A PATI RAPORTIM OBJEKTIV DHE TË BALANCUAR PËR ÇËSHTJEN E “20 PËRQINDËSHIT”?

Shkruan: Sefer TAHIRI

Si raportuan mediat mbi heqjen e “20 përqindëshit”, si përkufizim statistikor për shqiptarët në Maqedoninë e Veriut në Kushtetutën dhe legjislaturën e vendit? A ka dominuar dioptria etnocentrike, apo narrativet mediatike kanë qenë neutrale apo të balancuara? Si është raportuar dhe interpretuar reagimi i Aleancës për Shqiptarët, e cila kërkesës së liderit të VMRO – DPMNE – së për heqjen e Badenterit dhe balancuesit gjatë punësimit në administratë, iu përgjigj me kërkesën për Parlament dydhomësh?

Debati mbi Marrëveshjen e Ohrit dhe dispozitat e saj pjesë e të cilit është edhe “20 përqindëshi”, që nga viti 2002 ka qenë në fokusin e mediave të vendit, por edhe atyre ndërkombëtare kur raportohet për Maqedoninë dhe për marrëdhëniet ndëretnike. Nga gjuha në të cilën raportojnë mediat dhe përkatësia etnike e publikut të cilit i janë drejtuar, është varur edhe qasja ndaj këtij dokumenti paqësor!

Në përgjithësi, mund të thuhet se Maqedonia e Veriut, 32 vite pas pavarësimit të saj dhe 20 vite pas firmosjes së Marrëveshjes së Ohrit, nuk ka arritur që të shmang diskurset politike – publike dhe mbi të gjitha mediatike, të cilat shpesh kontribuojnë në thellimin e funksionimit të shoqërisë në mënyrë paralele, kryesisht mbi baza etnike.

Ndaj Marrëveshjes së Ohrit gjithmonë ka pasur dioptri etnike

Madje, pikërisht ndaj Marrëveshjes së Ohrit, e cila në aspektin normativ – juridik duhej të krijonte parakushte për kohezion shoqëror dhe ndëretnik, që nga miratimi i saj ka pasur dy qasje, të cilat kanë qenë politike, por të motivuara nga projektimet etnonacionaliste.

Në pjesën më të madhe të mediave maqedonase, Marrëveshja e Ohrit shikohej si kompromis i dhimbshëm, i arritur nën imponimin e faktorit ndërkombëtar dhe nën presionin e faktorit shqiptar, në dimensionin politik, por edhe atë luftarak. Ndërsa media shqiptare, këtë dokument paqësor e vrojtonte si kompromis i pranueshëm dhe i arsyeshëm, por që përmbush vetëm mesatarisht kërkesat politike të shqiptarëve, përfshirë këtu në mënyrë të veçantë statusin e tyre juridik – kushtetues dhe atë të gjuhës shqipe.

Ndër parimet themelore të Marrëveshjes së Ohrit, e cila është bërë tërësisht pjesë e Kushtetutës së Maqedonisë së Veriut, janë “Karakteri shumetnik i shoqërisë maqedonase duhet të ruhet dhe të gjejë shprehjen e vet në jetën publike” (pika 3) dhe “Një shtet bashkëkohor demokratik, në rrjedhën natyrore të zhvillimit dhe krijimit të vet, duhet vazhdimisht të sigurojë Kushtetutën e tij që tërësisht t’i plotësojë nevojat e të gjithë qytetarëve të saj, në pajtim me standardet më të larta ndërkombëtare si dhe vet të zhvillohen vazhdimisht” (pika 4).

Por, megjithëse kjo Marrëveshje i përmbante këto parime, në pjesën e dytë të saj, tek pjesa që rregullon arsimimin dhe përdorimin e gjuhëve, shqiptarët dhe gjuha shqipe nuk përmenden si të tillë, por si përqindje. Në dokument thuhet:

“Cila do gjuhë tjetër të cilën e flasin të paktën 20 për qind e popullatës, po ashtu është gjuhë zyrtare, sikurse është arsyetuar këtu. Në organet e Republikës së Maqedonisë, cila do gjuhë zyrtare tjetër nga maqedonishtja mund të përdoret në pajtim me ligjin”.

Heqja e 20 përqindëshit, mediat i shkojnë pas politikës

Kërkesa për heqjen e “20 përqindëshit”, siç njihet në komunikimin politik kryesisht në hapësirën shqiptare, gjithmonë është aktualizuar, që nga viti 2002, ndërsa javëve të fundit është bërë sërish çështje që zgjon interes të lartë publik.

Në fakt, ky debat ka nisur me deklaratën e liderit të opozitës maqedonase, Hristijan Mickoski, i cili është shprehur i gatshëm për heqjen e normës “20 për qind”, por me kusht që më të mos vlejnë parimi i votimit të dyfishtë apo i njohur si i Badenterit (Rober Badenter – jurist, politikan dhe profesor francez, i cili ka propozuar votimin e dyfishtë si masë kundër mbivotimit respektiv në nivel qendror dhe komunal) dhe respektimi i parimit të balancimit etnik në përfaqësimin e drejtë dhe adekuat të bashkësive etnike apo, më saktë, gjatë punësimit në administratën shtetërore dhe publike.

Një pjesë e mediave si 24 Info.mk, Fokus, portali Libertas, portali Netpres dhe disa të tjera raportuan me titullin Mickoski: “Të hiqet norma ’20 përqind’, por edhe Badenteri dhe balancuesi”. Mediat në gjuhën maqedonase, e citojnë Mickoskin, i cili në pyetjen gazetareske pas një takimi në lagjen Aerodrom të Shkupit deklaroi se “Nëse mendoni për normën 20 për qind, shumë herë në të kaluarën kam thënë, se jam i përgatitur të ulem dhe të bisedoj me çdokënd, por ajo është marrëveshje për Maqedoninë, me të cilën duhet të bisedojmë edhe për normën Badenter dhe për normën balancuesi dhe të kemi sistem korrekt në Maqedoni, në të cilin njerëzit nuk do të përparojnë për shkak se janë pjesë e ndonjë numri, ndonjë kuote ose ndonjë përqindje, por për shkak se vlejnë, se janë konkurrentë, kanë dituri etj.”

Ndërkohë, portali Skopje 1 bën selektim të deklaratës së liderit të VMRO – DPMNE, pasi raporton me titullin “Mickoski është për heqjen e Badenterit dhe balancuesit: Shpresoj që politikanët shqiptarë më nuk do t’i nënçmojnë qytetarët shqiptarë“. Ky portal, në lajmin e shkurtër, nuk e përmend fare deklaratën e Mickoskit për heqjen e “20 përqindëshit”, ndërsa vë në plan të parë deklaratën për heqjen e dy parimeve që favorizojnë shqiptarët. Skopje 1 e citon Mickoskin, i cili ka thënë se “Duhet të krijohen mundësi, që njerëzit të avancohen, jo për shkak të përqindjes, por për shkak të kapacitetit dhe cilësisë. Shpresoj se politikanët shqiptarë, më nuk do t’i nënçmojnë qytetarët shqiptarë dhe do t’i heqim Badenterin dhe balancuesin”.

Në anën tjetër, portali Lokalno, nuk e vuri aspak theksin tek deklarata për heqjen e Badenterit dhe balancuesit, por u fokusua vetëm tek heqja e 20 përqindëshit. Titulli i këtij portali është “Mickoski: Mund të bisedoj për marrëveshje të re për Maqedoninë, me të cilën do ta heqim 20 përqindëshin nga kushtetuta”. Por, për dallim nga Skopje 1, portali Lokalno, brenda raportit në të cilin e përcjell deklaratën e Mickoskit, nënvizon edhe qëndrimin për heqjen e Badenterit dhe balancuesit dhe, siç e quan Mickoski, mosnënçmimin e shqiptarëve nga elita e tyre politike.

Varësisht nga politika editoriale e mediave, i tillë është e intonacioni i narrativeve raportuese mbi deklaratën e liderit opozitar maqedonas. Përderisa portali Skopje 1 ka tendencë ta prezantojë para publikut maqedonas si politikan me qasje patriotike dhe etnonacionaliste, pasi ai angazhohet për të hequr parimet që avancojnë të drejtat e shqiptarëve, portali Lokalno ka tendencë që ta prezantojë si politikan, i cili është i gatshëm që t’u lëshojë pe shqiptarëve me atë që do të heqë 20 përqindëshin nga dispozitat kushtetuese.

Portali Maktel, edhe pse e citon në mënyrë korrekte dhe objektive liderin e VMRO  -DPMNE-së mbi “20 përqindëshin”, publikon titull alarmues “DEKLARATË SHOKUESE E MICKOSKIT, E CILA DO T’I KUSHTOJË KARRIERË POLITIKE: Heqje e normës ’20 përqind’, por edhe e Badenterit dhe balancuesit“.

Ky portal, i njohur për qëndrimet e tij kundër opozitës, me këtë titull sikur dëshiron të paralajmërojë se lideri opozitar pas kësaj deklarate nuk ka të ardhme politike, meqë nuk do të gjejë partner tek partitë politike shqiptare.

Historia e idesë “Pa 20 %, Badenter dhe pa balancues”

Nuk është hera e parë që Mickoski e aktualizon çështjen e “20 përqindëshit”, duke shtruar kërkesën për heqjen e parimeve politike që sigurojnë përfaqësim më të mirë politik, përkatësisht vendimmarrje konsensuale dhe përfaqësim më të mirë të shqiptarëve në administratën shtetërore dhe publike. Para 7 muajve, më 8 prill të këtij viti, Mickoski deklaronte ngjashëm si më 22 tetor. Siç mund të shihet nga publikimi i lajmeve në agregatorin e lajmeve Grid.mk, Mickoski kishte deklaruar “Jam i gatshëm të bisedoj për heqjen e përqindjeve, për një njësi zgjedhore, por edhe për heqjen e Badenterit“.

Në prill, mediat shqipe, vinin theksin tek moskushtëzimi i ndryshimit të përkufizimit të 20 përqindëshit me ndryshime tjera sistemore, pasi sipas narrativit mediatik në gjuhën shqipe “Nëse bie Badenteri, kthehet majorizimi, z.Mickovski! Askush nuk dëshiron të kthehet prapa!”. (Portali Indeks, 08.04.2022). Ky portal pas konstatimit se “Në Maqedoni ka një prirje që t’u kthehemi gjërave që janë treguar si të gabuara, atyre modeleve të dështuara, të cilat, shpesh dhe janë quajtur gjeneratorë të krizave politike”, shtronte pyetjen “A mos ndoshta lideri i VMRO-së, Hristijan Mickoski, do të na kthejë prapa që t’i përqafojmë prapë ato që i kemi braktisur tashmë?!”.

Mediat shqipe shmangin qëndrimin kundër Badenterit dhe balancuesit

Në tetor, disa media në gjuhën shqipe e kanë transmetuar deklaratën e Mickoskit, por të selektuar që në titujt e raportimeve. Ato i shmangen faktit që lideri i VMRO-së kërkon që përqindja të hiqet, por me kusht që paralelisht të shfuqizohen edhe dy parimet favorizuese për shqiptarët.

Dy televizionet në gjuhën shqipe, raportojnë drejt sa i përket qëndrimit thirrës të Mickoskit ndaj politikanëve shqiptarë “Të mos i nënçmojnë dhe trajtojnë qytetarët shqiptarë si përqindje por si qytetarë të barabartë”. Televizioni Alsat, deklaratën e Mickoskit mbi politikanët shqiptarë e përcjell në mënyrë autentike, me zë dhe figurë, ndërsa reporteri i TV Klanit vetëm e parafrazon.

Ndërsa, dy media tjera, si Televizioni Shenja dhe portali Zhurnal, raportojnë duke anashkaluar tërësisht qëndrimin e Mickoskit mbi politikanët shqiptarë, por nuk shmangin qëndrimin se ai kërkon heqjen e Badenterit dhe balancuesit.

Mediat shqipe me komente kundër heqjes së Badenterit 

Për dallim nga mediat në gjuhën maqedonase, të cilat mbi këtë çështje janë mjaftuar duke ngelur në nivelin e raportimit, mediat në gjuhën shqipe kanë shkuar një hap përtej. Çështjes së 20 përqindëshit i kanë bërë interpretim dhe analizë, por shpesh me intonacion etnocentrik.

Në raportin analitik të portalit Klubi i Debatit Politik (KDP) me titull “Formulimi 20 % absurd, heqja nënkupton dalje nga “anonimiteti” kushtetues” (KDP, 31 tetor, 2022), vërehet qasja afirmative ndaj heqjes së “20 përqindëshit”, ndërsa shkrimi bazohet tek qëndrimet e dy opinionistëve shqiptarë, Daut Dauti dhe Besim Nebiu.

“Është hapur debati mes partive shqiptare për heqjen e “20-përqindëshit” në kushtetutë. Njohësit e rrethanave politike janë pro këtij vendimi, ndërkohë që theksojnë se ky formulim është dashur të hiqet që moti. Publicisti Daut Dauti thotë se nuk është kurrfarë humbje apo fitore e madhe për dy komunitetet më të mëdha etnike që ta fshijnë atë. “Fundja, nëse shikojmë mbrapa, do të shohim se në kushtetutën tejet të avancuar të vitit 1974, këso kategorizimesh me përqindje nuk ka pasur”, thotë ai.

Ndërkohë, analisti Besim Nebiu thekson se “20 përqindëshi” është formulim absurd, kompromis i vitit 2001 për të adresuar averzionin e nacionalizmit maqedonas ndaj çdo përmendjeje të drejtpërdrejtë të shqiptarëve. Si i tillë, nuk duhet të ekzistojë sa më shpejt”, shkruan në Klubin e Debatit Politik.

Ndërsa, para do kohe, portali Tetovasot publikoi komentin me titull “Fshirja e 20% një domosdoshmëri e kohës!” (30.06.2022). Autori i këtij komenti, Medai Shaholli shkruante “Fshirja e nofkës denigruese të 20% ndaj shqiptarëve nga kushtetuta e ‘dërzhavës Severna’ është një domosdoshmëri e kohës që qëndron mbi kokat e shqiptarëve si ‘shpatë e Demokleut’. Ky ndryshim i domosdoshëm vjen pas kërkesës së palës bullgare për përfshirjen e bullgarëve në kushtetutën e vendit, fakt që tregon se subjekteve politike shqiptare nuk u binte ndër mend për ta hequr atë fjalë ofenduese të 20% nga kushtetuta, ku aty shqiptarët trajtohen pa identitet gjuhësor me emër, por vetëm me shifër, sikur të ishim një popull nomad arixhinjsh pa identitet.”

ASh-ja kërkon Parlament dydhomësh, mediat shqipe shpërfillin

Si rëndom, siç ka ndodhur në tri dekadat e fundit, veprimi i subjektit politik maqedonas nxit reagimin e subjektit politik shqiptar dhe anasjelltas. Aleanca për Shqiptarët, parti e djathtë opozitare, ndaj qëndrimit të Mickoskit kundër Badenterit është kundërvënë me propozimin për themelimin e Parlamentit dydhomësh. Siç raportuan mediat, do të formohej një trup i ri, në të cilin do të merrnin pjesë 24 deputetë, edhe atë nga katër nga të gjitha gjashtë njësitë zgjedhore. Çdo vendim dhe çdo votim i ligjit në Dhomën e parë, automatikisht do të shkojë për votim përkatësisht verifikim në Dhomën e dytë. Nëse Dhoma e dytë nuk e voton zgjidhjen ligjore, atëherë ajo sërish kthehet tek deputetët e Dhomës së parë.

Është për tu apostrofuar se ky propozim ka pasur më shumë jehonë në mediat në gjuhën maqedonase, se sa ato shqiptare. Madje, një pjesë e këtyre të fundit kanë shpërfillur këtë propozim, i cili ka ndikim të madh politik.

Disa media, duke transmetuar komunikatën e Aleancës për Shqiptarët, si për shembull Portalb, Zhurnal, Lajme , theksin e vënë tek hedhja poshtë e kushtëzimeve të Mickoskit, të cilat sipas komunikatës luhatin themelet e shtetit. Ndryshe ka raportuar portali Strugalajm dhe portali Shqipmedia, të cilat që në titull bëjnë të ditur intencën e Aleancës për Shqiptarët. Titulli i dy portaleve ishte “Aleanca i përgjigjet Mickoskit: Nëse hiqet Badenteri vjen Parlamenti dydhomësh”.

Mediat maqedonase: ASh kërkon Parlament dydhomësh!

Raportimi mbi komunikatën e Aleancës për Shqiptarët, me këndvështrim kryesor tek ideja për Parlament dydhomësh, ka qenë dominues në pjesën më të madhe të mediave në gjuhën maqedonase. Siç mund të shihet nga lajmet e publikuara mbi këtë çështje në agregatorin Grid.mk, këto media kanë raportuar me titullin “Nëse do të ishte problem Badenteri, të debatojmë për Parlament dydhomësh”.

Megjithatë, ka pasur edhe media, të cilat i janë shmangur lajmit mbi Parlamentin dydhomësh, duke raportuar se “Gjuha të cilën e flasin 20 % e popullsisë, për Aleancën për Shqiptarët është përkufizim fyes për gjuhën shqipe” (portali i gazetës së përditshme Slloboden Peçat, 22.10.2022) apo “Aleanca për Shqiptarët ndaj Mickoskit: Formulimi me 20 % është fyes për shqiptarët, neve na pengon kur dikush thotë gjuha maqedonaso – veriore“. (portali Lokalno, 22.10.2022).

Por, pavarësisht këndvështrimit që kanë shfaqur në tituj, mediat, pa përjashtim, kanë publikuar komunikatën në formë të plotë, pa ndërhyrje redaktuese, gjë që flet për faktin se mediat në vend, shpesh bëhen “zëdhënëse” apo transmetuese të qëndrimeve të partive politike.

Mediat në gjuhën shqipe, objektivisht dhe në mënyrë të balancuar kanë raportuar mbi qëndrimin e Mickoskit, i cili hedh kërkesën për Parlament dydhomësh. Pjesa më e madhe e mediave shqipe, si TV 21, portali Shqipmedia, Klan Maqedonia, portali Gazetaexpres raportonin duke cituar drejt Mickoskin se “Më e frikshme ishte shpjegimi i liderëve politik shqiptar, e ajo është formimi i Kuvendit dydhomësh që defakto dhe dejure do të nënkuptonte edhe federalizëm. Mendoj se ky është një vendim shumë i gabueshëm dhe cenon karakterin unitar të shtetit. Mendoj që as Evropës e as botës nuk i duhet një Bosnje në Ballkan dhe një shtet jofunksional”.

Ndërsa mediat në gjuhën maqedonase, duke mos mundur që t’i shmangen rolit të kanalit për publikimin e qëndrimeve politike, siç shihet në agregatorin Grid.mk (02.11.2022) kanë publikuar të plotë komunikatën e VMRO – DPMNE- së me titullin “Mickoski për heqjen e 20 % nga Kushtetuta: Të fokusohemi tek zgjidhja e problemeve të qytetarëve dhe të mos krijojmë ndarje të reja”. Përjashtim bëjnë dy media, Fokus dhe Lokalno, të cilat theksin nuk e vënë tek thellimi i ndasive, por tek pjesa e komunikatës, sipas së cilës “Evropës dhe botës nuk i duhet një Bosnjë e re në Ballkan”.

Ndaj Parlamentit dydhomësh një pjesë e narrativit mediatik ka qenë i ngjashëm me atë politik. Portali Plusinfo në raportin analitik me titull “Ne me Parlament njëdhomësh nuk ia dalim, e jo më me Parlament dydhomësh. Si do të zhvilloheshin çështjet, nëse pranohet propozimi i Taravarit?” ka pasur qasje, e cila është bazuar tek hipoteza se institucioni legjislativ me dy dhoma nuk është në të mirën e vendit. Pikërisht, për të arsyetuar këtë tezë, portali ka konsultuar burime që mendojnë njësoj apo siç thotë populli “i mëshojnë një teli”. Bëhet fjalë për ish kryetarin e Kuvendit dhe të ish Partisë së Re Socialdemokrate, Tito Petkovski, profesorin e së drejtës kushtetuese, Svetomir Shkariq, profesorin e shkencave politike, Mersel Bilalli, deputetin e VMRO – DPMNE- së, Antonio Milloshoski, lideren e Partisë për Ripërtëritjen e Maqedonisë, e njohur si DOM, Maja Moraçanin, ndërsa mungon qëndrimi i Lidhjes Socialdemokrate në pushtet, e cila edhe pse e kontaktuar nuk ka pranuar të prononcohet lidhur me propozimin. Edhe burimi i vetëm që i përket përkatësisë etnike shqiptare, Mersel Bilalli jo më kot është zgjedhur të jetë kundërshtues i kësaj ideje, pasi i njëjti citohet të ketë thënë “Ideja për formimin e Parlamentit dydhomësh duhet të studiohet mirë, që të shihet se vallë një gjë e tillë është funksionale apo jo. Por ajo, që mua më brengos është se partitë politike nuk kanë ide për zhvillim ekonomik. Institucionet tona ekzistuese nuk funksionojnë si duhet, ndërsa ne jemi nisur të formojmë Parlament dydhomësh”.

Media në rastin konkret raporton në mënyrë të njëtrajtshme apo njëdimensionale, pasi shfaq vetëm qëndrimet kundër propozimit, duke mos i dhënë hapësirë edhe ndonjë zëri tjetër që e arsyeton idenë e Parlamentit dydhomësh, me përjashtim të qëndrimit të Aleancës për Shqiptarët, përmbajtjen e të cilit ky portal e dekontrukton në fillim të raportimit, e më pas ka renditur varg qëndrimet kundër tij.

Përfundime

Mediat në Maqedoni, ngjashëm si edhe pas konfliktit të armatosur, nuk mund t’i shmangen narrativit etnocentrik, edhe kur bëhet fjalë për çështje që kanë të bëjnë me Marrëveshjen e Ohrit, e cila synim parësor ka pasur kthimin e mirëbesimit mes komuniteteve etnike në vend dhe krijimin e parakushteve juridike dhe institucionale për të pasur kohezion shoqëror.

Kjo linjë e politikës editoriale, e cila vë në plan të parë interesat e “imagjinuara” etnike, vërehet gjithmonë kur raportohet apo interpretohet mbi çështjet politike që kanë pikëtakime me identitetet etnokulturore.

Edhe pse intonacioni etnocentrik nuk ka qenë shumë i lartë, ai është vërejtur dukshëm, edhe atë në mënyrë të drejtpërdrejtë dhe josuptile në media, gjatë raportimit të deklaratave të shumta politike dy javëve të fundit sa i përket heqjes së “20 përqindëshit”. Këto deklarime në formë të spirales kanë rritur nivelin e kërkesave politike në stilin “veprim – reagim”.

Tek mediat shqipe është vërejtur qasje selektive ndaj qëndrimeve të liderit të VMRO – DPMNE-së, Hristijan Mickoski lidhur me heqjen e Badenterit dhe balancuesit, qasje kjo e cila bën që publiku të mos receptojë në tërësi qëndrimin politik të liderit opozitar, por të cunguar, që është në kundërshtim me standardet profesionale për raportim objektiv dhe gjithëpërfshirës. Ndërsa, si kundërpërgjigje kanë përdorur edhe zhanret analitike: komentin dhe raportet analitike. Në këto të fundit janë përzgjedhur bashkëbisedues, të cilët kanë qëndrime të ngjashme mes tyre, por që përfundojnë tek moskushtëzimi i ndryshimit të “20 përqindëshit”, si përkufizim fyes për shqiptarët dhe gjuhën shqipe.

Tek mediat maqedonase ka pasur qasje, e cila ka vënë në pah kërkesën e Aleancës për Shqiptarët për Parlament dydhomësh nëse bie Badenteri, e cila është minimizuar në një pjesë të mediave shqipe.

Nga analiza e përmbajtjeve mediatike, vijmë tek konstatimi se gjatë publikimit të qëndrimeve të partive politike në formë deklaratash të liderëve apo komunikatash, mediat shndërrohen më tepër në instrumente për marrëdhënie publike, se sa në mjete të komunikimit masiv që qëndrimeve politike u qasen në mënyrë kritike. Publikimi në tërësi i komunikatave dhe deklaratave pa respektuar rregullat e ‘piramidës së përmbysur’ e vërteton këtë.

Rekomandime

Natyrisht se kur bëhet fjalë për çështjet etnike, mediat duhet të jenë të kujdesshme se si raportojnë, duke mos lënë anash rolin e tyre koheziv në një shoqëri shumë-kulturore, shumë-gjuhësore dhe shumë-etnike.

Kodin Etik të Gazetarëve thuhet:

 “Gazetari me vetëdije nuk do të krijojë ose përpunojë informata, që cenojnë të drejtat dhe liritë e njeriut, nuk do të përdorë gjuhën e urrejtjes dhe nuk do të nxisë dhunë ose diskriminim mbi çfarëdo lloj baze qoftë (kombëtare, fetare, racore, gjinore, shoqërore, gjuhësore, politike, orientimi seksual…)” (pika e dhjetë).

Për ta qartësuar këtë standard gazetaresk, në udhëzimet e Këshillit të Etikës në Media për raportim etik të mediave onlajn thuhet:

“Gjatë raportimit për problemet e grupeve dhe komuniteteve të ndryshme në shoqëri, mediat onlajn do kenë qasje me shumë kujdes, do të përdorin terminologji të saktë dhe të standardizuar dhe nuk do të përdorin komente fyese ose shprehje me të cilat në mënyrë të pavetëdijshme do të krijojnë ose forcojnë stereotipat për ta”.

Përveç rekomandimeve të përgjithshme, që parashikojnë se mediat përkatësisht reporterët dhe redaktorët duhet të jenë të kujdesshëm që gjatë trajtimit të çështjeve të ndjeshme të mos nxisin tensione ndëretnike, duhet pasur parasysh që çështjet e këtilla duhet të trajtohen me tërë ndërlikueshmërinë e saj në mënyrë të balancuar dhe gjithëpërfshirëse.

Kjo, para së gjithash, nënkupton se çështjet e këtilla duhet të kontekstualizohen edhe me sfond historik, pasi kjo temë aktualizohet, por e njëjta nuk është e re. Fatkeqësisht, nuk arritëm të kuptojmë nga mediat se si në Marrëveshjen e Ohrit dhe më pas edhe në Kushtetutën e Maqedonisë së Veriut ka ngelur formulimi “20 për qind” dhe cila është poenta e tij.

Kjo nënkupton se mediat duhet t’i shfaqin publikut qëndrimet e palëve të ndryshme, të cilat kundërshtojnë njëra tjetrën. Natyrisht, mbi çështje të këtilla vlen rregulli i artë në gazetari që “për një çështje të caktuar duhet të konsultohen dy ose më shumë burime, të pavarura mes vete”.

Mediat, gjatë raportimit dhe trajtimit të çështjeve me rëndësi publike dhe që prekin marrëdhëniet ndëretnike, nuk duhet të bëjnë selektimin e fakteve apo të ritheksojnë disa tjera, në favor të agjendave të ndryshme, të cilat mund të jenë politike apo etnike.

Në këtë drejtim, duhet pasur kujdes që gjatë citimit dhe transmetimit të deklaratave, ato nuk duhet të nxirren nga konteksti ose të injorohen pjesë të tyre, pavarësisht nëse i shkojnë për shtati apo janë në kundërshtim me pikëpamjet e shumicës dërmuese të publikut, të cilit i drejtohen. Njëra ndër detyrat parësore të medias është të raportojë dhe të hulumtojë mbi çështje, të cilat brenda vetes kanë kundërthëniet e motivuara etnikisht dhe për të cilat ka interes publik.

Një rekomandim i veçantë që del nga analiza e përmbajtjes së mediave mbi temën e “20 përqindëshit” është se mediat, duhet të bëjnë përpjekje që gjatë publikimit të deklaratave apo komunikatave të jenë më profesionale dhe të mos bëhen vetëm “shpërndarëse” të tyre, pasi shpesh lajmi fshihet në brendinë e tyre.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut