Shkruan: SEFER TAHIRI
Raportimi mediatik etnocentrik, jo vetëm në mediat tradicionale, por edhe në ato onlajn, vazhdon të jetë i pranishëm. Bëhet fjalë për raportim përplot paragjykime dhe stereotipa mbi baza etnike që nuk përfshin vetëm sferën politike, e cila rëndom ndërlidhet me çështjet ndëretnike apo ndërfetare që e ngarkojnë debatin publik 30 vite me radhë, por që shpenzon tepër edhe energjinë e institucioneve të sistemit politik dhe juridik në Maqedoninë e Veriut. I tillë ishte edhe raportimi i mediave lidhur me situatën e vjedhjes së energjisë elektrike në Maqedoninë e Veriut, ku si shembull tipik në media i veçua Komuna e Haraçinës, e cila ishte në fokus të komunikimit publik më tepër se një muaj.
Megjithëse sipas teorisë së mediave, përkatësisht sipas standardeve profesionale dhe normave etike të përshkruara me Kodin Etik të Mediave të Republikës së Maqedonisë së Veriut, media në përmbajtjet që i krijon duhet ta pasqyrojë realitetin në mënyrë të saktë, objektive, të pavarur dhe të balancuar, analizat e përmbajtjeve mediatike tregojnë se kjo shpesh shmanget nga mediat e ndryshme.
Raportimi, i cili gjatë prezantimit të bashkësive (grupeve) apo identiteteve të ndryshme etnike (kolektive), nuk mund t’i shmanget stereotipizimit, është i pranishëm edhe kur raportohet për çështje joetnike. Ky fenomen u vërejt tek rasti i debatit midis akademikëve, i cili nuk ka mundur tu shmanget narrative jokohezive etnike. I njëjti është evidentuar edhe tek prezantimi mediatik i vërshimeve që ndodhën në Shkup më 30 gusht të këtij viti.
Nëse nuk do të bëhej analiza tekstuale dhe e përmbajtjes së mediave të ndryshme, me gjithë brishtësinë që kanë marrëdhëniet ndëretnike në vend, pak kush pranon, me të parën, se raportimi mediatik për çështje apo probleme të ndryshme është i dyzuar. Në mediat maqedonase shpesh ka qasje kritike, e karakterizuar me stereotipa për problemet e shqiptarëve, e në anën tjetër, qasja në mediat në gjuhën shqipe është afirmative.
Teoria mbi stereotipizimin në media
Në Doracakun për arsimtarë për zotërimin e mësimit bazik për mediat në lëndën e gjuhës amtare për arsimin dhe të mesëm thuhet se “Stereotipat (e me këtë edhe procesi i stereotipizimit) janë tërësi pozitive ose negative besimesh që një individ i ka në lidhje me karakteristikat e një grupi njerëzish. Ato ndryshojnë vazhdimisht në saktësinë dhe në vëllimin e tyre se deri ku vërtet e paraqesin shkallën e karakteristikave, që i ka anëtari i grupit të stereotipizuar dhe deri te vëllimi se sa kjo tërësi besimesh arrin të ndahet prej të tjerëve”.
Ato më shpesh paraqiten si fenomen negativ, për shkak se:
- paraqesin reduktim i spektrit të gjerë të karakteristikave që njerëzit/grupi i ka (i kanë) deri në kategorizime të thjeshta;
- paraqesin supozime për një grup të caktuar dhe të njëjtat i paraqesin si pasqyrë reale për grupet;
- jo rrallë përdoren për ta arsyetuar pozicionin e atyre që kanë pozitën e “të fortit”;
- bëjnë që të ekzistojnë paragjykimet dhe pabarazitë sociale;
- grupet që janë lëndë e stereotipizimit shpeshherë as që konsultohen për sa u përket mënyrave të paraqitjes së tyre.
Por, me rëndësi është të përmendet që stereotipat nuk janë gjithnjë fenomen negativ.
Vija midis efekteve pozitive dhe negative të stereotipave është shumë e hollë, për shkak se si informacione të pjesshme, të përgjithësuara dhe jo të plota, pavarësisht se a janë të vërteta ose jo, ato ndikojnë në perceptimin e personave ose grupeve të caktuara, jo rrallë duke krijuar përshtypje të gabuar për të njëjtat dhe duke zhvilluar paragjykime. Njëri prej funksioneve të stereotipave është të ruajë kufijtë – të përkufizojë “kush kujt i takon” dhe “kush është jashtë”.
Haraçina – shembull tipik i stereotipizimit
Shpesh, kur raportohet në mediat e shkruara, në radio dhe televizion, në mediat onlajn, madje edhe në filma të ndryshëm, shqiptarët, sidomos të disa rajoneve, siç i quajnë “problematike”, përshkruhen ose prezantohen me porosi vizuale si mosrespektues të ligjit, njerëz që shkaktojnë probleme dhe që janë të prirë për dukuri devijuese, siç janë narkomania e kështu me radhë.
Nuk janë të rralla narrativët se në Maqedoninë Perëndimore ose në pjesë të Shkupit të banuar me shqiptarë mund të pish duhan në restorante dhe kafene, ndërsa narrativi më i shpeshtë stereotipizues, që brenda vetes përmban përgjithësimin (gjeneralizimin), është se shqiptarët nuk e duan rendin, nuk paguajnë tatime dhe nuk paguajnë as fatura për energji elektrike.
Më 19 gusht, një pjesë e madhe e mediave onlajn apo portaleve, duke u bazuar tek një burim anonim, i prezantuar si i punësuar në kompaninë austriake energjetike EVN, kanë raportuar se në vend vidhet 5 për qind e energjisë elektrike, përkatësisht, sipas përllogaritjes së kompanisë EVN, në nivel vjetor vidhen rreth 100 milion euro.
Si rajon më i parregullt sa i përket pagesës së energjisë u prezantua ai i Haraçinës, që shtrihet në largësi prej 8 kilometra nga Shkupi, komunë e banuar kryesisht me shqiptarë dhe e cila në media gjithmonë ka qenë e pranishme me “lajme negative”.
Portali në gjuhën maqedonase me emër ekonomik “Pari” (Para), raportonte me titullin “Vjedhin rrymë në vlerë prej 100 milion euro në vit, të gjithë e paguajmë dhe askush nuk mund tu bëjë asgjë“. Ky portal, përveç titullit, në fotografinë e përdorur ilustruese, vuri në plan të parë Haraçinën, duke lënë të nënkuptohet se mjetet financiare, si rezultat i mospagesës së energjisë, vidhen vetëm në këtë rajon, ndërsa konotacioni është se, megjithë këtij fakti, shteti dhe institucionet nuk kanë “dorë” në këtë rajon.
Sipas këtij portali “Nga EVN-ja thonë se rajonet më problematike, në të cilat nuk ekzistojnë kushte për punë dhe zbatimin e projekteve për uljen e humbjeve janë: Haraçina, Gërçeci, Saraji, Krushopeku, Hasanbegu, Serava dhe Studeniçani”. Siç mund të shihet, fshatrat apo lagjet e apostrofuara janë ekskluzivisht me popullsi shqiptare.
Portali Puls 24, në raportin mbi këtë temë publikoi titull përshkrues (“Populli nuk ka për bukë, çdo ditë thirret në kursim, ndërsa dikush vjedh rrymë? Kush do ta paguajë faturën?), i cili përmban nuanca komentuese. Në raport shtrohet pyetja “Kush dhe pse e toleron Haraçinën”? Më tej shtohet se “Bëhet fjalë për sekret publik, për të cilin askush nuk ka guxim të flasë për shkak të interesave politike ose të biznesit”.
Portali Lokalno, edhe pse brenda raportit gazetaresk shpjegonte humbjet e mëdha në rajone të ndryshme, kishte titull, që shfaq një segment të pjesshëm të realitetit mbi këtë temë. Titulli i Lokalno-s: I punësuari në EVN: Në Haraçinë vidhet ose nuk paguhet rrymë në vlerë prej 6 milion euro për një vit.
Edhe portali Deneshen veçonte Haraçinën, si komunën që vjedh më shumë energji elektrike. Titulli i këtij portali është “VJEDHJE NË EVN: Vetëm për një vit në rajonin e Shkupit është vjedhur rrymë në vlerë prej 50 milion euro, ndërsa vetëm në Haraçinë 6 milion euro“. Të njëjtën linjë të politikës editoriale e kanë ndjekur edhe shumë portale tjera në gjuhën maqedonase.
Portali MKD raportoi me titullin “Rrymë nuk vidhet vetëm në Qendrën Tregtare të Qytetit, por edhe në Haraçinë, Gërçec, Studeniçan“. Në këtë raport, edhe pse nuk ofrohen fakte konkrete, konstatohet se “Pushteti, ai vendor dhe qendror, i ka këto të dhëna, por hesht”.
Portali A1on, publikoi raport gazetaresk me tendenca hulumtuese. Titulli i këtij raporti është “Gjashtë rajone të Shkupit vjedhin rrymë, aq sa në vit shpenzojnë banorët e Ohrit, Prilepit dhe Gjevgjelisë.” Në fakt, theksohen gjashtë rajonet e Shkupit, në të cilat jetojnë shqiptarët.
Si raportuan mediat në gjuhën shqipe për çështjen e Haraçinës dhe energjisë elektrike?
Ndërsa, pjesa më e madhe e mediave në gjuhën shqipe, lidhur me anashkalimin e pagesës së rrymës elektrike nga qytetarët, raportuan në mënyrë korrekte, por duke prezantuar vetëm pozicionin e EVN-së! Pati edhe nga ato që theksuan fshatrat me shqiptarë, në të cilat vidhet rrymë. Njëri ndër to ishte portali Sharri: “EVN: Rryma më së shumti vjedhet në Haraçinë, Saraj, Seravë, Hasanbeg e Studeniçan” (portali Sharri, 18 gusht, 2022).
Pjesa më e madhe e portaleve në gjuhën shqipe u bazuan tek raporti i TV Alsat M, i cili mbante titullin “Energjia elektrike, mbi 100 milion euro humbje nga vjedhjet“. Në raport thuhej “Mbi 100 milion euro janë humbjet nga vjedhja e energjisë elektrike që kur EVN-ja operon në vend. Nga kjo kompani thonë se rajonet më problematike, ku shfrytëzimi i paautorizuar është në përqindje më të madhe janë Haraçina, Gërçeci, Saraji, Krushopeku, Hasanbegu, Serova dhe Studeniçani.” Sipas raportimit të televizionit “EVN-ja ankohet se nuk mund të vendos rregull në shfrytëzimin dhe pagesën e rrymës në disa rajone për shkak se nëpunësit e tyre përballen me sulme verbale dhe fizike, dëmtim të pajisjeve dhe alarmeve por edhe mbështetje jo të mjaftueshme nga policia për ndërhyrje të koordinuar.”
Më tepër portale në gjuhën shqipe, kanë kopjuar qasjen redaktuese të raportimit të ALSAT:
- Mbi 100 milionë euro janë humbjet nga vjedhja e rrymës në Maqedoni (portali Aktuale, 18 gusht, 2022)
- Mbi 100 milionë euro humbje nga vjedhjet e energjisë elektrike në vend (portali Nistori, 18 gusht, 2022)
- Energjia elektrike, mbi 100 milion euro humbje nga vjedhjet (portali Globi, 18 gusht, 2022).
Bekteshi përgënjeshtron portalet: Rrymë s’vjedhin vetëm shqiptarët
Përderisa një pjesë e madhe e portaleve në gjuhën maqedonase raportonin se energjia elektrike vidhet më shumë në Haraçinë, ministri i Ekonomisë doli me të dhëna që përgënjeshtruan këtë narracion të njëanshëm raportues. Ministri Kreshnik Bekteshi u shpreh se humbje janë evidentuar edhe në Kumanovë (16,2 për qind), Tetovë (10,7 për qind), Gostivar (19,3 për qind), Kërçovë (12,1 për qind) dhe Shkup (19, 6 për qind). Kjo do të thotë se raportimi i portaleve, i bazuar tek një burim anonim që apostrofonte vetëm rajonet e banuara me shqiptare, jo vetëm që është i pasaktë, por edhe tendencioz.
Vjedhja e energjisë ndërlidhet me konfliktin e vitit 2001
Haraçina ishte një ndër vatrat kryesore të konfliktit të vitit 2001, ndërsa nga ky rajon janë shpërngulur një pjesë e madhe e maqedonasve etnikë. Siç u pa nga analiza e përmbajtjes së mediave, por edhe vetëm nga analiza tekstuale e titujve, sidomos të portaleve, pak a shumë, ky rajon prezantohet si “zonë e lirë”. Gjatë konfliktit të vitit 2001, ish Ushtria Çlirimtare Kombëtare, formacioni ushtarak i shqiptarëve, i shpalli “zona të lira” disa rajone, midis të cilave edhe Haraçinën, që nënkuptonte se shteti dhe institucionet, sidomos policia, nuk mund të shtrijnë ndikimin e tyre.
Goran Mihajllovski, në kolumnën e tij të rregullt “Dua të them” që publikohet në portalin që mban emrin e njëjtë me kolumnën (sdk.mk), duke bërë analogji ironike me konceptin e qeverisë “Një Shoqëri për të gjithë”, e titullon atë “Rrymë për të gjithë“, një pjesë të cilës po e përcjellim në vazhdim.
Ministri i Ekonomisë Kreshnik Bekteshi tha se është e saktë se në Haraçinë ka humbje të rrymës, por edhe në komuna tjera ekziston gjendje e njëjtë. E meqë nuk është vetëm Haraçina, atëherë kjo veç më është rrethanë lehtësuese. E pse në Haraçinë nuk mund të hyjnë ekipe të EVN-së? Te unë në ndërtesë, kur vijnë njerëzit e EVN-së, që t’i kontrollojnë matësit e energjisë elektrike, nuk vijnë me polici. Edhe atyre të Ngrohtores, kur e rregullojnë temperaturën e ngrohjes, derën ua hapim pa polici. Pse duhet të shpenzojmë kuadër policor, të stërvitur shtrenjtë, që të paguhen detyrimet komunale. Dhe pse qeveria kur e tregon këtë në televizor pret që ta pranojmë si sukses? Por, edhe do të hapim diskutim se sa është johumane, që t’i çkyçet energjia atij që e vjedh nga unë. Ja, sytë lot më rrjedhin dhe po mendoj për fatin e keq të vjedhësve të rrymës. Por, hesht, EVN-ja të paktën ka ekipe për rrymë, por vetëm policia u mungon që t’u ndihmojë. Dhe, ja, në këtë rast, shteti do t’i ndihmojë një kompanie private që t’i paguajë faturat. Por, kush do t’i ndihmojë shtetit, që t’i paguajë tatimet e veta? Vallë, përsëri do të hyjnë negociatorë ndërkombëtarë në Haraçinë, si në vitin 2001?
Në fakt, beteja e Haraçinës, që ndodhi më 25 qershor të vitit 2001, u ndërpre me ndërhyrjen e përfaqësuesve të lartë ndërkombëtarë. Kriza e Haraçinës bëri një presion gjithnjë e më të fortë diplomatik mbi qeverinë e Maqedonisë së Veriut, nga NATO dhe BE, për një zgjidhje politike të konfliktit. Vëmendja që tërhoqi krizën e Haraçinës ishte aq e madhe, sa që sekretari i përgjithshëm i NATO-s, Xhorxh Robertson, shefi i politikës së jashtme dhe i sigurisë i Bashkimit Evropian, Havier Solana dhe përfaqësuesi amerikan, Piter Feit, e vizituan Maqedoninë (sot e Veriut), për të forcuar përpjekjet për një zgjidhje politike të konfliktit. Gjatë takimit të mbajtur të njëjtën ditë me zyrtarin e lartë të politikës së jashtme të BE -së, Havier Solana, Qeveria e Maqedonisë së Veriut ra dakord të ndërpresë plotësisht aktivitetet ushtarake në Haraçinë dhe t’i lejojë luftëtarët e UÇK-së të largohen nga fshati i rrethuar. Pas bisedimeve midis presidentit të atëhershëm, Boris Trajkovski dhe Solanës, qeveria njoftoi zyrtarisht se kishte përfunduar ofensivën e saj kundër UÇK-së në këtë fshat. U ra dakord që evakuimi i luftëtarëve të bëhej me mbështetjen logjistike nga ushtarakët amerikanë të Divizionit Ajror 101. Gjithashtu, qeveria u pajtua që gjatë evakuimit luftëtarët të merrnin armët, të vdekurit dhe të plagosurit e tyre me vete. Detajet e logjistikës së evakuimit u organizuan nga i dërguari special i SHBA-së për Ballkanin, Piter Feit.
Ndaj këtij narrativi, i cili rikthehet në vitin 2001, portali në gjuhën shqipe Zhurnal kundërpërgjigjet me anë të komentit me titull “Haraçina legjendare u bë hajdute, kush po tallet dhe i nënçmon shqiptarët?”. Përzgjodhëm një pjesë të tij, i cili në njëfarë mënyre arsyeton vjedhjen e rrymës.
Ashtu siç ka ndodhur gjithmonë, ndodh edhe tani, por përsëri nuk ka kush u del zot shqiptarëve dhe të drejtave të tyre. Bëhet fjalë për nënçmimin e këtij kombi, i cili me mish e me shpirt po tenton të mbijetojë. Shqiptarët në Maqedoni gjithnjë kanë pasur vështirësi në arsim, në punësim, në shërbime publike, por para se gjithash kanë pasur jetë të vështirë, por për maqedonasit, ne paskemi më shumë të drejta se ta dhe madje na quajnë vjedhës.
Edhe nëse pretendimet për vjedhje të rrymës do të ishin të vërteta, a mendoni se banorët e Haraçinës do të kishin vjedhur rrymë nëse do të kishin kushtet sikurse banorët e Kisella Vodës, sikurse banorët e Gjorçe Petrovit, sikurse kushtet e Sopishtës e shumë komuna tjera maqedonase, ku faturat e rrymës nuk janë as sa 1/3 e faturave që ju vijnë shqiptarëve, ku i kanë të gjitha kushtet që mund të ekzistojnë për një jetë normale. Askush nuk do të nënçmonte veten me vjedhje të rrymës dhe askush pastaj nuk do t’i nënçmonte haraçinasit, por të gjithë do të donin të bëhen si banorët e Haraçinës.
Në anën tjetër, portalet kanë ngritur shqetësimin se shqiptarët paguajnë fatura më të larta se sa maqedonasit. Mediat kanë përcjellur qëndrimin e Osama Muadinit, ish – këshilltar në komunën e Kumanovës nga radhët e Aleancës për Shqiptarët. Në statusin e publikuar në Fejsbuk, të cilin po e përcjellim më poshtë, pretendon se shqiptarët dëmtohen nga EVN-ja.
Ndodhë që, kur një shqiptar të blejë një banesë – shtëpi nga një maqedonas dhe pasi të rregullojë dokumentacionin e transferimit të pronësisë, vetëm orëmatësin e rrymës elektrike ta lë në emër të pronarit maqedonas. Kështu, pronari shqiptar pasi fillon të jetojë në atë banesë-shtëpi, faturat elektrike në emër të ish pronarit maqedonas i vijnë nga 800-1500 denarë. Kalon një vit dhe shqiptari vendosë që ta transferoj në emër të tij edhe orëmatësin dhe faturat t’i vijnë me emrin e tij! Që në muajin e parë, pasi ndërron emrin në faturë, EVN-ja për të njëjtat harxhime mujore të rrymës elektrike, e faturon nga 3000-4500 denarë?! Kjo ndodhë vetëm pse tani orëmatësi dhe fatura shkruhet në emër të një shqiptari?! Kush është hajni këtu?!
Shumë portale në gjuhën maqedonase kanë transmetuar në mënyrë të pasaktë se Muadini është këshilltar i Komunës së Kumanovës, pasi ai ka qenë në këtë pozitë në mandatin e kaluar.
Disa media kritikojnë ndihmën qeveritare për kanalizimin në Haraçinë
Një pjesë e mediave, kryesisht ato që kanë politikë editoriale e cila favorizon opozitën, kanë qenë tepër kritike ndaj ndihmës së Qeverisë së Dimitar Kovaçevskit për ndërtimin e kanalizimit të ujërave të zeza në Haraçinë, në vlerë prej 1.1 milion euro.
Portali i TV Alfa raportonte me titullin “Nuk paguhet rryma, nuk paguhet tatimi, ndërsa derdhen miliona për mbështetje – Haraçina u bë shtet në shtet“. Alfa komentonte se “Komunat tjera në Maqedoni, tanimë me muaj kërkojnë ndihmë nga Qeveria për përballje me krizën energjetike, një pjesë e madhe e tyre nuk mund t’i mbulojnë faturat e mëdha të energjisë, por mbeten të injoruara nga pushteti qendror”.
Portali Republika e ironizoi ndihmën e Qeverisë, duke raportuar me titullin “Për shkak se janë pagues të rregullt të tatimit dhe energjisë, qeveria lejoi 1.1 milion euro për sanimin e kanalizimit në Haraçinë“.
Edhe portali Deneshen, po ashtu e ironizoi ndihmën qeveritare. Titulli i tij ishte “Grubi u lavdërua se qeveria lejoi 1.1 milion euro për komunën, në të cilën nuk paguhet tatim i pronës“.
Komuna e Haraçinës, sipas hulumtimit të organizatës joqeveritare Qendrа për Komunikime Qytetare për pagesën e tatimit të pronës për vitet 2017, 2018 dhe 2019, është komuna e vetme ku nuk paguhen fare tatime në pronë. Kjo, sipas komunës, ndodh për shkak se nuk kanë databazë për të dhënat e detyruesve tatimorë, e as nuk kanë Departament Tatimor.
Satirizim “mbretëror” i mospagesës së tatimeve
Një pjesë e portaleve në gjuhën maqedonase, gjatë periudhës së raportimit mbi Haraçinën kanë treguar edhe “kreativitet krahasues”, duke e kontekstualizuar mospagesën e tatimeve me lehtësimet tatimore që i bën shteti anglez ndaj Pallatit Mbretëror. Portali Presing bëri krahasim me titullin “Pallati i Bakingemit si Haraçina: Familja mbretërore është liruar nga një numër i madh i tatimeve“. Ngjashëm raportoi edhe portali Republika. Titulli i tij ishte “Londra si Haraçina: Familja mbretërore është liruar nga tatimi“.
Natyrisht se brenda lajmeve me përmbajtje të njëjtë nuk ka asgjë për Haraçinën, që tregon se edhe në këtë rast mediat përdorin klikbejtin (clickbait), i cili do të thotë titull sensacionalist, që në mënyrë jo objektive e paralajmëron një shkrim ose video kronikë, me qëllim që të tërheq lexuesit / shikuesit.
(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)
—-
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut