Shkruan: ZORAN BOJAROVSKI

Aktualitetet politike ditore dhe zhvillimi i bisedimeve në bazë të të ashtuquajturit “propozim francez” për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë dhe vetos për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, ngjallën sërish gjuhën e urrejtjes në publik, media dhe në rrjete sociale. Dukuritë e këtilla morën hov pikërisht në kohë kur tensionet në këtë proces arritën kulminacionin e tyre. Kjo analizë identifikon karakteristikat dhe elementët e gjuhës së urrejtjes që mbizotërojnë në diskursin publik dhe si ato reflektohen në ambientin aktual të komunikimit në vend, në kontekst të kornizës së propozuar për hapjen e negociatave për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE, gjegjësisht të “propozimit francez” siç njihet më gjerë në diskursin publik.

Evolucioni i gjuhës së urrejtjes

Gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat, si mjete propagandistike, polarizojnë mendimin publik, promovojnë ekstremizmin e dhunshëm dhe veprat e urrejtjes, minojnë demokracitë dhe zvogëlojnë besimin te liderët politikë, institucionet dhe proceset demokratike.

Sipas më shumë definicioneve, gjuha e urrejtjes si mjet propagande, në të gjitha format e veta të manifestimit, ka për qëllim që të përhapë, nxisë, promovojë apo justifikojë urrejtjen ndëretnike, urrejtjen racore, ksenofobinë, antisemitizmin ose forma tjera të urrejtjes që bazohen në mostolerancë.

Të gjitha këto ndikime përfshijnë jotolerancë të manifestuar me nacionalizëm dhe etnocentrizëm agresiv, diskriminim dhe armiqësi ndaj grupeve të caktuara, pakicave dhe kategorive tjera në margjinat e shoqërisë.

Për fat të keq, si rezultat i dezinformatave dhe gjuhës së urrejtjes, gjithnjë e më shpesh regjistrohen raste dhune ose vepra penale të urrejtjes.

Kjo është një dukuri globale, por përvojat tregojnë së rajoni dhe vendi ynë janë një truall pjellor për ndikime të këtilla. Përvojat flasin se shoqëria maqedonase veçanërisht preket nga gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat, me ç’rast në 10 vitet e fundit është vërejtur një trend vazhdimësie dhe përqendrimi në procese dhe grupe të caktuara.

Në këtë kontekst, fushatat me gjuhë urrejtjeje janë të drejtuara kah nxitja e konflikteve të brendshme, sidomos ndërmjet bashkësisë etnike maqedonase dhe shqiptarëve etnikë, dhe në drejtim të përkeqësimit të marrëdhënieve ndërkombëtare të Maqedonisë së Veriut, veçanërisht në raport me fqinjët (Bullgarinë, Greqinë) dhe BE.

Aktualitetet politike ditore dhe dinamika e tyre, e diktuar nga zhvillimi i proceseve që janë pjesë e përpjekjeve negociuese për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë lidhur me veton për fillimin e negociatave dhe të ashtuquajturit “propozim francez”, ngjallën sërish gjuhën e urrejtjes në opinionin publik, mediat dhe rrjetet sociale. Dukuritë e këtilla morën hov pikërisht në kohë kur tensionet në këtë proces arritën kulminacionin e tyre.

Qëllimi tjetër, kundër të cilit janë drejtuar fushatat me gjuhë urrejtjeje, janë proceset kryesore politike në vend, siç ishte referendumi i shtatorit të vitit 2018 lidhur me ndryshimin e emrit të vendit si rezultat i Marrëveshjes së Prespës, që po ashtu ishte cak i një fushate të organizuar me gjuhë urrejtjeje dhe dezinformata.

Intensiteti i theksuar dhe organizimi sistemik i fushatave me gjuhë urrejtjeje dhe dezinformata vërehet kur ato problematizojnë çështjet strategjike të Maqedonisë së Veriut në pozicionimin ndërkombëtar të vendit, siç janë anëtarësia në NATO dhe BE.

Gjatë periudhës së pandemisë të KOVID-19, fushata e dezinformatave u përcoll edhe me gjuhë urrejtjeje.

Si një shoqëri mjaft e polarizuar, në të gjitha këto procese u vërtetua se gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat gjejnë mjedis jashtëzakonisht pjellor në Republikën e Maqedonisë së Veriut, ku niveli i lirisë së mediave dhe kulturës politike akoma ka pasoja nga periudha e shtetit të kapur dhe propagandës së vazhdueshme populiste gjatë qeverisjes së Nikolla Gruevskit.

Pikënisja e kësaj analize është te identifikimi i karakteristikave dhe elementëve tipikë të gjuhës së urrejtjes që mbizotërojnë në diskursin publik, mediat dhe në rrjetet sociale, dhe si ato reflektohen në ambientin aktual të komunikimit në Maqedoninë e Veriut, në kontekst të Qëndrimit të përgjithshëm në takimin e ministrave në konferencën ndërqeveritare lidhur me përfundimin e hapjes së negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në Bashkimin Evropian, gjegjësisht “propozimit francez” siç njihet më gjerë në diskursin publik në vend.

Analiza është bërë në bazë të vlerësimit të peizazhit mediatik, shembujve konkretë të mediave dhe komunikimit lidhur me temën “propozimi francez” për kornizën e bisedimeve të Maqedonisë së Veriut lidhur me fillimin e negociatave me BE në periudhën nga 4 deri në 16 korrik, kur Kuvendi miratoi konkluzionet e Qeverisë. Në mënyrë plotësuese janë shfrytëzuar burime dytësore, si për shembull raportet për mbikëqyrje dhe vendimet e organeve rregullatore, organeve vetërregulluese, platformat për verifikimin e fakteve dhe hulumtime paraprake të mediave për gjuhë urrejtjeje dhe dezinformata, si dhe intervista me burime dhe ekspertë relevantë lidhur me gjuhën e urrejtjes dhe dezinformatat.

Burimet e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave nuk gjinden vetëm jashtë vendit, por i kemi edhe këtu

Kur bëhet fjalë për gjuhën e urrejtjes dhe dezinformatat si mjete propagandistike, në rastin e Maqedonisë së Veriut duhet të merret parasysh edhe studimi i Parlamentit Evropian, i publikuar në vitin 2021, “Mapping Fake News and Disinformation in the Western Balkans and Identifying Ways to Effectively Counter Them”. Në të është nxjerrë konkluzion se “edhe pse gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat merren në kontekst të kërcënimeve të jashtme lidhur me funksionimin e qeverisjes dhe demokracinë, ky studim tregon se aktorët e huaj nuk janë fajtorët më të shquar. Numri më i madh i individëve, mediave dhe organizatave që prodhojnë gjuhë urrejtjeje dhe përhapin dezinformata janë të brendshëm” (Diskriminim, mostolerancë dhe gjuhë urrejtjeje në “Milenko Nedellkovski Show”).

Krahas kësaj, ky studim tërheq vëmendjen se “dukuritë e këtilla më shumë lënë përshtypjen e një simptome se sa një shkaku, dhe se janë rezultat i një niveli të ulët të kohezionit shoqëror dhe qeverisjes demokratike”.

Këta tregues duhet të merren shumë seriozisht, në mënyrë që të jepet diagnoza më e saktë për arsyet e nivelit aq të theksuar të gjuhës së urrejtjes, e cila në shumë raste merr forma dhe ka pasoja ekstreme dhe brengosëse (Mori flakë qendra “Vanço Mihajllov” në ManastirPërdhosje e përkujtimores së turistëve bullgarë në Ohër), dhe në rast se kërkohet përgjigjja më e përshtatshme (përveç me analizat e këtij lloji dhe konstatimet e shumta) për t’u ballafaquar me këtë dukuri që dëmton seriozisht indet vitale të organizmit shoqëror dhe përhapet në to si kancer.

Kjo për më tepër, nëse merren parasysh vërejtjet plotësuese që burojnë nga studimi i Parlamentit Evropian, i cili konstaton se intensiteti dhe tehu i fushatave ksenofobe, të nxitura si nga aktorë vendas ashtu edhe të huaj, janë posaçërisht të theksuara në shtetet ku ekzistojnë ndasi për çështje të caktuara në kontekst etnik, siç janë Bosnja e Hercegovina dhe Maqedonia e Veriut, si dhe në ato shtete ku ka koalicione qeveritare me një shumicë të ngushtë, e të cilat janë të pambrojtura nga ndërhyrjet e pozicioneve të caktuara gjeopolitike të palëve të treta.

Lidhur me pasojat brengosëse të gjuhës së urrejtjes, e cila ka në shënjestër relacionet ndëretnike, ka tërhequr vërejtjen edhe kryetari i Maqedonisë së Veriut, Stevo Pendarovski, në intervistën për javoren Fokus të datës 28 korrik 2022.

“Konflikte dhe tensione ndëretnike paraqiten kur aktorët politikë forcojnë retorikën nacionaliste dhe kjo është diçka që më brengos më së shumti. Jo se Maqedonia do të shpërbëhet nëse mbesim jashtë BE, e as që do të ketë destabilizim serioz për këtë shkak, por nuk është mirë të ekzistojnë faktorë politikë, të cilët manipulojnë më ndjenjat nacionale të qytetarëve”, thotë Pendarovski.

Ai potencon se retorika nxitëse kundër të tjerëve mund të shkaktojë incidente: “Mua më kujtohet fillimi i viteve të ’90-ta, kur as VMRO-DPMNE e atëhershme nuk kishte retorikë kaq nxitëse kundër të tjerëve. Ne kemi një retorikë të paparë kundër shqiptarëve, pastaj kemi retorikë të paparë antiperëndimore, antiamerikane, antigreke, antibullgare dhe druaj se gjeneratat e reja, të nxitur nga retorika e politikanëve, ndoshta do të duan të shkaktojnë incidente provokuese”.

Pendarovski tërheq vërejtjen se janë të rrezikshme përpjekjet për të fituar pikë politike me retorikë nxitëse dhe krahason situatën e sotme me atë të vitit 2001.

“…Retorika e vitit 2001 kur kishim luftë, nuk është as për së afërmi si kjo tani. Mund të tentosh të fitosh pikë politike me retorikë të tillë, por kjo është e rrezikshme. Për 30 vjet pavarësie të vendit tonë, ne për herë të parë kemi një deputet që flet për pushkatime, për prerje kokash. Kjo nuk mund të jetë shprehje legjitime politike. Çka nëse njerëzit, që kanë dalë të protestojnë në rrugë, mendojnë se kjo me të vërtetë është zgjidhje për disa probleme?”, thekson kryetari Pendarovski në intervistën për magazinën politike “Fokus”.

Për shkak se vjen nga Parlamenti Evropian, studimi “Mapping Fake News and Disinformation in the Western Balkans and Identifying Ways to Effectively Counter Them” posaçërisht u kushton vëmendje veprimeve të aktorëve të brendshëm dhe të jashtëm në vendet e Ballkanit Perëndimor, të cilët përdorin gjuhën e urrejtjes dhe dezinformata, me qëllim që ta minojnë kredibilitetin e Bashkimit Evropian në rajon.

Studimi potencon se në përpjekjet për diskreditim të BE dominon Rusia, e cila ka infrastrukturë të gjerë të manipulimit mediatik në gjithë rajonin.

Gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat si eksploziv C4 për shtyllat e shoqërisë

Analizat tregojnë se qendrat e propagandës, si vendase ashtu edhe ato të huaja në lindje, kanë identifikuar 4 shtylla në të cilat mbështetet dhe mbi të cilat funksionon shoqëria maqedonase. Ato janë:

  • Marrëdhëniet ndëretnike;
  • Marrëdhëniet fqinjësore;
  • Lidhjet me BE dhe NATO dhe
  • Proceset kritike politike që kanë të bëjnë me të ardhmen dhe zhvillimin e vendit – zakonisht të tilla konsiderohen proceset zgjedhore.

Pikërisht këto janë caqe të propagandës me gjuhë të urrejtjes dhe dezinformata.

Intensiteti i theksuar dhe organizimi sistemik i fushatave me gjuhë urrejtjeje dhe dezinformata vërehet kur ato problematizojnë çështjet strategjike të Maqedonisë së Veriut në pozicionimin ndërkombëtar të vendit, siç janë anëtarësia në NATO dhe BE.

Kjo është plotësisht e kuptueshme, nëse merret parasysh se shumë nga çështjet kryesore të agjendës politike për të ardhmen e Republikës së Maqedonisë së Veriut varen ose burojnë nga zgjedhja e përhershme e këtyre dy qëllimeve strategjike. Rrjedhimisht, pikërisht ato paraqesin cak legjitim të propagandës, siç deklaroi një ambasador rus, e ku përfshihen edhe gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat.

Përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave, si pjesë e propagandës kundër referendumit për ndryshimin e emrit të vendit, në mënyrë shumë precize dhe gjithëpërfshirëse e analizon Zharko Trajanoski, në serinë e analizave “Propaganda ruse në Maqedoni në vitin 2018: “Edinstvena Maqedonia” (Maqedonia Unike) si ‘gur shahu’ i “Rusisë Unike””, “Propaganda ruse me dezinformata në Maqedoni para referendumit të vitit 2018” dhe “Propaganda ruse në Maqedoni pas referendumit deri në anëtarësimin në NATO”.

Në një nga pjesët e analizës së tij, Trajanoski në mënyrë precize përmend protagonistët e propagandës dhe përmbajtjen e gjuhës së urrejtjes në këtë moment kyç të historisë bashkëkohore të Maqedonisë së Veriut, duke dhënë konkluzion se “propaganda e tillë kërcënuese pa dyshim nxiste dyshime dhe mosbesim në institucionet demokratike dhe ndaj qeverisë, që udhëhiqte një fushatë pozitive për referendumin. Fushatat propagandistike me hashtagun #Bojkotoj, shkaktuan ndasi në “patriotë” dhe “tradhtarë”, e radikalizuan diskursin politik dhe nxitën ndjenja negative dhe urrejtje kundër “tradhtarëve”. Fushatat me dezinformata dhe konspiracione që shkaktonin frikë, mosbesim, pasiguri dhe që nxisnin armiqësi dhe gjuhë urrejtjeje, u treguan si armë të fuqishme për të pasivizuar votuesit, për të minuar referendumin si proces demokratik dhe për të rritur mosbesimin ndaj BE dhe NATO në Maqedoni”.

Evolucioni i gjuhës ballkanike të urrejtjes me “theks francez”

Vërsulja e fundit propagandistike me gjuhë urrejtjeje ndodhi në kontekst të “propozimit francez” për zhbllokimin e procesit negociues për anëtarësim të Maqedonisë së Veriut në BE. Kanonada me gjuhë urrejtjeje përjetoi kulminacionin gjatë diskutimit plenar në Kuvend për konkluzionet e Qeverisë lidhur me tekstin e kornizës së bisedimeve, e menjëherë më pas edhe për Protokollin me Republikën e Bullgarisë, si dhe për Deklaratën që trajton çështjen e gjuhës maqedonase.

Kjo analizë konsideroi si posaçërisht të rëndësishëm aspektin e gjuhës së urrejtjes, e cila u transferua në Kuvend nga rrugët me protesta dhe nga rrjetet sociale (Debat rruge në Kuvend: Deputetët e LSDM janë monstra, e ata të VMRO-DPMNE janë për shërim në Demir Hisar), si dhe aspektin e gjuhës së urrejtjes dhe ndasive gjithnjë e më të theksuara në plan të brendshëm ndërmjet dy grupeve më të mëdha etnike (Mllefi nga propozimi francez shtrihet mbi bashkëjetesën).

Mirëpo, para se ta analizojmë evolucionin e gjuhës ballkanase të urrejtjes me “theks francez”, të shohim çfarë thonë doracakët për modelet e propagandës lidhur me përdorimin e gjuhës së urrejtjes dhe dezinformatave (Hate and propaganda models of media and communication in the Western Balkans and Turkey).

Për sa i përket përmbajtjes, doracakët thonë se rekomandohet prodhim sistemik i pakove mediatike me gjuhë të urrejtjes në tekste, raporte, komente, tituj, përmbajtje vizuale “gazetareske” (fotografi, ilustrime, video regjistrime), simbole, porosi të krijuara enkas për të nxitur urrejtje kundër grupeve dhe individëve të caktuar, shpifje, paragjykime dhe gjuhë diskriminuese.

Tingëllon si diçka që kemi dëgjuar më parë, apo jo?

Edhe Instituti për Media dhe Analitikë IMA e vlerësoi këtë si diçka të njohur, tashmë të parë e të dëgjuar dhe jashtëzakonisht të rrezikshme, dhe në tekstin “Intensifikohet gjuha e urrejtjes sipas më shumë bazave: Sërish jehon “shqiptarët e mallkuar” dhe “Maqedoni e pastër”; ku është opinioni publik dhe institucionet?”, tërhoqi vërejtjen se “gjuha e urrejtjes paraqet kërcënim për paqen dhe sigurinë e shoqërisë dhe se mediat, shoqëria civile, por, para së gjithash institucionet kompetente, duhet të bëjnë çmos për ta parandaluar rritjen dhe përdorimin e saj si metodë në luftën politike”.

Të gjitha këto, të mbështetura fuqishëm me frikësim, shqetësim dhe dezinformata, manipulime faktesh dhe fotografish, revizionizëm të fakteve historike, fushata brutalisht negative dhe shpifëse kundër caqeve të caktuara, përhapjen e frikës së panevojshme – dominojnë si narrativ në këto platforma mediatike dhe të komunikimit.

Caqe të përmbajtjeve të këtilla janë individë ose grupet e përkrahësve të partive politike kundërshtare, bashkësive etnike, fetare dhe seksuale, popujt fqinjë, bashkësitë e pakicave si emigrantet, refugjatët dhe azilkërkuesit, romët, myslimanët, hebrenjtë, kundërshtarët politikë ose ideologjikë, gazetarët dhe mediat kritike (SHGM: Sulme të shpeshtuara ndaj gazetarëve; organet kompetente të reagojnë urgjentisht lidhur me denoncimet), personat publikë dhe aktivistët e shoqërisë civile me orientim kritik, anëtarët e komunitetit akademik dhe ithtarë të shoqërive multikulturore, feministet, mbrojtësit e të drejtave të njeriut, organizatat ekologjike dhe aktivistët e mjedisit, Xhorxh Sorosi, BE (Me çfarë porosish u prit Ursula Lajen në Kuvend?) dhe aktorët tjerë ndërkombëtarë me qëndrime kritike.

Edhe kjo tingëllon si diçka e njohur.

Në tekstin “Gjuhë urrejtjeje dhe sulme joshembullore kundër profesoreshës Kollozova për publikimin e qëndrimeve personale”, Instituti për Media dhe Analitikë dha shembull konkret për një sulm të tillë të vazhdueshëm me gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime për dhunë.

Kur profesoresha Katerina Kollozova në profilin e saj në Fejsbuk postoi mendimin e saj për temën kontroverse, pasoi jo vetëm një valë reagimesh dhe komentesh të pahijshme, por edhe sulme me gjuhë ekstreme të urrejtjes kundër saj në më shumë drejtime. Për shembull, faqja e Infomax.mk në Fejsbuk ka lejuar postimin e qindra komenteve fyese poshtë postimit, prej të cilave një pjesë janë fyerje personale, një pjesë janë me gjuhë urrejtjeje seksiste dhe nxitje urrejtjeje në më shumë baza, ndërsa një pjesë tjetër kërkojnë shkeljen e të drejtave të saja njerëzore dhe janë kërcënime për sigurinë e saj personale.

IMA evidentoi edhe një formë të gjuhës ekstreme të urrejtjes më 26 korrik të vitit 2022, kur në grupin e Fejsbukut Macedonian Radio Program-3ZZZ, Melbourne u publikua një status i gazetarit Ico Najdovski-Perin me fotografi (montazh) të Pendarovskit, Zaevit dhe Kovaçevskit, dhe porositë në vijim, të cilat përmbajnë gjuhë “patriotike” urrejtjeje me motiv politik që nxit dhunë: “Edhe të vdekur do t’ju ndjekim!!! Për Ilinden vetëm shkopi për këta tradhtarë!”.

Në një kombinim të përmbajtjeve dhe caqeve të targetuara për sulm, objekt problematizimi dhe përdhosje faktesh janë edhe ngjarje të caktuara historike nga pozicione të etno-nacionalizmit agresiv.

Formatet dhe teknikat speciale, përfshirë anonimitetin, përdorimin e algoritmeve dhe teknikave tjera, me gjuhën e zgjidhjeve të fuqishme, emotive, verbale dhe vizuele, si dhe mbjelljes së frikës, janë mënyrat e tërheqjes së audiencës, për të ndikuar opinionin publik dhe për të manipuluar me të.

Gjuha e urrejtjes dhe dezinformatat e këtij lloji, të përcjella fuqishëm me mbështetje mediatike dhe gjueti shtrigash në platformat e komunikimit siç janë rrjetet sociale, mund të shkaktojnë incidente, aksione dhe sulme të organizuara (Incidente para qeverisë në protestat kundër “propozimit francez”Policia parandaloi incident ndëretnik në protesta…)

Gjuhën e urrejtjes e përvetësuan politikanët dhe fytyrat publike

Në kontekst të fushatës kundër kornizës së propozuar për fillim të negociatave për anëtarësim në BE, lideri dhe deputeti i partisë “Levica” (E Majta), Dimitar Apasiev, zhvendosi gjuhën e urrejtjes nga mediat dhe rrjetet sociale në paraqitjet publike, kur fillimisht bëri thirrje për radikalizim (Apasievi propozon radikalizim të opozitës me protesta, bllokim dhe paralizim të Kuvendit), e më pas edhe me retorikë të hapur urrejtjeje ndaj kryetarit të vendit Pendarovski (Apasiev publikisht fyen Pendarovskin), pasi që njeriu i parë i vendit në Samitin e NATO në Madrid deklaroi se propozimi i modifikuar francez është “shumë më i mirë për ne, për dallim nga propozimi i parë”.

Kjo vetëm u dha impuls shtesë ndjekësve të Apasievit në rrjetet sociale, sidomos pasi që ai “u vërsul” me gjuhë të pahijshme edhe kundër një pjese të gazetarëve që paraqitën mendimet e tyre lidhur me “propozimin francez” (Funksionarët nga “Levica” (E Majta) me etiketime, gjuhë urrejtjeje dhe kërcënime për përfshirje në “lista” kundër gazetarit Popetreski).

Instituti për Media dhe Analitikë IMA regjistroi se nga gjuha e urrejtjes nuk u kursyen fare as funksionarët e lartë të BE, që në Maqedoninë e Veriut vinin me porosinë se në propozimin e ndryshuar të kornizës negociuese të BE gjuha maqedonase qëndron pa fusnotë, se ardhmëria e Maqedonisë së Veriut është në Bashkimin Evropian dhe se Evropa nuk është e tërë pa të (Sulme të orkestruara me gjuhë urrejtjeje dhe dezinformata kundër fon der Lajen dhe BE).

Ndaj kësaj reagoi edhe eurokomisari për zgjerim dhe fqinjësi Oliver Varheji, i cili në intervistën për “Euroaktiv” ftoi opozitën në Maqedoninë e Veriut të kthjellohet me porosi se “ndezja e dokumenteve në sallën plenare, nxitja e njerëzve në dhunë dhe nxitja e urrejtjes nuk sjellin asgjë tjetër përveç dëmit”.

Repertori i gjuhës së urrejtjes iu kthye “traditave më të mira” nga koha e qeverisjes së Nikolla Gruevskit dhe shtetit të kapur, kur me rrathë të kuq mbaheshin në “shënjestër” të gjithë që shpreheshin lirisht dhe ndryshe nga pushteti i atëhershëm i VMRO-DPMNE, si dhe kur përpiloheshin lista, mirëpo, kësaj radhe, të inkurajuar në mënyrë shtesë me deklaratat e liderit, që në disa raste ishin jashtëzakonisht ekstreme (Pse Apasievi do që fëmijët e dikujt të pështyjnë gjak dhe pse nuk është arrestuar?)

Se gjuha e urrejtjes mund të shndërrohet në “bombë” që paraqet kërcënim serioz për marrëdhëniet ndëretnike, ishte një nga pikat e debatit “Urrejtja etnike nga foltorja e kuvendit”, të cilën e organizoi “Civil Media”, e në të cilën morën pjesë deputetët Latife Shikovska, Zeqir Ramçilloviq dhe Martin Kostovski.

Nxitja me gjuhë të urrejtjes pastaj mori edhe forma tjera, siç ishte rasti me publikimin e listës me numrat e telefonave të deputetëve (“39 numra deputetësh të shumicës në kuvend publikohen në Tuiter – Thirrje për kërcënime dhe gjuhë urrejtjeje që të mos votojnë për propozimin francez”).

Jo se numrat zyrtarë të telefonave të deputetëve janë sekret shtetëror, por, kësaj radhe, ato u publikuan me thirrjen “U bëni porosi që të mos tradhtojnë popullin”, që u pasua me kërcënime, sharje dhe gjuhë tjetër urrejtjeje kundër deputetëve të shumicës qeverisëse, si presion që të votojnë kundër konkluzioneve të Qeverisë për të pranuar “propozimin francez”.

Si jehonë e debatit toksik mediatik dhe politik në opinion lidhur me “propozimin francez”  dhe deklaratën për gjuhën maqedonase, gjuha e urrejtjes dhe diskriminimi u përcollën në Uikipedia, me ndërhyrje përmbajtjesore në faqet e ministrit për punë të jashtme Bujar Osmani, kryeministrit Dimitar Kovaçevski dhe kryetarit të shtetit Stevo Pendarovski (Sulme të sinkronizuara kundër politikanëve në Uikipedia, me dezinformata, nxitje urrejtjeje dhe diskriminim).

Gjithçka filloi me ndërhyrjen e hakerëve në faqen e Uikipedias që i kushtohet ministrit për punë të jashtme Bujar Osmani, kur një “administrator” deri më tani i panjohur, në orët e pasdites më 23 korrik ndryshoi përmbajtjen e faqes së Uikipedias në gjuhën angleze me emërtime fyese (një pjesë e këtyre emërtimeve për ministrin e punëve të jashtme u vërejtën edhe në pankartat e protestuesve opozitarë kundër të ashtuquajturit “propozim francez”). Pasuan ndërhyrje në faqet e kryeministrit dhe kryetarit, me fyerje, përshkrime dhe fjalor diskriminues, si sulm i organizuar propagandistik me caqe qartë të targetuara, për veprim të sinkronizuar me mbështetje nga të ashtuquajtura “ferma botësh” nga vendi, që në rrjetet sociale menjëherë postonin fotografi me ndryshimet e bëra në Uikipedia me përmbajtje fyese, urryese dhe diskriminuese, para se faqja të kthehet në përmbajtjen e zakonshme.

Ndaj përshkallëzimit të dhunës dhe gjuhës së urrejtjes reagoi edhe Komiteti i Helsinkit, duke “dënuar çdo akt dhune dhe çdo gjuhë urrejtjeje, si dhe nxitjen dhe thirrjen për dhunë”, si gjëra jashtëzakonisht të dëmshme dhe në kundërshtim me vlerat e një shoqërie demokratike.

Komiteti i Helsinkit potencoi se gjuhën e urrejtjes e përvetësuan politikanët dhe fytyrat publike dhe i ftuan ata “të kenë kujdes se çfarë fjalori përdorin kur i drejtohen publikut”, ndërsa nga mediat kërkuan “t’i mbulojnë ngjarjet duke u udhëhequr nga parimet e objektivitetit dhe paanshmërisë gjatë raportimit”.

Në këtë kontekst, edhe Komisioni për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi informoi se janë dorëzuar dhjetëra parashtresa për të vërtetuar diskriminimin në bazë të përkatësisë etnike në opinione të postuara në rrjete sociale (Dhjetëra parashtresa për supozime se është përdorur gjuha e urrejtjes kundër bullgarëve në vend).

Dhe, kur flasim për mediat, është e domosdoshme që edhe një herë t’i rikujtojmë parimet themelore për atë se si duhet të reagojnë gazetarët dhe redaktorët ndaj gjuhës së urrejtjes, sepse, padyshim, për disa arsye të caktuara, këto parime nuk respektohen.

Në një opinion të publikuar në ueb-faqen zyrtare, ish-kryetarja e Komisionit për Parandalim dhe Mbrojtje nga Diskriminimi, Vesna Bendevska, thekson se “Gjuha e urrejtjes është diçka më shumë se sa vetëm fjalë të thjeshta”. Fjalori i tillë ka për qëllim të lëndojë, të fyejë, të shkatërrojë dinjitetin dhe integritetin e dikujt, të nënvlerësojë, të nënçmojë. Gjuha e urrejtjes paraqet kërcënim të vërtetë për të drejtat e njeriut, të garantuara me kushtetutën tonë dhe konventat ndërkombëtare për të drejtat e njeriut, të cilat i kemi ratifikuar dhe janë pjesë e rendit tonë juridik.

Sipas KPMD, gazetarët dhe redaktorët “duhet të jenë syçelë të dallojnë diskriminimin, praktikat diskriminuese, si dhe të distancohen dhe ashpër ta dënojnë çdo gjuhë urrejtjeje”.

Kodi i gazetarëve të Shoqatës së Gazetarëve të Maqedonisë i obligon ata të mos flasin me gjuhën e urrejtjes:

“Gazetari nuk do të krijojë ose përpunojë me vetëdije informata që rrezikojnë të drejtat ose liritë e njeriut, nuk do të flasë me gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë dhe diskriminim mbi asnjë bazë (nacionale, fetare, racore, gjinore, sociale, gjuhësore, të orientimit seksual, politike…)”.

Në Doracakun për etikë në gazetari thuhet se “gjuha e urrejtjes është e panjësueshme me etikën gazetareske” dhe se “Media dhe gazetari nuk duhet të publikojnë materiale (informata, fotografi, mendime, komente) që kanë për qëllim të përhapin armiqësi ose urrejtje, ose nëse ekziston një mundësi e madhe që materiali i publikuar të shkaktojë armiqësi ose urrejtje kundër një personi tjetër për shkak të racës, përkatësisë etnike, gjinisë, fesë, përkatësisë politike, orientimit seksual, aftësive të kufizuara fizike të tij/saj etj”.

Madje, edhe vetë gazetarët ishin cak i sulmeve dhe gjuhës së urrejtjes në periudhën e debatit publik për “propozimin francez”, si dhe gjatë miratimit të kornizës së bisedave dhe fillimit të negociatave në Bruksel.

Lideri dhe deputeti nga “Levica” (E Majta), Apasiev, vazhdoi me sulme të vrazhda dhe gjuhë urrejtjeje kundër gazetarëve, gjë të cilën e bën në vazhdimësi. Kësaj radhe, gazetarët e mediave që raportonin nga Brukseli lidhur me fillimin e negociatave me BE, Apasievi i quajti “lavire dhe qullashë” (Apasievi vazhdon me sulme brutale kundër gazetarëve dhe me përhapje të dezinformatave) dhe përhapte dezinformata për “gjoja konferencë politike” dhe se “negociatat do të fillojnë në ‘verën e qyqes’ (shprehje maqedonase për diçka që nuk do të ndodhë asnjëherë”, që u pasua me demant të drejtpërdrejtë nga ngjarja në Bruksel.

Maqedonia Veriore kundër Bullgarisë: Kush ia filloi i pari?

Që nga fillimi i hapjes së çështjeve identitare, të cilat Bullgaria i imponoi me sukses si politikë zyrtare dhe si shkas për veton kundër fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në BE, gjuha e urrejtjes është një nga konstantat të cilëve i referohet ajo.

Mirëpo, në nëntor të vitit të kaluar, hulumtimi dhe studimi i Fondacionit për Hulumtime Humanitare dhe Sociale nga Sofja në Bullgari, tregoi se “gjuha e urrejtjes kundër Bullgarisë e cila u vërejt në mediat maqedonase, është pasojë e vetos për fillim të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE. Konkluzioni i Fondacionit për Hulumtime Humanitare dhe Sociale nga Sofja është se presioni i Bullgarisë ndaj Maqedonisë së Veriut për çështjet e identitetit dhe gjuhës nuk ka ndalur “maqedonizmin”, por ka forcuar dhe zgjeruar ndikimin e tij dhe se ky presion është treguar kundërproduktiv (Politikë kundërproduktive: Sofja ka provokuar gjuhën e urrejtjes në Shkup, konkludon studimi bullgar).

“Në vitin 2019 në mediat maqedonase nuk ka populizëm, siç ishte në Bullgari në atë periudhë, por në shtator të vitit 2020 ambienti u përkeqësua rishtas dhe për momentin ai është tmerrues”, vlerëson Dimitar Vacov, profesor i filozofisë në Universitetin e Ri Bullgar, dhe kryetar i Këshillit Drejtues të Fondacionit për Hulumtime Humanitare dhe Sociale, që realizoi hulumtimin dhe përgatiti studimin.

Duke iu referuar studimit, profesori Vacov thekson se gjendja mediatike u përshkallëzua në vitin 2020, fillimisht për shkak të intervistës së profesorit Denko Maleski dhe qëndrimit të Akademisë së Shkencave të Bullgarisë se gjuha maqedonase është dialekt i bullgarishtes, pas së cilës kulminacioni u arrit me deklaratën e ish-zëvendëskryeministrit bullgar Krasimir Karakaçanov, i cili paralajmëroi se Sofja do t’i vendosë veto fillimit të negociatave të Maqedonisë së Veriut me BE (Karakaçanov për TV 24: Nëse nuk ka avancim lidhur me çështjet historike, Bullgaria do ta bllokojë konferencën e parë ndërqeveritare me BE,).

“Nga 9 shtatori (viti 2020, v.j.) deri në fund të vitit, diskursi maqedonas shënon rritje të madhe. Atëherë fillon edhe diskursi antibullgar. Vetëm për Goce Dellçevin dhe derivate të rrënjës “bullgar/e” ka 3033 tekste. Deri para deklaratës së Karakaçanovit më 9 shtator, ka 710 tekste që flasin për Goce Dellçevin. E për katër muaj, deri në fund të vitit, ka 2323 tekste”, sqaron Vacov.

Studimi i mjedisit mediatik në Maqedoninë e Veriut nga Fondacioni për Hulumtime Humanitare dhe Sociale për vitin 2019 dhe 2020, tregon se në raport me vitin paraprak 2019, në vitin 2020 është dyfishuar edhe numri i teksteve në të cilat flitet për “fashistë” dhe “okupatorë fashistë”.

Dhe, nëse këto të dhëna, të sistematizuara në këtë mënyrë, shkojnë në favor të përgjigjes për pyetjen “Kush ia filloi i pari?”, ato gjithsesi nuk japin përgjigjen e pyetjeve më me rëndësi – kur do të përfundojë e gjithë kjo dhe a kanë Sofja dhe Shkupi mënyrë efikase për të ndikuar në eliminimin e gjuhës së urrejtjes në të dy vendet.

Protokolli nga Takimi i dytë i Komisionit të përbashkët ndërqeveritar, i formuar në bazë të nenit 12 të Marrëveshjes për Miqësi, Fqinjësi të Mirë dhe Bashkëpunim ndërmjet Republikës së Maqedonisë së Veriut dhe Republikës së Bullgarisë i datës 17 korrik të vitit 2022, obligon të dyja palët të identifikojnë dhe të ndërmarrin masa kundër gjuhës së urrejtjes në mbishkrime të objekteve publike dhe monumenteve, tekste dhe programe shkollore, si dhe në hapësira publike, që si detyrë do të merret përsipër nga ministritë për punë të jashtme të Bullgarisë dhe Maqedonisë së Veriut për t’i kontaktuar dhe informuar institucionet kompetente me qëllim të identifikimit të përbashkët të rasteve të tilla.

Lidhur me gjuhën e urrejtjes Protokolli në mënyrë plotësuese parasheh që shtetet të ndërmarrin masa efikase për parandalimin e propagandës jo qëllimmirë nga ana e institucioneve dhe agjencive, si dhe do të dekurajojnë aktivitetet e subjekteve private, të drejtuara në nxitje të dhunës, urrejtjes ose aktiviteteve tjera të ngjashme, që do dëmtonin marrëdhëniet e ndërsjella.

Ajo që imponohet si domosdoshmëri dhe detyrim i Qeverisë së Maqedonisë së Veriut, gjegjësisht Ministrisë për Punë të Jashtme, është nevoja për sqarime plotësuese lidhur me dispozitat e protokollit, e që kanë të bëjnë me gjuhën e urrejtjes, me argumente bindëse se parandalimi i gjuhës së urrejtjes nuk do të jetë instrument censurimi që do ta mohojë lirinë e të shprehurit dhe do të përshtatë narrativat në kulturë dhe krijimtari.

Po ashtu, është e domosdoshme të qartësohet se detyrimet për luftë kundër gjuhës së urrejtjes janë krejtësisht reciproke dhe se gjuha e urrejtjes trajtohet vetëm në aspekt të së drejtës së BE dhe të drejtës ndërkombëtare në të dy shtetet, e jo sipas interpretimeve arbitrare oportuniste që zakonisht mund të keqpërdoren.

Maqedonia e Veriut në evolucionin e propagandës me gjuhë urrejtjeje në trekëndëshin ballkanik

Për ta përmbyllur trekëndëshin ballkanik, në të cilin Maqedonia e Veriut u gjend si mjedis i përshtatshëm për gjuhë urrejtjeje, do t’u referohemi disa studimeve dhe analizave, që japin perceptimin se gjenerator dhe inspirues i propagandës me gjuhë urrejtjeje dhe dezinformata është Rusia, duke marrë parasysh këtu edhe studimin e Parlamentit Evropian të vitit 2021, “Mapping Fake News and Disinformation in the Western Balkans and Identifying Ways to Effectively Counter Them”, që konkludon se aktorët e huaj nuk janë fajtorët më të shquar dhe se numri më i madh i individëve dhe organizatave që prodhojnë gjuhë urrejtjeje dhe përhapin dezinformata janë vendas.

Si mbështetje vlerësimit të këtillë mund të merren parasysh konstatimet nga një numër studimesh në Maqedoninë e Veriut, Bullgari dhe Bosnjë e Hercegovinë.

Në serinë e analizave për ndikimin rus në Maqedoninë e Veriut, analisti mediatik Zharko Trajanoski, ndoshta analisti i vetëm që në mënyrë të thuktë dhe në vazhdimësi ndjek këtë temë, thotë se “sa i përket temës për ‘ndikimin rus’ dhe ‘skenarin ukrainas’, na ka marrë lumi që moti (shih analizën 1 dhe 2), kur në dhjetor të vitit 2017 propagandistët rusë publikonin parashikime të errëta për zhdukjen e Maqedonisë nga harta botërore dhe për ndarje të Maqedonisë ndërmjet Shqipërisë dhe Bullgarisë (Shihni ANALIZËN E ANDREJ KORIBKOS: A do të zhduket Maqedonia nga harta e botës në vitin 2018?).

Trajanoski poashtu shton se “zëdhënësit lokalë rusë shpërndanin parashikime apokaliptike se “Maqedonia është zgjedhur si vendi ku do të fillojë lufta e radhës, gjegjësisht konflikti botëror ndërmjet NATO dhe Rusisë”.

Ofensiva e propagandës ruse kundër NATO dhe BE u intensifikua në shkurt dhe në mars të vitit 2018, kur tanimë paralajmëroheshin sinjale pozitive për zgjedhjen e kontestit me Greqinë për emrin, që ishte parakusht për anëtarësi të Republikës së Maqedonisë në NATO (Athina pret përparim pas takimit Zaev-Cipras në Davos).

Në atë ofensivë, krahas fokusit drejtuar NATO-s, si viktimë e “zjarrit miqësor” u apostrofuan edhe marrëdhëniet ndëretnike në vend, me gjuhë urrejtjeje kundër shqiptarëve në Maqedoni.

Trajanoski përkujton se “në emisionin më të shikuar të asaj kohe “Vetëm e vërteta” më 20 shkurt të vitit 2018, ‘debatonin’ dy propagandistë pro-rusë lidhur me temën “A ka Maqedonia alternativa të BE dhe NATO?”. Mysafirët ishin në një vijë sa i përket fushatës negative kundër BE dhe NATO, si dhe në denigrimin e qeverisë properëndimore dhe përqeshjen e ithtarëve për anëtarësim në NATO dhe BE. Në emisionin e njëjtë, përfaqësuesi i “Edinstvena Makedonija” (Maqedonia Unike) u drejtua me porosi eksplicite antishqiptare duke thënë se shqiptarët “do të kenë dy mundësi – ose të fillojnë ta mësojnë rusishten ose të mësojnë të notojnë, dhe këtë e them shumë seriozisht”.

Lideri i “Edinstvena Makedonija” (Maqedonia Unike), Baçev, pohonte se “aleanca strategjike me Rusinë siguron ekzistencën dhe ardhmërinë e Maqedonisë”, ndërsa mysafire në “Vetëm e vërteta” në mars ishte edhe kolumnistja, profesoresha Biljana Vankovska, si një nga nënshkrueset e para të deklarimit manipulativ të intelektualëve që kërkonin ndërprerjen e negociatave për emrin. Vankovska, autore e kolumnës Çmimi Nobel për Putinin: E, pse jo? (në “Ruska reç”), më herët kishte promovuar sloganin “JO për NATO, madje as me emrin kushtetues!”.

Përveç përpjekjeve për frikësim me “shqiptarizim brutal”, propagandistët përdornin adutin e “antifashizmit”, duke paraqitur Perëndimin si fashizoid, si dhe adutin e alternativës politike brenda Bashkimit Euroaziatik dhe “vëllazërisë sllave” (Propagandisti Dugin, satanizimi i Perëndimit dhe apologjia e imperializmit rus), të cilën në Maqedoni e promovonte propagandisti dhe gjeopolitikani rus Aleksandar Dugin, të cilin publiku ynë e njohu që në vitin 2015 kur ishte mysafir i Milenko Nedellkovskit.

Është interesant fakti se po këtë vit (2015), menjëherë pas aneksimit rus të Krimesë dhe luftës në Ukrainë, kur intensiteti i fushatave dezinformuese, përfshirë edhe gjuhën e urrejtjes, mori përmasa brengosëse, BE dhe NATO edhe zyrtarisht i kualifikuan kërcënimet e propagandës ruse si jashtëzakonisht serioze, të cilat kërkojnë përgjigje përkatëse.

Në studimin Russia’s Strategic Interests and Tools of Influence in the Western Balkans (Interesat Strategjike dhe Mjetet për Ndikim të Rusisë në Ballkanin Perëndimor)  e Qendrës për Komunikime të Përkryera Strategjike pranë NATO-s (Strategic Communications Centre of Excellence), autori Dimitar Beçev konstaton se “qëllimi kryesor i Rusisë në Ballkanin Perëndimor nuk është ta revidojë status-kuonë, por ta ngrijë atë. Ajo dëshiron ta parandalojë zgjerimin e NATO-s dhe ta ngadalësojë zgjerimin e BE-së. Situata e tanishme është në pajtim me interesat strategjike të Rusisë. Ballkani Perëndimor është joformalisht i integruar në Perëndim, por nuk kishte konsolidim të brendshëm demokratik ose zgjidhje përfundimtare të konflikteve mes shteteve. Moska ka dobi nga problemet ekzistuese në këtë rajon, e jo të krijojë të reja: konteste të hapura që datojnë që nga luftërat e viteve të ‘90-ta, raportin dashuri-urrejtje me Perëndimin, institucione të dobëta, sundimin e komprometuar të së drejtës, ekonomi të brishta dhe mungesë të përgjithshme të transparencës dhe llogaridhënies”.

Beçev konkludon se “në një ambient të tillë politik (të Ballkanit Perëndimor, v.y.) Rusia projekton ndikimin e saj, duke përforcuar pozicionin e vet në politikën evropiane dhe, në masë më të vogël, edhe në nivel global. Për Moskën, Ballkani Perëndimor është një fryt peme që mbërrihet me një të zgjatur dore. Rusia preferon të ndikojë pa shumë resurse dhe kryesisht me ndihmën e bashkëpunëtorëve lokalë. Për këtë arsye, politika ruse në rajon kryesisht është e fokusuar në kooptimin dhe metodat subversive, në vend të formave ushtarake ose joushtarake të detyrimit. Në vend që të zhvendosë ushtarë në ish-Jugosllavi për ta rrënuar balancën lokale të forcave në një mënyrë apo tjetrën, Rusia mbështetet në intervenimin politik përmes iniciativave diplomatike, ndërhyrjen në politikën e brendshme dhe në fushata informative”.

Viti 2015 edhe një herë paraqitet si pikë referimi për propagandën ruse në Ballkan. Atë vit, menjëherë pas aneksimit të Krimesë dhe luftës së parë në Ukrainë, Federata Ruse hapi radio-stacionin Sputnik në Serbi, që pas një kohe u zgjerua me Agjencinë Sputnik. Radioja dhe agjencia Sputnik kanë rolin e një platforme rajonale me shërbim informativ në gjuhën serbe që ka sinjal në gjithë rajonin, të plotësuar me rrjet të mbi tridhjetë stacioneve rajonale. Përmbajtjet e radios dhe agjencisë shpërndahen edhe në mediat lokale të shtypura dhe online, përfshirë këtu edhe mediat rozë me tirazh të lartë dhe TV stacionet me shikueshmëri të madhe si Blic, Kurir, Informer, Veçernje Novosti dhe B92.

Prania e Rusisë në hapësirën informative të Ballkanit Perëndimor, sipas studimit Russia’s Strategic Interests and Tools of Influence in the Western Balkans të Dimitar Beçevit, është në boshtin e aktiviteteve të Kremlinit, nëse e  kemi parasysh se Sputnik është themeluar me dekret të Vlladimir Putinit.

Zonat e ndikimit të Sputnik, përveç në Serbi dhe Bosnjë e Hercegovinë me theks në Republika Sërpska, kanë shtrirje edhe në Malin e Zi, popullatën serbe në Kosovë dhe, deri diku edhe në Maqedoninë e Veriut.

Në Maqedoninë e Veriut, Sputnik nuk ka mediat e veta dhe zakonisht vepron përmes “proksi” mediave në vend dhe kryesisht përmes rrjeteve sociale, në periudha kur në vend zhvillohen procese politike që ndërlidhen me qëllimet strategjike ose gjatë fushatave zgjedhore.

Veprimtaria e shërbimeve ruse të informimit në Maqedoninë e Veriut është regjistruar në më shumë raste në: Sputnik Analyst Claims Macedonians Dislike EU and NATO. Polls Show Majority Support#ElectionWatch: Sputnik Misleading in Macedonia.

Një margaritar i rrallë në kronologjinë e aktiviteteve propagandistike të Sputnik kundër Maqedonisë së Veriut është teksti me titullin “Politikani bullgar: Është çështje kohe kur Maqedonia do të kërkojë një pjesë të Bullgarisë”, të cilën e transmetuan një numër i mediave serbe dhe që megjithatë u zbulua nga servisi për verifikimin e fakteve “Vistinomer” (Vërtetëmatësi) i Fondacionit Metamorfozis (Serbian news agency Sputnik is frightening the Bulgarians that Macedonia might have territorial appetites towards Bulgaria).

Dhe kur flasim për Bullgarinë, në këtë shtet propaganda ruse ka model të ngjashëm si Sputniku në Serbi, me atë që rolin e shpërndarësve të përmbajtjeve mediatike në interes të Kremlinit këtu e marrin përsipër më shumë agregatë apo portale si “Novini 247”, “Pogled info”, “Аspekto”, “News Front”… (Проф. Димитър Вацов: Лъжата не е алтернативна гледна точка и никога не е била)/.

Zgjidhje është edukimi dhe zbatimi i ligjeve

Gjatë fushatës së gjuhës së urrejtjes që përcillte procesin e diskutimit dhe konsultimit publik për “propozimin francez” lidhur me atë se çka ndërmerret për të sanksionuar këtë vepër penale, ministri për punë të brendshme, Oliver Spasovski, iu përgjigj pyetjes së një deputeteje në Kuvendin e Maqedonisë së Veriut, se në vitin 2022 nuk ka vepër penale për shkaktim urrejtjeje dhe se në proces e sipër është vetëm një vepër për rrezikim të sigurisë përmes mjeteve elektronike (Spasovski: Në vitin 2022 nuk ka vepër penale për shkaktim urrejtjeje dhe vetëm një vepër për rrezikim të sigurisë në mënyrë elektronike).

Spasovski saktësoi se kjo statistikë nuk tregon zvogëlim të gjuhës së urrejtjes, por se në këtë periudhë nuk ka pasur parashtresa.

Kjo edhe një herë flet për faktin se njohja dhe denoncimi i gjuhës së urrejtjes dhe veprave nga urrejtja nuk përkon me rritjen e gjuhën e urrejtjes dy vitet e fundit, ku mbizotëron gjuha politike e urrejtjes si rezultat i krizës së vazhdueshme politike, e cila polarizoi mediat, por edhe shoqërinë në përgjithësi.

Fjalimet politike të ngjeshura me gjuhë urrejtjeje shkaktonin ndasi mes qytetarëve, politikanëve, aktivistëve dhe mediave në “patriotë” dhe “tradhtarë”, ndërsa intensiteti i përmbajtjeve fyese përplot urrejtje shënonte rritje si në media, ashtu edhe në rrjetet sociale.

Në kontekst të kësaj situate, përshtypja e opinionit publik maqedonas për luftën kundër gjuhës së urrejtjes në vend është se ajo bëhet vetëm deklarativisht, edhe pse gjuha e urrejtjes është e përfshirë në Kodin Penal. Për shembull, neni 319 i KP parasheh se nxitja e urrejtjes, ndasive ose mostolerancës në bazë nacionale, racore, fetare dhe në bazë tjetër diskriminuese, dënohet nga një deri në pesë vjet burgim, ndërsa dënim me 10 vjet burgim sipas këtij neni parashihet nëse vepra shkakton trazira dhe dhunë kundër njerëzve ose pronës. KP në nenin 394-d sanksionon edhe shpërndarjen e materialeve raciste dhe ksenofobe përmes sistemit kompjuterik.

Kjo situatë sërish na kthen te pyetja për efikasitetin e prokurorisë dhe pavarësisë së gjyqësorit, si dhe në pyetjen për gatishmërinë e organeve rregullatore dhe vetërregulluese mediatike, në përputhje me normat dhe standardet e pranuara ndërkombëtare të të drejtave të njeriut, për të dhënë kontributin e tyre në parandalimin e nxitjes së urrejtjes si “lëndë djegëse” për konflikte në shoqëri.

Përvoja tregon se vetërregullimi i mediave, aty ku është efikas, mbetet një nga mënyrat për t’iu kundërvënë gjuhës së urrejtjes dhe për t’iu përgjigjur në mënyrë përkatëse kësaj çështjeje. Përmes vetërregullimit, mediat ushtrojnë përgjegjësinë e vet morale dhe shoqërore, përfshirë edhe aktivitetet për ballafaqim adekuat me propagandën e urrejtjes dhe diskriminimit. Kodet etike dhe instrumentet e vetërregullimit dhe ko-rregullimit duhet të garantojnë se rastet e propagandës do të zbulohen dhe ekspozohen në vazhdimësi, e po ashtu do t’i prezentohen edhe publikut.

Nga ana tjetër, vetëm qytetarë të informuar, mediatikisht të arsimuar, mund të bëjnë zgjedhje racionale, e jo emocionale, dhe, për këtë shkak, përfshirja e edukimit mediatik dhe digjital në programet arsimore mund ta ndalojë zjarrin që ndezin propagandistët me gjuhën e tyre të urrejtjes.

Qeveria nuk duhet më të humbë kohë për të investuar në programe të tilla arsimore dhe duhet sa më parë ta zgjedhë modelin më të përshtatshëm, që duhet ta kompensojë shumë shpejt atë që për vite të tëra është lënë mangët në këtë drejtim.