Më 6 nëntor 2022, Ambasada Ruse në Maqedoninë e Veriut botoi postim në Tuiter me një mural ku shkruan “Mitrovica e Kosovës. Kosova është Serbi – Krimea është Rusi”. Në këtë tuit shkruan: “Vini re, Rusia = Luhansk, Doneck, Zaporozhje dhe Herson.” Tuiti u përhap më pas në rrjetet sociale dhe u publikua nga disa portale. Mirëpo, ky postim në Tuiter i ambasadës ruse nuk përmban fakte, por dezinformata propagandistike.
Së pari, për Maqedoninë e Veriut, vendin në të cilin u publikua ky tuit, Kosova nuk është Serbi, por një shtet i pavarur i njohur para 14 viteve. Kosova njihet edhe nga më shumë se 100 anëtarë të OKB-së.
Së dyti, për Maqedoninë e Veriut, Krimea është pjesë e Ukrainës, jo e Rusisë. Vendi mbështet sovranitetin dhe integritetin territorial të Ukrainës dhe së bashku me shumë vende të tjera merr pjesë në Platformën e Krimesë, duke afirmuar qëndrimin se “Krimea është Ukrainë”.
Edhe kryetari i Kuvendit, Talat Xhaferi, në një takim të Platformës së Krimesë në Kiev theksoi “unitetin e bashkësisë ndërkombëtare në mbrojtjen e normave të së drejtës ndërkombëtare, e cila përcakton se “Krimeja është Ukrainë””.
Së treti, është gjithashtu dezinformatë se “Rusia = Luhansk, Doneck, Zaporozhje dhe Kherson”, siç thekson ky tuit. Këto rajone janë pjesë e Ukrainës, jo e Rusisë, e cila i pushtoi pjesërisht pas agresionit ushtarak të 24 shkurtit 2022.
Një pjesë e këtyre rajone nuk janë fare nën kontrollin e Rusisë, siç mund të shihet edhe nga infografiku e agjencisë shtetërore ruse RIA Novosti. Një pjesë e konsiderueshme e rajonit të Donetskut është nën kontrollin e Ukrainës, nën kontrollin e së cilës është edhe Zaporozhja, qyteti më i madh me mbi 700 mijë banorë dhe qendra administrative e rajonit me të njëjtin emër.
Pasi që ministri rus i Mbrojtjes Sergej Shojgu më 10 nëntor 2022 urdhëroi tërheqjen e trupave nga qyteti Herson që ishte pushtuar në fillim të marsit 2022, edhe qendra administrative e rajonit Herson nuk është më nën kontrollin rus.
Edhe krahasimet mes Kosovës dhe Krimesë nuk kanë bazë, sepse bëhet fjalë për raste të ndryshme.
Me dezinformata dhe krahasime të tilla të pabaza, Rusia dëshiron të thellojë tensionet dhe konfliktet dhe të shkaktojë kaos dhe mosbesim. Prandaj qytetarët nuk duhet të bien pre e këtyre dezinformatave propagandistike të Ambasadës Ruse.