Të selektohen mediat profesionale onlajn nga të papërgjegjshmet

Shkruan: Sefer TAHIRI

Publiku “onlajn” informohet 24 orë

Mediat onlajn në tërë globin, por edhe në Maqedoninë e Veriut po zhvillohen me shpejtësi të madhe, proces ky që i atribuohet zhvillimit të hovshëm teknologjik dhe faktit që publiku tashmë ka ndryshuar preferencat në ndjekjen e lajmit. Publiku i sotëm është onlajn, që do të thotë se ai është i “uritur” për informacione brenda 24 orëve.

Si thekson profesorja e Fakulteti Juridik  në Universitetin e Shkupit, Jasna Baçovksa në studimin e saj me titull “Përforcimi i standardeve profesionale ose erozioni i lirisë së fjalës: Rregullimi i mediave onlajn në Maqedoni”, i publikuar nga Instituti i Studimeve të Komunikimit dhe Shkolla e Lartë për Gazetari, Shkup në vitin 2017 “Bëhet fjalë për mediat, të cilat si forma plotësisht të reja i mundësoi interneti, pasi deri në paraqitjen e internetit nuk kanë ekzistuar. Pikërisht këto media si edhe rrjetet sociale (Fejsbuk, Tuiter) dhe aplikacionet ueb 2.0, blogjet dhe google e ndryshuan industrinë e lajmeve dhe gazetarinë. Ata në të njëjtën kohë ofrojnë mundësi të shkëlqyera, por edhe sfida dhe probleme. Për dallim nga mediat tradicionale të cilat kanë adresë, kryeredaktor, redaksi dhe botues, tek mediat onlajn autorët e përmbajtjeve nëse duan mbeten anonimë dhe i fshehin gjurmët elektronike. Prandaj redaksia konsiderohet si një element, karakteristik i mediave tradicionale“.

Në epokën e globalizimit dhe shoqërisë informative – komunikative ndodh prodhim enorm i lajmeve dhe përmbajtjeve tjera informative në zhanre të ndryshme, ndërsa po bëhet gjithnjë e më masive dukuria e publikimit të “lajmeve të rreme”, që bazohen tek spekulimet dhe thashethemet, e jo tek verifikimi dhe saktësia.

Media onlajn duhet t’i shërbejë interesit publik dhe jo interesimit të publikut, i cili dallon nga interesi parësor publik. Pra, ajo që i intereson publikut nuk do të thotë se është çdoherë interes publik. Interesi publik nuk janë ngjarjet dhe çështjet, për të cilat është i interesuar publiku, ajo që dëshiron të dijë publiku dhe nuk do të thotë plotësim i kureshtjes së tij, e as që mund të arsyetohet si kriter moral për ndonjë sjellje skandaloze.

Gazetaria profesionale është e goditur çdo ditë e më shumë nga individë apo grupe, të cilat interes parësor kanë përfitimet materiale, përmes klikimeve, e jo funksionimin e mediave në bazë të interesit publik.

Edhe pse me standardet ndërkombëtare, të cilat deklarativisht i mbështesin mediat e vendit, por edhe me legjislacionin vendor dhe standardet që i përcakton Kodi Etik i Gazetarëve parashikohet pluralizmi mediatik, por edhe pluralizmi i mendimeve, ideve, pikëpamjeve dhe qëndrimeve politike dhe të grupeve tjera shoqërore, praktika dëshmon se ka ndodhur e kundërta.

Praktika dëshmon se pluralizmi dhe demokratizimi i sferës mediatike janë zëvendësuar me partizimin dhe politizimin, por edhe klientelizmin e mediave. Dukuritë e këtilla deri në vitin 2010 kanë qenë të shprehura në mediat tradicionale (shtyp, radio dhe televizion), ndërsa më vonë, pas dekadës së parë të mileniumit të ri, janë shprehur, madje në mënyrë shumë të hapur, në mediat onlajn ose në portale, emërtim popullarizues me të cilin njihen në Ballkan. Në fakt termi portal përdoret gabimisht, pasi portal i internetit është platformë në ueb, në të cilën agregohen përmbajtjet e mediave tjera onlajn. Ne gjithashtu e përdorim në kontekstin e përdorimit në komunikimin publik.

Në mediat e vendit, sidomos në ato onlajn, gati se është e pamundur të flitet për pavarësi të politikës editoriale, kur dihet se shumica e tyre nuk janë në shërbim të opinionit publik, përkatësisht interesit publik. Edhe pse tingëllon si shume kritik, nuk është konstatim i tepruar nëse themi që në një ambient të këtillë politik, ekonomik dhe shoqëror, me një nivel jo të kënaqshëm të zhvillimit të demokracisë dhe lirisë së medias, në disa media onlajn mbretëron censura, e cila manifestohet në  mënyrë të hapur, ndërsa shpesh është latente dhe e fshehur.

Duhet theksuar se në hapësirën informative ekzistojnë portale, të cilat punojnë profesionalisht dhe në mënyrë etike dhe të cilat janë në shërbim të publikut, duke promovuar dhe punuar në interes publik, kanë strukturë transparente pronësore dhe redaksionale dhe tentojnë të punojnë në mënyrë konkurrente në tregun mediatik.

Në anën tjetër, kemi media që as atributin “media” nuk e meritojnë, por më shumë janë vetëm kanale për përcjelljen e gjysmë-informacioneve, spekulimeve, gënjeshtrave dhe lajmit të rremë. Së këndejmi, kemi ulje drastike të standardeve profesionale gazetareske dhe etike, të cilat, nëse shprehemi figurativisht, në disa momente shkelen me të dy këmbët.

Media onlajn – me shumë “mangësi”

Duke ditur relacionet midis pronarëve të disa mediave onlajn me ata që janë pjesë e establishmentit politik dhe oligarkisë së biznesit, shumë gazetarë dhe redaktorë zbatojnë autocensurën, e cila është shumë e pranishme në mediat e vendit. Gazetarët janë të ndarë politikisht, meqë linjat editoriale janë të polarizuara mbi bazën e preferencave dhe favorizimeve.

Nuk mund të flasim për profesionalizëm dhe kompetencë, kur dihet se në pozicionet më të rëndësishme editoriale të mediave onlajn emërohen të dëgjueshëm luajalë, që brengosen për përmbushjen e interesave të pronarëve mediatik, politikanëve dhe reklamuesve.

Shumica e të “punësuarve” në mediat onlajn janë njerëz që nuk kanë përgatitjen e nevojshme arsimore, që nuk kanë kryer gazetarinë ose komunikimin. Disa punonjës mediatik nuk janë në hap me kohën dhe me trendet globale, të cilat me kompjuterizimin dhe digjitalizimin i bëjnë mediat onlajn me konvergjente dhe më multimediatike, ndërsa një pjesë e tyre janë gazeta në ueb apo elektronike. Kjo është edhe pasojë e faktit që një pjese e madhe e gazetarëve onlajn vijnë nga redaksitë e gazetave të përditshme, por edhe nga televizionet.

Me përjashtim të disa mediave onlajn, të cilat bazohen tek fondet ndërkombëtare, në të tjerat në veçanti lulëzon gazetaria copy-paste, që nuk citon median që prodhon lajmin. Mediat tradicionale dhe sidomos televizionet komerciale, që shpenzojnë energji, fonde financiare dhe teknologji për të gjurmuar lajmet, përballen me vjedhje klasike të informacioneve dhe përmbajtjeve tjera profesionale nga ana e portaleve, fakt ky që tregon për mungesën e profesionalizmit dhe mosrespektimin e Kodit të Gazetarëve, i cili parashikon që “bërja e plagjiatëve është e palejueshme” (neni 12).

Profesionistët e fushës, veçanërisht përfaqësuesit e mediave të internetit që janë deklaruar se punojnë sipas standardeve profesionale dhe etike, bënë me dije për mosrespektimin e standardeve profesionale dhe konkurrencës jo luajale, të cilën e krijojnë media të caktuara të internetit. Ky konstatim është vënë në pah në publikimin hulumtues të autores Marina Tuneva me titull Vetërregullim apo rregullim të mediave onlajn, i publikuar nga Këshilli i Etikës së Mediave në vitin 2017.

Mediat onlajn, kanë arritur të mbijetojnë në treg, duke tërhequr reklama nga klientët komercial, por edhe nga propaganda e paguar politike e partive politike gjatë zgjedhjeve parlamentare dhe vendore, ndërsa më herët edhe nga reklamimi shtetëror, i cili me vendim të Qeverisë së Zaevit u ndërpre më 22 gusht të vitit 2017. Edhe Asociacioni i Mediave në Maqedoni, i cili i bashkon pesë televizionet teresteriale komerciale me shtrirje kombëtare, para zgjedhjeve parlamentare reagoi se televizionet janë të diskriminuara në raport me portalet e internetit, për të cilat konkludojnë se “mund të publikojnë çfarë duan dhe kur duan, pa pasur asnjë lloj mundësie që ndaj tyre të shqiptohet çfarë do lloj sanksioni“.

Në mediat onlajn ka përdorim të gjuhës të urrejtjes, shpifje dhe ofendime mbi baza personale, media merret më shumë me individin se sa me idetë, me atë se kush e tha e jo me atë se çfarë tha. Po ashtu, ka mbetur në letër parimi që për të trajtuar një çështje a problem, gazetari duhet të konsultojë dy ose më shumë palë të pavarura mes vete. Në të shumtën e mediave onlajn prodhohen lajme të paverifikuara, që kryesisht janë të motivuara politikisht, por edhe shpesh prodhohen për efekte të sensacionalizmit dhe tablloidizimit. Në fakt në mediat onlajn kemi situatë të njëjtë me atë që në shekujt e kaluar në gazetarinë e shkruar, por edhe tani, njihet si “shtypi i verdhë” apo “shtypi rozë”, që është spekulativ dhe bulevardesk.

Konceptet themelore mbi funksionimin e mediave

Misioni i rregullimit mediatik

Sistemet mediatike bashkëkohore kanë dy modele kryesore që përkufizojnë statusin e mediave në shoqëri dhe marrëdhëniet e ndryshme që ajo ka me faktorët e ndryshëm shoqërore (shtetin dhe institucionet, politikën, biznesin etj.) dhe dimensionin e etikës profesionale. Bëhet fjalë për rregullimin dhe vetërregullimin mediatik, ndërsa në disa vende zbatohet edhe modeli i bashkërregullimit.

Rregullimi është i rëndësishëm në shoqëritë bashkëkohore, pasi siguron zbatimin e legjislacionit mediatik. Rregullimi mediatik duhet ta nxisë lirinë e shprehjes, lirinë e mediave, edukimin mediatik, diversitetin dhe cilësinë e përmbajtjeve mediatike, të cilat e jetësojnë interesin publik dhe nevojat e publikut.

Ndër detyrat kryesore të rregullimit mediatik përmenden:

  • ngritja e standardeve profesionale të gazetarisë;
  • respektimi i dallimeve kulturore dhe religjioze me qëllim që të përforcohet mirëkuptimi dhe toleranca ndëretnike dhe ndërfetare;
  • sigurimi i transparencës së pronësisë mediatike (moslejimi i përqendrimit të pronësisë dhe sigurimi i pluralizmit mediatik);
  • zhvillimi dhe nxitja e tregut dhe konkurrencës mediatike;
  • mbrojtja e qytetarëve, veçanërisht publikut të mitur në përmbajtjet mediatike;
  • mbrojtja nga diskriminimi mbi baza të ndryshme dhe respektimi i ndalimit të gjuhës së urrejtjes;
  • rritja e vetëdijes për trajtimin e çështjeve gjinore;
  • mbrojtja dhe kultivimi i identitetit kulturor (gjuha, tradita e popullit shumicë dhe komuniteteve);

Ky koncept siguron zhvillimin e fushës audiovizuale, duke i ndjekur trendët globalë dhe teknologjitë më të reja, sa i përket shërbimeve mediatike. Që të arrihet realizimi i misionit dhe qëllimeve të rregullimit medatik është e rëndësishme të mundësohet që organi rregullator të funksionojë si trup që punon në mënyrë të pavarur, transparente, efikase dhe llogaridhënëse. Shumë e rëndësishme është që puna e organit rregullator të jetë publike dhe publiku të jetë i informuar për punën dhe vendimet që miraton.

Vetërregullimi mediatik

Vetërregullimi në fushën mediatike shkurtimisht do të thotë që vetë gazetarët/ punonjësit mediatik ta rregullojnë sistemin e tyre. Meqë thuhet se mediat janë (qeni) rojtar të demokracisë, shtrohet pyetja kush do t’i ruajë ato nga keqpërdorimet, korrupsioni, veprimet joetike, propaganda dhe keqpërdorimi i fuqisë së tyre etj.

Qëllimi i vetërregullimit nuk është të imponojë censurë apo vetëcensurë, por t’i promovojë dhe mbrojë parimet e gazetarisë profesionale dhe etike, e cila i respekton të drejtat dhe liritë e njerëzve, por duke e respektuar lirinë e politikës editoriale të mediave.

Vetërregullimi mediatik, me fjalë tjera, paraqet mekanizëm, i cili bën baraspeshë midis lirisë së mediave dhe tendencës që ajo të keqpërdoret. Është shumë e rëndësishme të dihet se vetërregullimi dhe bashkërregullimi kanë rëndësi të madhe për të siguruar nivel të lartë të mbrojtjes së publikut, andaj përcaktim strategjik duhet të jetë që t’i jepet mbështetje zhvillimit dhe avancimit të këtyre instrumenteve.

Sipas të dhënave, modeli vetërregullues (dhe korregullues) funksionon në disa segmente:

  • Mbrojtja e konsumatorëve në komunikimet komerciale
  • Mbrojtja e të miturve
  • Etika gazetareske (standardet profesionale dhe normat etike)
Mediat onlajn midis vetërregulimit dhe rregullimit ligjor

Mediat onlajn në Maqedoninë e Veriut nuk janë përfshirë në ligjet e mediave – Ligjin e Mediave dhe Ligjin e Shërbimeve Audio dhe Audiovizuale Mediatike. Por kjo nuk do të thotë se ky sektor mediatik nuk është aspak i përkufizuar në aspektin normativ – juridik, pasi shumë ligje tjera, që nuk i takojnë ekskluzivisht sferës mediatike, përmbajnë dispozita të cilat e rregullojnë në mënyrë jo të drejtpërdrejtë fushën e mediave, punën dhe sjelljen e tyre, krijimin e përmbajtjeve dhe shpërndarjen e tyre tek publiku onlajn.

Në fakt, mediat onlajn nuk janë të parregulluara, për to vlejnë ligje konkrete që prekin çështje të ndryshme të praktikës dhe funksionimit të medias, siç janë Kodi Penal që sanksionon gjuhën e urrejtjes, Ligji për Përgjegjësinë Qytetare për Shpifje dhe Fyerje,  legjislatura që rregullon të drejtat e autorit, ajo për mbrojtjen e adoleshentëve dhe Ligji për të Drejtat e Marrëdhënieve të Punës, të cilat janë njësoj të vlefshme si për mediat tradicionale, ashtu edhe për mediat që punojnë onlajn, që në esencë është standard evropian.

Me ndryshimet ligjore të bëra në vitin 2013, neni 2 i Ligjit të Mediave, në mënyrë decide nuk i përfshin mediat onlajn ose portalet. Por, pas renditjes së mediave tradicionale (gazeta, radio dhe televizioni), ligji përmend edhe “mjete për publikim ditor ose periodik të përmbajtjeve të formësuara editoriale në formë të shkruar, audio ose me figurë, me qëllim që të informohen ose të plotësohen nevojat kulturore, arsimore ose nevoja tjera të publikut të gjerë“. Kjo do të thotë se në këtë grup mund të përfshihen edhe mediat që informojnë dhe publikojnë vetëm në internet ose platforma tjera të reja digjitale.

As Ligji i Shërbimeve Audio dhe Audiovizuale Mediatike (2013) nuk i përfshin mediat e internetit, me ç’rast theksohet se i njëjti nuk përfshin versionet elektronike të gazetave ose revistave. (neni 2, alineja 1).

Me gjithë faktin që Ligji i Mediave nuk i përkufizon në mënyrë eksplicite mediat që publikojnë ekskluzivisht vetëm në internet, si “publikime elektronike” ose me ndonjë term tjetër, kjo rezulton me hamendje, se vallë ligjet tjera të sferës së çështjeve mediatike vlejnë edhe për portalet.

Në hulumtimin me titull “Rekomandimet për median e përgjegjshme onlajn“, i publikuar nga Shoqata e Gazetarlve thuhet se “të vërtetë edhe mediat e shtypura për herë të parë u rregulluan me Ligjin e mediave në dhjetor të vitit 2013, por kjo nuk do të thotë se gazetat nuk kanë qenë media edhe më herët. Është evidente kultura e mosndëshkueshmërisë së shkeljeve të mediave onlajn. Ndonjëherë për shkak të ngurtësisë së institucioneve, ndonjëherë për shkak të mosnjohjes së kësaj sfere relativisht të re, ndonjëherë për shkak të hutisë së dëmshme se për sferën onlajn nuk vlejnë ligjet dhe se mediat onlajn nuk janë të “rregulluara”. Gjithçka që vlen oflajn, vlen edhe onlajn.”

Kodin Penal të Republikës së Maqedonisë së Veriut, në mënyrë eksplicite parashikohen dënime me burg për të gjithë ata që përmes mediave (edhe atyre onlajn) promovojnë dhe shfaqin gjuhë të urrejtjes. Në nenin 394 (alineja 2) thuhet “Ai që përmes mjeteve të komunikimit masiv në publik shpërndan material të shkruar racist dhe ksenofobik, fotografi ose reprezentim tjetër të idesë ose teorisë e cila ndihmon, promovon ose nxit urrejtjen, diskriminimin ose dhunën kundër çdo personi ose grupi mbi bazën e racës, ngjyrës, prejardhjes etnike ose kombëtare, si dhe besimit fetar do të dënohet me burg prej 1 deri në 5 vjet“.

Kodi Penal (1996) sanksionon nxitjen e ndryshimit të dhunshëm të rendit kushtetues (neni 318), gjuhën e urrejtjes dhe diskriminimin (neni 319 dhe neni 417), parashikon dënim kundër personit që me ndihmën e sistemit informativ publikisht do të mohojë, vrazhdë do të minimizojë, do të lejojë ose do të arsyetojë gjenocid, krime kundër njerëzimit ose krime lufte (neni 407-a).

Fakti që deri më tani, për motive politike, Prokuroria Themelore Publike pothuajse nuk ka vepruar në këto raste, nuk do të thotë se përhapja e gjuhës së urrejtjes është e lejuar. Gjithashtu, e njëjta vlen edhe për diskriminimin, ndërsa ekziston edhe Komision Shtetëror i Antidiskriminimit, por mosveprimi i tij lidhur me shumë raste është çështje për shqyrtim, megjithatë mediat dhe punonjësit mediatik duhet të jenë të vëmendshëm lidhur me këto dy çështje delikate.

Shpesh në portale, përveç vjedhjes së informacioneve hasen edhe përmbajtje, në të cilat ka shpifje dhe fyerje. Me ndryshimet e reja në Ligjin për Përgjegjësinë Qytetare për Shpifje dhe FyerjeGjykata nuk mund të shqiptojë dëmshpërblim, i shkaktuar nga fyerjet dhe shpifjet nga një gazetar në kryerjen e profesionit gazetaresk, në shumë më të madhe se 400 euro (shuma ka qenë 2000 euro). Dëmshpërblimi që duhet të paguhet nga redaktori është 2 000 euro (shuma ka qenë 10 000 euro), ndërsa nga subjekti juridik (media) 5 000 euro (shuma ka qenë 15 000) ose në total një redaksi duhet të paguajë 7. 400 euro (shuma ka qenë 27 000 euro)“.

Gjykatat në vend nuk kanë pozicion të harmonizuar për trajtimin e portaleve të internetit. Disa gjykata portalet i konsiderojnë si media në pajtim me Ligjin për përgjegjësinë qytetare për fyerje dhe shpifje, ndërsa disa tjera nuk i konsiderojnë media në pajtim me Ligjin e Mediave.

Është e nevojshme të bëhet ndërhyrje urgjente në legjislaturën mediatike, me qëllim që me saktësi të përkufizohet se vallë edhe portalet janë media, meqë kjo mospërputhje e ligjeve, për shkak të presionit politik ndaj gjykatave, shfrytëzohet për qërim hesapesh me gazetarët që nuk mendojnë si pushteti. Këtë fakt e keqpërdorin  edhe gazetarët që mendojnë se nuk kanë përgjegjësi ligjore dhe në punën e tyre përdorin shpifje dhe fyerje. Shpesh këtë mospërputhje e kemi vërejtur në televizione, meqë disa portale publikojnë lajme sensacionale me shpifje dhe fyerje pa autorësi të gazetarit, lajme këto që ripublikohen nga disa televizione, ndërsa kur personi për të cilin shpifet dhe fyhet e padit televizionin, kryeredaktorët thirren në faktin se lajmin e kanë marrë nga portalet, ndërsa, siç shihet, disa gjykata i lënë jashtë çdo përgjegjësie publike.

Andaj, gazetarët duhet të kenë parasysh se mund të paditen për shpifje dhe fyerje edhe në bazë të legjislaturës ekzistuese, ndonëse gjykatësit nuk kanë kapacitetin e mjaftueshëm për të vendosur me kompetencë mbi këto padi.

Në publikimin hulumtues me titull “Maqedonia në epokën digjitale- midis të drejtave dhe përgjegjësive gjatë komunikimit në internet” thuhet se ligj i rëndësishëm në kontekstin e sferës së internetit është edhe Ligji për Vepër Autoriale dhe të Drejta të Lidhura, sipas të cilit edhe personat juridik, siç janë në këtë rast portalet, mund të konsiderohen vepra autoriale. “Prandaj, ata kanë për detyrim, gjatë çdo marrje të çfarëdo lloj materiali nga burime tjera, ta theksojnë autorin nga ku marrin përmbajtje. Kjo nënkupton që kopjimi përveç që nuk është i lejuar me standardet e Kodit Etik, është i ndaluar edhe me ligj“, thuhet në hulumtim.

Këtu bën pjesë edhe Ligji për Mbrojtjen e të të Dhënave Personale, sipas të cilit vepron Drejtoria e të Dhënave Personale, e cila ndaj kërkesave të qytetarëve ka reaguar kur është publikuar ndonjë fotografi pa pëlqimin e personit ose kur janë publikuar të dhëna të huaja personale.

Sipas këtij ligji, është i ndaluar publikimi i fotografive në portalet e internetit pa pëlqimin paraprak të personave, pastaj marrja e fotografive nga Fejsbuku dhe publikimi i tyre në portalet e internetit, ndërsa nëse publikohen fotografi të personave të mitur, nevojitet leja e prindërve.

Drejtoria ka kompetencë që të fshijë profile të rrejshme në rrjetet sociale. Ajo reagon ndaj ankesave të qytetarëve, prej të cilave pjesa më e madhe kanë të bëjnë me keqpërdorimin e të dhënave personale në rrjetet sociale dhe në portalet e internetit.

Hulumtimet e ligjeve që i përfshijnë edhe mediat e internetit shpien drejt mendimit se Maqedonia ka legjislaturë mjaftueshëm të mire, e cila është e zbatueshme në sferën e internetit dhe nuk ka nevojë për rregullim plotësues të komunikimit në internet. “Interneti ka shkaktuar demonopolizimin e mediave tradicionale; në mënyrë dramatike i ka ulur shpenzimet për prodhimin e informacioneve; përqendrimi i mediave (vertikal, horizontal, diagonal) për një kohë të shkurtër u bë temë e shkallës së dytë e teoricienëve të demokracisë; mundësoi forma të reja gazetareske, me karakteristika të reja zhanrore si: blogjerimi, gazetaria mobile, gazetaria qytetare, gazetaria në portale etj. Luftëtarët  dhe aktivistët për të drejtat e njeriut veçanërisht i kanë shfrytëzuar përparësitë e këtyre platformave të reja, ku mund lirshëm t’i shprehin mendimet dhe qëndrimet e tyre. Prej këtu rregullimin e këtyre mediave ata e konsideruan si mënyrë që të shkatërrohet liria e tyre e fjalës onlajn“, thuhet në hulumtimin e përmendur të profesoreshës Baçevska me titull “Përforcimi i standardeve profesionale ose erozioni i lirisë së fjalës: rregullimi i mediave onlajn në Maqedoni”.

Regjistri i mediave profesionale onlajn

Në shumë vende të Evropës, por edhe Ballkanit, si Kroacia e Serbia, ekziston regjistër i mediave onlajn. Në Kroaci përgatitet nga Agjencia e Mediave Elektronike, ndërsa në Serbi nga Agjencia e Regjistrave Ekonomikë.

Në Maqedoninë e Veriut portalet nuk i nënshtrohen asnjë detyrimi publik ligjor, të paktën për regjistrimin e tyre, por edhe për transparencën e pronësisë si dhe për publikimin e impresumit (adresës dhe emrave të redaksisë).

Në drejtim të përforcimit të vetërregullimit mediatik, Këshilli i Etikës në Media në bashkëpunim me Shoqatën e Gazetarëve ndërmori nismën për krijimin e regjistrit vullnetar të mediave onlajn, ndërsa më 7 mars të vitit 2020 u krijua një platformë e veçantë e quajtur Promedia.mk.

Rregullat për evidentimin e portaleve në Regjistër

Sipas kushteve për anëtarësim në Këshillin Etik dhe më pas në Regjistër, portalet e internetit është e nevojshme të përmbushin kushte të caktuara. Mediat profesionale onlajn pronësinë dhe strukturën redaktuese duhet ta theksojnë në mënyrë transparente, pasi mediat që shfaqin identitetin e tyre rrisin integritetin profesional. Regjistri i mediave profesionale onlajn parashikon kritere të detyrueshme, por edhe disa që cilësohen si shtesë, të cilat organizatat profesionale mediatike i kanë përcaktuar si standarde minimale që duhet përmbushur.

Kritere të detyrueshme:

  • Mediat të bëjnë të ditur impresumin e besueshëm (redaktor, redaksi), themeluesin dhe kontaktin – të dhëna dhe adresa;
  • Ta respektojnë Koditn e Gazetarëve, Deklaratën për Raportim Etik në Zgjedhje dhe Statutin e Këshillit Etik të Mediave;
  • Të jenë media onlajn që publikojnë rregullisht përmbajtje informative me interes publik;
  • Të jenë të regjistruara si persona juridik në Republikën e Maqedonisë së Veriut dhe në mënyrë transparente ta deklarojnë pronësinë;
  • Anëtarët të kenë financim transparent, në pajtim me ligjin;
  • T’i publikojnë vendimet e KEMM-it dhe të përfshihen në procesin e ndërmjetësimit;
  • Në faqen e tyre të internetit të vendosin baner, me të cilin obligohen se do t’i respektojnë parimet e Kodit (dhe vetërregullimit)

Kriteret shtesë:

  • Mediat të publikojnë listën e çmimeve për reklamim ose vegëzen drejt çmimorit të publikuar në agjencinë e marketingut;
  • Është e nevojshme të kenë të regjistruar domain mk;
  • Përmbajtjet komerciale, të paguara duhet të shënjohen në mënyrë të dukshme;
  • Është e preferuar që redaksitë profesionale të kenë një redaktor dhe së paku dy të punësuar dhe kushte hapësinore dhe teknike për kryerjen profesionale të punës;
  • Mediat ta theksojnë datën dhe orën e publikimit të përmbajtjeve të tyre.

Sipas Këshillit Etik të Mediave, media përjashtohet nga anëtarësimi në këtë organizatë vetërregullatore, pas tri vendimeve të Komisionit të Ankesave në afat prej tre muajve, në të cilat vërtetohet shkelja e Kodit, ndërsa, gjatë vendimmarrjes, Këshilli Drejtues i Këshillit Etik e merr parasysh sjelljen e medias gjatë procesit të ankimimit të ndonjë përmbajtjeje, pjesëmarrjen në ndërmjetësim dhe përmirësimin e shkeljes së kryer.

Nga kriteret, të diskutueshme janë dy: i pari, që mediat onlajn të kenë numër të caktuar të punësuarve, por edhe kushte teknike dhe hapësinore, sepse në kohët e sotme gazetaria nuk duhet të kufizohet në përmasa fizike, ndërsa i dyti është kërkesa që mediat onlajn të kenë domain .mk, pasi sipas një pjese të ekspertëve hapësira e internetit është e lirë dhe e pakufishme, përkatësisht, duhet lejuar edhe portale me domaine tjera.

Nëse qeveria dhe institucionet, së bashku me biznesin dhe shoqërinë civile duan të dëshmojnë se kanë vullnet politik dhe shoqëror për mbështetjen e konceptit të vetërregullimit, mediave që u përmbahen këtyre standardeve duhet tu mundësojnë disa të drejta apo privilegje. Regjistrimi i mediave onlajn në Regjistër dhe dallimi i atyre që janë profesionale nga joprofesionalet duhet të jetë kusht për reklamimin e partive politike në zgjedhje dhe kusht për marrjen e ndihmave shtetërore nga shteti, siç ndodhi gjatë periudhës së pandemisë së Covidit 19.

Po ashtu, anëtarësimi në Këshillin Etik në Media duhet të jetë kusht për marrjen e subvencioneve shtetërore nga gazetat private në vend. Një “privilegj” tjetër që mund t’u bëhet mediave profesionale është dhënie mundësi për qasje në institucionet e shtetit përkatësisht të mundësohet akreditimi vetëm i gazetarëve, që përfaqësojnë media serioze dhe të përgjegjshme, që nënkupton ata që kanë redaksi dhe impresum.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut