Si raportuan mediat në gjuhën shqipe për “propozimin francez”?

Shkruan: SEFER TAHIRI

Mediat në gjuhën shqipe kishin raportim kryesisht afirmativ mbi “propozimin francez” për kornizën negociuese të BE-së për fillimin e negociatave për antarësim të Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian. Mirëpo, kishte raste të raportimit sensacionalist, si dhe raste të dezinformimit. Gjatë protestave të organizuara nga opozita maqedonase, mediat në gjuhën shqipe u fokusuan në antishqiptarizmin e tyre dhe vunë theksin mbi nxitjen e urrejtjes ndëretnike që u shfaq në këto protesta.

Raportim afirmativ mbi propozimin francez në mediat në gjuhën shqipe

Pas viteve 90-ta, kur filloi pluralizmi demokratik në vend, diskursi politik është dominuar nga frazeologjia integruese. Që nga partia e parë e shqiptarëve, Partia e Prosperiteti Demokratik e deri më sot, në debatin politik, krahas çështjeve që kanë të bëjnë me statusin juridik – kushtetues të shqiptarëve, vëmendje e intensitetit të lartë i është kushtuar procesit të aderimit të Maqedonisë (më pas Maqedonia e Veriut) në Bashkimin Evropian.

Duke pasur parasysh se politika në vendin tonë në masë të madhe modelon agjendën publike dhe mediatike, diskursi politik evroatlantik ka ndikuar edhe ndaj atij mediatik.

Një analizë sipërfaqësore mbi diskursin mediatik të 32 viteve të kaluara tregon qartë se qasja e mediave shqiptare ndaj integrimit euroatlantik, ka qenë ekskluzivisht pozitive. Kjo do të thotë se kritikat ndaj integrimit janë prezantuar vetëm si informacione ditore. Politikanëve, ekspertëve apo opinionistëve që kanë kritikuar integrimin në BE, duke mos e parë si alternativë të vetme, u është dhënë hapësirë minimale në debatet politike, përkatësisht ka ndodhur rrallë, vetëm sa për të plotësuar njërin nga standardet themelore gazetareske, që është balancimi (baraspeshimi) në raportim, por edhe në zhanret tjera gazetareske, përfshirë edhe ato programore – televizive, si intervista, debati e formate tjera.

Mediat në gjuhën shqipe, politika, por edhe mendimi shkencor, sikur kanë ndjekur filozofinë e rilindësve shqiptarë, të cilët moti kanë thënë se “Dielli për shqiptarët lind në Perëndim”.

Kjo linjë editoriale është ndjekur edhe gjatë raportimit dhe debatimit mbi Propozimin francez për zgjidhjen e kontesteve mes Shkupit dhe Sofjes.

Në këtë drejtim, hapësirën informative në gjuhën shqipe në Maqedoninë e Veriut, por edhe atë rajonale, e kanë dominuar raportime me konotacione pozitive mbi “propozimin francez” , ndërsa kritikëve të tij u është dhënë hapësirë e paktë dhe, këtu, kemi parasysh qëndrimet zyrtare të partisë opozitare VMRO – DPMNE. Shumë më pak hapësirë i është dhënë partisë “E Majta” (Levica), për shkak të qëndrimeve të saj të vazhdueshme antishqiptare dhe kundër Kosovës, por edhe për shkak të qëndrimeve të saj konstante anti – evropiane dhe anti – NATO.

Media e njëzëshme: Propozimi francez është i mirë

Në mediat në gjuhën shqipe u është dhënë hapësirë e konsiderueshme deklaratave dhe qëndrimeve të zyrtarëve shtetërorë mbi “propozimin francez” për kornizën e negociatave mes Maqedonisë së Veriut dhe Bashkimit Evropian, në të cilin përfshihen edhe çështjet kontestuese mes Shkupit dhe Sofjes.

Mediat në gjuhën shqipe i kanë dhënë rëndësi të madhe deklaratës së kryeministrit të vendit, Dimitar Kovaçevski, por edhe deklaratave të ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, presidentit të vendit, Stevo Pendarovski e zyrtarëve, por edhe politikanëve rajonal e diplomatëve, të cilët shpreheshin me intonacion pozitiv mbi propozimin.

Disa shembuj të raportimit mbi pozicionet politike në Maqedoninë e Veriut ndaj Propozimit francez:

  •             Propozimi francez, Kovaçevski: Bazë solide për pozicion shtetëror (TV Alsat, 01.07.2022).
  •             Osmani: Propozimi i ri francez është i mirë, mundësi e fundit që ta kapim trenin për në BE (TV 21, 02.07.2022).
  •             Propozimi i modifikuar francez është shumë më i mirë se i kaluari, vlerësoi Pendarovski (Portalb, 30.07.2022)
  •             Zaev: Propozimi francez mbase nuk është më i miri, por është bazë e mirë për fillimin e negociatave (TV Shenja, 05.07.2022)
  •             Ali Ahmeti: Propozimi francez nuk cënon gjuhën maqedonase (TV Alsat, 14.07.2022)
  •             Sela: Propozimi i Francës për zgjidhjen e problemeve me Bullgarinë të merret me seriozitet (30.06.2022)

Analiza tekstuale e titujve të lartshënuar tregon se mediat në gjuhën shqipe kanë përzgjedhur gjykime vlerësuese afirmative mbi propozimin, pasi në to dominon narrativi se i njëjti është kompromis. Madje, përveç tonalitetit kompromisues që e ndjek politikën editoriale të mediave shqipe, është vërejtur një lloj tendence e prezantimit të propozimit si i pa alternativë (mundësi e fundit që ta kapim trenin për në BE). Në anën tjetër, duke pasur parasysh sensibilitetin që ka brenda vetes “propozimi francez”, kanë shfaqur raportime të matura, që janë në linjën e moscenimit të identitetit etnokulturor të popullit maqedonas (propozimi francez nuk cenon gjuhën maqedonase).

Mediat në gjuhën shqipe nuk i kanë lënë pa prezantuar edhe qëndrimet e opozitës maqedonase, sado që në nivel sasior, krahasuar me deklarimet afirmative të pushtetit, janë më të pakta. Kjo ka ndodhur për shkak të politikës editoriale të mediave, por edhe për shkak të dinamikës së zhvillimeve politike, në të cilat pushteti ishte tepër aktiv.

Ja disa shembuj:

  •             Mickovski: Jo propozimit francez, nesër të dalim të gjithë në protesta (Klan Maqedoni, 01.07.2022)
  •             VMRO-DPMNE në protestë, Mickovski: Jo në Evropë të asimiluar (Flaka, 02.07.2022)
  •             Propozimi francez: Apasievi paralajmëron radikalizimin e protestave (Klan Maqedoni, 04.07.2022).

Media në gjuhën shqipe i ka dhënë hapësirë edhe një qëndrimi të liderit të opozitës maqedonase, i cili kundërshton në formë të pyetjes deklarimin e kryeministrit shqiptar, Edi Rama (Mickoski: Nga e di Edi Rama se propozimi francez është i mirë?!, portali Flaka, 30.06.2022) se propozimi francez është në të mirën e maqedonasve dhe shqiptarëve të Maqedonisë së Veriut. Rama në Twitter kishte shkruar: “Propozimi i fundit francez, i cili është edhe përfundimtari, i jep Maqedonisë së Veriut mundësinë e një pranimi pa rezervë dhe hap rrugën e nisjes zyrtare të negociatave për anëtarësimin e të dy vendeve në Bashkimin Evropian! Vëllezërve maqedonas & shqiptarë në MV u them: Pranojeni!”. (Edi Rama ka një kërkesë për shqiptarët dhe maqedonasit e Maqedonisë së Veriut, Portalb, 30.06.2022).

Mediat në shqip, një hapësirë të konsiderueshme i kanë dhënë edhe thirrjes së president serb, Aleksandar Vuçiq, që qytetarët e vendit tonë të mos refuzojnë propozimin evropian pa menduar mirë, që kishte tendencë të zbusë pezmin e madh të krijuar ndaj këtij propozimi në qarqe të ndryshme, jo vetëm të së djathtës etnocentrike, por edhe në mesin e atyre që gjithë këto vite shquhen si njerëz që promovojnë vlera evroatlantike. (Propozimi francez: Vuçiq ka një apel për maqedonasit, TV Alsat, 07.07.2022).

Përgënjeshtrimi i dezinformacionit të papublikuar

Më 8 korrik të këtij viti në mediat maqedonase, të cilat kanë politikë editoriale pro – opozitare ose nëse nuk janë të tilla kanë qëndrime antiqeveritare, rrufeshëm u shpërnda deklarata e analistes çeke, Jana Juzova. Sipas asaj që ajo gjoja kishte dëgjuar nga MPJ-ja çeke “Ata janë shumë të shqetësuar me Francën dhe Bullgarinë, ndërsa shkaku është që për propozimin nuk ishin konsultuar vendet tjera anëtare, por vetëm Bullgaria”. Këto deklarata Juzova, i bëri në debatin e organizuar nga Instituti i Poliikave Evropiane, që është shumë kritik ndaj Propozimit francez, ndërsa tema e tij ishte “Ballkani Perëndimor dhe BE-ja në vitin 2022: çfarë na pret?” Kjo deklaratë madje zuri vend edhe në disa media me reputacion ndërkombëtar  në gjuhën maqedonase (Dojçe Vele, 08.07.2022).

Mediat në gjuhën shqipe, edhe pse nuk e kishin transmetuar qëndrimin e analistes Juzova, i kushtuan hapësirë të madhe qëndrimit të ambasadorit çek në Maqedoninë e Veriut, Jarosllav Ludva, i cili në fakt ishte reagim ndaj qëndrimit të analistes. (Ludva: Jemi të gatshëm për zbatim pa probleme të propozimit francez sapo ta miratojë Shkupi, Telegrafi, 10.07.2022). Ngjashëm si Telegrafi kanë raportuar edhe mediat tjera, të cilat e citonin ambasadorin çek, i cili thoshte se shteti i tij, si kryesues aktual me Këshillin e Bashkimit Evropian është i gatshëm të kontribuojë për zbatim pa probleme të propozimit francez.

Ndërkohë, disa media shqiptare, edhe pse pak në numër, pavarësisht politikës së tyre editoriale prointegruese, i kanë dhënë hapësirë analizës së profesorit të politikës dhe historisë së Evropës Juglindore në Universitetin e Gracit, Florian Bieber të publikuar në Twitter. Në shtatë pika ka shpjeguar se pse sipas tij propozimi francez për fillimin e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian është “fatkeqësi për zgjerimin” e BE-së dhe nuk është i mirë për vendin. Një pjesë e mediave, në mënyrë jokritike, por vetëm transmetuese kanë raportuar mbi qëndrimet e Biberit, të cilat natyrisht se janë individuale, por të njëjtat nuk argumentohen me teza konkrete, përfshirë edhe atë se kjo do të shpie drejt siç e quan ai “varrosjes së procesit të zgjerimit“. (Lajm, 06.07.2022, Telegrami, 06.07.2022, Telegrafi, 06.07.2022).

Raportim sensacionalist i pikëpamjes së analistes 

Një deklaratë tjetër e një analisteje poashtu ka nxjerrë në pah tendencën e një pjese të mediave, kryesisht në sferën onlajn, që për klikime përdorimin metoda të raportimit sensacionalist, madje edhe kur janë në pyetje çështjet (ndër) etnike, që në Ballkan janë shumë të ndjeshme.

Mediat në gjuhën shqipe transmetojnë deklaratën e analistes bullgare, Zorica Ilieva, e cila për TV bullgar Pogled ka deklaruar se Maqedonia e Veriut do të federalizohet. Mediat shqipe në datën 9 korrik (portali Ina- online, portali Zhurnal, portali Medial, portali Lajme.mk), kanë transmetuar deklaratën e Ilievës, e publikuar së pari në portalin në gjuhën maqedonse Expres.mk, por pa i bërë interpretim analitik qëndrimeve të saj. Për shembull nuk u përgënjeshtrua qëndrimi se në rajonin e Tetovës dhe Maqedonisë Perëndimore, nuk jetojnë më ortodoksë! Regjistrimi i fundit i popullsisë, por edhe vetë realiteti shoqëror dëshmon se jo vetëm në Tetovë, por edhe në mbarë perëndimin e vendit jetojnë maqedonas – ortodoksë. Një deklaratë tjetër e saj, e cila është e pavërtetë dhe dezinformon publikun është se Universiteti i Tetovës është vetëm në gjuhën shqipe. E vërteta është se në Fakultetin e Filologjisë së këtij universiteti mund të studiohet edhe gjuha maqedonase. Poashtu, media ndër vite, ka raportuar se nuk është i paktë numri i atyre me përkatësi maqedonase, të cilat kanë studiuar në Universitetin e Tetovës!

Prandaj, është me rëndësi që kur transmetohen deklarata sensitive, përkatësisht që kanë konotacione sensacionale, mediat duhet të jenë të kujdesshme. Тë njëjtat jo vetëm që i shtrembërojnë faktet, por mund të shkaktojnë tendosje të marrëdhënieve edhe ashtu të brishta ndëretnike.

Raportimi i protestave, theksi tek antishqiptarizmi

Në protestat e opozitës kundër “propozimit francez” që ndodhën gjatë muajit korrik, ka pasur edhe brohoritje të shumta që kanë paragjykuar dhe stereotipizuar shqiptarët. Мediat në gjuhën shqipe gjithmonë në titujt kryesore apo në ballinat e portaleve kanë raportuar mbi brohoritjet si “Shqiptarët e mallkuar” (video në kanalin zyrtar të TV Klan Maqedoni, 12.07.2022).

Edhe rreth incidentit që ndodhi më 6 korrik, në të cilin ndodhi përplasje mes një pjese të protestuesve kundër “propozimit francez” dhe një grupi të shqiptarëve tek sheshi Skënderbeu në Çarshinë e Vjetër në Shkup, kishte raportime që dallonin varësisht nga gjuha e përdorur. Në mediat shqiptare, personi që gjuajti me armë, Isuf Koka, u prezantua si njeri që këtë veprim e bëri në mbrojtje të pronës së tij. Titulli i portalit news 33 “Qëlloi me armë në ajër për të mbrojtur pronën nga protestuesit, arrestohet Isuf Koka” e reflekton më së afërmi linjën e përgjithshme të politikës editoriale gjatë raportimit mbi këtë incident.

Në disa media tjera, madje pati edhe raportime me motive etno – folklorike, pasi në to thuhej se Koka, i njohur në opinion si Cufi, me armë e ka mbrojtur statujën e Skënderbeut (portali Faxweb, 08.07.2022). Ndërsa në asnjë rast nuk ka pasur intonacion raportues që dënon përdorimin e armës, pavarësisht fakteve që u dëshmuan më vonë gjatë ekspertizës, mes tjerash se njëri prej të akuzuarve ka përdorur edhe armë që nuk është e zjarrit.

Përfundime të shkurtëra

Në përfundim lirisht mund të konstatojmë se në mediat në gjuhën shqipe ka dominuar politika editoriale që favorizon procesin e integrimit në Bashkimin Evropian, duke e parë madje si alternative të vetme për të ardhmen e qytetarëve të Maqedonisë së Veriut. Kjo do të thotë se nuk ekzistojnë media, në të cilat mund të lexohen përmbajtje kundër vlerave evropiane, përkatësisht që në masë të madhe u japin hapësirë zërave antiperëndimorë.

Në anën tjetër, për tu vlerësuar është raportimi dhe qasja konstruktive mbi çështjet e ndjeshme identitare në raport me shtetin fqinj – Bullgarinë.

Në kontekst të protestave, për shkak se shqiptarët janë grupi targetues i publikut, mediat shqipe theksin e vënë mbi shprehjen e pakënaqësive ndaj propozimit francez, duke përdorur narrativin maqedonasocentrik, i cili ka qenë dhe fatkeqësisht vazhdon të jetë antishqiptar .

(Autori është profesor univerziteti në lëminë e gazetarisë dhe komunikimeve publike)