Poligraf: A kа lidhje ngritja e tre gishtave nga futbollisti Ramos me përshëndetjen nacionaliste serbe?

A kishte lidhje me përshëndetjen nacionaliste serbe, ngritja e tre gishtave nga futbollisti Ramos pas het-trikut në ndeshjen e Portugalisë me Zvicrën në Kampionatin Botëror në Katar?

Portali MKD Press, më 07.12.2022, publikoi titullin “PORTUGEZI FESTON GOL ME TRE GISHA: Shkatërroi Xhakën dhe shokët e tij, pastaj bëri diçka që e ngriti në këmbë mbarë SERBINË”.

Të njëjtën fotografi, me tituj të ngjashëm, e kanë publikuar edhe disa ueb-faqe të tjera serbe. Si burim është cituar Kuriri serb, i cili shkruan se “pas shënimit të golit të tretë, lojtari i Benfikës ka ngritur tre gishtat”.

Ky portal botoi edhe një tekst tjetër me titullin “Kush është Gonzalo Ramos, njeriu që dërgoi Xhakën dhe Shaqirin në shtëpi: Ngriti tre gishtat dhe gëzoi Serbinë. Vlen 120 milionë euro”. Në tekst thuhet: “Ajo që i gëzoi veçanërisht të gjithë në Serbi është fakti se pas golit të tretë, sulmuesi portugez ngriti tre gishtat me të dyja duart dhe kështu festoi triumfin e madh.”

Është fakt se Ramos ngriti tre gishtat pasi shënoi golin e tretë. Por ky gjest nuk ka të bëjë fare me përshëndetjen nacionaliste serbe.

Edhe futbollistë të tjerë të famshëm kanë ngritur tre gishta kur kanë shënuar tre gola, por, për këtë nuk janë publikuar tituj sensacionalistë se e gjithë Serbia është gëzuar.

Në futboll, gjesti me tre gishta nënkupton një het-trik dhe nuk duhet të interpretohet ndryshe. Prandaj, vlerësojmë se titujt e përmendur dezinformojnë dhe manipulojnë opinionin, por edhe nxisin pasione nacionaliste dhe jotolerancë ndëretnike.