Kosova për një pjesë të mediave është edhe Metohi, e për disa media – zemra e shqiptarisë

Shkruan: SEFER TAHIRI

Si kanë raportuar mediat në gjuhën shqipe dhe maqedonase mbi Kosovën, shikuar nga prizmi historik dhe krahasuar me gjendjen e tensionuar në veri? Cilat narrative kanë dominuar hapësirën raportuese mediatike në Maqedoninë e Veriut? Pse në disa media maqedonase, për emërtimin e Republikës së Kosovës vazhdon të përdoret ndajshtesa Metohi? Çfarë qasje patën mediat shqipe dhe çfarë ato maqedonase mbi bllokimet e serbëve në veri të Kosovës dhe si u raportua mbi sulmet e fundit, nga të cilat njëri ishte i armatosur ndaj disa të rinjve serbë?

Retrospektivë historike mbi raportimin për dhe rreth Kosovës

Nëse bëjmë një vështrim historik mbi raportimin e mediave në Maqedoninë e Veriut mbi çështjet që kanë të bëjnë me Kosovën, lehtë arrijmë tek konstatimi se narrativet raportuese nuk dallojnë fare nga ato standardet mbi çështjet e ndryshme etnike.

Përgjithësisht, mediat në gjuhën shqipe kanë pasur qasje raportuese dhe interpretuese mbi Kosovën, duke u vënë në pozicione mbrojtëse të kauzës shqiptare, e cila synim përfundimtar kishte arritjen e pavarësisë, që u shpall më 17 shkurt të vitit 2008. Ndërsa, pjesa dërmuese e mediave në gjuhën maqedonase raportonin dhe komentonin me narrativ, i cili ishte i ndikuar shumë nga ai i mediave serbe.

Praktika e qasjeve të ndryshme editoriale ndaj Kosovës, ka qenë e pranishme edhe gjatë periudhës së luftës së armatosur të shqiptarëve ndaj pushtetit serb në vitin 1999, në fazën para shpalljes së pavarësisë së Kosovës dhe gjatë pozicionimit të Shkupit zyrtar ndaj njohjes së shtetit më të ri në Evropë. Mediat shqipe bënin presion ndaj Qeverisë së Gruevskit që të njohë sa më shpejt që është e mundur Kosovën, ndërsa në mediat maqedonase kishte rezervime të mëdha mbi këtë njohje.

Narrativet paralele mediatike mbi Kosovën, kanë qenë të pranishme edhe në periudhën e komunizmit, por jo të theksuara si pas viteve të 90-ta, meqë mediat, pavarësisht se në cilën gjuhë publikonin informacione, komente, analiza, debate ose emisione dokumentare, në vija të trasha, kishin politikë të unifikuar editoriale, e cila ishte nën diktatin e drejtpërdrejt të ish Partisë (më vonë do të quhet Lidhja) Komuniste të ish Republikës Socialiste të Maqedonisë. Këto media, konsideronin se shqiptarët e Kosovës, kanë të drejtat e mjaftueshme politike dhe ekonomike, të drejta të njeriut, liritë individuale e të tjera dhe të gjithë ata që angazhoheshin për më shumë të drejta i shpallnin nacionalistë, separatistë, irredentistë dhe shovinistë, madje shpesh duke e devijuar kuptimin e termave që përdoreshin.

Natyrisht, se pas vitit 1981, kur ndodhën, demonstratat studentore në Prishtinë, narrativet mediatike në shqip dhe maqedonisht, kishin dallime, por të nuancuara e jo si sot, që janë të dukshme dhe jolatente.

Si raportohet sot në mediat e Maqedonisë së Veriut mbi Kosovën?

Kosova, për shkak të afërsisë gjeografike, por më shumë për shkak të kontekstit gjeopolitik, vazhdon të jetë njëra ndër temat që në mediat tona i kushtojnë vëmendje të madhe. Natyrisht, kjo ndodh edhe për shkak të ndikimit që kanë ngjarjet dhe proceset politike në Kosovë ndaj atyre në Maqedoninë e Veriut.

Në një pjesë të mediave maqedonase, Kosova vazhdon të emërtohet së bashku me ndajshtesën Metohi. Sipas një analize të Radios Evropa e Lirë, “Nocioni “Metohija”, pavarësisht se daton që nga mesjeta apo shekulli 11-të dhe është term kishtar, ky nocion vazhdon të përdoret edhe sot në diskursin publik, formal dhe joformal, nga popullsia serbe që jeton në Kosovë, por edhe nga drejtuesit e lartë të institucioneve të Kosovës që përfaqësojnë bashkësinë serbe. Termin “Metohija”, ata gjithmonë e përdorin si ndajshtesë kur përmendin Kosovën, duke iu adresuar si “Kosova dhe Metohija”. Përdorimi i këtij termi, jo rrallë, ka krijuar tensione verbale ndërmjet serbëve dhe shqiptarëve. Të parët shprehin mendimin se përdorimi i këtij termi nuk ofendon askënd dhe nuk ka tendencë politike, ndërkohë që të dytët, e përjetojnë si term tendencioz politik ndaj Kosovës”.

Me këtë ndajshtesë, kanë raportuar një pjesë e mediave në gjuhën maqedonase, duke transmetuar deklaratën e ministrit të Punëve të Jashtme të Maqedonisë së Veriut, Bujar Osmani, më 1 janar të vitit 2023, se Shkupi nuk pajtohet me tentimet e Beogradit për kthimin e policisë serbe për kthim në Kosovë.

Një pjesë e mediave maqedonase siç janë portalet Republika, Lokalno dhe  Pressingtv, siç ndodh në të shumtën e rasteve, duke u bazuar si burim te agjencia serbe e lajmeve Tanjug, raportonin me titullin e kopjuar “Bujar Osmani: Maqedonia e Veriut kundër kthimit të forcave serbe në Kosovë”. Këto media theksonin se kthimi i forcave serbe bazohet tek marrëveshja ndërkombëtare, që është Rezoluta 1244 e Kombeve të Bashkuara. Mediat në raportimin mbi deklaratën e ministrit të jashtëm, shkruanin, duke cituar Tanjugun: “Osmani tha se Shkupi, me brengosje i ndjek ngjarjet e fundit në veri të Kosovë dhe Metohisë dhe vlerësoi se intensifikimi i ndërmjetësimit përmes ideve konkrete është mundësi e mirë, që duhet ta shfrytëzojnë të dy palët, duke nënvizuar se bëhet fjalë për ndërmjetësim evropian përmes propozimit francez – gjerman”.

Ndërkohë, mediat në gjuhën shqipe, e kanë përcjellë në mënyrë korrekte deklaratën e Osmanit, duke mos e nxjerrë nga konteksti, siç bëri agjencia Tanjug. Mediat shqipe, deklaratën e transmetonin me titullin “Osmani: Jemi kundër thirrjeve për kthim të ushtrisë serbe në Kosovë”.

Narrativi serb “pushton” mediat maqedonase mbi veriun e Kosovës

Narrativ i ngjashëm, me atë të transmetimit të deklaratës së Osmanit, në mediat në gjuhën maqedonase, është evidentuar gjatë raportimit mbi tensionet në Veri të Kosovës.

Televizioni me licencë kabllore TV 24, më 11 dhjetor ka raportuar me titullin “Rriten tensionet në Kosovë dhe Metohi”, por kërkimet rezultojnë se ky lajm është tërhequr nga faqja e internetit të televizionit. Megjithatë, pavarësisht heqjes së lajmit, ekziston dëshmi se një përmbajtje informative e këtij televizioni është publikuar me ndajshtesën Metohi.

Skrinshot nga lajmi i publikuar në ueb-faqen e TV 24, 11 dhjetor 2022

Kësaj dezinformate, portali Zhurnal i kushtoi një shkrim të veçantë me titull “TV 24 në Maqedoninë e Veriut i referohet Kosovës si “Kosovo Metohija”, a duhet të reagojë Këshilli për etikë në media?“. Në këtë shkrim theksohej se ” Gjatë informimit për situatën në veri një televizion nga Maqedonia e Veriut i është referuar Republikës së Kosovës si krahinë e Serbisë si dhe me gjuhën e narrativin e presidentit të Serbisë, Alekasandër Vuçiq, “Kosovo Metohija”, kjo është një shkelje e kodit etik gazetaresk dhe për këtë duhet të ketë edhe reagim nga Këshilli për Etikë në Media në Maqedoninë e Veriut”.  Më tej Zhurnal shkruante se “Etnocentrizmi dhe anti-shqiptarizmi janë tiparet poseduese të këtij lajmi që është publikuar nga ky televizion, lajm kryesisht me përmbajtje të pavërteta dhe tendencioze si dhe që tregojnë qartazi se në anë e kujt janë të rreshtuar. Veprim në kundërshtim me kodin etik gazetaresk që nuk raporton drejt, një shteti të pavarur si Republika e Kosovës, ky televizion i referohet si krahinë, e kjo nuk duhet të përfundojë me kaq”.

Pas këtij reagimi, gazetari Zekirija Haxhiu i është drejtuar Këshillit të Etikës në Media, ndërsa pas shqyrtimit, Komisioni i Ankesave pranë organit vetërregullator mediatik konstatoi se ky rast mbyllet me pajtim mes palëve, gazetarit Haxhiu dhe TV 24. Haxhiu është pajtuar me shpjegimin e televizionit se “Bëhet fjalë për gabim të paqëllimshëm gjatë emërtimit të shtetit dhe se lëshimi është bërë, pasi në shkrim nuk është apostrofuar citati i shprehur nga personi zyrtar në Serbi”. Nga televizioni kanë njoftuar se lajmi menjëherë është tërhequr nga ueb-faqja e medias. Këshilli i Etikës së Mediave u bëri thirrje mediave që të kenë kujdes gjatë emërtimit të shteteve.

Shembuj të shumtë të dezinformimit mbi Kosovën

Por, kërkimet dëshmuan se TV 24, nuk është media e parë që Kosovës i referohet me ndajshtesë Metohi. Televizioni me licencë nacionale tokësore Telma, më 31 korrik të vitit 2022, raportonte me titullin “Tensione në veri të Kosovës, borri në Mitrovicë, janë bllokuar një pjesë e vendkalimeve kufitare“. Në raportin e Telmës thuhet “Tensionet barten edhe në rrugët, në të cilat një pjesë e qytetarëve serb në veri të Kosovës dhe Metohisë dolën në protestë në rrugët magjistrale, në vendet Rudare, Jarinje dhe Zupçe, ku nga barrikadat është blokuar trafiku”.

Në lajme të ndryshme që kanë të bëjnë me Kosovën, mediat në gjuhën maqedonase, përdorin emërtimin Kosovë dhe Metohi, ndërsa në masë të madhe burimet e informimit i takojnë proveniencës politike serbe dhe shumë pak asaj shqiptare të Kosovës.

Kështu, portali i të përditshmes Slloboden Peçat, më 29 dhjetor të vitit 2022, raportin me titullin “Filloi heqja e barikadave, hapet vendkalimi kufitar Merdare“, e bazon tek Radiotelevizioni i Serbisë. Në raport thuhet “Ka filluar heqja e barrikadave në veri të Kosovës dhe Metohisë”.

Më 10 dhjetor të vitit 2022, portali Faktor raportonte me titullin: Do ta kthejë Serbia ushtrinë në Kosovë: Bërnabiq paralajmëron ‘Jemi afër vendimit’. Ky portal, në raport nënvizonte se “Tensionet në Kosovë dhe Metohi e hapën temën e kthimit të Ushtrisë serbe në Kosovë, që është detyrim i shkruar në Rezolutën 1244 të Këshillit të Sigurimit të Kombeve të Bashkuara, gati se 23 vite”.

Portali A1on, plason dezinformatë, duke e devijuar përmbajtjen e komunikatës së ambasadave të Shteteve të Bashkuara të Amerikës në Prishtinë dhe Beograd. Më 11 dhjetor të vitit 2022, ky portal raportonte duke dezinformuar se “SHBA-ja  shpreh brengosje të thellë për gjendjen aktuale në veri të Kosovës dhe Metohisë“. Në këtë plasim të komunikatës, shtesa Metohi është ndërhyrje e palejueshme editoriale e portalit A1on.

Mediat në gjuhën shqipe, informacionet e publikuara i bazojnë tek burimet shqiptare të Kosovës, kryesisht tek kryeministri Albin Kurti, ndërsa në raportim dominon narrativi kundërshtues ndaj Serbisë, që shfaqet në lajmet e tipit “Kurti: Serbia dëshiron që ta vazhdojë luftën që e humbi në Kosovë“. Në mënyrë pompoze, më 28 dhjetor u transmetua deklarata e kryeministrit lidhur me gjendjen në veri, i cili thotë se “Nuk do të bisedojmë me kriminelët por do t’i arrestojmë” (portali Lajmpres, Inaonline, Lajmi.net).

Një konotacion etnocentrik mbi dy sulme ndaj të rinjve në veri të Kosovës

Edhe raportimi mbi plagosjen e dy serbëve në Shtërpcë më 6 janar 2023 dhe mbi sulmin fizik ndaj një të riu serb që ndodhi më 7 janar, në ditën e festës krishtere Buzmi, është përcjellë me tone etnocentrike. Pjesa më e madhe e mediave në gjuhën maqedonase kanë theksuar përkatësinë etnike shqiptare të personit që ka gjuajtur me armë ndaj dy të personave dhe të sulmuesve ndaj të riut një ditë më pas.

Mbi ngjarjen në Shtërpcë, ku u plagosën kushërinjtë Sefan S. (11 vjeçar) dhe Millosh Stojanoviq (21 vjeçar) sipas agregatorit të lajmeve time.mk, theksi është vënë tek përkatësia etnike serbe e të plagosurve dhe tek fakti që sulmuesi me armë është shqiptar lokal.

Edhe mediat në gjuhën shqipe, sipas agregatorit të lajmeve Fax.al kanë bërë të ditur se të plagosurit i takojnë komunitetit serb, ndërsa autorit të sulmit të armatosur nuk i është apostrofuar përkatësia etnike, por vetëm ajo profesionale, përkatësisht, është raportuar se Azem Kurtaj është pjesëtar i Forcave të Sigurisë së Kosovës (FSK).

Pjesa më e madhe e mediave në gjuhën maqedonase, siç evidenton agregatori Time.mk , në raportimet e tyre thonë: “Një grup shqiptarësh mbrëmë rreth orës 2.30 minuta kanë rrahur Stefan Tomiqin (18 vjeçar) nga Kllokoti, derisa ai dhe vëllai i tij janë kthyer nga liturgjia e Krishtlindjes në mesnatë”. Kësaj ngjarjeje në mediat në gjuhën shqipe i është kushtuar shumë pak hapësirë.

Përfundime dhe rekomandime

Në mediat shqipe dhe maqedonase, Kosova ka pasur vëmendje të veçantë, që nga vitet 90-ta e këndej. Nëse mediat maqedonase e kanë trajtuar si çështje apo problem rajonal, mediat shqipe, Kosovën e kanë trajtuar nga prizmi i çështjes që i takon hapësirës etno – politike shqiptare në Ballkan.

Siç ka ndodhur në të kaluarën, kur Kosova kishte krijuar sistemin e saj paralel, që zgjati nga viti 1989 deri në vitin 1999 dhe luftës së armatosur e shqiptarëve të Kosovës ndaj Serbisë, si dhe më vonë, deri në shpalljen e pavarësisë së saj në vitin 2008 dhe pas këtij akti, narrativet mediatike janë mbizotëruar nga qasja etnocentrike.

Në një pjesë të mediave maqedonase, Kosova paragjykohet edhe sot, duke ia vënë ndajshtesën Metohi, ndërsa burimet e informimit, kryesisht janë zyrtarët serb dhe mediat e Beogradit. Në mediat shqiptare, fokusi është tek kundërshtimi i politikës serbe në Kosovë dhe tendencave të saj për kthim të mundshëm të forcave të armatosura në veriun e Kosovës, që zakonisht janë deklarata të kryeministrit Albin Kurti dhe drejtuesve të Kosovës.

Gjithashtu, është evident fakti që gjithmonë kur flitet për ngjarje të rënda apo sulme të armatosura, mediat në dy gjuhë, e theksojnë, madje që në tituj, përkatësinë etnike të autorëve të veprave kriminale dhe viktimave, pavarësisht nëse janë shqiptarë ose serbë. Ky etiketim etnik i pjesëmarrësve në ngjarje të ndryshme duhet të mënjanohet, meqë shpesh përkatësia etnike, jo në të gjitha konfliktet është motiv kryesor. Natyrisht se ka raste, kur ky etiketim në media është i pashmangshëm, por nuk duhet të jetë i theksuar në titujt e gazetave dhe portaleve apo në titujt kryesore të lajmeve në radio dhe televizion.

Mediat nuk duhet të nxisin dhe të thellojnë konfliktet, por duhet të bëjnë përpjekje që të ndikojnë në uljen e tensioneve, sepse misioni i gazetarisë duhet të jetë dhënia përparësi paqes dhe mirëkuptimit e tolerancës ndëretnike, e jo stimulimi i konflikteve dhe armiqësive ndëretnike.

(Autori është profesor universitar në lëmine e gazetarisë dhe komunikimeve publike)

—-

Instituti për Media dhe Analitikë IMA jo çdoherë pajtohet me qëndrimet e dhëna në shkrimet dhe analizat autoriale, mirëpo e vlerëson lartë kontributin e secilit autor dhe kontributin e ekspertëve mediatik për zhvillimin e një debati të argumentuar me vështrime të ndryshme për të avancuar gjendjen në hapësirën mediatike në Maqedoninë e Veriut