Propaganda militante ruse i satanizon edhe Lojërat Olimpike

 

Shkruan: ZHARKO TRAJANOSKI

Propaganda militante ruse kundër Perëndimit dhe Lojërave Olimpike si një formë e “satanizmit” depërtoi në disa media maqedonase, si dhe në rrjetet sociale.

Sulmi mbi Lojërat Olimpike të Parisit me termat “satanizëm” dhe “satanike” është pjesë e propagandës armiqësore të Putinit kundër Perëndimit, veçanërisht pas agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës në vitin 2022. Propaganda militante ruse se Perëndimi ka rënë në “satanizëm” u bë edhe dogmë zyrtare e Kishës Ortodokse Ruse (KOR), e cila është kthyer në mjet ushtarako-propagandues i regjimit të Putinit. Edhe Lojërat Olimpike, Parisi, Franca dhe Perëndimi po bëhen sërish shënjestër e propagandës njollosëse ruse me dezinformata religjioze dhe manipulime mediatike.

Rusia dhe “lufta e shenjtë” e saj propagandistike kundër “satanizmit”

doktrinën zyrtare të KOR të vitit 2024, “operacioni special ushtarak” i Putinit është shpallur si “Luftë e Shenjtë”, në të cilën Rusia dhe populli i saj nuk përfaqësohen si agresorë që e sulmojnë dhe pushtojnë Ukrainën, por si mbrojtës të hapësirës së vetme shpirtërore të Rusisë së Shenjtë.

Rusia agresore, në propagandën ushtarako-kishtare, vetë-paraqitet si përmbushës i misionit të “katekonit” (“Uderzhivayuschego“), si mbrojtëse e botës nga presioni i globalizmit dhe nga fitorja e Perëndimit (i rënë në  “satanizëm”).

Narrativet propagandistike për Rusinë e Putinit (si një “katekon” ose “Romë e tretë”), e cila ka mision të parandalojë triumfin përfundimtar të së keqes dhe ardhjen e Antikrishtit, u përhapën dhe vazhdojnë të përhapen në forma të ndryshme, si në mediat në Ballkan, po ashtu edhe në ato maqedonase.

Dugin: Rusia është në luftë me Antikrishtin, “me Satanain, me Perëndimin, me Lojërat Olimpike”

Njëri nga ideologët e luftës “së shenjtë” kundër Perëndimit “satanik” është Aleksandër Dugini, i cili për vite me radhë propagandoi jo vetëm konceptin “Katehon“, por edhe konceptet “Roma e tretë” dhe “Euroazia”, si dhe “Bota Ruse”. Jo rastësisht në filmin propagandistik “Katekon: Rusia kundër Antikrishtit”, Alexander Dugini është folësi i parë që shpjegon kuptimet e shprehjeve “Bota ruse” dhe “Roma e tretë”. Në këtë film, Rusia paraqitet si perandoria pasardhëse e Bizantit (dhe Romës), si “Katekon” dhe shpëtimtare e botës në konfliktin me “Antikrishtin”.

Si para, ashtu edhe pas agresionit ushtarak të Rusisë kundër Ukrainës, imperialisti rus Dugin satanizoi në mënyrë eksplicite Ukrainën dhe Perëndimin, duke i njollosur edhe Shtetet e Bashkuara si “Antikrishti”. Dugin e justifikoi “operacionin special” të Putinit si betejë me “djallin”, si ndërprerje e lidhjeve me Perëndimin “djallëzor”, dhe si fillim të “betejës së fundit të dritës dhe errësirës, ne dhe ata, Euroazia dhe Atlantiku”.

Prandaj, ishte e pritshme që Dugin të sulmonte sa më ashpër hapjen e Lojërave Olimpike në Paris si një shprehje e “satanizmit” të Perëndimit – “Perëndimi është djalli” dhe OSU (“operacion special ushtarak”) është “luftë me Satanain, me Perëndimin, me Lojërat Olimpike”, ka shkruar Dugin. Duke vepruar kështu, ideologu militant i imperializmit rus jo vetëm që mallkoi Perëndimin, por bëri edhe thirrje për të rrokur armët për ta shkatërruar “këtë qytetërim satanik”. Këtu nuk bëhet fjalë vetëm për propagandë armiqësore të një profeti të vetmuar politik. Teza se Rusia është në luftë me Satanain është teza zyrtare e liderëve rusë (si Medvedevi), dhe akuzat e vazhdueshme për “satanizëm” janë pjesë e arsenalit ushtarako-propagandues të KOR dhe propagandistëve rusë në mjedise armiqësore ku ka popullsi të krishterë.

A mund të debatohet me një propagandë armiqësore që na kthen në mesjetë?

A duhet të “debatohet” në rrjetet sociale dhe në medie me persona që përhapin dezinformata të propagandës ruse dhe propaganda tjera antiperëndimore se Lojërat Olimpike janë formë e “satanizmit”?

A mund të debatohet me një propagandë armiqësore që përdor dezinformatat për të njollosur jo vetëm individë, sportistë dhe ngjarje sportive, por edhe kombe dhe qytetërime të tëra si “djallëzore” dhe “satanike”?

Nuk ka vend për kurrfarë debati konstruktiv, kur njëra palë përdor gjuhën e urrejtjes dhe strategji militante-propagandistike për të njollosur, demonizuar, satanizuar kundërshtarin, i cili tashmë është identifikuar si “armik ushtarak”.

Edhe gazetarët duhet të kenë aftësi dhe kapacitete për të njohur gjuhën e urrejtjes, dezinformimin dhe propagandën militante (në këtë rast, propagandën ruse që abuzon me ortodoksinë për qëllime ushtarako-politike), në vend që t’i shpërndajnë ato përmes mediave si “lajme të rrjeteve sociale”.

Gazetarët/et dhe mediat duhet të jenë të vetëdijshëm, jo vetëm për “satanizimin” si një teknikë propagande, por edhe si një fenomen historik – i cili shkaktoi shumë luftëra “të kryqëzatave”, por edhe persekutime kundër “heretikëve”, shkishërime, anatemime, tortura inkuizitore dhe djegie të “shtrigave” në një periudhë të errët historike.

 

(autori është drejtues i hulumtimeve në Institutin për Media dhe Analitikë IMA)