“Poligraf”: Internet mashtrime me keqpërdorim të mjekëve të njohur dhe mjekëve të rrejshëm

Shpeshherë në Fejsbuk mund të shihen faqe që reklamojnë preparate të ndryshme mjekësore. Por, shumë nga këto postime janë mashtrime.

Një rast i tillë janë postimet në disa Fejsbuk faqe me deklarata të pretenduara dhe fotografi të epidemiologut të njohur maqedonas Dr. Panovski, të cilat janë keqpërdorur shumë herë për të reklamuar një ilaç kundër parazitëve.

Mirëpo, vetë doktor Panovski, me njoftim publik në Fejsbuk, ka mohuar se ka qenë pjesë e ndonjë reklame për ndonjë produkt mjekësor dhe ka apeluar që të mos blihen produktet që reklamohen duke keqpërdorur emrin dhe fotografinë e tij.

Edhe faqja “Vërtetëmatësi” bën me dije se “nuk është hera e parë që në rrjetet sociale të paraqiten reklama të rreme për disa preparate që ofrohen nga mjekë të shpikur apo duke keqpërdorur emra të mjekëve eminentë”.

Në shkrimin “Me reklamim të rrejshëm, një çaj prezantohet si “ilaç i certifikuar kundër parazitëve””, Vërtetmatësi ekspozoi se përveç abuzimit të mjekëve të njohur si doktor Panovski, reklamimi i rrejshëm përdor edhe fotografi të mjekëve me identitet të rreme, si dhe përvoja të rreme të përdoruesve.

Për shembull, në një reklamë paraqitet dr. Kire Trajçev, gjoja “mjek i sëmundjeve infektive”, edhe pse një mjek me emër të tillë nuk ekziston në bazën e të dhënave të mjekëve – specialistë të Fondit për Sigurim Shëndetësor. Bëhet fjalë për një mjek të rrejshëm, që vërtetohet edhe nga fotografia me përshkrimin “mjeku hispanik”, e cila mund të blihet në internet.

Rrena i ka këmbët e shkurtra, por deri sa të zbulohet, njerëzit mund të jenë viktimë e mashtrimeve nga reklamat për preparate që shiten si gjoja barna mjekësore. Prandaj, qytetarët duhet të kenë kujdes, dhe për produktet mjekësore të konsultohen vetëm mjekë të vërtetë.