Përmbajtjet mediatike me vërshime “etnike”

Shkruan: Sefer TAHIRI

Vërshimet e datës 30 gusht të këtij viti, si pasojë e shirave të rrëmbyeshëm dhe breshrit që përfshinë Shkupin, përsëri nxorën në sipërfaqe faktin se mediat në Maqedoninë e Veriut, edhe kur bëhet fjalë për raportim nga fatkeqësitë natyrore, nuk mund t’i shmangen qasjes etnike! Kjo nënkupton se një pjesë e mediave, madje edhe kur bëhet fjalë për ato që njihen si profesionale dhe serioze, nuk arrijnë të mbulojnë ngjarjet në mënyrë objektive dhe të balancuar. Po ashtu, nuk arrijnë që të raportojnë në mënyrë gjithëpërfshirëse, kur trajtojnë ngjarje apo çështje që ndërlidhen kontekstualisht me gjeografinë apo dimensionin demografik!

Raportim etnocentrik për dukuri natyrore

analizën paraprake, kemi theksuar se narrativët etnocentrikë e kanë dominuar sistemin mediatik, që nga vitet 90-ta të shekullit të kaluar, ndërsa kjo dukuri nuk ka qenë e panjohur as për sistemin e mëparshëm socialist. Është e kuptueshme, që kjo dukuri është vërejtur, kur bëhej fjalë për çështjet politike, që kanë pasur konotacione etnike apo më mirë thënë për çështjet etno – politike.

Por, ajo që habit, është fakti se raportimi, i cili e vë parimin etnik në funksion para atij etik dhe profesional, vjen në shprehje edhe kur trajtohen çështje ekskluzivisht joetnike, siç ishte pandemia e Covidit 19, apo edhe kur raportohet mbi fatkeqësitë natyrore.

Në një debat mbi mediat, diku pas vitit 2000, e kam parashtruar dilemën se si ka mundësi që pjesa më e madhe e mediave në gjuhën maqedonase dhe anasjelltas, ato shqiptare, kur raportojnë për bujqësinë apo për vjeljen e fasules, për shembull, në rajonin e Tetovës, në përmbajtjet e tyre mediatike, me zë dhe figurë shfaqin vetëm bujqit, që i takojnë njërit identitet etnik.

Narrativët etnikë në përmbajtjet mediatike u vërejtën edhe në ditën e parë të fillimit të vitit shkollor. Mediat në gjuhën maqedonase kryesisht trajtuan fillimin e procesit mësimor në nivel shtetëror, duke vënë theksin tek ulja e numrit të nxënësve dhe mungesa e librave për klasë të caktuara. Mediat në gjuhën shqipe, fokusin e vunë tek mungesa e kushteve dhe mungesa e filloristëve të klasës së parë në rajonet rurale me shumicë shqiptare.

Së fundmi, vërshimet me pasoja shkatërruese, sërish treguan se pjesa më e madhe e mediave janë selektive në raport me qytetarët dhe mbulimin informativ të territorit të vendit. Edhe më tej ruhet me stoicizëm një praktikë e vjetër, që media mbulon ngjarjet që prekin publikun që i drejtohet, paçka se një ngjarje apo dukuri jashtë perimetrit etnik mund të jetë me pasoja dhe ndikim më të madh shoqëror apo të ndonjë llojit tjetër.

Pjesa më e madhe e mediave në gjuhën shqipe u fokusuan tek vërshimet, që përfshijnë pjesën e Shkupit të banuar kryesisht me shqiptarë, që është komuna e Çairit. Ndërsa, mediat në gjuhën maqedonase theksin e vunë tek rajonet e banuara me popullatë maqedonase. Natyrisht, ne në analizën tonë, flasim për tendencat e përgjithshme që i shfaqën mediat, duke mos mohuar se pati raportime edhe për rajonet, në të cilat, kushtimisht thënë, jeton “tjetri”.

Mediat shqipe fokusohen në Çair, maqedonaset në Aerodrom

Në lajmin me titull “Moti i stuhishëm e përfshiu Shkupin – 15 minuta reshje të breshërit pa ndërprerje“, portali 4news.mk raportonte se “Reshjet e breshërit kanë ndodhur në komunat e Shkupit: Qendër dhe Kisella Vodë“. Portali nuk përmendi fare komunën Çair, e cila gjithashtu u përfshi nga reshjet e mëdha.

Në anën tjetër, portali Ina online, vërshimet i trajtoi me titullin “Pse ky Çair kështu, qytetarët të mbështetur për muri?!” Ky shkrim, si edhe shumë media tjera shqipe, fare nuk përmend faktin që vërshimet përfshinë edhe komunat Aerodrom, Karposh dhe Kisella Vodë, në të cilat po ashtu u evidentua se moti ka shkaktuar dëme të mëdha, duke shkatërruar vetura, ndërsa uji i rrëmbyeshëm hyri në godinat e banuara. Pavarësisht gjendjes faktike, portali raporton se “Edhe dje Çairi me lagjet përreth ka qenë më i godituri nga shiu i rrëmbyeshëm. Lagjet Seravë, Dizhon, Gazi Babë dhe lokacione tjera janë vërshuar, me shtëpi të kapluara nga uji dhe rrugë të shkatërruara, si pasojë e kanalizimeve të bllokuara dhe infrastrukturës katastrofale“.

Edhe reagimet, që përfshihen brenda shkrimit janë të qytetarëve me përkatësi etnike shqiptare që shfaqin pezmin e tyre për vërshimet në rajonet me shumicë shqiptare.

Ndërkohë, portali i gazetës Slloboden Peçat, raportoi me titullin “U bashkuan toka me qiellin në Shkup – mot i fuqishëm me shi të rrëmbyeshëm, vetëtima dhe breshër“. “Sipas dëshmive të qytetarëve në rrjetet sociale, moti i keq, më i fuqishëm ka qenë në Kisella Vodë, ku, gjithashtu, si edhe në pjesë të Qendrës së Shkupit, ka pasur reshje breshëri“, shkruante Slloboden Peçat, duke anashkaluar informatat për Çairin.

Në anën tjetër, portali Lokalno, në informacionin me titull “Moti i keq në Shkup, një pjesë e rrugëve nën ujë“, raportonte se “Qendra, Aerodromi dhe Kisella Voda janë më të përfshira nga moti i keq“:

Portali Skopje 1, raportonte me titullin “Moti i keq në Aerodrom, dyqane të vërshuara në Qendrën Tregtare “Biser“.

Ndërsa Televizioni Alsat (me licencë teresteriale kombëtare) në lajmin me titull “Rrugët kryesore drejt Çairit, të kalueshme” raportonte se “Njëra ndër komunat më të prekura nga përmbytjet ishte ajo e Çairit, por si duket tani më rrugët kryesore në këtë komunë janë të kalueshme, dhe banorët kanë filluar që të dalin për të parë dëmet e shkaktuara nga përmbytjet“.

Pjesa më e madhe e portaleve në gjuhën shqipe, nuk i kanë trajtuar aspak vërshimet në lagjet e banuara me maqedonas, ndërsa kryesisht janë bazuar tek kopjimi i raportimeve të televizioneve kombëtare. Rëndësi dhe hapësirë të madhe informative i kanë dhënë lajmit për shpëtimin e 115 qytetarëve, të ngecur në bulevardin nën sheshin Skënderbeu.

Gjatë vërshimeve dhe periudhës më pas, rol të madh në informim kanë pasur vetë qytetarët, të cilët gjithnjë e më shumë po ndërgjegjësohen për rolin e tyre aktiv në një sistem informativ – komunikativ. Ata në këtë mënyrë e zhvillojnë një koncept të ri në media, që është gazetaria qytetare. Sipas parimeve të gazetarisë së interesit publik, informacionet me karakter servisor, siç janë ato për motin, duhet të trajtohen me vëmendje përkatëse, duke marrë parasysh renomenë e burimit dhe duhet të mbështeten mbi informacionet e institucioneve kompetente, por edhe qytetarëve, nëse konsiderohen të besueshme.

Veçanërisht duhet të bëhet kujdes kur përdoret material i huaj audio ose video, pasi detyrë e medias është që vetë të mbledh informacione. Por, në rrethana të jashtëzakonshme, siç ishte 30 gushti i vërshimeve, mediat mund të bazohen tek qytetarët, të cilët e kanë bërë rolin e gazetarit, duke dërguar video dhe informacione të shumta. Megjithatë, fatkeqësisht aktivizimi qytetar në media ka ndikuar në përforcimin e narrativëve etnocentrikë në media, sepse shqiptarët u janë drejtuar mediave në gjuhën shqipe dhe maqedonasit redaksive të mediave në gjuhën maqedonase.

Shembuj pozitiv që tejkalojnë Rubikonin etnocentrik

Thamë se linja dominuese e politikave editoriale të pjesës më të madhe të mediave, kur bëhet fjalë për vërshimet, ka qenë me prirje etnocentrike, por kjo nuk do të thotë se nuk ka edhe shembuj pozitiv.

Portali 360 gradë, raportonte për trafikun e bllokuar tek ish Shtëpia e mallrave, e njohur me emrin Most (Ura), ndërsa titulli i lajmit ishte “Liqe nën Shtëpinë e Mallrave “Most”, trafiku është i ndërprerë, një makinë është bllokuar“.

Ndërsa Televizioni Shenja, një ditë pas vërshimeve, transmetoi kronikë me titullin “Pastrohen mbetjet e vërshimeve nga lagjet e urbanizuara të Shkupit“. “Ekipi i TV SHENJA vizitoi lagjet e komunës Aerodrom, nëpër rrugët e së cilës kishin ngelur dëshmi nga përmbytjet e djeshme. Banorët e kësaj komune rrëfejnë përjetimet e këqija, duke theksuar se gjendja ka qenë katastrofale dhe ankohen  për mos pastrimin e rregullt të pusetave, të cilat edhe ishin shkak për gjendjen e krijuar“, raportonte televizioni me licencë kabllore.

Nuk mungoi as raportimi sensacionalist me “klikbejt”

Gjatë ditës së vërshimeve, nuk kanë munguar as raportimet me intonacion sensacionalist. Edhe pse, në Kodin Etik të Gazetarëve thuhet se ” Mënyra e informimit në raste të fatkeqësive, katastrofave natyrore, luftërave, tragjedive familjare, sëmundjeve, proceseve gjyqësore duhet të jenë të çliruara nga sensacionalizmi” (neni 8), disa media nuk hoqën dorë nga stërzmadhimi i ngjarjes.

Televizioni me licencë kabllore, Klan Maqedoni, raportonte me titull që tingëllon “frikësues”, meqë, edhe pse në thonjëza, përmendet apokalipsa. Titulli i Klan M ishte “Mot “apokaliptik” në Shkup – qytetarët sanojnë dëmet“, por përveç titullit “bombastik”, në brendi të raportit gazetaresk nuk ka asgjë “apokaliptike”.

Ngjashëm edhe portali Press 24, raportonte me titullin “Apokalipsa në Shkup – rrugë të vërshuara, drunj të thyer“.

Titujt e këtillë tashmë janë bërë përditshmëri në media, sidomos ato onlajn, ndërsa funksioni i tyre është klikbejt (clickbait), i cili do të thotë titull sensacionalist, që në mënyrë të gabuar e prezanton një shkrim ose kronikë video, me qëllim që të tërheq lexuesit / shikuesit.

Clickbait është fjalë angleze, e formuar me bashkimin e dy fjalëve: click (klik) dhe bait (karrem ose kurth), që praktikisht do të thotë karrem (kurth) për klikime.

Klikbejt është padyshim forma më e përhapur e manipulimit në mediat onlajn, por natyrisht se nuk ka lindur me ta. Edhe pse këto tituj, para Internetit nuk janë quajtur me këtë emër, janë “trashëguar” nga tabloidët. Titujt shokues dhe sensacionalist në faqet e para të gazetave kanë shitur “shtypin e verdhë” apo “shtypin rozë”, para paraqitjes së Internetit, ndërsa tani “shesin” përmbajtjet mediatike onlajn, në të cilat ka shumë reklama. Edhe agjencitë e njohura të lajmeve, por edhe televizione serioze, ndonjëherë përdorin tituj klikbejt, për të tërhequr vëmendjen e publikut dhe për ta “kthyer” përmbajtjen e tyre në para.

“Pozicionimi i tyre strategjik” në faqen e internetit të medias, shërben që të tërheqë sa më gjatë vëmendjen e vizitorëve, me qëllim që të klikojnë në më shumë përmbajtje, gjë që sjell përfitime më të mëdha për portalet.

Duke pasur parasysh se Fejsbuku është platforma më e vizituar tek ne, përmes saj realizohet pjesa më e madhe e marketingut në portalet e internetit. Kështu që, shpesh klikbejtët bëhen në mënyrë të veçantë për Fejsbukun.

Praktika e epokës postmoderne tregon se publiku shpesh bie viktimë e klikbejtëve apo mashtrimeve ose informacioneve të pabesueshme.

Prandaj, është i rëndësishëm edukimi mediatik, i cili do të ndihmojë qytetarët, sidomos të rinjtë, që të ndërgjegjësohen dhe vetëdijesohen se titujt mund të mashtrojnë ose manipulojnë, në mënyrë që qytetarët të shndërrohen në konsumatorë pasiv të përmbajtjeve mediatike, e jo te jenë subjekte aktive, që porositë e medias do t’i pranojnë në mënyrë kritike dhe analitike.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut