(ANALIZË) “Destabilizimi” – kërcënim real, profeci politike apo teori konspiracionit?

 

Shkruan: ZHARKO TRAJANOSKI

Agregatorët e lajmeve në gjuhën maqedonase kanë regjistruar disa qindra publikime vetëm në gusht, në të cilat gjendet shprehja “destabilizim”. Shumica e “lajmeve” nuk i referoheshin asaj ka ndodhur, apo asaj që po ndodh në të tashmen, por deklaratave të paverifikueshme politike për atë që mund të ndodhë në të ardhmen (në vjeshtë). Deklaratat politike për të ardhmen nuk përmbajnë informacione që mund të verifikohen ose vërtetohen. Prandaj, shkrimet e shumta gazetareske dhe analitike mbi temën e “destabilizimit” vështirë se mund të quhen “lajme aktuale”, por më tepër bien nën rubrikën “lajme nga e ardhmja”.

Megjithatë, mund të vërehen edhe raportime propagandistike të mediave se “destabilizimi” tashmë po ndodh dhe se bëhet fjalë për një “kërcënim real”. Mirëpo, burimet kryesore të “lajmeve nga e ardhmja” (kryeministri Mickoski dhe VMRO-DPMNE-ja) nuk i ofruan opinionit publik asnjë provë dhe fakte serioze për ekzistimin e planeve apo skenarëve konkretë për destabilizimin e shtetit, shkeljen e sovranitetit dhe integritetit territorial.

Prandaj, në mungesë të fakteve, çështja hipotetike e “destabilizimit”, me të cilën opinioni publik është preokupuar javën e fundit, mund të reduktohet në trilemën: a bëhet fjalë për një kërcënim real, për profeci politike, apo për një teori të konspiracionit për qëllime propagandistike? Me përhapjen e informacioneve të pavërtetuara dhe spekulimeve për dofarë “plane për destabilizim” (pa dëshmi të ekzistencës së tyre), të cilat nuk pasohen me veprime të duhura institucionale, ulet besimi tek institucionet shtetërore që duhet të kujdesen për sigurinë. Është detyrë e kryeministrit që me komunikimin e tij të forcojë besimin tek institucionet e shtetit dhe të sigurisë, e jo ta cenojë atë.

Kush e ngriti i pari temën për “destabilizimin” e qeverisë?

Tema e “destabilizimit” (të qeverisë) u lansua në fund të korrikut nga lideri i ZNAM-it, Maksim Dimitrievski, pas rishfaqjes së flamurit shqiptar, me përmasa të njëjta me flamurin maqedonas, në një takim koordinues të mbajtur në qeveri nga partnerët e koalicionit: “Kolegët e VLEN-it e kanë shumë gabim nëse mendojnë se me këto gjeste do të iniciojnë destabilizimin e Qeverisë ose daljen e ZNAM-it”, raportojnë disa media .

“VESTI PLUS” me Maksim Dimitrievskin më 31.07.2024 , Dimitrievski ka folur edhe për “marketing paszgjedhor” të VLEN-it, duke theksuar se veprimi i joligjor i VLEN-it me flamurin është “paligjshmëri”, ndërsa partnerëve të koalicionit u ka porositur se nëse ushtrojnë paligjshmëri “atëherë nuk e keni vendin në qeveri”.

Kush vazhdoi të fliste për “destabilizimin” e shtetit?

Më pas, tema e “destabilizimit” (të shtetit) u ngrit në media pas intervistës së kryeministrit Hristijan Mickoski për “Fokus”-in më 01.08.2024, si dhe në titullin e TV Sitell-it nga 04.08.2024: “Mickoski: Nuk do të lejojmë destabilizimin e shtetit”.

Ballina e “Fokus”-it më 01.08.2024

 

Është simptomatike që në titullin e TV Sitell-it shprehje qendrore është “destabilizimi”, gjë që nuk gjendet as në vetë artikullin, e as në deklaratën e cituar të kryeministrit Mickoski, ku përmendet “krizë” në lidhje me “integritetin dhe sovranitetin territorial”.

Fragment nga reportazhi në TV Sitell i datës 4 gusht 2024

Si u shndërrua “destabilizimi” në temë të ditës në media?

Tema e “destabilizimit” u bë temë mediatike më 05.08.2024, kur kryeministri Hristijan Mickoski, në një konferencë të përbashkët për media me kryeministrin e Republikës së Kosovës, Albin Kurti, si përgjigje ndaj pyetjes së një gazetari,  paraqiti “informacione” të pavërtetuara për “hapa në drejtim të destabilizimit të shtetit”, të ciliat gjoja do t’i ndërmarrë udhëheqësia e BDI-së në vjeshtë:

“…ne kemi informacione me të cilat disponojmë, që janë informacione të marra nga kanale të shumëfishta, se udhëheqësia e Bashkimit Demokratik për Integrim, kjo udhëheqësi e Bashkimit Demokratik për Integrim, në përpjekje për të mbrojtur kapitalin që ka krijuar 20, 22 vitet e fundit, do të ndërmarrin hapa në drejtim të destabilizimit të shtetit, që është shumë e rëndësishme për t’u përmendur, dhe ne si Qeveri kemi të drejtë të plotë të mbrojmë sovranitetin territorial, integritetin dhe paqen e qytetarëve. Ky është praktikisht qëllimi i një shteti”.

Mirëpo, vetë Mickoski bëri me dije se informatat e tij janë të pavërtetuara dhe se koha do të tregojë a do të vërtetohen ato informata apo jo: “Dhe presim që kjo të ndodhë këtë vjeshtë, në bazë të informacioneve që kemi. Të presim, koha do të japë një përgjigje nëse këto informacione do të vërtetohen apo informacionet nuk do të jenë të sakta”.

Edhe pse në deklaratën e kryeministrit nuk përdoret dhe theksohet termi “destabilizim”, por flitet për të, termi “destabilizim” u bë pjesë e pandashme e titujve kryesorë të mediave: Kemi informacione se BDI për ta mbrojtur kapitalin që ka grumbulluar do të shkaktojë destabilizim, thotë Mickoski; Mickoski paralajmëron destabilizim nga BDI – Ahmeti hesht ; Mickoski: Kemi informacione se BDI mund të ndërmarrë hapa për të destabilizuar shtetin këtë vjeshtë ; Mickoski pohon: BDI do të ndërmarrë hapa në drejtim të destabilizimit në vjeshtë ; Mickoski përsëriti: Kemi informacione se BDI po përgatit destabilizim këtë vjeshtë! , Mickoski: BDI-ja pritet të ndërmarrë hapa për destabilizimin e shtetit, por koha do të tregojë nëse informacionet janë të sakta apo jo

Dezinformatat mediatike – eksperte dhe teoritë e konspiracionit mbi temën e “destabilizimit”

Ndonëse kryeministri ka paraqitur “informacione” të pavërtetuara që i referohen së ardhmes, disa media kanë nisur të raportojnë për tentativa destabilizimi në kohën e tashme. Për shembull, në titullin e “Veçer”-t “Pas njoftimeve të BDI-së për destabilizimin, ekspertët komentojnë: Çdo thirrjeje për rrënim të rendit kushtetues duhet t’i përgjigjet në mënyrë adekuate” (05.08.2024), bëhen insinuata se BDI-ja veçmë ka paralajmëruar destabilizimin dhe se veçmë ka pasur “thirrje për rrëzimin e rendit kushtetues”. Në tekst është përcjellë një deklaratë e “Profesorit të Sigurisë dhe Prorektor për Mësimdhënie në Universitetin Evropian – Shkup, Aleksandar Nacev” (pa e theksuar lidhshmërinë e tij politike si zëdhënës i VMRO-DPMNE-së), në të cilën ai dezinformon se “Çfarëdo proteste është një kërcënim sigurie, ndaj së cilës duhet përgjigjur dhe trajtuar në mënyrë adekuate”. Mickoski më herët në një intervistë për “Fokus”-in nuk ka folur për “çfarëdo proteste”, por për protesta të dhunshme në të ardhmen: “Unë flas për protesta. Për sa kohë që ato janë demokratike dhe paqësore, ato janë legjitime. Nëse bëhen të dhunshme, atëherë, do të them sërish, ne si qeveri kemi të drejtë të mbrojmë integritetin territorial dhe sovranitetin e shtetit”.

Edhe servisi publik RTM në lajmet qendrore doli me “ Analizë: për tentativat për destabilizimin e shtetit ”, titull që sugjeron se ka tentativa specifike për destabilizim. Në raportin e RTM, analisti Risto Nikovski thotë se kryeministri Mickoski ka “absolutisht të drejtë”: “Mendoj se Mickoski ka absolutisht të drejtë. BDI po përgatit një lloj destabilizimi të shtetit…”. Në deklaratën e tij, Nikovski dezinformon se të folurit publikisht për një koncept të ri për riorganizimin kushtetues të shtetit është kërcënim për rendin kushtetues: “E para dhe më e rëndësishmja është se ata flasin publikisht për një lloj rikomponimi kushtetues të shtetit, ndonjë koncept të ri, që do të thotë se kërcënojnë rendin kushtetues të shtetit.” Përveç kësaj, Nikovski bën insinuata se bëhet fjalë për vepër penale të rrënimit të rendit kushtetues, për të cilin duhet të ketë përgjegjësi penale: “Çdo qeveri e përgjegjshme mbron rendin e saj kushtetues, dhe kushdo që shfaqet si shkatërrues i atij rendi kushtetues duhet të mbajë përgjegjësi penale”.

Kajron në RTM, 05.08.2024, “Analizë: mbi përpjekjet për të destabilizuar shtetin”

Ndonëse në kronikën e RTM-së të transmetuar pas orës 19:30 thuhet se “Për momentin nuk ka përgjigje nga BDI pas akuzave të rënda të kryeministrit Mickoski se integristët po përgatiten për trazira dhe destabilizim këtë vjeshtë”, në faqen e TV21 në  orën 19:00 është publikuar lajmi: “ BDI me përgjigje për Mickoskin: Jemi garantues i paqes, stabilitetit dhe të ardhmes evropiane të vendit ”, pas kumtesës së BDI-së që është publikuar në faqen e tyre në Fejsbuk në ora 18:47 .

BDI pohon se është garantues i paqes dhe stabilitetit dhe se do të ndërmarrë masa demokratike

Disa orë pas deklaratës së Mickoskit dhe thirrjeve mediatike ndaj BDI-së në temën e “destabilizimit”, pasoi edhe deklarata e BDI-së, në të cilën pohohet se është parti shtetformuese, garantuese e paqes, stabilitetit, mirëqenies dhe të ardhmes evropiane të shtetit, dhe se do të përdorë “të gjitha masat demokratike”. Kumtesa e BDI-së u transmetua nga disa media në gjuhën maqedonase dhe nga televizioni Kanal 5 si demant me titullin ” BDI demanton se do të bëjë destabilizim, qenkan qenë parti shtetformuese “.

Filipçe: Nëse Mickovski ka informacione për destabilizim, le t’ua dorëzojë institucioneve kompetente

Po të njëjtën mbrëmje, më 5.08.2024, më tepër media e shpërndanë edhe statusin e liderit të LSDM-së, Venko Filipçe, me mesazhin se Në qoftë se Mickovski posedon informacione për destabilizim, le t’ua dorëzojë institucioneve kompetente.

Në reagimin e tij, Filipçe thekson se “Informacionet për destabilizimin që kryeministri i ka publikuar dy ditë me radhë shkaktojnë trazira te qytetarët dhe është përgjegjësi e tij personale të parandalojë një situatë të tillë”.

Përleshje partiake dhe analitike për temën e “destabilizimit”

Më 6.08.2024 u publikuan qindra lajme dhe analiza mbi temën e “destabilizimit” nga burime të ndryshme. Para së gjithash, se “VMRO-DPMNE” në pushtet i thirri “LSDM-në dhe BDI-në” të tregojnë se “cili është plani për destabilizimin ”, pa dhënë asnjë dëshmi për ekzistimin e një plani të tillë. Nga ana e LSDM-së, apeluan që Prokuroria të thërrasë Mickoskin në dëgjim për informacionet për destabilizim , duke kërkuar që “Siljanovska Davkova ta thërrasë Këshillin e Sigurimit nëse është formuar fare”. Beteja mediatike me njoftimet rreth destabilizimit të pretenduar u thellua pasi mediat raportuan deklaratën e deputetit të “VLEN-it”, Sali, se VLEN-i nuk ka informacione për planin për destabilizim të BDI-së . Megjithatë, të njëjtën ditë, VLEN-i në një deklaratë të veçantë akuzoi BDI-në për një përpjekje të ardhshme për destabilizim: “BDI do të tentojë, por kapaciteti i tyre për destabilizim është i dobët.”

Përveç burimeve partiake, mediat e forconin temën e “destabilizimit” edhe me deklarata nga më shumë analistë dhe gazetarë. Për shembull, në analizën Ku po shkon Mickoski dhe ku po na çon Mickoski , Eroll Rizaov pohon se “Tentimi i fundit për të mbuluar veprimet katastrofale në varg të qeverisë, teksa vendi po digjet nga zjarret për një muaj të tërë është se BDI po përgatit destabilizimin e Maqedonisë dhe cenimin e integritetit territorial”. Rizaov sugjeron se arsyet për destabilizimin e mundshëm të shtetit duhet të kërkohen në shtyrjen e negociatave me BE-në, që është “një gjë shumë e rrezikshme dhe e shtrenjtë që e bën të pasigurtë të ardhmen e Maqedonisë”. Në artikullin “Geroski: Kryeministri nuk bën deklarata të kota, me sa duket ka informacion nga shërbimet e inteligjencës ”, potencohet deklarata e një “gazetari” i cili pa prova dhe argumente paraqet një profeci politike se “BDI mund të tentojë të mobilizojë anëtarësinë, por nuk mund të bëjë shumë për të destabilizuar shtetin”.

Presidentja nuk planifikon të mbledhë Këshillin e Sigurimit, edhe pse MPB-ja po vepron pas indikacioneve për “destabilizimin e shtetit”

Duke u thirrur në “opinionin publik të shqetësuar”, një pjesë e mediave kërkuan menjëherë më shumë përgjigje nga institucionet kompetente, për shembull, si në shkrimin “Partitë po ziejnë për destabilizimin e mundshëm, kurse autoritetet po flenë” . “360 Gradë” njoftoi se në zyrën e Presidentes së Shtetit i kanë dërguar këto pyetje: “A e ka në plan kryetarja e shtetit Gordana Siljanovska-Davkova të thërrasë Këshillin e Sigurimit lidhur me këtë informacion? A i posedon edhe kabineti i presidentes këto informacione?”, dhe se nga kabineti kanë marrë një përgjigje shumë të shkurtër: “Të dashur miq, përgjigjja në pyetjen tuaj është: jo.” ( Siljanovska-Davkova nuk do ta thërrasë Këshillin e Sigurimit përkundër njohurive të Mickoskit për destabilizimin e mundshëm të shtetit). Përgjigjen e njëjtë ndaj pyetjes “a do ta thërrasë Siljanovska-Davkova Këshillin e Sigurimit pas indikacioneve të kryeministrit?” e botoi edhe TV24 .

Prapëseprapë, TV Sitell raportoi se MPB-ja po vepron pas indikacioneve se po përgatitet destabilizim i shtetit , ndërsa, pas daljes së ministrit Toshkovski në “Vesti Plus” në TV Kanal 5, më tepër media e transmetuan pretendimin e tij “Është e saktë se ekzistojnë informacione që janë në drejtim të asaj që thotë kryeministri” ( Edhe Toshkovski pretendon se BDI po përgatit destabilizimin e shtetit – nuk zbulon detaje ).

Kush duhet të verifikojë informacionin për “kërcënimet për destabilizim”?

“Destabilizimi” ishte një nga temat kryesore të mediave edhe më 07.08.2024, siç dëshmojnë titujt “Destabilizimi tani për tani ekziston vetëm në deklaratat e Mickoskit dhe Toshkovskit” , “Destabilizim apo teatër?”, “Destabilizim nga BDI apo defokusim i VMRO-DPMNE-së ”.

Nga ana tjetër, disa “ekspertë” të sigurisë fituan hapësirë në mediat nacionale (puna kryesore e të cilëve është verifikimi i informacionit), për të bindur opinionin publik se informacioni për “kërcënimet për destabilizim” ishte informacion i “verifikuar”, sepse kryeministri “E ka marrë nga disa shërbime” (Haxhi-Janev: Kërcënimet për destabilizim duhet të merren seriozisht ). Por, janë mu gazetarët që kanë rregull në kodeksin etik për të mos publikuar informacione të paverifikuara, ndërsa detyrimi për të “kontrolluar faktet” vlen si për pretendimet e kryeministrit, ashtu edhe për pretendimet e ekspertëve që nuk duhen marrë pa rezervë.

BDI vazhdoi të pohojë publikisht se bëhet fjalë për “propagandë dhe akuza të rreme”, se “nuk përjashtohet mundësia e protestave në vjeshtë, por në kuadër të mekanizmave demokratikë që janë në dispozicion “, dhe se ” edhe protestat janë mënyrë demokratike e shprehjes së vullnetit politik”.

Në të njëjtën kohë, mediat vazhduan të shpërndajnë mesazhe njollosëse politiko-propaganduese nga VMRO-DPMNE kundër BDI-së: Derisa BDI është në mbledhje, VMRO-DPMNE thotë se nuk do të lejojnë një bandë kriminale të rrëmbejë shtetin ; VMRO-DPMNE: BDI aktualisht është peng i një grupi të vogël banditësh në krye të saj.

Narrativet propagandistike të VMRO-DPMNE-së: Para zgjedhjeve “BDI-zim”, pas zgjedhjeve “destabilizim”, e ku është “reagimi institucional”?

Edhe në ditët në vijim, disa media luajtën rolin e shërbimit propagandistik të VMRO-DPMNE-së në fushatën njollosëse kundër BDI-së dhe LSDM-së, në të cilën përmendej një “plan” apo “skenar” për “destabilizim”, pa dhënë ndonjë dëshmi konkrete për ekzistencën e një plani apo skenari të tillë.

Disa kritikues kanë vënë në dukje mungesën e një reagimi adekuat institucional pas “komplotit për destabilizimin e sigurisë së shtetit”: “Kur kryeministri dhe ministri i Brendshëm ju pohojnë se ka një komplot për të destabilizuar sigurinë e shtetit, ju prisni një reagim institucional , e jo përhapje të frikës nga foltorja dhe para kamerave” (Xhabir Deralla); “Si qytetar, nuk pres që një kryeministër të më thotë në televizion se ka indicie se dikush dëshiron të destabilizojë vendin, madje të më lajmërojë se ai destabilizim do të ndodhë në vjeshtë. Nga kryeministri pres që të më thotë se çfarë kanë ndërmarrë autoritetet shtetërore .” (Goran Mihajllovski); “ Çfarë po bëjnë institucionet për t’iu përgjigjur seriozisht këtyre kërcënimeve, nëse ato kërcënime ekzistojnë?… Nëse situata është kaq e rëndë, pse i duhet kryeministrit të shkojë në pushime?” (Petrit Saraçini).

Ndërsa ish-ministri i Punëve të Brendshme, Oliver Spasovski, apeloi që “institucionet të marrin masa nëse vërtet ka indikacione për destabilizimin e shtetit”.

Në vend të një reagimi institucional për “kërcënimet nga destabilizimi”, pasuan mesazhe propagandistike-partiake se “destabilizimi është parandaluar”. Të njëjtën ditë, më 10.08.2024, disa media e kanë theksuar në titull deklaratën e Mickoskit “Po e stabilizojmë shtetin”, që nga ana tjetër lë të kuptohet se edhe tani shteti ynë nuk është i stabilizuar.

Kërcënim real i destabilizimit, teori konspirative apo profeci e “fallxhores” së VMRO-DPMNE-së?

Në mungesë të fakteve, çështja e “destabilizimit”, me të cilën është preokupuar opinioni publik javën e fundit, është një pyetje hipotetike që mund të reduktohet në trilemë: a bëhet fjalë për një kërcënim real nga destabilizimi, një teori e konspiracionit për qëllime propagandistike, apo VMRO-DPMNE-ja sërish angazhoi “fallxhorin e Gruevskit” për të parashikuar të ardhmen?

Mungesa e reagimit të duhur institucional, 10 ditë pasi kryeministri Mickoski paralajmëroi publikisht më 1 gusht për një konflikt të mundshëm dhe rrezik për integritetin territorial, së bashku me praninë e shtuar të propagandës njollosëse partiake nga VMRO-DPMNE, janë tregues që çojnë në përfundimin: Edhe nëse ka ndonjë kërcënim real për destabilizim, atëherë nuk ka asnjë reagim real institucional, por vetëm një fushatë propagandistike partiake.

Për rikujtim, si vend kemi një përvojë shumë të keqe me zhvillimin e fushatave të ngjashme negative nga VMRO-DPMNE qeverisëse në periudhën 2015-2017, kur paralelisht me propagandën ruse përhapte teori të konspiracionit për destabilizim të Maqedonisë me një “luftë të dytë hibride”, me “skenar ukrainas”, me  “skenar për destabilizimin e shtetit dhe grusht-shtet në vend“, me ndonjëfarë “revolucioni me ngjyra” apo “sorosoid”. Përkundër propagandës ruse për ndonjëfarë “skenari ukrainas” të dhunshëm, dhuna si metodë u përdor nga protestuesit pro-qeveritar më 27 prill 2017 për të parandaluar ndryshim demokratik të pushtetit nga shumica e sapoformuar parlamentare.

Pikërisht për këtë, edhe analizat propaganduese të tashme që  “Edhe Ahmeti do të tentojë të bëjë një revolucion laraman“, kujton një periudhë propagande, kur pushteti përpiqej të delegjitimojë dhe diskreditojë protestat e opozitës si të dhunshme (si “skenar ukrainas” ose “revolucion të ngjyrosur”), para se të ndodhnin të njëjtat. Fushatat njollosëse partiake, në të cilat njihen synime për të diskredituar çdo protestë opozitare të ardhshme si të dhunshme dhe destabilizuese, kujtojnë kohën kur Gruevski drejtonte fushata të zeza kundër “federalizimit” dhe “kantonizimit”, dhe ishte i ndikuar nga fallxhorja e tij.

E gjithë kjo situatë kaotike me “kërcënimet për destabilizim” është rezultat i komunikimit joadekuat të kryeministrit me opinionin publik për një temë të interesit të lartë kombëtar siç është siguria, duke ndarë informacione të pavërtetuara. Është tejet joserioze që kryeministri të shpërndajë publikisht informacione sigurie, të cilat nuk janë vërtetuar dhe as nuk mund të vërtetohen, sepse kanë të bëjnë me të ardhmen. Kryeministri nuk duhet të ndajë publikisht këtë lloj informacionesh, sepse kështu shndërrohet në burim të spekulimeve, teorive të konspiracionit, por edhe i dezinformatave.

Një qasje e tillë joserioze në komunikimet qeveritare për temën e “destabilizimit të shtetit” shkakton dëme serioze, si për sigurinë kombëtare, ashtu edhe për institucionet shtetërore. Me përhapjen e informacioneve të pavërtetuara dhe spekulimeve për dofarë “planesh për destabilizim” (pa dëshmi për ekzistencën e tyre), të cilat nuk pasohen me veprime të duhura institucionale, ulet besimi tek institucionet shtetërore që duhet të kujdesen për sigurinë e shtetit dhe qytetarëve të tij. Është detyrë e kryeministrit që me komunikimin e tij të forcojë besimin tek institucionet e shtetit dhe të sigurisë, e jo ta cenojë atë.

(autori është drejtues i hulumtimeve në Institutin për Media dhe Analitikë – IMA)