“Grupi i zjarrit” në BDI me javë është në fokus të mediave në gjuhën shqipe, e së fundmi edhe në ato në gjuhën maqedonase. Në opinion u ngritën shumë spekulime rreth grupit të funksionarëve aktual dhe të mëparshëm të BDI-së, të cilët shprehën pakënaqësi me mënyrën se si funksionon partia e tyre. Një pjesë e mediave favorizonte grupin, duke thënë se prej tij mund të lindë edhe parti e re. Ndërsa një pjesë tjetër e mediave e afërt me partinë në pushtet e theksonte unitetin në BDI duke minimizuar përçarjen. Për raportimin mediatik dhe debatin publik lidhur me “Grupin e zjarrit” mund të bëhet edhe një analogji me përçarjet e mëparshme që kanë përcjellë partitë shqiptarë në Maqedoni që nga fillimi i pluralizmit në vitet e 90-ta.
Shkruan: SEFER TAHIRI
Përçarjet në partitë politike shqiptare nuk janë gjë e panjohur në historinë bashkëkohore të pluralizmit demokratik në Maqedoninë e Veriut. Procesit të ndarjeve brenda – partiake, deri më tani, nuk i ka shpëtuar as Partia e Prosperitetit Demokratik, e formuar më 16 prill të vitit 1990, në fshatin Xhepçisht të Tetovës, kryetar i së cilës u zgjodh Nevzat Halili.
Historiani Zeqirija Rexhepi në veprën “Zhvillimet politiko – shoqërore te shqiptarët në Maqedoni 1990 – 2001” shkruan se kjo parti u legalizua kur u miratua Ligji për partitë politike, me ç’rast Partia për Prosperitet Demokratik u regjistrua si parti e parë shqiptare më 25 maj të vitit 1990. Edhe pse, mund të vlerësohet se sipas programit të saj, ajo nuk ishte parti kombëtare, sepse në përcaktimin programor të kësaj partie, thuhet: “Partia për Prosperitet Demokratik është parti qytetare. Ajo është parti e qytetarëve të përkatësisë kombëtare shqiptare, myslimane, turke, maqedonase, vllahe, rome …”
Komunikata e ATSH-së përçau PPD-në!
PPD-ja, e cila përjetohej si lëvizje popullore shqiptare, goditjen e destrukturimit të saj e përjetoi nga media e Tiranës. Ishte komenti i Agjencisë Telegrafike Shqiptare (ATSH) në dhjetor të vitit 1993, e cila e paralajmëroi dhe në njëfarë mënyre vulosi ndarjen e kësaj partie më dysh. Në këtë komunikatë thuhej:
“Burime të mirinformuara bëjnë të ditur se tani së fundi disa pushtetarë maqedonas po përdorin mjete presioni, shantazhi dhe dhune ndaj shqiptarëve në Maqedoni, që ata të mbajnë në krye të forcave të tyre politike elementë të diskredituar të tipit Halili, Emini, Nesimi e të tjerë, të cilët kanë qenë një hallkë si në kurthin e armëve, të organizuar nga shërbimet sekrete të Ushtrisë Popullore Jugosllave, ashtu dhe në burgosjen e njerëzve të pafajshëm në Maqedoni. Këta pilatër janë gjithashtu përgjegjës për bllokimin e jetës demokratike të Partisë më të madhe politike të shqiptarëve të Maqedonisë, ata janë autorët e konfuzionit në kërkesat e drejta të shqiptarëve, konfuzion të cilin padronët e tyre e kanë përdorur dhe e përdorin me dhelpëri të madhe kundër interesave të shqiptarëve”.
Pas këtij komenti, PPD nuk është më një parti e madhe dhe fillon shthurja e saj.
Një proces i tillë ndodh edhe në partinë që doli nga PPD-ja, Partia Demokratike Shqiptare, nga e cila kanë dalë Demokracia e Re e Imer Selmanit dhe Lëvizja për Reforma në PDSH.
Një proces i këtillë destrukturimi ka pasur tentim edhe në Bashkimin Demokratik për Integrim. Më 3 tetor të vitit 2015, u formua partia Uniteti e drejtuar nga ish – shefi i Shtabit të Përgjithshëm të Ushtrisë Çlirimtare Kombëtare, Gëzim Ostreni, por kjo parti ishte shumë e dobët në zgjedhje dhe nuk arriti të shkaktojë “tërmet” në BDI.
Së fundmi, në skenën politike shqiptare, doli i ashtuquajturi “Grupi i zjarrit”, i cili kërkon debat brendapartiak në BDI.
Gazetari Selajdin Xhezairi, në kolumnën e tij me titull “Grupi i zjarrit” dhe zjarrfikësi (t)”, shkruan se ky “tërmet” brenda integristëve “nuk është se është as i pari e, gjykoj, s’do të jetë as i fundit?” dhe, më pas, konstaton se “është e natyrshme që në një subjekt serioz, i cili po e dominon skenën politike shqiptare tash e dy dekada, të ketë fërkime e përplasje të natyrave të ndryshme.”
Media hap parti të “zjarrtë” politike!
Në komunikatën e “Grupit të zjarrit” nuk kërkohej dorëheqje apo largim të ministrave të BDI-së, por, siç thuhet në të, “për shkak se konstatohet se nuk ka llogaridhënie për punën e Qeverisë dhe programin politik për gati dy vite dhe se sjellja e ekzekutivit ne krye me Artan Grubin është arrogante dhe diletante, kërkohet përgjegjësi dhe llogaridhënie nga mbajtësit e pushtetit ekzekutiv'”.
Por, në shkrim të gazetës “Slloboden Peçat”, i cituar gjerësisht nga mediat në gjuhën shqipe, raportohet me tituj bombastik si p.sh “Grupi i zjarrit: Nëse Ahmeti nuk i largon të gjithë ministrat, ne do të hapim parti të re”. Në fakt, shkrimi bazohet tek një burim i paidentifikuar, i cili thuhet se është brenda “Grupit të zjarrit”, i cili thekson se “Nëse Ahmeti nuk ka vesh do të veprojmë si fraksion, ndërsa nuk përjashtohet as mundësia e themelimit të një partie të re”.
Zyrtarisht, deri më tani, nuk ka pasur asnjë qëndrim deklarativ se ky proces i artikulimit të pakënaqësive në BDI do të përfundojë me themelimin e ndonjë partie të re politike. Se mbi këtë kërkesë spekulohet në media, por e njëjta nuk është adresuar zyrtarisht, flet edhe raportimi i medias pas takimit mes liderit të BDI-së, Ali Ahmeti dhe “Grupit të Zjarrit”. Në të as që u diskutua mbi këtë pikë, që do të thotë se e njëjta ngelet në nivelin e spekulimeve mediatike, përkatësisht, media përdoret për presion politik ndaj liderit të BDI-së, për të pranuar sa më shumë kërkesa nga zyrtarët e BDI-së Izet Mexhiti, Musa Xhaferi, Nevzat Bejta, Blerim Bexheti, Visar Ganiu dhe zyrtarë tjerë lokal.
Gjatë raportimit mbi këtë takim është apostrofuar se në të ka qenë i pranishëm ish – nënkryetari i BDI-së, Sadulla Duraku.
Në këtë drejtim, në disa media është raportuar me titullin “Takimi i Ali Ahmetit me “Grupin e zjarrit”, prezent edhe Sadulla Duraku”. Në raportin e TV 21 thuhej se në takim “përveç grupit që nënshkroi letrën publike me pakënaqësitë në BDI, është prezent edhe Sadulla Duraku nga dega e Kumanovës”.
Ndërkohë, disa media tjera, të afërta me BDI-në, duke dashur që të reflektojnë në raportime unitetin që ekziston në BDI, edhe gjatë raportimit mbi varrimin e të ndjerit Erdan Ramadani, kanë vënë në pah faktin se lideri i BDI-së dhe Duraku kanë qenë krahë përkrah. Portali Lapsi raportoi se “Kryetari i BDI-së, Ali Ahmeti bashkë me Sadulla Durakun, morën pjesë sot në ceremoninë e varrimit të kumanovarit Erdan Ramadani, i cili humbi jetën ditë më parë në ujërat e lumit Vardar, pas një aksidenti në afërsi të Zhelinës”. Në këtë raportim është bërë selektimi i fakteve, pasi në varrim kanë marrë pjesë edhe zyrtarë tjerë partiak.
Media e bën “kurban” Bujar Osmanin
TV 21, duke raportuar mbi përplasjet në BDI, raportoi me titullin bombastik, por spekulativ dhe jo i verifikuar zyrtarisht “Bujar Osmani propozohet “kurban” për ulje të tensioneve brenda BDI-së“. Sipas këtij televizioni, “emri i ministrit të jashtëm, Bujar Osmani, është propozuar nga integristët si zyrtari që mund të largohet nga Qeveria, me qëllim që në vend të tij të vijë një figurë që do të propozohej nga i ashtuquajturi “Grupi i zjarrit” – të pakënaqurit brenda BDI-së të cilët në adresë të kryetarit Ali Ahmeti dërguan kërkesë për ndryshime”. Por, ky spekulim shumë shpejtë u përgënjeshtrua nga vetë ministri i Jashtëm. Media tani raportoi me titullin “Bujar Osmani nuk do të jetë kurban“.
“Fokusi” e bën më të fuqishëm “Grupin e zjarrit”
Portali i javores “Fokus” ka raportuar me titull sensacionalist “Mexhiti sekretar i përgjithshëm, Bexheti, nënkryetar i BDI-së?”. Sipas kësaj medie “siç thonë, një pjesë e pjesëmarrësve në takim, diskutimi është zhvilluar konstruktivisht dhe aspak nuk është bërë fjalë për zgjidhje të kuadrove, por kjo çështje, duhet të zgjidhet muajin e ardhshëm, kur do të mbahet mbledhja e Këshillit të Përgjithshëm, në të cilën do të zgjidhet kryesia”.
Me këtë dëshmohet se titulli nuk korrespondon me përmbajtjen, përveç se flitet për të kaluarën pas kongresit të BDI-së, pozicionet e cekura u janë premtuar Durakut dhe Mexhitit. Në anën tjetër, në këtë raportim ka edhe një pasaktësi tjetër, pasi në të thuhet se “Pjesë e ‘Grupit të zjarrit’ janë edhe dy nënkryetarë të BDI-së – Nevzat Bejta dhe Sadulla Duraku”. Siç u cek më lartë, Duraku nuk është pjesë e listës së të nënshkruarve të pakënaqur me menaxhimin e BDI-së dhe politikës qeveritare.
Një media në gjuhën shqipe, raportimin e “Fokusit” e ka interpretuar me narrativ triumfalist në favor të “Grupit të zjarrit”. Titulli i saj është “Grupi i Zjarrit” do të jetë më i fortë se Artan Grubi, Mexhiti sekretar i përgjithshëm, Bexheti nënkryetar“. Edhe pse “Fokus”, nga e cila kjo medie e ka kopjuar lajmin nuk konfirmon se ekziston marrëveshje për postet partiake, raporton se gjoja “Në takimin e ditës së martë marrëveshja është arritur dhe Mexhiti e Bexheti do t’i marin këto pozita që u janë premtuar me çka në të ardhmen do të jenë shumë më të fuqishëm se grupi i zv/kryeministrit Artan Grubi”.
Kujt i bashkëngjitet Kastriot Rexhepi?
Ditëve të fundit ka pasur spekulime edhe rreth kalimit të mundshëm në BDI të deputetit Kastriot Rexhepi, i cili mandatin e kishte marrë si pjesë e Lëvizjes BESA. Sipas portalit Press24, “Grupi i zjarrit i merr edhe një deputet BDI-së shumica e Ahmetit dhe Kovaçevskit vihet në pikpyetje“. Ky titull vjen pas publikimit të fotografisë së Mexhitit dhe Bexhetin me deputetin, i cili në opinion njihet si “i rrëmbyeri”, Kastriot Rexhepi. Portali shkruan se “Porosia është e qartë, ‘Grupi i zjarrit’ të BDI-së bëhet më i fuqishëm me një deputet në Kuvend, që mund të shkaktojë probleme serioze në shumicën parlamentare të LSDM-së dhe BDI-së”. Por, vetë Rexhepi ka pohuar se ka biseduar që t’i bashkëngjitet partisë së Ahmetit, pa përmendur “Grupin e zjarrit”.
Siç mund të shihet, spekulimet mediatike mbi proceset politike janë tepër të pranishme, sidomos kur bëhet fjalë për përplasje politike, që kanë ndikim jo vetëm partiak, por edhe më të gjerë politik.
Edhe pse me Kodin Etik të Gazetarëve përdorimi i burimit anonim nuk është i ndaluar, pasi në nenin 4 thuhet se “Gazetari do ta publikojë burimin e informatave, mirëpo, nëse burimi kërkon të mbetet anonim, gazetari do ta mbrojë.”, megjithatë gazetarët dhe redaktorët e lajmeve duhet të jenë të kujdesshëm dhe të mos abuzojnë me sintagmën “burim anonim”. Keqpërdorimi i kësaj të drejte në funksion të agjendave të ndryshme, qofshin politike, biznesore (komerciale) apo personale ndikon tepër ndaj humbjes së besueshmërisë së mediave tek publiku.
Përdorimi i burimeve anonime ka qenë çështje e kontestueshme në gazetari për një kohë të gjatë. Shumë redaktorë/e nuk lejojnë përdorimin e burimeve anonime ngase konsiderojnë se ato janë më pak të besueshme se burimet që flasin zyrtarisht. Arsyetimi kryesor për këtë është fakti se nëse dikush nuk është i gatshëm të japë emrin e vet bashkë me informatat që dëshiron t’i ndajë me gazetarët, vështirë mund të vërtetohet se vallë janë ato të sakta dhe se nuk kanë ndonjë motiv a synim të fshehtë për të lajthitur gazetarin.
Por, kushdo që ka punuar në botën e mediave e di se, në disa situata, burimet anonime mund të jenë mënyra e vetme për të marrë informata të rëndësishme. Kjo duhet të vlejë sidomos për storiet hulumtuese, në të cilat burimet nuk mund të fitojnë shumë, por mund të humbin shumë nëse flasin zyrtarisht me gazetarin.
(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)
—-
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut