“Poligraf”: Dezinformata janë pretendimet se Rusia nuk po sulmon civilë dhe objekte civile në Ukrainë

 

Më 24.11.2022, më tepër portale botuan pohim të zëdhënësit të Putinit, Peskov, se Rusia nuk po sulmon objekte civile në Ukrainë. Edhe Ambasada ruse në të njëjtën ditë publikoi një pretendim të rremë se “Nuk ka pasur dhe nuk ka goditje mbi objektet sociale”.

 

Ambasada ruse gjithashtu transmetoi fjalimin e Përfaqësuesit të Përhershëm të Rusisë në OKB, i cili pohon: “Dëmtimet e ndërtesave të banimit dhe viktimat në popullatën civile po ndodhin vërtet me fajin e mbrojtjes ajrore të Ukrainës…”.

 

Nuk është hera e parë që zyrtarët rusë mohojnë sulmet ndaj civilëve dhe objekteve civile. Më 9 mars 2022, edhe ambasadori rus Bazdnikin, në një paraqitje në TV Sitel, mohoi regjistrimet që konfirmojnë sulme të tilla.

 

Bazdnikin:Ne po bëjmë gjithçka për të parandaluar çfarëdo viktimash civile. Në fillim të operacionit special ushtarak, udhëheqja ruse dha një urdhër të qartë dhe të padyshimtë që të mos sulmohen vendbanimet dhe objektet e infrastrukturës civile.”

Gazetari: “Por ato po sulmohen, po shohim pamjet”.

 

Siç theksoi gazetari i Sitelit, që atëherë, publiku ishte dëshmitar i regjistrimeve të shumta që vërtetonin se Rusia po kryen sulme ndaj civilëve dhe objekteve civile në Ukrainë.

 

Edhe OKB-ja, që kur filloi sulmi i armatosur mbi Ukrainën e deri më 28 nëntor 2022, ka regjistruar mbi 17,000 viktima civile dhe mbi 6,600 të vrarë.

 

OKB konstaton se shumica e viktimave civile janë shkaktuar nga sulmet ndaj objekteve civile. Për shembull, më 10 tetor, Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së Guteresh shprehu tronditje të thellë për sulmet masive të Federatës Ruse mbi më tepër qytete, të cilat shkaktuan dëme të mëdha në zonat civile dhe sollën vdekje dhe plagosje të dhjetëra njerëzve.

 

Edhe më 11.10.2022, OKB-ja konfirmoi se disa nga sulmet ruse janë kundër civilëve dhe “infrastrukturës kritike civile” dhe se ato janë në kundërshtim me të drejtën ndërkombëtare.

 

Përveç kësaj, zëdhënësja e OKB-së për të drejtat e njeriut, Ravina Shamsadani, theksoi se shënjestrimi i qëllimshëm i sulmeve ndaj civilëve dhe objekteve civile, pra objekteve që nuk janë caqe ushtarake, paraqet krim lufte”.

 

Edhe presidentja e Komisionit Evropian, Ursula fon der Lejen, në Tuitin e botuar më 19.10.2022 theksoi se sulmet ruse kundër infrastrukturës civile, veçanërisht ndaj energjisë elektrike, “janë krime lufte”.

 

Bile edhe propagandistja ruse dhe redaktore e RT, Simonjan, paradokohe pranoi se Rusia po bombardon çdo ditë infrastrukturën në Ukrainë.

Simonjan: “Ata po përgatiten të marrin Krimenë tonë dhe ne po bëjmë të vetmen gjë që mundemi në këtë situatë: bombardojmë, bombardojmë çdo ditë. Po bombardojmë infrastrukturën.”

 

Vërtet, ka shumë prova se Rusia po bombardon çdo ditë infrastrukturën civile. Prandaj, pretendimet se Rusia nuk sulmon civilët dhe objektet civile në Ukrainë – i vlerësojmë si dezinformata.