ALARMIMI MEDIATIK PËR DHUNËN, VETËM KUR BËHET VONË

Shkruan: Arta TAHIRI  

Qasja e vrapimit pas lajmit, pasi të ndodh ngjarja, nuk i parandalon fenomenet, sepse ndaj shumë fenomeneve, si edhe ndaj dhunës, qasja e mediave është herë “seminarike” dhe herë shkencore. Media duhet të raportojë, hulumtojë, të debatojë se pse shoqëria e trajton gati si normalitet dhunën verbale, që është për keqardhje, pasi nga të rinjtë shfaqet kudo. Pse jemi bërë shoqëri kaq agresive? Kjo është pyetja, që edhe media duhet t’ia bëjë vetes!

Para më shumë se një jave u bë publike një video e sulmit ndaj një të moshuare në Shtëpinë e Pleqve në Pejë të Kosovës. Si zakonisht, videoja u bë virale, për shkak të dramatizimit, meqë sulmi u bë nga një infermiere e punësuar, ndërsa dy kolege të saj këtë skenë makabre e vështronin me gjakftohtësinë më të madhe dhe madje edhe qesheshin!

Personat që paguheshin për sigurinë dhe mirëqenien e gruas së moshuar, e sulmonin atë fizikisht. Një skenë, tepër rrëqethëse, që na bën të mendohemi se në çfarë shoqërie jetojmë!

Por, siç ndodh shpesh, këto raste fitojnë publicitet vetëm brenda dy – tre ditëve dhe kalojnë në harresë. Kjo flet për faktin se media shpesh u qaset fenomeneve në mënyrë “incidentale”, apo alarmohet vetëm kur ndodh diçka, kur ka lajm të trishtë!

Para këtij rasti, nuk është parë në media ndonjë kronikë apo informacion kritik lidhur me shtëpitë e këtilla të pleqve, pra, sa paguajnë qytetarët, çfarë kushtesh u ofrohen dhe a janë në proporcion me nivelin e pagesës që bëjnë, cili është niveli dhe cilësia e kuadrit të punësuar e çështje të ngjashme. Përkundrazi, në media, shpesh, publikohen reklama për këto qendra ose reportazhe nga të njëjtat, me të cilat faktikisht bëhet reklamim i fshehur.

Edhe pse të moshuarit janë kategori që ndjekin shumë mediat, për ta flitet pak, dhe lajmet mbi interesat e tyre përfundojnë te ato për dhënien e pensioneve.

Ndoshta jo me qëllim, por edhe gjatë raportimit mbi këtë rast ka dominuar sensacionalizmi, ndërsa një pjesë e mediave, sidomos në sferën onlajn, e kanë shfrytëzuar për klikime, që i bie – për përfitime.

Nuk po themi se këtë rast media nuk e ka trajtuar me profesionalizmin e duhur, por qasja e vrapimit pas lajmit, pasi të ndodh ngjarja, nuk i parandalon fenomenet, sepse ndaj shumë fenomeneve, si edhe ndaj dhunës, qasja e mediave është herë “seminarike” dhe herë shkencore.

Media ka për detyrë të jetë parandaluese e fenomenit të dhunës, ndërsa ndaj kësaj teme duhet të ketë qasje sistematike, duke u marrë me shkaqet dhe gjenezën e saj dhe jo vetëm me pasojat! Media duhet të raportojë, hulumtojë, të debatojë se pse shoqëria e trajton gati si normalitet dhunën verbale, që është për keqardhje, pasi nga të rinjtë shfaqet kudo: në rrugë, trafik, kafene, ndërsa në stadiume dhe në rrjetet sociale as mos të flasim? Pse jemi bërë shoqëri kaq agresive? Kjo është pyetja, që edhe media duhet t’ia bëjë vetes!

Media me qasje sensacionaliste ndaj ngjarjes

Media, që kur e siguroi këtë video, nuk hezitoi aspak që ta shfaq në formën e saj autentike, pra me zë dhe figurë, duke mos u “mjegulluar” fytyrën e viktimës, e cila ishte një grua e moshuar me sëmundje të rëndë siç është ajo e Alzheimerit.

Duke pasur parasysh se kodet etike të gazetarisë janë të qartë dhe parashikojnë që për raste të këtilla dhe të ngjashme nuk duhet të raportohet me sensacionalizëm dhe duhet pasur kujdes për privatësinë e individit, duke qenë redaktore e lajmeve të ditës në ALSAT kam kërkuar që fytyra e të moshuarës të “mjegullohet”, pavarësisht se gati se të gjitha mediat e kanë publikuar me identitetin e tyre të plotë! Mendoj se viktimat nuk duhet të pësojnë “goditje” dy herë!

“Dorëlirët” e mediave, që publikojnë çfarë tu vijë në dorë, mbrohen se këtë e bëjnë edhe media të njohura ndërkombëtare dhe madje mund të ofrojnë edhe raste më të rënda se ky i Pejës, por ky nuk duhet të jetë arsyetim për të mos i dhënë prioritet etikës profesionale para sensacionalizmit, sepse nuk do ta ulte aspak peshën e ngjarjes transmetimi i videos pa fytyrën e së moshuarës.

E kemi të qartë që synimi i mediave që kanë publikuar videon e plotë ka qenë dënimi i sulmueses, por edhe ndërgjegjësimi i shoqërisë mbi ngjarjet si kjo. Megjithatë, publikimi i videove me përmbajtje për të cilat ka dilema etike, duhet të bëhet me sens dhe pas një debati brenda redaksive.

Reagimi linçues i turmës ndaj sulmueses

Duhet thënë se kishte, kryesisht në rrjetet sociale, disa zëra të arsyeshëm, që mendonin se duhet të shqyrtohet se mos vallë edhe sulmueses i duhet ndonjë këshillim në ndonjë qendër psikiatrike.

Por raportimi dhe trajtimi i mediave të sulmit monstruoz me tone sensacionaliste prodhon gjithmonë edhe reagimin e qytetarëve sipas psikologjisë së turmës. Përveç sharjeve banale, thirrjeve për dënime nga më të ndryshmet, madje edhe kapitale, kryesisht në rrjetet sociale, reagimi i turmës u bë ekstrem.

Sulmuesja Aurona Pelaj, përkatësisht fotografia e saj u gjet e vendosur në disa shtylla, pra duke iu bërë gjykim publik, para se të vendosë gjykata mbi dënimin e saj. Nuk mohohet fakti që shoqëria dhe mediat duhet të ndikojnë që shkelësit e ligjit si Pelaj të marrin dënimin e merituar, por shoqëria duhet të jetë më e vëmendshme dhe të mos reagojë me metoda të linçimit publik, sepse sipas normave civilizuese shoqërore, gjykatës duhet t’i jepet hapësirë e duhur për vendimmarrje.

Gjatë trajtimit të kësaj teme u vërejt edhe fenomeni i defokusimit. Duke u nisur nga parimi i respektimit, kultivimit, mbrojtjes dhe afirmimit të vlerave konservatore në shoqëri, në rrjetet sociale dhe në debatet mes njerëzve pati defokusim të temës. Ajo filloi të trajtohet nga këndvështrimi se pse fëmijët e saj, nuk e kanë mbajtur të moshuarën në shtëpi, por kanë lejuar ta çojnë në shtëpi azili. Pra, dhuna doli në plan të dytë dhe temë parësorë u bë se a duhet lejuar që pleqtë të shkojnë në shtëpitë e pleqve.

Qasje e gabuar: Analistët politik trajtojnë dhunën

Një shije të pakëndshme, lidhur me këtë rast, mediat kanë lënë me faktin që debatin mbi këtë rast e kanë realizuar me analistë politikë që flasin për shumë tema jashtë politikës, e që shpesh në opinion emërtohen si “gjithologë”! Pra, njerëz që nuk kanë kompetencën minimale, përveç se mund të flasin si qytetarë, nuk kanë profesionalizimin dhe arsimimin e kryer mbi tema të “rënda” si kjo!

Në vend që për temën, hapësira mediatike tu lihej psikologëve, psikiatërve, sociologëve, ekspertëve të etikës mjekësore e shumë profesionistëve të fushave, media ka zgjedhur variantin më të lehtë, që temën ta trajtojë kryesisht me analistët që çdo natë janë pjesë e studiove televizive, në të cilat kryesisht flasin për temat vendore dhe rajonale politike.

Natyrisht se aty- këtu ka pasur edhe njerëz profesionist që kanë dhënë mendimet e tyre bazuar mbi ekspertizën e tyre profesionale, por në përgjithësi, për fat të keq, ky fenomen u trajtua nga prizmi i njohur shoqëror – politik.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut