Shkruan: ARGJIRA ELMAZI
Nëse do i kishim thënë dikujt para 5 dekadash se teknologjia pas disa viteve do të jetë në formën që është sot, do mendonte se kemi humbur toruan dhe nuk dimë se ç’flasim. E aq më tepër nëse do i kishim thënë se njerëzit do kishin rrjete sociale si pjesë të përditshmërisë së tyre, do t’u dukej e pamundur. Pavarësisht sa të çuditshme do të ishin dukur atëherë, sot, neve të rinjve nuk na bëjnë fare përshtypje. Padyshim që është privilegj të mund të kesh qasje ndaj gjithçkaje dhe gjithkujt brenda minutës, por si çdo ‘e mirë’ tjetër, edhe kjo e ka një çmim. Çmimi që paguan çdo i ri që ka një llogari personale në ndonjë rrjet social, është ekspozimi i privatësisë së tij, pasi ky fenomen është si një lojë fati, ku për të marrë duhet dhe të ofrosh.
Përveç kësaj, atë që ne ofrojmë ndaj atyre që na kanë bërë ‘follow’ (na ndjekin) ose ‘friend’ (jemi bërë miq virtual), shpeshherë nuk përputhet me pritshmëritë e tyre, ose, më saktë, ne nuk u dukemi si modeli që çdokush pret të shohë në këto rrjete. Dhe, fatkeqësisht shpesh humbim dhe veten duke u munduar t’ju pëlqejmë të tjerëve.
Si rrjete më të frekuentuara të kohëve të fundit janë te të rinjtë janë Instagram, Twitter, WhatsApp, një çik më pak Facebook, si dhe sensacioni i vitit të fundit – TikTok. Në pamje të parë, të gjitha duken argëtuese dhe shfrytëzohen gjatë kohës së lirë. Por, fatkeqësisht, ne nuk e vërejmë se këto aplikacione, në ‘dritaren tonë të madhe që na e nxë xhepi’, janë shumë më tepër se formë argëtimi, dhe po thithin kohën tonë, si dhe energjinë që mund ta kishim shfrytëzuar për të bërë gjëra shumë më produktive.
Është i frikshëm numri i orëve që na del në ekran në fund të ditës, pasi mund të kenë kaluar ndoshta 5 orë, ndërsa ne e kemi ndjerë sikur të kenë kaluar vetëm 15 minuta. Është gjëja e parë që kontrollojmë sapo hapim sytë në mëngjes, dhe e fundit para se t’i mbyllim sërish. Kjo është prova kryesore që na dëshmon afeksionin tonë ndaj tyre.
E gjithë rinia ka krijuar një vartësi që nuk vërehet sot për nesër, por vërehet kur kuptojmë se kemi dhe një muaj e gjysmë për të mbyllur këtë vit, dhe ajo çfarë kujtojmë më tepër nga viti që po lëmë pas janë ‘like-t’ që i kemi bërë filanit, apo komentet për një postim të fistekut, i dërguar nga njëri rrjet social në tjetrin, ne grupet me shoqërinë. Sepse, më lejoni t’ua them – këto grupe përfaqësojnë ‘vendin’ që ka zëvendësuar takimet e zakonshme me miqtë. Të paktë janë ata që mund të tregojnë ndonjë eksperiencë interesante, mirëpo dyfishi i tyre me siguri mund të tregojë për ndonjë dublim zëri në TikTok, ose ndonjë trend viral në Instagram.
Ndonjë ditë, në qoftë se ndonjë i moshuar që nuk u përket trendëve (sidomos) të gjeneratës Z, më pyet se pse tek rinia po theksohet kaq shumë kjo vartësi, nuk do të dija t’i jap një përgjigje të plotë. Por, di t’i them që ende ka shpresë për të ndryshuar këtë fenomen që na është kthyer në stil jetese. Jam e bindur që bota jashtë është shumë më e bukur se në fotografitë e blogerëve që i kanë postuar gjatë udhëtimit të fituar në ‘giveaway’ në Instagram.
Duke qenë dhe vet në të njëzetat, mendoj që është fiks koha që unë, si dhe shumë bashkëmoshatarë, të krijojmë “vartësi” më të shëndetshme, si për shembull: të lexojmë më shumë, të punojmë fuqishëm për formimin tonë, si dhe të punojmë vet për përfitime financiare, të cilat do i shfrytëzojmë për të eksploruar botën dhe të shijojmë mrekullitë e saj, mundësisht pa u përqendruar për atë se ku do ta postojmë përjetimin, dhe pa e menduar faktin që duhet t’ua dëshmojmë ndjekësve që jemi duke u kënaqur.
Ndoshta ikja nga vartësia prej rrjeteve sociale do vullnet dhe merr kohë, por e di se ne si gjeneratë e re duhet t’i kthehemi pak edhe botës reale. E kombinimi i botës së internetit dhe asaj reale dhe shfrytëzimi i kohës sonë në mënyrë produktive për vetë ne dhe rrethin – është suksesi drejt të cilit duhet të rrugëtojmë.
Autorja është drejtuese e video-emisioneve për të rinj në Portalb
—
Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut