Poligraf: Mel Gibson përsëri keqpërdoret për përhapjen e dezinformatave dhe teorive të konspiracionit kundër Holivudit dhe Perëndimit

Në videon “BISEDAT RODINASE: Pjesëmarrës: Zoran Jovançev“, transmetuar më 04.11.2022 në Facebook faqen e partisë “Rodina”, moderatorja i referohet një deklarate të supozuar të aktorit Mel Gibson që paska kritikuar Holivudin dhe Perëndimin: “Po ashtu, ai tha: a mund të jenë normalë njerëz që pinë gjakun e foshnjave dhe që, nuk e di çfarë, paskan hëngër mishin e foshnjave, as që e lexova atë pjesë, është e tmerrshme”.

Por a ka një deklaratë të tillë nga Mel Gibson? Më tepër kontrollues të fakteve me famë botërore kanë bërë me dije prej kohësh se bëhet fjalë për një deklaratë të fabrikuar të vitit 2017.

Mirëpo, edhe përkundër kësaj, deklarata e rreme e Mel Gibson qarkullon me vite, sidomos në rrjetet sociale. Një kontroll faktesh i Reutersit i 26 korrikut 2022 flet se “citim të fabrikuar që lidh Hollivudin dhe sakrificën e fëmijëve i atribuohet në mënyrë të rreme Mel Gibsonit“.

Edhe Vërtetmatësi, në artikullin “Mel Gibson i sulmuar, i mbrojtur apo i keqpërdorur?” të datës 10.01.2021, demaskon dy versione të teorisë së konspiracionit, të botuara në portalin maqedonas Reporter dhe në Kuririn serb.

Teoria e konspiracionit gjendet ende në “Reporter”, por edhe në portale të tjera.

Kuriri nga Serbia, nga ana tjetër, ka publikuar edhe korrigjimin “Zbulohet edhe një konspiracion: Mel Gibsonit i janë atribuuar deklarata të sajuara për elitën hollivudiane që pi gjak fëmijësh!” duke cituar një deklaratë nga një zëdhënës i Gibson se pretendime të tilla janë 100% të rreme.

Në të kaluarën, teori të ngjashme konspiracioni u përdorën nga nazistët për të njollosur hebrenjtë si gjakpirës të fëmijëve. Për shembull, në faqen e parë të revistës propagandistike “Shturmer” të majit 1934, u botua një karikaturë që i paraqiste hebrenjtë tamam si gjakpirës të fëmijëve.

Pavarësisht se janë hedhur poshtë dezinformatat për deklaratën e Mel Gibsonit, partia pro-ruse Rodina u përpoq të ringjallë këtë teori konspiracioni. Dhe këtë e bën mu në momentin kur propaganduesit rusë vazhdojnë të përhapin dezinformata rreth Perëndimit duke e quajtur atë “satanik”, të cilat veç më i ekspozuam në episodin e fundit të “Poligraf”-it.