëveshjen Kornizë, së pari shkruhet ekspertiza dhe kompetenca, e më pas çdo përfaqësim”.

Epilogu

Epilogu, për mendimin tim, është mjaft dekurajues, por në të njëjtën kohë kthjellues. Ai flet për një komb thellësisht të frustruar, i cili ka arsye objektive për hidhërimet, por edhe që ato ushqehen qëllimisht nga sipërmarrës të ndryshëm politikë për të marrë dhe qëndruar në pushtet. Çmimi i kthjellimit do të jetë i lartë dhe do ta paguajmë të gjithë ne qytetarët. Sepse tani qeveria, këtu mbi të gjitha kam parasysh VMRO-DPMNE-në, duhet të përballet me faktin se politika nuk është një fletë e bardhë dhe se në marrëdhëniet ndërkombëtare shpeshherë pushteti/forca dominon mbi barazinë formale të shteteve.

Në periudhën e ardhshme, qytetarët duhet të binden se koncesionet e bëra nga vendi nga viti 1991 e deri më sot, të cilat nacionalistët i shpallën si tradhti dhe gabime historike, janë në fakt suksese që stabilizuan shtetin dhe i mundësuan të rrisë sigurinë e tij.

Gjatë fushatës zgjedhore mbizotëroi narrativi dhe retorika nacionaliste, veçanërisht nga ana e VMRO-DPMNE-së.

Nga ana e Hristijan Mickoskit dhe kandidates presidenciale Gordana Siljanovska – Davkova, ajo retorikë nacionaliste kishte për qëllim kontestimin e marrëveshjeve ndërkombëtare dhe cenimin e legjitimitetit të MKO-së dhe Kushtetutës. VLEN, nga ana e saj, doli me një program, i cili është gjithashtu konteston modelin kushtetues të konsocionalizmit dhe synon zgjerimin e të drejtave kolektive të komunitetit shqiptar, përtej zgjidhjeve kushtetuese.

Sigurisht, Kushtetuta nuk është një temë tabu. Ka ndryshuar dhe mund të ndryshohet në përputhje me nevojat reale të qytetarëve. Kjo analizë vetëm bën me dije se nacionalizmi i largon qytetarët e kombësive të ndryshme nga njëri-tjetri. Gjithashtu tregon se çdo ndryshim i Kushtetutës kërkon një procedurë adekuate, përndryshe çdo gjë tjetër është ngritje e tensioneve ndëretnike në shoqëri.

Konfrontimi i VMRO-DPMNE-së dhe Gordana Siljanovska Davkovës me fqinjët, Brukselin dhe Uashingtonin për marrëveshjen e Prespës dhe marrëveshjen e miqësisë dhe fqinjësisë së mirë me Bullgarinë, i ndërlikon marrëdhëniet ndëretnike, sepse VMRO-DPMNE kërkon kohë për negociata të reja, kurse koalicioni VLEN dhe partitë e tjera parlamentare në opozitë, kërkojnë vazhdimin sa më të shpejtë të negociatave me BE-në.

Duket se fitorja e madhe elektorale e nacionalistëve mund të rezultojë e hidhur.

 

(autorja është profesoreshë universitare e shkencave politike)

 

 

Literatura e zgjedhur

 

Guelke Adrian(2012). Deeply Divided Societies. Polity

Bell Daniel(1962). The End of Ideology, Free Press, New York

Lijphart Arend.(1984).  Democracies-Patterns of Majoritarian and Consensus Government in Twenty-One Countries. Yale University Press

Lijphart Arend(1977). Democracy in Plural Societies: A comparative Exploration. New Haven and London, Yale University Press

Horowitz Donald. Ethnic Groups in Conflict. University of California Press

Kymlicka, W.  (2002). Multiculturalism and Minority Rights: West and East. Journal on Ethnopolitics and Minority Issues in Europe, 4, 1-26.

Moynihan Daniel Patrick(1993). Pandemonium: Ethnicity in International Politics. Oxford: Oxford University Press

Fukuyama Francis (1992) The End of History and the Last Man, Free Press

Podunavac Milan (2002) Fear and Politics, New Balkan Politics 2/2002

Sisk Timoty D.(1996) Power-sharing and international mediation in ethic conflicts. USIP, Washington, D.C. 1996

Тејлор Чарлс(2004). Мултикултураизам. Евро Балкан,  2004

Siljanovska Gordana (2006) Globalisation, Democracy and Constitutional Engineering as Mechanism for Resolving Ethnic Conflict. www.enelsyn.gr/papers/w6/

Vankovska Biljana (2011) Nova Makedonija, 15.8.2011.

 

Referencat dhe burimet:

[i] Bilall Kasami në „360  gradë“, 27 maj 2024, https://www.youtube.com/watch?v=puaAgL8txM4

[ii] Izet Mexhiti në „Tema e ditës“, TV Sitel, 30 april 2024, e qasshme në https://www.youtube.com/watch?v=I9XK-TY3-UY

[iii] Po krijohet partia e re shqiptare – Çfarë premton “Vetëvendosje” në Maqedoni?, Faktor, 15 mars 2023, e qasshme në: https://faktor.mk/se-formira-nova-albanska-partija—shto-vetuva-samoopredeluvanje-vo-makedonija

[iv] Plani 2030, Vlen, e qasshme në https://vlen.eu/wp-content/uploads/2024/04/Programi-VLEN.pdf

[v] Intervista e Hristijan Mickoski në “Samo Vistina” në Kanal 5, 9 maj 2024, e qasshme në  https://www.youtube.com/watch?v=FQxdQFFGR3I

[vi] Antonio Milloshoski në  Top Tema në TV Telma, 27 mај 2024, e qasshme në  https://www.youtube.com/watch?v=_bNHCKg5_84

[vii] Aleksandar Spasenovski në “Zaspij ako mozhes”, TV Alfa, 28 maj 2024, e qasshme në  https://www.youtube.com/watch?v=UWZ9V18HW14

[viii] Përkufizimi është huazuar nga teksti i Jane Altiparmakov, në Frontline. Ai citon komedianin amerikan Douglas Doug Stanhope

[ix] Moynihan Daniel Patrick(1993). Pandemonium: Ethnicity in International Politics. Oxford: Oxford University Press

[x] Hristijan Mickoski në “Samo intervju” në TV Kanal 5, 09.05.2024, e qasshme në: https://www.youtube.com/watch?v=kgIkxwxmOyM&t=1661s

[xi] Çarlls Tejllor(2004). Multikulturalizmi. Еuro Ballkan,  2004

[xii] Lijphart Arend.(1984).  Democracies-Patterns of Majoritarian and Consensus Government in Twenty-One Countries. Yale University Press

[xiii] Forumi: “Si ta mbrojmë identiteti maqedonas” – moment vendimtar për ruajtjen e unitetit, burimi TV Alfa, 14.03.2024, e qasshme në https://www.youtube.com/watch?v=_wVb2fEj1mA

[xiv] Ilija Dimovski, intervistë në ”Zaspij ako mozhes” në TV Alfa, 23.05.2024, e qasshme në: https://www.youtube.com/watch?v=ielsk298SNg

 

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut