Decentralizim në informim!

Shkruan: ARTA TAHIRI

Gjatë këtyre viteve të tranzicionit, shpesh kemi dëgjuar për decentralizim të pushtetit, që nënkupton që komunat të kenë më shumë kompetenca, por shumë pak është folur për decentralizimin mediatik. Kjo sintagmë nënkupton se media nuk duhet të jetë e fokusuar vetëm në ngjarjet apo proceset politike dhe shoqërore që ndodhin në kryeqendër, pavarësisht se shumë zhvillime politike, diplomatike, ekonomike, kulturore, arsimore dhe sportive ndodhin pikërisht në Shkup. Kjo është më shumë se normale.

Shkupi padyshim se është edhe qendër mediatike. Në kryeqendër gjendet RTVM- ja, të gjitha pesë televizionet nacionale teresteriale, pothuajse të gjitha televizionet kabllore, gazetat e përditshme informative, Agjencia Informative Shtetërore (MIA) dhe shumica e portaleve më me ndikim tek publiku.

“Shteti centralist”, edhe pas pavarësimit dhe “demokratizimit”, pas viteve të 90 – ta, nuk ka pasur sens dhe vullnet politik, që të sigurojë zbatim të strategjisë për zhvillim rajonal në sistemin mediatik. Kjo nënkupton që Agjencia e Mediave (ish Këshilli i Radiodifuzionit) është dashur të planifikojë dhe krijojë mundësi që licencë nacionale teresteriale të fitonte edhe ndonjë televizion jashtë Shkupit.

Me radion kjo ka ndodhur, pasi Kanal 77 me seli në Shtip ka licencë nacionale.

Përveç pluralizmit mediatik, që sigurohet nga larmia e peizazhit mediatik dhe avancimi i tij, nevojitet edhe diversitet si garanci për pluralizëm të përmbajtjeve informative në një medie të caktuar.

Gazetaria është profesion që duhet të ketë qasje gjithëpërfshirëse, që nënkupton se në përmbajtjet mediatike duhet të ketë prezantim objektiv dhe të balancuar të qytetarëve dhe grupeve të ndryshme, pavarësisht gjeografisë së tyre. Gazetaria e mirë dhe cilësore, gazetaria e interesit publik, duhet tu mundësojë të thonë fjalën e tyre apo ta ngrenë zërin kur e do nevoja, edhe qytetarët që kanë probleme dhe u bëhen padrejtësi e të cilët jetojnë në qytete apo fshatra të ndryshëm.

Media duhet të jetë në shërbim të publikut, të adresojë qartë dhe në mënyrë hulumtuese shqetësimet që i ka ai për çështje të ndryshme. Vetëm me ofrimin e spektrit të gjerë të mendimeve dhe qëndrimeve të ndryshme, gazetarët do të ofrojnë pasqyrë të vërtetë për atë se çfarë ndodh në shoqëri.

Kjo nënkupton, që Radiotelevizioni Nacional (ish RTVM-ja), si shërbim transmetues publik (edhe pse deri më tani i patransformuar në publik), duhet të ketë korrespondentë profesional – cilësorë dhe zyra korrespondenture në të gjitha qytetet e vendit. Këto zyra, duhet të jenë të pajisura me mjete të sofistikuara teknologjike për xhirim, pasi moti ka kaluar koha e xhirimeve me kamera VHS, të cilat përdoreshin më herët.

Në anën tjetër, ka kaluar koha edhe e raportimit vetëm me zë, i mbuluar me fotografi sllajd (fotografi e ngrirë në ekran), siç ndodhte në të kaluarën me shumë korrespondentë në Programin në gjuhën shqipe të servisit publik. Thua se raportonin për radio e jo për televizion, i cili mjet shprehës ka edhe figurën apo pamjet filmike.

Edhe mediat tjera me licencë nacionale, teresteriale dhe kabllore, por edhe portalet e ndryshme serioze, duhet të kenë korrespondentë në qytetet e vendit, prej nga do të raportohet për ngjarjet dhe do të trajtohen temat që janë aktuale në aspektin lokal.

E kemi parasysh se kjo është e kushtueshme për mediat, të cilat i ndjejnë pasojat e krizës ekonomike dhe energjetike, por nëse duan të jenë në funksion të publikut, duhet të bëjnë përpjekje që një pjesë të përfitimeve ta ndajnë për të raportuar për publikun lokal apo të bëjnë lokalizimin e informimit. Ndryshe, mediat do të jenë në shërbim të interesave private të pronarëve të tyre, pa e marrë në konsideratë funksionin shoqëror apo zhvillimin e individit dhe bashkësisë shoqërore.

Vetëm në këtë mënyrë, media do të tregojë profesionalizëm, qasje të drejtë ndaj publikut dhe me këtë do të përfitojë besueshmërinë e tij. Qytetari, jo personalisht, jo si individ, por si subjekt që ndan shqetësime dhe probleme të njëjta me të tjerët në një rajon të caktuar, nëse nuk e sheh veten në media, nuk është i prirë të besojë tek objektiviteti i gazetarëve.

Me decentralizimin e informimit do të kemi raportim të drejtë dhe ulje të dezinformatave, që nga mjedise të ndryshme, plasohen kryesisht në portale dhe rrjete sociale.

(Autorja është redaktore e lajmeve në TV ALSAT)

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut