POLIGRAF: Kush po përhap dezinformata se negociatat me BE-në nuk kanë filluar?

Përveç disa politikanëve, edhe disa gazetarë dhe analistë vazhdojnë me pretendime të pavërteta se Maqedonia e Veriut nuk ka filluar negociatat me BE-në.

Më 22.11.2022, në emisionin “Çfarë nuk është e qartë?” në Televizionin Alfa, i ftuari Dragan Pavlloviq Llatas deklaroi se negociatat e vendit me BE-në as që kanë filluar.

“Ne negociatat me Bashkimin Evropian as që i kemi filluar…”, theksoi Pavlloviq.

Edhe analisti Vlladimir Bozhinovski, në një paraqitje në TV21 më 10.11.2022, tri herë në 10 sekonda pohoi se nuk i kemi filluar negociatat me BE-në.

“Nuk i kemi nisur negociatat. Këto gënjeshtra duhet të ndalen, nuk i kemi filluar negociatat. Negociatat do të fillojnë nëse ndryshohet kushtetuta. Pra, negociatat nuk kanë filluar”, tha Bozhinovski.

Mirëpo një e pavërtetë e përsëritur tri herë nuk mund të bëhet e vërtetë. Sipas dokumenteve të publikuara nga BE-ja, negociatat për Shqipërinë dhe Maqedoninë e Veriut filluan më 19 korrik 2022, e njëkohësisht nisi edhe skriningu, i cili është “hapi i parë në procesin e negociatave të anëtarësimit”.

Edhe kryetarja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lejen, gjatë vizitës së saj më 26.10.2022, foli për ditën historike të korrikut kur u hapën negociatat e anëtarësimit.

“I nderuar Kryeministër, ashtu siç premtova, ka nisur menjëherë skriningu i të drejtës së BE-së. Tani vendi është vendosmërisht në rrugën e vërtetë dhe procesi i negociatave po merr hov”, deklaroi Ursula fon der Lejen

Se skriningu në negociatat e anëtarësimit me BE-në po vazhdon, konfirmohet edhe nga tuiti i Komisionit Evropian i datës 11.11.2022, ku thuhet: “Po kthejmë një faqe të re në procesin e skriningut me Maqedoninë e Veriut, derisa po mbajmë seancën e parë dypalëshe”.

Edhe ambasadori i BE-së, Dejvid Gir, ka konfirmuar së fundmi në një intervistë për “Kullturen Peçat” se “…BE ka hapur negociatat e anëtarësimit me Maqedoninë e Veriut…”.

Rrjedhimisht, nuk është e vërtetë se negociatat nuk kanë filluar, e as se “negociatat do të fillojnë nëse ndryshohet kushtetuta”. Ndryshimet kushtetuese nuk janë kusht nga BE-ja për fillimin e negociatave, por kusht për përfundimin e fazës hyrëse të negociatave të anëtarësimit.

Dokumentet dhe përfaqësuesit e BE-së konfirmojnë se negociatat për anëtarësim me Maqedoninë e Veriut kanë filluar. Andaj, pretendimet se vendi nuk ka filluar negociatat me BE-në i vlerësojmë si dezinformata.