Shkruan: Arta TAHIRI

Redaktorët e lajmeve duhet t’i bëjnë “sytë katër” që të mos ndodhë që të përgënjeshtrohen. Kjo nuk flet mirë për mediat, pasi e ul maksimalisht besueshmërinë e tyre tek publiku. Redaktorët duhet të konsultohen vazhdimisht me reporterët nëse kanë dilema mbi vërtetësinë e fakteve, të mos shpejtojnë me botimin ose t’i motivojnë për të hulumtuar burime të tjera shtesë.

Në vitin 2018, kur isha në vizitë në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, në kuadër të Programit të Lidershipit për Vizituesit Ndërkombëtarë (IVLP), në dy gazeta me rëndësi të madhe në botë, Nju Jork Tajms dhe Uashington Post, për herë të parë u ballafaqova me një pozitë të re në media: redaktorin për verifikimin e fakteve!

Por, pavarësisht këtij fakti, verifikimi i fakteve ka qenë detyrë, e cila është zbatuar sistematikisht në revistat amerikane siç janë Tajm ose Njujorker, edhe atë që nga fillimi i shekullit 20-të.

Në Maqedoninë e Veriut e kemi si floskulë thënien “Faktet janë kokëforta, komentet janë të lira”. Ndërsa mendimi se “Secili ka të drejtë të ketë mendim të gabuar, por askush nuk ka të drejtë në fakte të gabuara”, është citat që i përshkruhet botuesit dhe humanistit Bernard Manesu Baruhut.

Maqedonia e Veriut është nga ato vende, në të cilat publikimi i lajmeve të paverifikuara në media është përditshmëri. Qëllimisht nuk e përdorim formulimin “lajm i rremë”, sepse jo vetëm që është term politik, por ky term është kundërthënës. Nuk mundet një publikim në media të jetë edhe lajm, edhe i rremë.

Vendi ka shkuar aq larg me publikimin e lajmeve të paverifikuara, saqë ato nuk prodhohen për konsumim të brendshëm, por edhe për “tregun ndërkombëtar”, siç ishte rasti me të rinjtë e Velesit, që ndikuan në zgjedhjet presidenciale në Shtetet e Bashkuara të Amerikës në vitin 2016. Të rinjtë nga ky qytet kishin krijuar mbi 100 faqe interneti me emra të ndryshëm, të cilat favorizonin ish – presidentin Donalld Tramp dhe këtë e bënin për përfitime ekonomike.

Edhe në vend, qendrat e ndryshme politike apo të biznesit synojnë të plasojnë lajme, të cilat nuk i nënshtrohen procesit të verifikimit nga burime të ndryshme. Kanë dëshirë të bëjnë propagandë ose marketing ekonomik!

Pavarësisht kontributit të jashtëzakonshëm që kanë dhënë projektet e ndryshme përmes platformave që kanë qëllim bazik verifikimin e fakteve në raportimet dhe hulumtimet mediatike, kjo detyrë është edhe e vetë mediave. Prandaj, sidomos ato media që vlejnë si serioze, profesionale dhe të përgjegjshme, duhet të angazhohen për të luftuar fenomenin e manipulimit mediatik.

Natyrisht se gjendja financiare dhe kapacitetet e kuadrove nuk lejojnë që mediat të punësojnë redaktor të posaçëm për verifikimin e fakteve, por kjo nuk do të thotë se duhet të pranojnë si të gatshme gjithçka që u shërbehet. Gazetar apo redaktor i mirë është ai që gjithmonë dyshon te autoritetet dhe te informacionet që plasohen nga ata.

Në mungesë të redaktorëve që do të verifikojnë faktet përmes formave dhe mënyrave të ndryshme, me hulumtime në dokumente apo publikime të ndryshme (buletine, raporte financiare, vepra shkencore), duke gjurmuar arkivat mediatike dhe krahasuar deklarimet dhe të dhënat aktuale me ato të mëhershmet apo gjurmime në databaza të ndryshme, verifikimi mbetet – detyrë e redaktorëve.

Kjo do të thotë se redaktorët e lajmeve, në cilën do media qofshin, duhet t’i bëjnë “sytë katër”, që të mos ndodhë të përgënjeshtrohen së paku njëherë në ditë. Kjo, nuk flet mirë për mediat, pasi e ul maksimalisht besueshmërinë e tyre tek publiku.

Kjo nënkupton që redaktorët duhet të konsultohen vazhdimisht me reporterët, dhe, nëse kanë dilema mbi vërtetësinë e fakteve, të mos shpejtojnë me botimin e tyre ose t’i motivojnë gazetarët për hulumtime të burimeve të tjera shtesë. Kjo sidomos vlen kur burimet janë anonime ose të paidentifikuara. Nuk duhet lejuar që lajmet të prodhohen, duke u bazuar te parashikimet, supozimet apo hamendjet që gazetarët mund t’i kenë për ngjarje ose çështje të caktuara.

Një kujdes i jashtëzakonshëm duhet të tregohet kur prodhohen lajme nga statuse apo publikime në rrjetet sociale si Facebook, Twiter e kështu me radhë, pasi fakti që në to njerëzit kanë liri të madhe, i shtyn për të kumtuar edhe të pavërteta dhe mashtrime, që e hutojnë publikun.

Prandaj, para se të publikohen lajme ose përmbajtje të tjera mediatike, për të cilat ekzistojnë dilema të natyrës profesionale ose etike, mes kryeredaktorit, redaktorëve dhe gazetarëve brenda redaksisë, duhet të zhvillohet debat me argumente.

Shpesh ndodh që shpejtësia e dëmton rëndë saktësinë e informacionit, e me këtë edhe besueshmërinë e publikut te mediat.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut