“Propozimi francez”: Gjuhë e urrejtjes, dezinformata, manipulime mediatike (analiza mediatike)

Publikimi “Propozimi francez”: Gjuhë e urrejtjes, dezinformata, manipulime mediatike (analiza mediatike) është pjesë e aktiviteteve të projektit të Institutit për Media dhe Analitikë IMA, të mbështetura nga Fondi Evropian për Demokraci (European Endowment for Democracy) nga Brukseli.

Analizat e paraqitura në këtë botim janë kontribut i IMA-s për avancimin e demokracisë dhe sundimit të së drejtës, avancimin e të drejtave të njeriut në komunikimet publike, zhvillimin e mendimit dhe debatit kritik në media, si dhe promovimin e edukimit mediatik dhe gazetarisë etike.

Tekstet autoriale në këtë publikim synojnë të vënë në dukje nevojën për të reduktuar dëmet nga gjuha e urrejtjes, për të ekspozuar gjuhën diskriminuese dhe për të zbuluar narracionet me dezinformata në media.

Në analizën “Shpërthimi i gjuhës së urrejtjes gjatë debatit publik për ‘propozimin francez’”. autori Zoran Bojarovski niset nga fakti se debati politik ditor për të ashtuquajturin “propozim francez” për tejkalimin e kontestit me Bullgarinë dhe vetos për fillimin e negociatave të Maqedonisë së Veriut për anëtarësim në Bashkimin Evropian, nxiti gjuhën e urrejtjes në publik, në media dhe në rrjetet sociale.

Dukuritë e tilla fituan shtytje pikërisht në kohën kur tensionet në këtë proces po arrinin kulmin. Kjo analizë identifikon karakteristikat dhe elementet e gjuhës së urrejtjes që mbizotëron në diskursin publik dhe se si ato reflektohen në mjedisin aktual të komunikimit në vend në kontekstin e kornizës së propozuar për hapjen e negociatave për anëtarësimin e Maqedonisë së Veriut në BE, gjegjësisht “propozimit francez”, siç u pranua gjerësisht në diskursin publik.

Në analizën “Dezinformata, manipulime mediatike dhe teori të konspiracionit për ‘propozimin francez’” autori Zharko Trajanoski thekson se “propozimi francez” ka shkaktuar një valë të dezinformatave, manipulimeve mediatike dhe teorive të konspiracionit në media dhe në komunikimet publike në vend, dhe se e gjithë kjo ndikoi negativisht në debatin publik, i cili u polarizua dhe u rëndua me gjuhë që nxit urrejtje, jotolerancë, armiqësi, e kohë pas kohe edhe dhunë.

Analiza e Trajanoskit i paraqet narracionet kryesore që përmbanin dezinformata me qëllim të ngritjes së panikut social, nxitjes së mosbesimit ndaj institucioneve, nxitjes së urrejtjes, jotolerancës dhe polarizimit në shoqëri. Disa nga ato narracione kishin për qëllim shkaktimin e çorientimit dhe destabilizimit politik në funksion të mobilizimit politik për të shkaktuar ndryshimin e qeverisë qendrore.

Dr.Sefer Tahiri, në analizën “Si raportuan mediat në gjuhën shqipe për “propozimin francez”?” tregon se mediat në gjuhën shqipe kanë pasur raportime kryesisht afirmative për “propozimin francez”. Autori përqendrohet në rastet e raportimeve sensacionale, si dhe në përmbajtje mediatike me dezinformata. Si tregues veçanërisht indikativ për debatin, Tahiri analizon raportimet e mediave gjatë protestave të organizuara nga opozita maqedonase, kur mediat në gjuhën shqipe u fokusuan në antishqiptarizmin e tyre dhe theksuan nxitjen e urrejtjes ndëretnike që u shfaq në këto protesta.

Pjesë e këtij publikimi është edhe një pasqyrë e qëndrimeve të organizatave mediatike që ndoqën me vëmendje punën dhe raportimin e mediave lidhur me debatin për “propozimin francez”. Petrit Saraçini ka kërkuar nga përfaqësuesit e këtyre organizatave përgjigje në lidhje me trajtimin e gjuhës së urrejtjes në kornizën e negociatave me BE-në dhe veçanërisht në Protokollin për zbatimin e Marrëveshjes për miqësi dhe fqinjësi të mirë me Bullgarinë.

Sa i përket trajtimit të gjuhës së urrejtjes në kontekst të negociatave me BE-në dhe përmbushjes së Marrëveshjes së Miqësisë me Bullgarinë, organizatat mediatike profesionale dhe eksperte në vend shprehen me mbështetje të plotë për luftën kundër gjuhës së urrejtjes. Në të njëjtën kohë, ato shprehën rezerva për mënyrën e zbatimit, definicionet dhe mekanizmat ligjorë që do të përdoren në atë luftë, për transparencën dhe efikasitetin e mekanizmave ekzistues në të gjithë procesin, si dhe për mundësitë e abuzimit për të cenuar lirinë e shprehjes.

Në shkrimin e Dr. Katerina Kollozova “Rruga e Maqedonisë së Veriut drejt BE është nën kërcënim nga një aktor i papritur” analizohen disa nga karakteristikat më të rëndësishme të debatit për “propozimin francez”. Kollozova në analizë paralajmëron edhe për rrezikun që një pjesë e madhe e shoqërisë civile maqedonase iu bashkua të djathtës në refuzimin e marrëveshjes me Sofjen dhe Brukselin.

Publikmin mund ta zbrisni këtu:

“Propozimi francez” Gjuhë e urrejtjes, dezinformata, manipulime mediatike (analiza mediatike)