Marrëdhëniet ndëretnike në komunikimin publik gjatë zgjedhjeve: Vazhdon dominimi i diskursit etnocentrik

 

Shkruan: SEFER TAHIRI

Historia 34 vjeçare e pluralizmit politik në Maqedoninë e Veriut dëshmon se marrëdhëniet ndëretnike, sidomos ato midis maqedonasve dhe shqiptarëve, janë (keq)përdorur nga partitë politike në zgjedhjet parlamentare, presidenciale, madje edhe ato lokale.

Në këtë kontekst, diskursi mediatik – politik shpeshherë ka qenë “diskurs i dallimit”. “Paradigma e dallimit”, përkatësisht diskursi etnocentrik, e ka ndjekur debatin politik, por edhe përmbajtjet mediatike, pavarësisht vallë është zhvilluar në gjuhën maqedonase ose shqipe.

Duke marrë parasysh këto aspekte, kjo analizë fokusohet në disa çështje dhe shembuj të komunikimit politik dhe raportimit mediatik gjatë zgjedhjeve: Sa ishin marrëdhëniet ndëretnike në fokus të fushatës parazgjedhore të partive politike për zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të vitit 2024? Cila ishte qasja e mediave shqiptare dhe maqedonase lidhur me deklaratat konfrontuese midis liderëve të BDI dhe VMRO-DPMNE, Ali Ahmetit dhe Hristijan Mickoskit? Si u keqinterpretua deklarata e kandidates presidenciale, Gordana Siljanovska mbi rastet e luftës së vitit 2001? Sa patën hapësirë tonet nacionaliste të partive E Majta dhe ZNAM? Cila është historia e diskursit etnocentrik në fushën politike dhe mediatike në Maqedoninë e Veriut? A dominohet skena politike dhe mediatike edhe sot, si në vitet 90-ta nga “diskursi i dallimit”?

Marrëdhëniet ndëretnike në diskursin e partive politike

Duke qenë shtylla e stabilitetit politik dhe e sigurisë, marrëdhëniet ndëretnike janë “çelës”, sidomos i partive të djathta, për të fituar sa më shumë vota gjatë zgjedhjeve. Në këtë drejtim, një pjesë e medias ka qenë shpesh dorë e zgjatur, përkatësisht afirmative, por edhe nxitëse, e narrativëve etnocentrike që prodhoheshin në laboratorët partiake.

Pjesa më e madhe e mediave, qoftë publike (në Maqedoninë e Veriut koncepti i medias publike është inekzistent, pasi ende trajtohen si shtetërore), qoftë private apo komerciale, kanë shërbyer më shumë si “zëdhënëse” të politikës, se sa të jenë në funksion të interesit publik. Kjo nënkupton se, duke qenë të tilla, mediat u kanë shërbyer agjendave populiste elektorale, të cilat janë bazuar tek filozofia e madhërimit të një identiteti të caktuar etnik kundrejt identitetit të tjetrit, i trajtuar si i huaj dhe kërcënues, ndërsa në disa periudha edhe si armiqësor apo si “armik i brendshëm”, ndonëse për këtë nuk janë ofruar argumente, por më tepër konstruksione imagjinare me narrativ propagandues antishqiptar apo antimaqedonas.

Edhe pse me tone më të buta, politikat etnocentrike vazhduan të jenë pjesë dominuese e fushatës së partive politike në zgjedhjet e vitit 2024, ndërsa një pjesë e mediave në mënyrë jokritike, e disa edhe afirmative, i pasqyronin tubimet me ikonografi etnocentrike, të kombinuara me folklor etno-populist, duke iu shtuar edhe sloganet e mëdha partiake, që thirreshin tek interesat e popullit, kombit, identitetit, qenies, mbrojtjen e emrit të shtetit, gjuhës, promovimin e integrimit evropian e kështu me radhë. Sloganet dhe porositë kryesore partiake ishin:  “Maqedonia përsëri e jotja” (VMRO-DPMNE), “Nuk heqim dorë nga ardhmëria” (LSDM), “Ndryshimi vlen” (Koalicioni VLEN), “Jo Rusisë, po Evropës” (Fronti Evropian), “Ta kthejmë dinjitetin e kombit” (E Majta), “Maksimum për Maqedoninë” (partia ZNAM), “Guximshëm për Maqedoninë” (partia GROM). Siç shihet, në pjesën më të madhe të tyre dominon një vijë identitare kolektiviste. Shfaqja e shpeshtë e tyre në raportimet mediatike, por sidomos në programet e paguara politike me para të qytetarëve i përforcoi të njëjtat, duke i bërë pjesë e përditshmërisë së qytetarëve.

Dy partitë politike që në tri dekadat e fundit më së shumti janë ngritur mbi doktrinat e etnocentrizmit (zgjedhor) janë VMRO-DPMNE-ja dhe BDI-ja, të cilat në zgjedhjet e fundit “mprehën” shpatën e artikulimit të ideve dhe koncepteve politike, duke u thirrur tek idealet respektive etnike – ato maqedonase dhe shqiptare.

Fushatë parazgjedhore politike – me “gurabi” etnike!

Në fushatën e fundit zgjedhore, përplasjet etno-politike midis VMRO-DPMNE-së dhe BDI-së kanë qenë të përmasave të mëdha, duke dominuar diskursin politik, i shfaqur në tubime me qytetarët dhe në debatet mediatike parazgjedhore.

Si rezultat i këtij konfrontimi, lideri i Bashkimit Demokratik për Integrim, Ali Ahmeti, duke iu përgjigjur qëndrimeve të liderit të opozitës maqedonase, sot mandator për formimin e qeverisë së re, Hristijan Mickoski, tha se “ai është rritur duke ngrënë gurabi”. Konteksti i kësaj deklarate është t’i bëhet me dije Mickoskit se mosmarrja e Frontit Evropian në qeveri është shkelje e vullnetit politik të shqiptarëve apo majorizim nga pala maqedonase, gjë që shpie drejt krizës së re etnike.

Mickoski është rritur me gurabija dhe keksa – Ahmeti paralajmëron Mickoskin: Fjalë pas fjale nisë belaja![i], ishte titulli i TV 21 nga tubimi, i mbajtur më 22 prill 2024, në të cilin Ahmeti edhe brohoriti “UÇK, UÇK”.

Raport i TV 21: Gurë mbi gurë bëhet kalaja, fjalë pas fjale nisë belaja. Kështu u shpreh kreu i Bashkimit Demokratik për Integrim Ali Ahmeti në tubimin qendror të Frontit Europian. Duke komentuar thirrjet e VMRO-DPMNE-së për të fituar 61 deputetë në zgjedhje, Ahmeti thotë se Mickoski është ende i ri dhe akoma i nxjerrë buza qumësht. “Hristijan Mickoski është rritur me gurabija. Hristijan Mickoski është rritur me keksa. Unë jam rritur në kullë prej guri, Hristijan që tre herë është djegur është prej pushtuesve. Hristijan, populli im thotë gurë mbi gurë bëhet kalaja, fjalë pas fjale nisë belaja, mos nis bela! Mos nis bela dhe mati fjalët se je i ri dhe akoma të qet buza tamël”, tha Ahmeti.

Portali Almakos publikoi deklaratat e liderit integrist me titullin: “Ali Ahmeti i drejtohet Mickoskit: Je rritur me gurabija, mati fjalët dhe mos nis bela![ii].

Klan Maqedonia raportin televiziv e publikoi me titullin: “Ahmeti-Mickoskit: Mati mirë fjalët kur flet se je ende i ri, ardhmëria e këtij vendi është vetëm në BE![iii].

Portali Tetovasot raportoi me titullin afirmativ në favor të BDI-së “Fjalimi i Ali Ahmetit kundër Mickovskit pushton rrjetet sociale dhe elektrizon votuesit e rinj[iv]. Ky portal, me gjuhë të thekur propaganduese, shkruante: “Fjalimi i liderit të BDI-së në Shkup drejtuar një mase të madhe njerëzish, duket se ka elektrizuar masën, informon Tetovasot. Pjesa ku ai i drejtohet liderit të VMRO-DPMNE-së, Mickoskit dëgjohet nga shumë të rinj nëpër vetura që kanë shkëputur atë fragment por edhe ka pushtuar rrjetet sociale”.

Portali Nistori ka pasur një qasje ndryshe raportuese lidhur me deklarimet e Ahmetit: “Ahmeti në Shkup: UÇK-ja është ajo që e bëri Maqedoninë.[v]

Raporti i portalit Nistori: “Ky front dikujt mund t’i vijë pak mërzi se këta të rinj thërrasin UÇK, por UÇK-ja është ajo që e bëri Maqedoninë, dhe i bëri me identitet edhe komunitetet më të vogla. Falënderues ishte edhe i ndjeri Trajkovski se tha UÇK-ja na njohu identitetin fetar, ka qenë çlirimtare, që shqiptarët sot të jenë zot në shtëpitë e veta. Ne kurrë të huajën se kemi dashur por për të jonin kemi luftuar e kemi derdh gjak. Prandaj le t’i masin fjalët mirë se ky shtet e ka vendin në Evropë dhe atje mundemi të shkojmë vetëm bashkë. E kaluara është e dhimbshme, dhe nuk duhet harruar por duhet të luftojmë të gjithë që kjo e kaluar të mos përsëritet”.

Një pjesë e mediave në gjuhën maqedonase e kanë transmetuar në mënyrë objektive dhe korrekte qëndrimin e Ahmetit. Siç vërteton portali për grumbullimin e lajmeve në gjuhën maqedonase Time.mk, titulli më i shpeshtë ka qenë “Ali Ahmeti deri te Hristijan Mickoski: Je rritur me gurabi, mos kërko bela, mati fjalët, ende je i ri[vi]. Sipas linkut të theksuar, portalet që janë të afërta me VMRO-DPMNE-në, si portali Kurir[vii], Netpress[viii], Republika[ix] dhe Presingtv[x] kanë raportuar me titull identik “Ahmeti iu kërcënua Mickoskit: Mos kërko bela”. Ky fakt vetvetiu flet për që politika editoriale e këtyre portaleve koordinohet nga një qendër e caktuar.

Portali në gjuhën maqedonase Lider.mk publikoi dezinformatë nga tubimi qendror i BDI-së në Shkup, edhe atë që në titull “Ali Ahmetit me kërcënim të hapur deri te Hristijan Mickoski – do ta qep gojën[xi]. “Përderisa pas tij valonte flamuri me shqiponjën dykrenare, Ahmeti për liderin e VMRO-DPMNE-së tha: Hristijan Mickoski është rritur me gurabi dhe keksa. Hristijan mos kërko bela dhe mati fjalët, sepse je i ri dhe do ta qep gojën“, raportonte Lider.mk. Në fakt, pjesa e fundit është e sajuar apo është përkthim i gabuar i fjalimit, pasi Ahmeti në vend se do ta “qep gojën” thotë “të qet buza tamël”.

Raportim korrekt në media i përgjigjes së Mickoskit ndaj Ahmetit

Përgjigja e menjëhershme e Mickoskit ndaj deklaratave të Ahmetit ka zënë hapësirë të madhe në mediat në gjuhën shqipe dhe maqedonase.

Portali Lajmpress raportoi me titullin “Mickoski i përgjigjet Ahmetit: Gurabijet dhe qumështi do të ju ngecin në fyt![xii]“. Ky portal e publikoi në mënyrë të plotë përgjigjen e Mickoskit në rrjetin social Fejsbuk. Ndërsa portali Pacensurë publikoi përgjigjen me titullin: “Mickoski i përgjigjet Ali Ahmetit: Kërcënimet vijnë nga një burrë para daljes në pension politik dhe pak i harruar[xiii].

“Mickoski i’a kthen porosinë Ahmetit” ka qenë titulli neutral dhe korrekt i disa portaleve, të cilët e transmetuan deklaratën e Mickoskit, edhe atë: Tetovasot[xiv], Inaonline[xv], Faktiditor[xvi], Opentv[xvii].

Një pjesë e portaleve në gjuhën shqipe, si Gazetaexpress[xviii], Lajmpress[xix], Tetovasot[xx], Syri.mk[xxi] i kanë dhënë hapësirë të konsiderueshme deklaratës së liderit të partisë Dinjiteti, Stojanço Angellov, i cili i dërgoi porosi Ahmetit se “Pas Mickoskit qëndrojnë “branitellat” (pjesëtarët e forcave shtetërore të sigurisë që luftuan në vitin 2001).

Ndërsa disa portale, siç vërteton grumbulluesi Fax.al, kanë raportuar me titullin “Ahmeti brohoriti UÇK në qendër të Shkupit”, Angellov: Përdorni frenat e dorës, pas Mickoskit janë “branitellat” që ju fituan në vitin 2001“.[xxii]

Mediat në gjuhën maqedonase, thuajse në mënyrë konsensuale, pa dallim se a janë me proveniencë politike proqeveritare apo proopozitare, përgjigjen e Mickoskit ndaj Ahmetit e raportuan me titullin “Mickoski ia ktheu Ahmetit: Shumë shpejt gurabitë dhe qumështi do të mbeten në fyt[xxiii]. Përgjigjen e Mickoskit në Fejbuk, këto media e raportuan në mënyrë objektive dhe të plotë, duke iu përmbajtur transmetimit integral apo transimisionues.

Pasqyrimi mediatik i qëndrimit të Siljanovskës mbi veprat e luftës së vitit 2001

Deklarata e kandidates presidenciale të VMRO-DPMNE-së, sot presidente aktuale, Gordana Siljanovska – Davkova e dhënë në Kumanovë më 29 prill 2024, në të cilën theksoi se “të ashtuquajturat vepra kundër njerëzimit asnjëherë nuk vjetërsohen”, bëri bujë në mediat në gjuhën shqipe.

Ka qenë Televizioni Alsat, i cili i pari publikoi informacionin mbi qëndrimin e Siljanovskës. Titulli i këtij televizioni ishte: “Fushata presidenciale/ Nga tribunal ndërkombëtar për luftën e 2001-së, deri tek mos besimi te ata që kërkojnë anulimin e marrëveshjeve që sollën paqe[xxiv]“. Siç vërtetohet edhe nga linku i publikuar, kjo përmbajtje është fshirë nga uebfaqja në gjuhën shqipe e televizionit me licencë nacionale teresteriale. Është fshirë edhe nga uebfaqja e TV Alsat në gjuhën maqedonase[xxv].

Redaksia e TV Alsat nuk e ka arsyetuar para publikut me vendim editorial apo argumente se pse ka ndodhur publikimi dhe më pas zhdukja e këtij informacioni. Aq më tepër që, duke iu referuar këtij televizioni, përmbajtjen e njëjtë e kanë transmetuar edhe shumë media tjera tradicionale, por edhe të reja, disa prej të cilave me të njëjtin titull:

Një pjesë e madhe e mediave, deklaratën e Siljanovskës, siç dëshmon portali i grumbullimit të lajmeve Fax.al, e kanë transmetuar me titullin: “Siljanovska propozoi tribunal ndërkombëtar për luftën e vitit 2001?”[xxix].

Edhe TV 21, e transmetoi deklaratën e saj, duke e bërë të mirëqenë faktin se Siljanovska kërkon tribunal ndërkombëtar për konfliktin e vitit 2001. Përkatësisht, titulli ishte spekulativ, si ai i përmendur më lartë “Siljanovska propozoi tribunal ndërkombëtar për luftën e vitit 2001?”[xxx], pasi në brendinë e tij, raporti televiziv nga terreni nuk ofron fakte se presidentja ka kërkuar në mënyrë decide themelimin e një tribunali ndërkombëtar për vitin 2001.

Raporti i TV 21: “Kandidatja për presidente nga koalicioni i VMRO-DPMNE-së, Gordana Siljanovska-Davkova në tubimin e mbrëmjes së djeshme në Kumanovë foli për të drejtën ndërkombëtare, respektivisht tha se “disa vepra kundër njerëzimit nuk vjetërsohen kurrë”. Siljanovska në fjalimin e saj përmendi edhe luftën e vitit 2001. “Vetëm të rikujtoj, edhe në vitin 2001 PDSH ishte në Qeveri, do të thotë unë nuk i kërcënohem akujt, vetëm përkujtoj që disa vepra, të ashtuquajturat vepra kundër njerëzimit asnjëherë nuk vjetërsohen”, tha Siljanovska”.             

Qëndrimit të Siljanovskës mediat në gjuhën maqedonase nuk i kanë dhënë hapësirë informative.

Siljanovska: Qeveri pa shqiptarë nuk është zgjidhje e mirë

Në kontekst të trajtimit të marrëdhënieve ndëretnike në media, është për t’u veçuar edhe një qëndrim i shprehur nga presidentja Siljanovska. Në intervistë për emisionin Triling[xxxi], ajo u shpreh se “Pa dallim nga rezultati, qeveri pa partitë shqiptare nuk është zgjidhje e mirë. Kabineti i presidentit pa shqiptarë nuk është zgjidhje e mirë. Në kabinet duhet të jenë shqiptarët kompetent dhe profesional“. Por, kjo deklaratë, nuk është se u trajtua në mënyrë interpretuese në mediat shqiptare dhe maqedonase.

Apasievi merr hapësirë të vogël në mediat maqedonase, thuajse injorohet nga shqipet

Qëndrimi i liderit të partisë E Majta (Levica), Dimitar Apasiev kundër BDI-së dhe Lidhjes Socialdemokrate, u transmetua vetëm në pak media maqedonase, me titullin “Apasievi nga Tetova: Në pushtetin e uçkistëve nga BDI-ja, të mbështetur nga elita e korruptuar maqedonase, çdo i dyti fëmijë nga Pollogi lind në Zvicër[xxxii]. Kërkimet tregojnë se nga mediat shqipe, i vetmi Televizioni Klan Maqedoni ka transmetuar deklaratën e Apasievit me titullin “Zgjedhjet parlamentare/ Apasiev: Me UÇK-në e BDI-së dhe elitave maqedonase, çdo I dyti fëmijë në Pollog lind në Zvicër“. Për shkak të qëndrimeve të shprehura radikale mbi shumë çështje politike, lideri i partisë E Majta me sa duket u bojkotua nga një pjesë e madhe e mediave.

Partia ZNAM i rikthehet flamurit të Verginës

Portali Racin publikoi titull kritik ndaj valimit të flamurit të “Verginës” në tubimet politike të partisë ZNAM. Ky portal raportoi me titullin “Dimitrievski nga ZNAM duke dëshiruar pushtet i valoi “verginat[xxxiii]. Portali raportoi se “Maksim Dimitrievski, lideri i partisë ZNAM, fjalimet e tij para qytetarëve në Ohër dhe Strugë i mbajti nën flamurin e Verginës, simbol, i cili është ikonografi e zakonshme e VMRO-DPMNE-së dhe partive tjera me përcaktim të djathtë konzervativ. Kjo mund të shihet nga fotografitë në Fejsbuk si dhe në videon e publikuar në këtë rrjet”. Evidente është se mediat tjera nuk i kanë kushtuar rëndësi këtij detaji të shfaqur në tubimet e ZNAM-it.

Histori e shkurtër e marrëdhënieve ndëretnike në Maqedoninë e veriut

Nga vitet 90-ta, në sferën mediatike – publike është prodhuar imazhi negativ për “tjetrin”, duke e portretizuar si kërcënim apo rrezik i mundshëm, pra si një “gogol”, i cili gjithmonë është i gatshëm t’i shkaktojë ndonjë të keqe palëve etnike, të cilat pavarësisht se jetojnë me shekuj në këto troje, nuk kanë besim të lartë të ndërsjellë.

Pikërisht diskursi mediatik, i shfaqur në mediat tradicionale dhe mediat e reja e ka thelluar edhe më shumë jazin ndëretnik, duke përforcuar etnocentrizmin dhe rrymat politike me retorikë radikale në dy kampet etnike, duke filluar nga vitet 90-ta deri në konfliktin e armatosur në vitin 2001. Një diskurs i tillë ndarës ka qenë sidomos i pranishëm gjatë raportimit dhe interpretimit mediatik politik gjatë krizës apo luftës në mediat komerciale. Edhe shërbimi radiodifuziv publik- RTVM (tani Radiotelevizioni Kombëtar) ka shfaqur dy realitete etnike, njëri shqiptar dhe tjetri maqedonas.

Diskursi në komunikimin publik, në vend të kohezionit ndëretnik dhe integrimit shoqëror, krijonte mosdurim mes maqedonasve dhe shqiptarëve. Ky mosdurim shfaqej kryesisht në realitetin e konstruktuar mediatik, por edhe në retorikën politike në Republikën e Maqedonisë së Veriut, kryesisht në spektrin e djathtë partiak. Një fenomen i tillë u promovua jo vetëm nga eksponentë partiak, deputetë e kandidatë presidencial, por edhe nga vetë liderët kryesorë të partive politike, të cilët për efekte elektorale përdornin fjalor manipulues etno -nacionalist dhe pezhorativ ndaj tjetrit.

Etnocentrizmi si platformë politike elektorale

Zagorka Golluboviq, eksperte e çështjeve të multikulturalizmit, duke trajtuar diskursin politik të përfaqësuesve politik, në veprën e saj “Unë dhe tjetri – Shqyrtime antropologjike rreth identitetit individual dhe kolektiv”, ka konkluduar se “Disa deklarata tregojnë qartë se duke njëjtësuar patriotizmin me nacionalizmin, shumë politikanë në vend të mbrojtjes së popullit si demos kanë rënë në kurthin e etnosit si bashkësi e vetme “e pastër” që meriton shërbim. Në këtë vijë është krijuar lehtësisht lidhja mes politikanëve nacionalistë dhe elitave politike kombëtare, të cilat, duke gjallëruar “etnicitetin e fjetur” kanë instrumentalizuar ideologjitë kombëtare për të arritur pushtetin”[xxxiv].

Natyrisht se edhe Republika e Maqedonisë së Veriut nuk bën përjashtim nga instrumentalizimi politik i ideologjisë etnocentrike, meqë edhe Lidhja Socialdemokrate në vitet 90-ta përmes eksponentëve të saj kryesorë, ish presidentit në vitet 1991-1999, Kiro Gligorov dhe kryeministrit Branko Cërvenkovski në vitet 1992- 1998, zbatonte politikë që shpesh kishte qasje etnike maqedonase. Ngjashëm do të veprojë edhe VMRO-DPMNE-ja, e cila kishte qëndrime dhe pozicione deklarative më radikale etno-nacionaliste se sa LSDM-ja. Me narrativin e tillë, partia e djathtë maqedonase, VMRO-DPMNE rikthehet në pushtet në vitin 1998, 2006 dhe në zgjedhjet e fundit në vitin 2024.

Qëndrimet dhe deklarimet etnonacionaliste dhe etnocentrike të politikanëve përgjatë historisë 

Politikanët e Maqedonisë së Veriut, shqiptarë dhe maqedonas, sidomos të ideologjisë djathtiste, nuk kanë reshtur duke përdorur diskurs mediatik i cili ka qenë gjithmonë me tone negative ndaj shqiptarëve ose maqedonasve, duke i tendosur në këtë mënyrë marrëdhëniet ndëretnike dhe duke i bërë mediat zgjatime të diskursit polarizues shoqëror.

Deklarimet e përzgjedhura të politikanëve në këtë analizë lidhur me çështjet etnike flasin vetvetiu se në periudha të ndjeshme për vendin, politikanët për qëllime elektorale kanë përdorur gjuhë e cila favorizonte etninë së cilës i takonin dhe nënçmonte me terma dhe ide etninë të cilën e projektonin me ngjyrime kundërshtuese, për të mos thënë armiqësore. Transmetimi i tyre dhe ripërsëritja e tyre në momente të caktuara dhe në favor të agjendave të caktuara politike, mediat sikur i bëri palë të promovimit të gjuhës së urrejtjes etnike, gjë që është në kundërshtim me rolin e gazetarisë paqësore dhe multikulturore, e cila duhet të promovojë kohezion shoqëror dhe integrim ndëretnik.

  • “Unë ua thashë sot në Dibër dhe dje në Tetovë, duke iu drejtuar drejtpërdrejt shqiptarëve etnikë – nëse lëshojnë kthetra vendosmërisht do t’ua presim“. (Lubisha Georgievski, kandidat i VMRO- DPMNE-së për president në vitin 1994[xxxv])
  • Struktura sllavomaqedonase e fuqisë në këtë pikëpamje nuk bën dallim midis politikës së Millosheviqit dhe Gligorovit në Maqedoni” (Arbër Xhaferi, ish lider i Partisë Demokratike Shqiptare)[xxxvi]. Arbër Xhaferi kur ishte në opozitë gjithmonë sistematikisht përdorte termat: Ish Republika Jugosllave e Maqedonisë dhe sllavomaqedonas për popullin maqedonas.
  • Realiteti historik në Maqedoni, e di gjithë bota dhe është shumë absurde, kur një popull që s’ka identitet, që në rastin konkret janë maqedonasit, ndërsa shqiptarët kanë qenë shumë korrektë dhe ju kanë ndihmuar ta ndërtoni këtë identitet dhe ju tani kontestoni identitetin tonë. Merr regjistrimin para 100 viteve, nuk ekziston popull maqedonas. Nga ana tjetër, popujt i ndërtojnë identitetet, nuk lindin nga Zoti, edhe atë si pasojë e rrethanave politike dhe askush nuk e konteston atë. Ju keni të drejtë ta quani veten si të doni, këto janë fakte historike. Ju hyni në çështje autoktonie dhe harroni që në shekullin e shtatë jeni të pranishëm këtu, përderisa ilirët janë shumë më herët.” (Ziadin Sela, kryetar i partisë Aleanca për Shqiptarët)[xxxvii]. Kjo deklaratë e Selës në emisionin 200 të TV ALSAT ishte njëra ndër qëndrimet publike që motivoi disa huliganë më 27 prill të vitit 2017, ta sulmojnë rëndë, duke e lënë në korridoret e Kuvendit të Maqedonisë pa ndjenja, por pas dërgimit në spital shpëtoi.
  • Populli ynë thotë se çdo e keqe për të mirë le të jetë. Ndërsa, unë në mënyrë të pakushtëzuar besoj tek populli maqedonas dhe qytetarët e Maqedonisë” (Hristijan Mickoski, kryetar i VMRO- DPMNE-së)[xxxviii].
Përfundime

Në shoqërinë shumëetnike, shumëkulturore dhe shumëgjuhësore të Republikës së Maqedonisë së Veriut, që nga periudha e pluralizmit politik përkatësisht mëvetësimit të shtetit nga ish federata jugosllave, ka qenë i pranishëm diskursi etnocentrik dhe populist në media dhe në politikë.

Diskursi i këtillë ka prodhuar stigmatizime të shumta dhe paragjykime e stereotipe etnike, por edhe fetare, të cilat janë shfaqur në përmbajtjet mediatike: lajme, intervista, debate televizive, programe humoristike dhe sidomos në programet kontaktuese, në të cilat qytetarët përmes linjës telefonike kanë mundur të japin mendimet dhe pikëpamjet e tyre, që fatkeqësisht në masë të madhe kanë qenë dhe janë përplot me gjuhë të urrejtjes dhe nënçmuese ndaj “tjetrit” kolektiv, kryesisht ndaj shqiptarëve, përkatësisht maqedonasve.

Në zgjedhjet parlamentare dhe presidenciale të sivjetme, partitë politike kanë vënë fokusin tek çështjet etnike, përkatësisht tek mbrojtja e kauzës maqedonase dhe shqiptare. VMRO-DPMNE-ja në njërën anë dhe Fronti Evropian e VLENI në anën tjetër, ishin promovuesit e koncepteve etnocentrike. Mediat kanë qenë korrekte, por kryesisht jokritike në transmetimin e narrativëve të këtillë.

Mediat, kryesisht në mënyrë objektive dhe korrekte kanë transmetuar deklaratat përplasëse midis Ali Ahmetit dhe Hristijan Mickoskit lidhur me mospërfshirjen e BDI-së dhe përfshirjen e koalicionit VLEN në qeveri. Një media pati keqinterpretim të qëndrimit të Ahmetit si porosi politike për Mickoskin.

Deklarata e presidentes SIljanovska në cilësinë e kandidates se “lëndëve juridike të vitit 2001” nuk u skadon afati, nga një media dhe më pas edhe nga tjera u interpretua si kërkesë që rastet e vitit 2001 të rikthehen në Tribunalin e Hagës, të cilin presidentja nuk e kishte përmendur, që do të thotë se u plasua një informatë e pasaktë.

Diskursi etnocentrik dhe populist i partisë E Majta, por edhe i partisë së re ZNAM është shfaqur në mënyrë të zbehtë nga mediat maqedonase, ndërsa ato shqiptare gati se i kanë injoruar.

Etnocentrizmi si doktrinë politike shpesh është përdorur si platformë elektorale nga parti të caktuara, të cilat lehtësisht kanë krijuar besueshmëri tek qytetarët, duke u thirrur në kauzat e mëdha etnike apo etnokulturore. Nga vitet 90-ta gjithmonë është prodhuar dhe shfaqur “diskursi i dallimeve”, i cili edhe sot, vazhdon ta dominojë skenën politike dhe me këtë edhe atë mediatike.

Rekomandime

Mediat duhet të raportojnë mbi çështjet etnike, por nuk duhet të nxisin përkeqësimin e tyre, por me raportim korrekt dhe objektiv duhet të ndikojnë në rritjen e tolerancës, mirëkuptimit dhe respektit të ndërsjellë mes komuniteteve të ndryshme etnike, ndërsa krijimi i kohezionit shoqëror është detyrë para së gjithash e shërbimit radiodifiziv publik.

Në spektrin mediatik të vendit, i jepet fokus i madh raportimit për konfliktet, mosmarrëveshjet dhe përplasjet midis komuniteteve etnike, në vend se tu jepet rëndësi vlerave që përbashkojnë. Konflikti mbi baza etnike shpesh prezantohet nën prizmin se sikur dallimet enike janë gjëja e vetme që e shpjegon një konflikt.

Shpjegimi i konflikteve dhe çështjeve etnike në mënyrë të thjeshtë, mund ta mbyll hapësirën për analizën e faktorëve politik, social dhe ekonomik dhe me këtë edhe ta pengojë publikun që të njihet me shkaqet e vërteta të konfliktit.

Kur raportojnë mbi çështjet etnike, gazetarët dhe mediat duhet t’i respektojnë rregullat dhe standardet e raportimit të diversiteteve. Kjo nënkupton që kur raportohet për një komunitet të caktuar duhet të konsultohen burime nga komuniteti dhe të mbahen kontakte me këto burime, pasi në atë mënyrë sigurohet jostereotipizim etnik në raportim. Mediat kanë për detyrë t’i promovojnë diversitetet, e për atë duhet ta fusin dhe mirëmbajnë konceptin e diversiteteve në redaksitë e tyre.

Kur raportohen deklarata origjinale, të cilat përmbajnë paragjykime, stereotipe ose gjuhë të urrejtjes,  fjalor diskriminues apo fyes, ato duhet të kontekstualizohen dhe të shpjegohet se janë narrativë të dëmshme për shoqërinë, ndërsa media duhet të distancohet nga të njëjtat dhe transmetimi i tyre duhet të bëhet vetëm në rastet kur janë të domosdoshme për të shpjeguar një realitet të caktuar shoqëror.

Në një përmbajtje mediatike duhet të ketë këndvështrime të ndryshme, përkatësisht përfshirje të perspektivave të ndryshme gjatë interpretimit të ndonjë ngjarjeje apo çështje të caktuar ndëretnike.

Qasja në raportimin për konfliktet duhet të bazohet tek gazetaria paqësore, që synon t’i zgjidhë ato në mënyrë paqësore dhe që mundëson të kuptuarit e pamjes së përgjithshme mbi shkaqet, motivet dhe pasojat, që qëndrojnë pas vetë konflikteve.

 

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

Referenca dhe burime:

  1. https://tv21.tv/mickoski-eshte-rritur-me-gurabija-dhe-keksa-ahmeti-paralajmeron-mickoskin-fjale-pas-fjale-nise-belaja/
  1. Ali Ahmeti i drejtohet Mickoskit: Je rritur me gurabija, mati fjalët dhe mos nis bela!
  1. https://tvklan.mk/ahmeti-mickoskit-mati-mire-fjalet-kur-flet-se-je-ende-i-ri-ardhmeria-e-ketij-vendi-eshte-vetem-ne-be/
  2. https://www.tetovasot.com/2024/04/2109577/
  1. https://nistori.com/lajme/ahmeti-ne-shkup-uck-ja-eshte-ajo-qe-e-beri-maqedonine/
  1. https://time.mk/c/b87694702c/toj-porasna-na-gurabii-i-keksi-ahmeti-mu-vozvrati-na-mickoski.html
  1. https://kurir.mk/vesti/makedonija/ahmeti-mu-se-zakani-na-mickoski-ne-si-ja-baraj-beljata/
  1. https://netpress.com.mk/ahmeti-mu-se-zakani-na-mickoski-ne-si-a-bara-be-ata/
  1. https://republika.mk/vesti/makedonija/ahmeti-mu-se-zakani-na-mitskoski-ne-si-ja-baraj-belata/
  1. https://pressingtv.mk/makedonija/ahmeti-mu-se-zakani-na-mitskoski-ne-si-ja-baraj-belata/
  1. https://lider.mk/ali-ahmeti-so-otvorena-zakana-do-hristijan-mickoski-kje-ti-ja-zakrpam-ustata/
  1. https://lajmpress.org/mickoski-i-pergjigjet-ahmetit-gurabijet-dhe-qumeshti-do-te-ju-ngecin-ne-fyt/
  1. https://www.pacensure.com/mickoski-i-pergjigjet-ali-ahmetit-kercenimet-vijne-nga-nje-burre-para-daljes-ne-pension-politik-dhe-pak-i-harruar/
  1. https://www.tetovasot.com/2024/04/mickoski-ia-kthen-porosine-ahmetit/
  1. https://ina-online.net/mickoski-ia-kthen-porosine-ahmetit/
  1. https://www.faktiditor.ch/mickoski-ia-kthen-porosine-ahmetit-pasi-i-tha-do-gjesh-belane/
  1. https://open-tv.mk/mickoski-ia-kthen-porosine-ahmetit
  1. https://www.gazetaexpress.com/angellov-porosi-ahmetit-pas-mickoskit-qendrojne-branitellat/
  1. https://lajmpress.org/angellov-porosi-ahmetit-pas-mickoskit-qendrojne-branitellat/
  1. https://www.tetovasot.com/2024/04/angellov-porosi-ahmetit-pas-mickoskit-qendrojne-branitellat/
  1. https://syri.mk/angellov-porosi-ahmetit-pas-mickoskit-qendrojne-branitellat/
  1. https://fax.al/news/40595253/mickoski-eshte-rritur-me-gurabija-dhe-keksa-ahmeti-paralajmeron-mickoskin-fjale-pas-fjale-nise-belaja
  1. https://time.mk/c/50f5e2e882/mickoski-mu-vrati-na-ahmeti-mnogu-brzo-od-denes-i-keksito-i-mlekoto-ke-ti-presednat.html
  1. https://fax.al/news/40653933/siljanovska-propozoi-tribunal-nderkombetar-per-luften-e-vitit-2001
  1. https://alsat.mk/mk/siljanovska-reche-deka-vojnata-od-2001-treba-da-dobie-razreshnitsa-pred-megunaroden-sud/
  1. https://www.tetovasot.com/2024/04/nga-tribunal-nderkombetar-per-luften-e-2001-se-deri-tek-mos-besimi-te-ata-qe-kerkojne-anulimin-e-marreveshjeve-qe-sollen-paqe/
  2. https://tvnews.mk/2024/04/30/fushata-presidenciale-nga-tribunal-nderkombetar-per-luften-e-2001-se-deri-tek-mos-besimi-te-ata-qe-kerkojne-anulimin-e-marreveshjeve-qe-sollen-paqe/
  3. https://www.infoshqip.com/fushata-presidenciale-nga-tribunal-nderkombetar-per-luften-e-2001-se-deri-tek-mos-besimi-te-ata-qe-kerkojne-anulimin-e-marreveshjeve-qe-sollen-paqe/
  1. https://fax.al/news/40653933/siljanovska-propozoi-tribunal-nderkombetar-per-luften-e-vitit-2001
  1. https://tv21.tv/siljanovska-propozoi-tribunal-nderkombetar-per-luften-e-vitit-2001/
  1. https://triling.mk/%D0%B2%D0%B8%D0%B4%D0%B5%D0%BE-%D1%81%D0%B8%D0%BB%D1%98%D0%B0%D0%BD%D0%BE%D0%B2%D1%81%D0%BA%D0%B0-%D0%B4%D0%B0%D0%B2%D0%BA%D0%BE%D0%B2%D0%B0-%D0%B1%D0%B5%D0%B7-%D0%BE%D0%B3%D0%BB%D0%B5%D0%B4-%D0%BD/
  1. https://time.mk/c/17303a1e28/apasiev-pod-vlasta-na-uckite-od-dui-poddrzani-od-korumpiranata-makedonska-elita-sekoe-vtoro-dete-od-polog-se-ragja-vo-svajcarija.html
  1. https://racin.mk/vesti/foto-dimitrievski-od-znam-vo-zhelba-za-vlast-gi-razvea-verginite/
  1. Zagorka Golluboviq, UNË DHE TJETRI- Shqyrtime antropologjike rreth identitetit individual dhe kolektiv
  1. https://www.youtube.com/watch?v=4I-zDb91Z6E
  1. http://www.pollitecon.com/html/ebooks/risto-stefov/Balkanskiot-megaetnikum.pdf
  1. https://www.youtube.com/watch?v=IdJ9DxYASxg
  1. https://24.mk/details/mickoski-povikuvam-na-sredba-na-drzhavniot-vrv-izborite-se-logichno-reshenie-vo-me-uvreme-potrebni-se-itni-reformi

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut