CILI DUHET TË JETË ROLI I REDAKTORËVE NË BALLAFAQIMIN ME GJUHËN E URREJTJES?

Shkruan: ARTA TAHIRI

Gazetarët dhe në veçanti redaktorët e mediave, duhet çdo ditë të angazhohen që ta pengojnë masivizimin e gjuhës së urrejtjes, e jo të jenë ata që e përhapin këtë gjuhë. Gazetarët asnjëherë nuk duhet të jenë autorë apo të riprodhojnë gjuhë të urrejtjes, por kur raportojnë duhet të identifikojnë gjuhë të urrejtjes tek të tjerët! Këtu mendohet për deklaratat dhe intervistat e politikanëve ose personaliteteve publike, duke e vënë në dijeni publikun se kush përdor gjuhë të tillë.

Gjuha e urrejtjes, e manifestuar sidomos mbi baza etnike dhe fetare, vazhdon të jetë njëri ndër problemet shoqërore që i dëmton rëndë marrëdhëniet ndëretnike, por edhe ndërfetare.

Së pari, dua të vë në dijeni, se kjo sintagmë përdoret shpesh, por në disa raste edhe pa vend. Jo çdo fjalim, qëndrim, deklaratë apo diskurs politik dhe publik, i cili përmban fjalor negativ, është gjuhë e urrejtjes. Ajo dallon nga gjuha diskriminuese, por dallon edhe nga shpifja dhe fyerja!

Gjuha e urrejtjes i përket një spektri të gjerë të gjuhës negative, duke nisur nga gjuha që shpreh, nxit, bën thirrje ose promovon urrejtje mbi baza të ndryshme, fjalët ose epitetet që lëndojnë, e deri te shembujt ekstrem të paragjykimeve dhe stereotipave. Kjo gjuhë mund të jetë e drejtpërdrejtë, por përfshin edhe forma tjera të shprehjes, që nuk janë të drejtpërdrejta.

Tanimë është lajm nëse kalon një ditë, në të cilën nuk regjistrohen shembuj të gjuhës së urrejtjes, para së gjithash në rrjetet sociale, në mediat onlajn ose portale, por edhe në mediat tradicionale si gazeta, radio dhe televizioni. Kjo gjuhë, e cila me të vërtetë e bën më të “errët” nënqiellin e Maqedonisë së Veriut, është shumë e pranishme edhe në fjalimet politike në tubimet publike – mitingje, sidomos kur organizohen procese zgjedhore.

Intensiteti i përdorimit të saj shënon rritje kur ka protesta, në të cilat shprehet pakënaqësi për çështje etnike, në të cilat përdoren formulime populiste dhe terma që brenda vetes përmbajnë urrejtje, qoftë ndaj fqinjëve, qoftë ndaj shqiptarëve apo anasjelltas, ndaj maqedonasve.

Çfarë duhet të bëjnë redaktorët e mediave? Ata kanë rol të jashtëzakonshëm, sepse mediat, krahas rrjeteve sociale, janë ato që kanë ndikim ndaj procesit të përhapjes së gjuhës së urrejtjes dhe krijojnë klime të volitshme, që i njëjti të ketë intensitet më të lartë.

Nisur nga ky fakt, gazetarët, redaktorët dhe në veçanti kryeredaktorët, si kreatorë kryesorë të politikës redaktuese dhe përgjegjës për përmbajtjet e publikuara në media, kanë përgjegjësi të madhe, para së gjithash para publikut.

Gazetarët dhe në veçanti redaktorët e mediave, duhet çdo ditë të angazhohen që ta pengojnë masivizimin e gjuhës së urrejtjes, e jo të jenë ata që e përhapin këtë gjuhë.

Kjo, nuk do të thotë se mediat duhet gjithmonë të jenë të përmbajtura dhe të mos raportojnë kur gjuha e urrejtjes del nga goja e aktorëve shoqëror, por gazetarët asnjëherë nuk duhet të jenë autorë apo riprodhojnë gjuhë të urrejtjes.

Kur raportojnë, duhet të identifikojnë gjuhë të urrejtjes tek të tjerët! Këtu mendohet për deklaratat dhe intervistat e politikanëve ose personaliteteve publike, duke e vënë në dijeni publikun se kush përdor gjuhë të tillë.

Mendoj se porositë ose përmbajtjet që përmbajnë gjuhë të urrejtjes nuk duhet të publikohen, sepse pikërisht publikimi i tyre është shkelje e lirisë së shprehjes. Gazetarët dhe redaktorët duhet të jenë të kujdesshëm dhe selektiv kur bëhet fjalë për gjuhë të drejtpërdrejtë të urrejtjes, për shkak të faktit se ne, siç theksuam, jetojmë në një ambient, i cili është i ndjeshëm në dimensionin etnik dhe religjioz.

Për të detektuar gjuhën e urrejtjes në media, redaktorët duhet ta përforcojnë rolin e tyre në kuadër të redaksive mediatike. Nuk duhet ta pranojnë rolin vetëm të përzgjedhësve të informacioneve të grumbulluara nga gazetarët, të cilët në disa media, me theks të veçantë në ato onlajn, për shkak të faktorëve të ndryshëm, janë transmetues të deklarimeve të ndryshme publike që përmbajnë diskurs të urrejtjes.

Andaj, redaktorët duhet të jenë të kujdesshëm edhe në rastet, kur gjuha e urrejtjes e shprehur nga publiku mund të shpie drejt dhunës. Këtu kemi fjalën për komentet, të cilat publikohen në mediat onlajn dhe, pikërisht për këtë, roli i redaktorëve “onlajn” është shumë i rëndësishëm. Si mediat onlajn, po ashtu edhe ato tradicionale, kanë përgjegjësi që të mos publikojnë komente, të cilat mund të arrijnë nivelin e gjuhës së urrejtjes.

Në anën tjetër, kur janë në pyetje përfshirjet e drejtpërdrejta në programet e radiove dhe televizioneve, redaktorët, përkatësisht drejtuesit/ moderatorët e emisioneve duhet menjëherë të distancohen nga ata që përdorin gjuhë të urrejtjes dhe nxisin dhunë, duke iu bërë thirrje shikuesve/ dëgjuesve që të mos përdorin fjalor të këtillë. Nëse edhe pas paralajmërimit vazhdojnë të përdorin këtë gjuhë, ata duhet të ndërpriten.

Kufizimi i atyre që përdorin gjuhë të urrejtjes dhe që promovojnë dhunë nuk është në kundërshtim me lirinë e shprehjes dhe është gjë shumë e shëndetshme për ardhmërinë e Maqedonisë së Veriut.

E njëjta duhet të ndodhë edhe kur ka transmetime të drejtpërdrejta nga ngjarje, siç janë protestat, demonstratat ose trazirat, ndërsa moderatorët duhet të ndërhyjnë nëse në këto ngjarje përdoret gjuha e urrejtjes dhe të distancohen në mënyrë të qartë.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut