“QEPA” DEZINFORMATIVE

Shkruan: ARTA TAHIRI

Nëse dikur përmbajtjet të paverifikuara, të pasakta e që nuk janë për t’u besuar ishin minimale, sot, ky lloj i përmbajtjeve ndoshta nuk e dominon skenën mediatike në aspektin sasior, por që ato kanë më shumë shpërndarje dhe me këtë edhe ndikim te publiku, kjo është e sigurt.

Dezinformatat lehtë marrin dheun

Për dallim nga informacionet e verifikuara, të shkruara me gjuhë standarde dhe me gjuhë profesionale mediatike, dezinformatat e ndryshme, sidomos ato që njihen si “qepë”, shumë më shpejtë bëhen virale. Kjo kryesisht ndodh sepse përmbajnë tituj “bombastik” apo sensacionalist me fjalë që manipulojnë me emocionet e publikut, dhe e shtyjnë atë të klikojë te këto përmbajtje.

Këto ditë një dezinformatë u bë virale. Lideri i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev përmes shënimit “E di Radeja se ku është fuqia” shpërndau në rrjetet sociale një fotografi, të cilën një pjesë e mediave e publikuan me titullin “Rade Sherbexhija hapi zyrën e “Të Majtës” në Shkup”.

Në fotografi shihet lideri i partisë “E Majta”, Dimitar Apasiev me dy persona të tjerë, ndërsa njëri prej tyre i ngjan aktorit Sherbexhija, që në fakt është një person me emrin Sllavko.

Ndonëse kjo dezinformatë e plasuar nga një qendër politike ndoshta edhe nuk ka pasur qëllim parësor përqeshjen e mediave, publikimi i tij është vetë-përqeshje e medias dhe profesionit.

Dezinformatat e këtilla janë të njohura edhe si “qepë”, sipas portalit satiriko – humoristik amerikan “The Onion” (Qepa). Dhe, këtu nuk i konsiderojmë vetëm ato që kanë përmbajtje satirike apo humoristike, por të gjitha përmbajtjet që plasohen, e që më pas vetë mediat e kuptojnë se kanë rënë në grackën e personave apo grupeve të ndryshme, apo thjesht të mediave që përfitimet i kanë nga publikimi i përmbajtjeve me natyrë “qepe”.

Përveç dezinformatave me motive politike, etnike, religjioze e mbi baza të tjera, mediat tona nuk rreshtin së publikuari “qepë” ose “para-lajme”, që mediat serioze për shkak të mosverifikimit i plasojnë si lajme të besueshme, të vërteta dhe për të cilat supozohet se janë sipas standardeve profesionale dhe normave etike.

“Qepa” për Merkon: Haja shpesh dhe me zor për t’i ndihmuar restorantet

Më 17 mars 2021, kur pandemia vazhdonte me ritmin e saj intensiv, shumë media që e quajnë veten serioze, të besueshme dhe të përgjegjshme profesionalisht, publikuan një dezinformatë të tipit “qepë” për kreun e Strugës, Ramiz Merko.

Përmbajtja u botua nga portali “Kooperacija” (emërtim për dyqanet në kohën e ish Jugosllavisë, në të cilat shpërndaheshin thashetheme) i cili publikon vetëm përmbajtje satirike dhe humoristike që kanë qëllim parësor ironizimin dhe bërjen sarkazëm me politikanët. Nga lajmi për harxhimet e Merkos, “Kooperacija” bëri një njoftim satirik, në të cilin u shtua deklarata e tij e trilluar “Shpesh kam ngrënë edhe me forcë, vetëm për të ndihmuar restorantet në Strugë”.

Në disa media, deklarata e Merkos u botua pa u theksuar se është satirë dhe më pas u shpërnda në rrjetin social Facebook, në të cilin u publikuan një numër i madh shpërndarjesh dhe komentesh, shumica prej tyre negative dhe ofenduese. Ky lajm satirik u publikua si i vërtetë për të tërhequr vëmendjen e publikut për klikime dhe për të shkaktuar mllef ndaj shpenzimeve të supozuara joracionale të Merkos.

“Kryeakademiku” bazohet te blogu satirik, citon libër joekzistues

Në media publikohen shumë “qepë”, që është mjaft brengosëse për shkak të detyrës së tyre dhe vigjilencës që duhet të shfaqin. Por, nuk janë vetëm gazetarët ata që bien pre e përmbajtjeve satiriko – humoristike. Këto përmbajtje, si serioze dhe të besueshme, fatkeqësisht, i konsideron një pjesë e madhe e publikut, bile edhe intelektualë me arsimim të lartë.

Ditëve të fundit, siç raportoi media Hashtag.al jemi dëshmitarë se kryetari i Akademisë së Shkencave të Shqipërisë, Skënder Gjinushi ka cituar një libër që nuk ekziston dhe këtë e ka bërë pikërisht gjatë një fjalimi në 50-vjetorin e Kongresit të Drejtshkrimit.

Kjo ka ndodhur pasi që në një pjesë të fjalimit të tij i është referuar një pjese të një shkrimi satirik të Gjeto Basharit (Kliko këtu për shkrimin). Gjinushi citon librin “Shteti dhe Drejtshkrimi” me autor Caruana, që janë thjesht produkt i imagjinatës së Basharit, ngase as libri, as autori me këtë emër – nuk ekziston. Studiuesja Ledi Shamku e ka ironizuar në një postim në rrjetet sociale fjalimin e kryetarit të Akademisë së Shkencave, duke thënë se tani ky libër ka marrë “jetë”. Plagjiaturën e sarkazmës nga kryeakademiku, ajo e konsideron si kryesarkazmë.

Nga këto shembuj, duhet nxjerrë mësime, se përmbajtjet mediatike duhet perceptuar me rezervë apo me dyshime mbi besueshmërinë e tyre. Aq sa është e mundur, duhet të zbatohen metoda për verifikimin e saktësisë dhe vërtetësisë së informacioneve dhe përmbajtjeve tjera mediatike.

Nisur nga këtu, çdoherë, sidomos gazetarët, duhet të jenë të vëmendshëm që të mos kopjojnë pseudolajme nga portale që prodhojnë dhe shpërndajnë përmbajtje satiriko – humoristike ose nga rubrika të portaleve, që publikojnë përmbajtje të këtilla, pasi shpesh të njëjtat janë të shënuara si humor me shkronja të imta dhe të padiktueshme nga publiku, i cili shpesh “e ha sapunin për djathë” apo i beson “qepës” mediatike!

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut